| E premte, 13.10.2023, 07:57 PM |
Të kërkohet anulimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së!
Shkruan:
Florim Zeqa
Klasa
e papërgjegjshme politike me këta liderë të korruptuar dhe të tejinkriminuar
për dy dekada rresht e shkatërruan shtetin e Kosovës, si në aspektin ekonomik
ashtu edhe atë diplomatik. Tre viteve të fundit, nga papjekuria dhe naiviteti i
klases aktuale në pushtet është rrezikuar seriozisht ekzistenca e shtetit të
fituar me mund të madh dhe sakrifica të panumërta.
Nga krimi i organizuar
në rrezikim të shtetit
Përveç
përfshirjes së pjesës dërmuese të liderëve partiak në krim të organizuar,
politikanët e shkatërruan shtetin në mënyrë sistematike dhe në baza ditore,
duke i shkaktuar dëme të pariparueshme.
Klasa
e papjekur politike apo më mirë të themi naivët politikë të Kosovës, përveç
humbjes së besimit tek qytetarët e vendit, e kanë humbur besimin edhe tek
ndërkombëtarët shkaku i gënjeshtrave dhe mashtrimeve që iu bënë në vijimësi
qytetarëve, skandaleve dhe abuzimit të pushtetit për interesa personale si dhe
lojes më fjalë rreth marrëveshjeve ndërkombëtare.
Edhe
pse 15 vjet shtet i pavarur dhe mbi 24 vjet në liri, Kosova është shndërruar në
shtet të krimit të organizuar dhe i nëntokës të mafio-oligarkëve, pa ekonomi të
tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim
cilësorë dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa e
kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur Kosovën si shtet të vetin të
gjithë qytetarët e saj, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në
Evropë e pa shumçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve.
Klasa
politike e kriminalizuar, pa dallim pozitë dhe opozitë, përveç degradimit dhe
humbjes së imazhit të shtetit, e kanë vënë në pikëpyetje edhe ekzistencën e
shtetësisë së Kosovës.
Liderët
shtetërorë për t’i ikur marrëveshjes për Asociacionin, më shumë e promovojnë
luftën sesa paqen, thuajse Kosova është pronë private e tyre!
Kësisoj
po rrezikohet ekzistenca e shtetit të Kosovës, pikërisht nga kjo klasë naivësh
politikë pa përjashtuar të paren e shtetit dhe as njërin lider apo parti
politike aktuale në Kosovë.
Eksperimentet e
rrezikshme kriminale në veri
Nga
protestat e serbëve të veriut në muajin Maj e deri tek sulmi i 24 shtatorit në
veri të vendit, gjithçka ishte një testim dhe eksperiment i rrezikshëm për
jetën e qytetarëve, Policisë së Kosovës dhe pjestarëve të KFOR-it.
Dështimi
i planit serb në veri më 24 shtator, nuk e nënkupton mposhtjen përfundimtare të
Serbisë, e cila do të kërkojë pretekst të ri për invazion në veri të vendit dhe
destabilizim të rajonit në përgjithësi.
Edhe
më tutje mbetet shqetësues hezitimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndëshkimin
dhe sanksionimin e Serbisë për sulmin në veri, me justifikimin e “mbledhjes së
fakteve” edhe pse ato janë të shumta dhe të pakontestueshme nga askush!
Heshtja
e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas sulmit terrorist në veri, nënkupton
mbrojtjen në heshtje të Serbisë dhe anashkalimin e rrezikut që i kanoset
shtetit të Kosovës.
Pas
sulmit në Veri, lidershipi ynë pa humbur kohë duhet t’i kërkojë KS të OKB-së
heqjen e Rezolutës 1244, e cila e njeh sovranitetin e Serbisë në Kosovë, ku
këtë të fundit e trajton si territor të papërcaktuar.
Pra,
liderët shtetëror duhet ta lënë gjuhën e patriotizmit në raport me
ndërkombëtarët. Në vend të heroizmit dhe trimërisë, duhet të flasin dhe
kërkojnë veprime energjike të bashkësisë ndërkombëtare për presion më të madh
kundër presidentit Vuqiq, përkatësisht të kushtëzimit me heqjen e Kosovës nga
Kushtetuta e Serbisë, e cila e përcakton Kosovën pjesë integrale të saj.