| E marte, 06.01.2009, 09:15 PM |
Shkolla e Shipkovicës
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Historia jonë është e përmbushur me shembuj të shumtë të atdhedashurisë shqiptare. Misionarët e saj i kemi gjithandej, që nga jugu i Çamërisë e deri tejmatanë brigjeve të Dardanisë. Tanusha, Prekazi, Sllupçani, Poroji, Drenica, Shipkovica, e qindra qendra shqiptare të martirizuara për liri. Trojet tona janë të mbushura me eshtra martirësh. Në varrezat e Shipkovicës prehen eshtrat e poetit që e persekutuan deri në atë shkallë udbashët e ish-Jugosllavisë, saqë ia shembën edhe shëndetin e shpirtit. Duke vajtur gjurmave të Sadudin Gjurës, kuptojmë se edhe në atë gjendje të traumave të papërshkruara shpirtërore, u nis me shpirtin e tij të shenjtë për në Shqipëri, duke i lënë eshtrat tejmatanë Lerës së Veshallës, për të vajtur përjetë, në botën e engjëjve. Kështu e përshkruajnë ata që e mbajnë mend jetën heroike të Sadudin Gjurës, ndër të cilët edhe la Mixhait, ishnxënës i arsimtarit të parë të Shipkovicës, Murtezan Katzadei. Murtezani ishte veteran i arsimit shqiptar me prejardhje nga Elbasani. Xani pat vepruar në këto troje ndërmjet viteve 1939/1944, duke qenë i dekoruar nga Qeveria Shqiptare me Urdhërin “Naim Frashëri” të Kl. I. E kemi parë në një fotografi të asaj kohe, sëbashku me nxënësit e Sh.F. “Rexhep Voka”, duke mbajtur uniforma shkollare dhe parollat: Rroftë Shkolla Shqipe!, Rroftë Flamuri!, Rroftë Shqipëria!. Në fotografi, mes tridhjetë nxënësve të tij, vërehen edhe Sehadini Rakipit dhe Mixhaiti Ejupit, si dhe shërbëtori i shkollës, la Fazli, i cili, dy vjet më vonë do të bëhet korrieri i Fadil Hoxhës. “Murtezanin e kam patur dy vjet mësues, na thot njëri prej tyre që e mbante mend vjershën e parë, që ua e pat mësuar nxënësve atë vit kur qe kremtuar solemnisht Dita e Flamurit në Shipkovicë (1942).
Kujtimet e bashkëfshatarëve tanë janë të të qarta, bindëse dhe interesante. I emëruar përmes një dekreti nga Qeveria Shqiptare, kryetar i Komunës së Shipkovicës, asokohe ishte Sefedin Kërçova, patriot me përvojë, që nga Kolonia Shqiptare e Bukureshtit. Pas mbarimit të manifestimit dhe gritjes së Flamurit kombëtar, një grup atdhetarësh, në ballë me kryetarin e Komunës, shkojnë te shtëpia e Ajvaz Vokës dhe ia urojnë lindjen e djalit me krisje pushkësh. Këto fakte të vërteta, i konfirmonte para disa vitesh edhe një bashkëfshatar tjetër i këtij katundi të vjetër: Refet Ziberi, shqiptari gjakëmbël që e dhezte cigaren në pisk të ramazanit. Të birin e tij, Mutalipin, e shkatërruan në dajak “milicët” vetëm e vetëm pse kish dashur ti mbrojë shqiptarët në Tetovë. Sefedin Kërçova, përndryshe, njihej për së afërmi me bashkatdhetarët e Shipkovicës, ngase njëri prej tyre (Ajvaz Voka) kishte qenë veprimtar i dalluar i Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit (1928/1941). Para se të vijë të drejtojë komunën dhe të ndihmojë shkollën e Shipkovicës, Sefedin Kërçova kishte botuar në fushë të shqiptarizmës një artikull në shtyp: “Kolonia Muhamedane e Shqiptarëve të Bukureshtit” (“Java”, Tiranë, 1937).
![]() |
Rinia demokratike e Shipkovices |
![]() |
Studentët e Tetovës në solidaritet me Kosovën |
![]() |
Dëftesë shkollore e Mbretërisë Shqiptare |