Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Islami: Dy fjalë për luftëtarin, rapsodin dhe humanistin Arif Islamin

| E diele, 15.10.2023, 07:52 PM |


DY FJALË PËR LUFTËTARIN, RAPSODIN DHE HUMANISTIN ARIF ISLAMIN

Nga Sami Islami

PAK HISTORI

Duke i lexuar librat e bashkëvendësit tim, Gani Ratkocerit “100 VJET PAVARËSI”, Tiranë, 2012 dhe PROFESOR AHMET GASHI, “MËSUES I POPULLIT” RILINDASI I FUNDIT, Tiranë, 2005, përveç tjerash,  kam gjetur mjaft të dhëna për jetën e gjyshit tim Arif Islamin (Reçicën), prej shpërnguljes se tij nga trojet etnike në vitin 1878, e deri me vendosjen e tij në fshatin Llugaxhi. Gjyshin tim, bashkë me qindra e qindra shqiptarë të tjerë, pas Kongresit të Berlinit, pra pas vitit 1878,  ushtria serbe i përzuri nga trojet e veta. Të parët tanë ishin nga fshati Reçicë, që gjendet në mes të Prokuples dhe Leskovcit.

Shumica e të shpërngulurve edhe sot e ruajnë mbiemrin e vendit, Reçica, Ratkoceri, Byqmeti, Konjufca, Tmava, Magashi... Qysh më ka treguar baba Islam, djali i vogël i gjyshit  Arif, autoritetet turke  të kohës, refugjatët i  lejuan të qëndronin për tri vite në kodrat e Gadimes. Më pas ata i zhvendosën në një djerrinë mbuluar me kaçuba në perëndim të Gadimes, ku jetojnë edhe sot. Të parët e tanë u detyruan të hapnin toka pune dhe troje për banim. Kjo u bë e mundur duke i pre dhe nxjerrë me rrënjë këto kaçuba. Edhe emri i vendbanimit të ri  u quajt “Llugaxhi” (që vjen nga fjala sllave “llugë” që domethënë “kaçubë”). Llugaxhia u krijua më vitin 1883. Me rastin e vendosjes këtu, stërgjyshi im Islami, qe më i vjetri nga Reçicët. Në këtë vit, u vendosën edhe muhaxhirët e tjerë, Retkocerët, Konjufcët e Byqmetët. Më vonë u vendosën Magashët, Llapashticët, ...Gashët dhe Qykollët (Në lidhje me këtë shih: Fetah Reçica, TRUNGU GJENEALOGJIK I BILALLIT, Prishtinë, 2004, f. 10).

ARIFI ISLAMI (REÇICA) PJESËMARRËS I LUFTËS SË KAÇANIKUT

Perandorisë Osmane, me humbjen e luftës kundër Rusisë më vitet 1877-1878, filluan t’i lëkundeshin themelet. Por ajo, si një ulkonjë e plagosur, shikonte t’i mbante të nënshtruar  shqiptarët, por jo edhe popujt tjerë (serbët, malazezët, bullgarët dhe grekët). Porta e Madhe këtyre popujve, u  kishte dhënë autonomi, nga se e kishin në krah aleatin e fortë  Rusinë.

Fatkeqësisht shqiptarët, në këtë kohë, nuk kishin asnjë aleat, prandaj të vetmen rrugë që kishin, ishte të luftonin vetë për t’u çliruar nga zgjedha Otomane. Kryengritjet e shqiptarëve me në krye Isa Boletinin, Hasan Prishtinën  e patriotëve të tjerë  u përhapën gjithandej Kosovës. Kjo ndikoi që të organizoheshin kryengritje nga një  vilajetet në tjetrin, si në vilajetin e Shkodrës, Manastirit, Janinës, e veçanërisht në vilajetin e Kosovës. Sa më shumë që Turqia po përpiqej me dhunë t’i shtronte shqiptarët, aq më shumë tek ata po shtohej rezistenca, zemërimi dhe urrejtja ndaj Perandorisë.

Lufta e Kaçanikut  ndodhi më 1910,  kur gjyshi Arif ishte në moshën e re.  Në këtë luftë, nën udhëheqjen e Idriz Seferit,  u mobilizuan luftëtarë nga mbarë Kosova. Kësaj lufte iu bashkua edhe Arif Reçica (Islami), bashkë me vendasit e tij Sefë Reçicën dhe Qerkin Ratkocerin.

Si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i Luftës së Kaçanikut, gjyshi Arif flet për atmosferën dhe entuziazmin e luftëtarëve  para se të fillonte lufta. Ja si e përshkroi ai këtë moment:

“Kur filloi dita me zbardhë majat e maleve  ne ishim ba gati për udhë. Të gjithë prisnin me padurim të niseshim. Na dukej vetja, jo sikur shkonim në luftë, por si në dasëm. Secili nga ne shikonte në drejtim të majës së Lubotenit, që sa kish fillu t’i dukej maja e bardhë ...

Para nesh qëndronin kapedanët, që herë mbas here shikonin në drejtim të kullës ku ishte  Idrizi me shokët e tij. Ma tutje ishin kuajt e kapedanëve  dhe udhëheqësve që mezi i mbanin.

Ndërkohë doli nga kulla Idrizi dhe po vinte drejt nesh. Menjëherë u dëgjuan të thirruna të forta : “Nuk duam Hyrjet, duam katër vilajete”. Kur u afrue Idrizi pranë nesh bani me dorë  që të pushonim . Thirrjet  u prenë menjëherë. Ai na tha këto fjalë:

”Vllazën! Sot po nisemi me e zanë Grykën e Kaçanikut dhe grykat e tjera të rëndësishme. Atje do t’i tregojmë Turqisë dhe Evropës se ne luftojmë për trojet tona, për lirinë tonë. Na nuk do të luftojmë as për mbret as për krajl, siç shkruajnë ata nëpër gazeta. Pra, të tregojmë trimni e urtësi ashtu si të parët tanë, që t’u japim me kuptue atyne se na nuk jemi hajdutë që duem me plaçkitë mallnat e Turqisë e të Evropës nëpër pampura (trena S.I.), por ushtarë të bindun të vatanit”. (Gani D. Ratkoceri, 100 VJET PAVERËSI, Tiranë, 2012, f. 143).

Luta e Kaçanikut qe një nga luftërat më të mëdha që kishin ndodhur ndonjëherë në trevat shqiptare. Turqit nuk arritën dot t’i thenin shqiptarët. Por, derisa Turqisë po i vinin pa ndërpre forca të reja, kryengritësit  shqiptarë po prisnin kot. Ata po luftonin pa kompromis me ato forca që i kishin. Fronti i luftës po zgjerohej gjithandej, duke u rrezikuar rezistenca në  disa pika të tjera.

Me  këtë rast Idriz Seferi u detyrua t’i shpërndante forcat kryesore në ato krahina, që ta vazhdonin luftën kundër armikut dhe  agjentëve të xhonturqve. Por ai, taktikisht, mbajti me  vete disa forca të tjera;  kryesisht forcat e Karadakut dhe disa vullnetarë të lagët, që ishin pjesëmarrës të Betejës  së Kaçanikut, në mes tyre edhe Ramë Pirën, Islam Pirën, Ivë Markun, Ramadan Zaskokun, Durrajt e Kaçanikut, Hamdi Kurtshin, Arif Reçicën (Islamin), Qerkin Ratkocerin e shumë të tjerë.

Siç shkruan autori në librin e tij, gjyshi nuk kishte qenë thjesht vetëm një luftëtar. Ai kishte qenë edhe bashkëpunëtor i ngushtë i Idrizit. Bile, në një nga bisedat e  lira strategu Idriz i kishte thënë  gjyshit:

Arifo, ti je i pa shkollë, por i ri dhe mendje thellë. Prandaj shikoji mirë luftërat që po bajnë këta djem e mundin që po heqin për ta pa të lirë tokën shqiptare. Tregoju atyne që do të vijnë pas nesh që t’mos na mallkojnë, në kjoftë se nuk arrijmë ta çlirojmë tash për tash tokën tonë  nga hasmi shekullor. Sa u përket turqve, unë kam shumë besim se do ta çlirojmë shpejt. E keqja ma e madhe asht se tokat tona i lakmojnë shumë fqinjët tanë dhe këta i ndihmojnë dërzhavat ( shtetet S.I.) e mëdha. Ju e shikoni edhe vetë! Jo vetëm që nuk na ndihmuan për me luftu kundër armikut të përbashkët, që na deri dje i kemi ndihmu për m’u çliru, por e ndihmojnë atë, që të na shtypi sa ma shpejt dhe egërsisht” (Po aty f. 189).

Pasi që Durgut Pasha  nuk arriti ta thyente rezistencën shqiptare me luftë, atë e arriti me tradhti, siç ishte rasti i tradhtarëve Rrustem Kabashit, Prenk  Pashës së Mirditës, Shaban Binakut të malësisë së Gjakovës  (po aty f. 200). Tradhtari Rrustem Kabashi u del vullnetarëve lumjanë (rreth 8000 sish), të cilët kishin mësy Kaçanikun për t’i ndihmuar Idriz Seferit dhe u thotë që të ktheheshin se Sulltani ua kishte pranu kërkesat e shqiptarëve. Në mungesë të forcave shtesë lumjane, Idriz Seferi urdhëron që kryengritësit të tërhiqeshin nga pozicionet.

Beteja e Kaçanikut përfundoi. Megjithatë,  sipas shumë kronikanëve, ajo luftë hyri në histori si nga betejat më të lavdishme që njeh ballafaqimi i popullit shqiptar me një perandori. Bile këtë betejë autori i librit Gani Ratkoceri e krahason me betejën e Termopilëve të mbretit legjendar të Spartës Leonidha I, i cili vdiq  në luftë kundër Persianëve më vitin 488 para Krishtit. Ngjashmëria është se Idrizi ka përdor të njëjtën strategji luftarake si spartakët në ngushticën e Termopilëve.

ARIF ISLAMI (REÇICA) “HOMERI I SHQIPËRISË”

Unë  kam dëgjuar se gjyshi im, Arifi,  kishte pasur një talent të rrallë në recitimin e këngëve kreshnike, por edhe në tregimin e  përrallave e anekdotave etj. Për herë të parë, për  talentin e gjyshit Arif  shkroi Gani  Demir Ratkoceri në librin “PROFESOR AHMET GASHI- MËSUES I POPULLIT-RILINDASI I FUNDIT , i cili pohon se Arif Reçica (kështu e quan autori) është rapsod dhe recitues i jashtëzakonshëm i këngëve kreshnike”.

Me rastin e vizitës së Profesor  Ahmet Gashit,  dajëve të nënës së  tij, në Llugaxhi ( tek Bislim Reçica),  të cilën vizitë e organizoi Sahit Islami, profesor Gashi e vizitoi edhe gjyshin tim Arif  Islamin (Reçicën). Profesori mrekullohet kur kupton se gjyshi Arif ishte në gjendje  t’i recitonte pa ndërpre mija vargje të këngëve kreshnike! Gjyshi im ishte me një sy (se njërin e kishte humbur në luftë) dhe me një këmbë e me mjekër të bardhë. Pra edhe nga pamja i përngjante tamam Homerit grek, prandaj profesori Ahmet  Gashi, e pat quajtur, kujtoj, me të drejtë  “Homeri i Shqipërisë”!

Me rastin e emërimit    profesor Ahmet  Gashit drejtor i Gjimnazit të Prishtinës, nga viti 1944 deri më 1945, ai e pat dërguar profesor  Ymer Berishën në Llugaxhi, që ta mblidhte gjithë këtë thesar nga goja e gjyshit tim,  Arifit. Profesor  Ymeri  ishte edhe stenografist. Ai ndejti në fshat dy javë  dhe e kreu këtë detyrë, por për fat të keq, më pas , atë e vanë komunistët (rreth  vitit 1946), kështu  që bashkë me të humbën edhe regjistrimet stenografike të këngëve kreshnike, përrallave dhe të anekdotave të gjyshit  Arif.

ARIF ISLAMI (REÇICA) EDHE SI FILANTROP

Përveç këtyre, xha Arifi ishte bujar dhe, siç thonë njerëzit e kohës së tij, zemërgjerë. Në vitin 1912 ushtria serbe e masakron fshatin Grackë,  i cili gjendej  buzë rrugës  Lipjan-Shtime, kilometri i tretë.  Ai fshat nuk ekziston më, por edhe sot e kësaj dite aty gjenden gërmadhat që kanë mbetur nga shkatërrimi  serb. Vlen të theksohet se banorët  e fshatit  Grackë (Reçicët) janë të një gjaku me Reçicët e Llugaxhisë.

Sipas të dhënave që disponojmë, duke kaluar ushtria serbe afër fshatit, dikush (nga fshatarët) paska shti me armë. Ushtria serbe, këtë incident,  e paska marrë si provokim, prandaj e rrethojnë fshatin dhe i masakrojnë të gjithë banorët. Pasi e bënë këtë plojë, ata i fusin në një ahur të gjitha  gratë, vajzat dhe fëmijët e vegjël. I ngujojnë aty dhe ahurit ia vënë flakën. Ushtria merr rrugën e marshimit kah Shtimja. Siç thuhet disa gra e vajza, duke e parë vdekjen me sy, me përpjekje titanike për të shpëtuar,  arrijnë ta thyejnë derën dhe dalin të gjitha jashtë. Duke dalë , tamam si në filmat e Hiçkokut, bie një tra mbi një djep dhe e mbytë një fëmijë disa muajsh. Gratë dhe vajzat, të tmerruara, nisen drejt  fshatit Llugaxhi, tek kushërinjtë e tyre. Vendosen përkohësisht në Llugaxhi dhe në ditët në vijim secila  grua shkon në  gjinitë e tyre, kurse vajzat sistemohen te kushërinjtë e vet. Njëra prej grave të mbijetuara, që kishte qenë shtatzënë, shkon tek prindërit e saj në Llojza të Koshares. Aty lind një djalë dhe ia lënë emrin Sahit, ( nëna ia lë emrin të babës së tij që u vra në Grackë). Gruaja martohet sërish, po tash në  Babush të Muhaxherëve.  Burri nga martesa e dytë merr vesh se djali është nga fisi Reçicë, prandaj e sjellin në Llugaxhi.

Me t’u njoftuar se po pritet të adoptohet një fëmijë  i gjakut të vet, që i kishte shpëtuar masakrës së Grackës, pa asnjë hamendje gjyshi  Arif e merr Sahitin dy vjeçar në shtëpi dhe e rritë si djalë të vetin. Meqë gjyshi i kishte pasë dy gra, me fëmijën do të merrej gruaja e parë e gjyshit, Rahimja, me të cilën gjyshi nuk kishte pasur fëmijë. Gjyshi i kishte pasur tre fëmijë të tjerë ( tre djem) me Ajnishahen, pra me gruan e dytë. Fëmija i parë, i cili i jetoi (se deri atëherë i kishin pasë vdekur të gjithë fëmijët ende foshnje) ishte xhaxhai im Shabani, i dyti Hetemi dhe i treti, babai im, Islami.

Ishte kohë e vështirë. Njerëzit mezi ia dilnin ta siguronin ekzistencën. Megjithatë gjyshi bëri një veprim  jashtëzakonisht të rrallë për ato kushte. Gjyshi asnjërin nga djemtë e tij nuk çoi në shkollë mu për shkak të këtyre kushteve. Por, për të treguar  shpirtin e tij bujar,  në shkollë e çoi vetëm Sahitin, i cili e mbaroi shkollën fillore në  Llugaxhi.  E vazhdoi shkollën e mesme për hoxhë në  Medresën e Madhe të  Shkupit. Pastaj punoi  në Prilep, prej nga, pastaj,  vjen në Ferizaj.

Sahiti nuk ishte i kënaqur me profesionin e hoxhës dhe, më vonë, e kryen Shkollën e Lartë për histori në Gjakovë. Më vonë shpërngulet në Prishtinë dhe punon si arsimtar i historisë. Në Llugaxhi ai vinte shpesh me gruan e tij Zekijen dhe me fëmijët  Merfiden, Nehatin dhe Agimin.

Me rastin e emërimit të  Ahmet  Gashit drejtor të gjimnazit në Prishtinë  Sahiti  nis punën si arsimtar i historisë. Kështu pra   ai  qe intelektuali i parë i Llugaxhisë, por që jetonte në Prishtinë  dhe punonte në gjimnazin e qytetit, mision ky shumë i lartë për të përhapur dritë për gjeneratat që do të vijnë...