| E hene, 09.10.2023, 07:59 PM |
Kosova e të gjallëve
Nga
Edison Ypi
Isha
në Kosovën e të gjallëve. Për të katërtën herë. Pas pak do bëhem si kolonjari
tjetër, Sejfi Vllamasi, që tha: “Pesë herë e vizitova Kosovën, pesë herë u bëra
dashnor i saj”.
Sa
herë shkoj në Kosovë, e shijoj në mënyra të ndryshme, të gjitha të hatashme, të
gjitha të mrekullueshme, njëra më interesante se tjetra, pak a shumë si më
ndodh kur eci rrugës e them me vete vargjet e një poezie që më tingëllojnë çdo
herë ndryshe, çdo herë më bukur, duke më lënë çdo herë të pakënaqur, përherë të
pangopur.
U
nisa pra, si për në një ceremoni solemne gjigande, si për në një mega-koncert
që do vazhdojë disa ditë, ku skena do të jetë e gjithë Kosova, ndërsa në
“Plate” do jetë vetem 1 spektator, i dridhëshmi unë.
Jam
me Arbenin dhe Agimin, dy vellezër kosovarë.
Rruga
Tirane-Kukës po ndreqet dhe pritet të asfaltohet. Janë mbushur miliona gropa.
Por, ka pluhur të skëterrshëm. Pa është edhe e frikshme për shkak të maskave që
dalin hera-herës, që neve, falë hyjnive që na mbrojnë, nuk na dolën.
Gjatë
rrugës takuam disa autokolona kosovarësh që kthehen nga Perëndimi për pushime
verore.
Tiranë
– Prizren, shtatë orë duke ndalur për të pirë kafe, ujë, dhe duke bërë muhabet.
Kur
ramë në civilizim, d.m.th., kur kaluam nga Ferri-Kukës dhe po i afroheshim
Xhehnetit-Prizren, sapo hymë në Kosovë, hëngrëm drekë me peshk në një restorant
fantastik me përrua që kalonte duke gurgulluar mespërmes restorantit në formën
e një kaskade të vogël. Kishte dhe basen me peshq brenda rrjedhës. Atje, mesa
kuptova, veç të tjerash, vinin të dashuruarit nga anekënd Kosovës. Ishin tre
ose katër çifte të tilla, çika të bukura kosovare dhe djem shtatlartë. Edhe
nëpër Shqipëri sheh pamje të tilla në restorantet jashtë qyteteve, veçse pak më
ndryshe, “ato” janë shumë të tendosura, të fryra, të pispillosura, ndërsa “ata”
janë zakonisht ca “të fortë” me muskuj dhe fuoristrada që dalje të tilla i
bëjnë për t’u dukur, për t’u ngrefosur. Jo, djelmoshat kosovarë, nuk vijnë me
fuoristrada, dhe nuk vijnë për t’u dukur, por për t’u puthur, e janë edhe ata
me muskuj, por aspak kërcënues si të fortët tanë.
Pak
më tutje, pasi i kemi lënë tashmë pas malet tona të thepisura e kemi rënë mes
kodrave të buta plot gjelbërim, pamë një si tabelë të madhe ku shkruhej emri i
një firme ndërtimi “Vëllezerit e Bashkuar”. Në asnjë vend në Kosovë nuk
mungojnë shtëpitë e “vëllezerve të bashkuar”, nga tre ose katër e deri në
dhjetë, të gjitha identike, të gjitha me tre ose edhe katër kate, gjithmonë në
rresht ose në mënyrë simetrike si koshere bletësh. Këto shtëpi të mëdhaja dhe
të shumta që i ndertojnë kurbetlinjtë mbeten të zbrazëta për me vite derisa
djemtë vinë nga kurbeti dhe babai ua ndan shtëpitë si i duhet atij e arsyeshme,
dhe djemtë kurrë nuk kundershtojnë.
Ne
Prizren nuk ndalem gjatë. Duhet me u ngut me u sistemu ne Gjakovë.
Mitrush
Kuteli thotë se ne Prizren hyrja ne vorreza i ishte dukur; “si vajtja nga të
gjallët tek të vdekurit”.
Mua
që vij nga Kukësi, hyrja në Prizren më është dukur gjithmonë si vajtja nga të
vdekurit te të gjallët.
Mitrushi,
që ishte vet ortodoks, ka dhënë definicionin perfekt për ortodoksinë;
Mistike,
sentimentale, lakrimogjene.
Ja
dhe Prizreni mahnitës mitrushian: Me xhami, manastir, pazar, ura guri,
shatërvan, dyqanka te vogla, rrugica te ngushta me kalldrem, kafene te vogla me
vetëm dy ose edhe vetëm një tavolinë përpara.
Ku
është porta qe të con n’faqe t’kodrës, n’manastirin qe ruhet nga KFOR-i, mbi
porte është shkruar ne disa gjuhë; “rojat që e ruajnë kët’ manastir, qëllojnë
me armë nëse dikush afrohet”.
Në
Gjakovë vajta në Hotel Pashtriku.
Pashtriku
ëeshtë një mal i lartë aty pranë. I lashë Arbenin dhe Agimin ne intimitetin e
familjes, te nëna dhe babait, tezet, hallat, xhajat, djemtë dhe çikat e pafund
te xhajave te hallave, te tezeve etj. etj. Hotel Pashtriku, qe me thanë se e
kishte ideuar nje arkitekt kroat, ishte krejt si cdo “Turizëm” i qyteteve
shqiptare.
Në
mbremje në Gjakovë, ne rrugën kryesore nja 200 apo 300 metra, diku degjohet
Jaaz, diku tjetër Blues, në një restorant-lulishte këndohet live muzikë
kosovare, edhe pak më tutje nje Internet Cafe.
Isha
një mbrëmje me Arbenin dhe disa kushërinj të tij në një restorant. Këndonin
këngë të vjetra kosovare por dhe të Shqipërisë së Mesme. Kur ja muar “këngës së
mësuesit me traktoristen”, Arbeni më tha të mos cuditesha që kosovarët atë
këngë e dinë për “këngë dashurie” dhe as nuk mund ta imagjinojnë makabritetin
që ajo këngë fsheh.
Te
nesermen vajta tek çarshia e vjeter e Gjakoves.
Nuk
mund te mos veja. E kisha pare te djegur shkrumb dy vite me pare.
Çarshia
e vjetër e Gjakovës është pak a shumë si ka qenë Pazari i vjetër i Tiranës.
Shumica e dugajave ishin ndrequr dhe zjente Çarshia nga kallaballeku. Ndreqjet
ishin bërë mirë, sipas stilit origjinal me dru. Por druri i rini freskët me
ngjyrë kafe te hapur mundet mme i shku kafeneve dhe restora teve te sotme, por
nuk i shkon Çarshise se Gjakoves, dhe kjo me la shijen e turbullt se kush rri e
pret tani sa te nxihet druri dhe Çarshia te bëhet hijerëndë si më parë për të
mos i ngjarë Pazarit të Vjetër të rindërtuar të Krujës me dru të ri.
Hëngra
një Çorbë fantastike te nje restorant që kishte mbetur i padjegur dhe i
paprekur.
Çorbe
dhe jo Pasul, sepse “Pasul” nuk kishte.
Ne
ditët e mëpastajme vura re me keqardhje se Pasuli me tavë në Kosovë po behet i
rrallë si elefantat në Afrikë. Për këtë gjëmë e këtë krim duhet njoftuar
urgjent Kofi Anani, Bushi, i riu, i vjetri, Tribunali i Hagës, Xhorxh Sorosi
për të ngritur OJQ-ra të tjera ne mbrojtje të Pasulit madhështor në tas balte
të thellë qe po zevendesohet nga zhabat dhe bifteqet e neveritshëm mbi pjata të
cekta, po ashtu si letrat për së mbari me zarf, pullë, peshtymë, zamk, mall,
lot, po zëvendësohen me mesazhe dhe e-maila te ftohta si Ferri.
Ky
Restoranti ishte tek një shesh qe quhet “Sheshi i Lëmit” ku si më tha pronari
kuzhinier, më parë ai vend kishte qenë lëmë për të shirë drithin.
Pronari
plak i këndahëm në muhabet ma tregoi historinë sesi restoranti i tij kishte
shpëtuar pa u djegur. Kur ishte djegur Çarshia, një serb gjakovar me të cilin
pronari shqiptar njihej, kishte ardhur dhe i kishte thënë: “Nuk do i lë ta
djegin restorantin. Nëse “ne” do të rrimë këtu, dyqani do të bëhet imi, nëse do
ktheheni “ju”, merre përsëri t’i, veç kur ta marrësh mos harro të më
falënderosh qe ta shpëtova nga djegja dhe shkaterrimi”.
Plaku
dukej i kënaqur nga kjo marrëveshje e rrallë. Kur mbarova çorbën dhe muhabetin,
i thashë se do vija në mbrëmje për të ngrenë Pasul. Tha “mirardhç”. Shtoi se
Pasul nuk mund të bënte në mbrëmje. Por, këmbënguli që të vija se do të më
përgatiste “diçka tjetër shumë të mirë”. Bëra një shenjë të vakët miratimi dhe
falënderimi, por më vete thashë jo, dhe nuk shkova, Pasulin nuk e tradhëtova.
Vajtëm
në Prizren dhe Pejë. Herët e tjera kam qenë këtu në Dimër dhe nuk e kisha parë
të plotë gjelbërimin e Prizren – Gjakovë – Pejë. U mahnita nga gjithë ajo
bukuri. Është diçka që nuk mund të krahasohet me vende të tjera të para, të dëgjuara
ose lexuara, por vetëm me “fictions” biblike, me Parajsën, kopshtet e Edenit.
Gjithçka është mahnitëse këtu, pyjet, arat e mbjella, koriet, livadhet. Dhe
kudo, në çdo cep duket kujdesi njerëzor, gjithkund punohet me këmbëngulje dhe
dashuri për vendin për tokën.
Mjetet
e vaditjes të rregullta të sistemuara. Lënë mbresë lëvizjet e kujdeseshme nëpër
fusha të traktorëve me rrota që transportojnë prodhime bujqësore etj.
Janë
po ata traktorë sipër të cilëve kosovarët transportuan familjet e tyre gjatë
eksodit. Kosova nga Prizreni në Istog është një parajsë më vete. Nuk mund të
rrefehet nga askush sa e bukur është kjo pjesë e Kosovës. Çdo tentativeë do të
ishte e kotë. Është aq e bukur dhe e pasur dhe e begatë, sa të interesuarit që
bëjnë pyetjen “si është e mundur që u kthyen aq me ngut mbi mina dhe mbi bomba
kosovarët”, mund të gjejnë në këtë parajsë një pjesë të përgjigjes dhe të mos e
zgjasin më atë muhabet. Kanë qarkulluar këtu përralla dashakeqe sikur kosovarët
u kthyen me ngut për t’u siguruar për qypet me florinj të fshehura neën tokë
para ikjes etj. O çfarë çmendurie. As qypa askurgjë. Këtu floriri është i
gjithi mbi tokë.
Kur
vete ndonjëherë në Elbasan nuk e lë kurrë pa vajtur deri tek Labinoti Fushe per
tu kenaqur me gjelberimin anes rruges duke thene me vete sa e bukur eshte
Shqiperia. Mirpo Kosova ka me mijera vende si Labinoti Fushe. Ajo eshte e
gjitha e tille.
Kosova
ka ende gjurme te luftes, shkaterrime, djegje etj. Mirpo në Kosovë nuk sheh
asgjë si ketej nga ne; “në pritje” për t’u rregulluar. Në Kosovë gjërat janë
ose të dëmtuara ose të ndrequra. Ndreqja bëhet me shpejtësi, sa hap e mbyll
sytë.
Në
Mitrovicë ndejta dy ditë. Mitrovica, ah Mitrovica “me ato rrugë, me ato
rrugica” është qytet i sëmurë. Rrugët janë pis, ka shumë rrëmujë, frikë, shqetësim,
padurim, dhe shumë dëshpërim në fytyrat e njerëzve. Qyteti nuk ka asnjë hotel,
asnjë parking natë, asnjë shkëlqim, as kurrgjë. Në veshtrim të parë duket
qetësi, sepse kosovarët nuk e lëshojnë veten, dinë të përmbahen, por kazani
zien nga brenda, Qebaptoret dhe restorantet mezi mbahen me cilësi të keqe
shërbimi, dhe kafehanet dhe çajtoret po ashtu. Një miku im këtu është drejtor i
një radioje. Më fton t’i bej një vizitë. Vajta një mbremje. Gjeta atje një
“mysafir” që do të zhvillonte një bisede me rastin e dy korrikut. Ky mysafiri
ishte një ish-deputet, drejtor i një ndëmarrjeje, tip i lëpire, i shpëlarë, i
rrumbullakët, me veshje dhe pamje tipike të burokratëve të viteve ’70 në
Shqipëri. Nuke kuptova nëse këtë prototip të pështirë ua kemi dhënë në kosovarëve
apo e kemi peshqesh nga kosovarët.
U
ndava nga kërrmilli në fjalë pas disa minuta muhabeti të sforcuar me një
keqardhje tepër të madhe që në Kosovë ekzistojnë ende të tillë të tillë
mamutha.
Më
pas, duke u menduar më thellë, ia qava hallin Kosovës se bukur që ndoshta nuk e
ka rastësisht emrin të gjinisë femërore, ndoshta burokratët si ai janë të
vetmit që mund të bëjnë një fare pune, sepse, e kam vënë re, kosovarët e
pakultivuar, fillimisht janë të mirë, të urtë, të dedikuar, mirëpo sa bëjnë
hapat e parë në drejtim të pushtetit ose politikës shndërrohen në të
korruptueshëm dhe të korruptuar.
Një
miteovicali mik i vjetër i Arbenit roje në UNMIK, na bëri një xhiro me makinën
e tij në lagjen e boshnjakëve që e kanë krijuar me zor ndërkombetarët mes dy pjesëve
të ndara të qytetit, në formë eksperimenti ku jetojnë pak familje shqiptare,
serbe dhe boshnjake bashkë, me plot probleme sigurisht, dhe gjithë kohën nën
mbikqyrjen e militarëve të KFOR-it.
Lagja
e Boshnjakëve, si e vendosur e gjitha mbi exploziv, një rrugë e vetme nja 200
metra, tepër e frikshme, e ngrirë, me pak kreatura të kërrusura aty-këtu në
zvarritje të ngadaltë kafkiane, skenar i përsosur ku në filmat neorealiste
mafia kryen vrasjet.
Një
mikesha e Agimit, baba boshnjak, nënë shqiptare, që jetonte “andej” dhe punonte
“këtej” qytetit në një zyrë të UNMIK-ut, na ftoi mua dhe Agimin të hynim
“andej” në thellësi të qytetit në anën veriore të urës ku ka vetëm serbë dhe
një numër fare të vogel shqiptarësh pleq që ose nuk dalin fare nga shtëpia ose dalin
shumë rrallë brenda ndonjë tanku të KFOR-it, na ftoi pra qe te shkonim edhe ne
brenda nje tanku te kfor-it, por pasi e pleqëruam ndërruam mendje, na kapi
frika, dhe nuk vajtëm.
Pranë
kioskave në Mitrovicë nga tre e nga katër kosovarë gërvishtnin mbi biletat e
llotarisë “Gërvisht dhe Fito”. Virus i ardhur nga Shqipëria sigurisht.
Në
Prishtinë ndejta pak, vetëm disa orë, sa takuam disa miq, hëngrëm “Pasul me
Tavë”, të cilin mezi e gjetëm se edhe këtu për fat të keq elefantët po
rrallohen.
Ferizaj
është i gjallë, i shëndetshëm, i ngjeshur, si Prizreni dhe Gjakova, ndoshta
edhe më tepër.
Në
kthim ndalem te restoranti i peshkut pranë Morinit.
Kufirin
e kaluam pa probleme.
Sapo
hymë në Shqipëri, na thanë se maskat kishin përgjakur një kosovar që kthehej me
makinën e tij nga Perëndimi me gruan dhe femijën. Në lidhje me këto ngjarje mu
kujtua një kuksian në një restorant në Pejë kur tha pa pikë turpi se, “Maskat
në Kukës dalin për bukën e gojës”.
Nejse,
pra kthimi filloi mirë, por vazhdoi dhe mbaroi ndryshe.
Nja
njëzet kilometra pas Kukësit, u nxeh jashtë mase motori i makinës. Ik e hidh
ujë çdo pesë ose dhjetë kilometra sa na iku krejt humori dhe muhabeti.
Në
një vend dikush kishte improvizuar një si tip lavazhi me depozitë në majë të
kodrës prej nga uji vinte me presion për shkak të disnivelit. E freskova
makinën dhe pagova. Ishte atje në një qoshe një bidon 20 litra që thashë ta
bleja, ta merrja me vete për të pasur rezervë uji, sepse bidoni që kisha më
vete ishte i vogël 5 litra. Nuk e shes, tha me fodullëk, gati me kërcënim,
pronari i lavazhit, një djalë nja 25 vjeç. E vura re se, duke na parë në
vështirësi, mendja kishte filluar t’i punonte ters. Vendosa të “hakmerrem” për këtë
sjellje të shëmtuar që s’ka shans të ndodhi në vendin e Pasul-it. E lashë t’a
rriste çmimin në 30 mijë bidonit që kushton vetëm 2 mijë. Vazhdoi të bëjë naze
edhe pse e lashë ta çonte në 50 mijë. Pastaj i thashë: “epo mirë, po iki
atëherë se s’u marrkemi vesh”. U nxi. U muar vesh, se deshte të arrinte 100
mijët. Ik e ik deri përtej Fush-Aërrzit ku na u çpua një gomë. E ndërruam me
gomën rezervë.
Kur
mezi e kaluam qafën e malit fare pranë Shpal-it të Mirditës, atje ku është një
si restorant dhe vend shplodhje…prit, i dashur lexues, prit pak para se të
tregoj ç’na ndodhi në Shpal, po tregoj më parë diçka tjeter. Gjatë kthimit, për
shkak të ecjes në drejtim të kundërt, pamë disa autokolona kosovarësh me nga
pesë deri në dhjetë makina dhe furgona që shkonin drejt Kosovës. Kosovarët tani
janë duke ardhur nga rruga e Kukësit për shkak të mbylljes së rrugëve të
Maqedonisë. Dhe kanë gjetur këtë zgjidhje, karshi një pagesë, pajtojnë polica
në Tiranë për t’u shoqëruar prej tyre deri kufi në Morini dhe mbaron puna. Nuk
ma merr mendja se kjo bëhet zyrtarisht, por sidoqoftë karvanet e makinave të
kosovarëve që pamë prihen prej furgonave të Policisë ose makinave me një ose dy
ose tre policë brenda. Interesante karvanat. Djem të rinj të shëndetshëm dhe
çika kosovare të reja e të bukura, ngasin makinat të përqendruara, të kërrusura
mbi timonat, duke u habitur me peisazhin nëpër kthesat e panumërta të rrugës
malore. Kishin një pamje sfiduese sikur thoshin: “ju doni të na vidhni duke na
trembur me maska dhe kallashnikova, por ne ua shkërdhejmë “trimërinë” dhe ju
japim një mesim, duke ju blerë me pak ‘dojç’ marka që për ne janë hiç gjë,
ndërsa për ju janë shumë, dhe nuk ua prishim qefin çikave tona dhe djelmëve
tanë, që ja ku janë, ja ku po zbaviten duke qeshur duke ngarë makinat e tyre
nëpër këto rrugë të pabesueshme”.
Kthehemi
ku e lamë, në Shpal të Mirditës. Atje afër atij vendit të shlodhjes, na u ça
një gomë.
U
tmerruam. Ishte ora rreth 3 pasdite. Ngecëm dhe nuk dinim, nuk kishim asnjë ide
si mund të vazhdonte kjo mesele në vendin më të rrezikshëm të vendit dhe të
planetit ku vjedhësit dhe djegësit dhe vrasësit largohen gjithmonë “në drejtim
të paditur”.
Bëmë
pak humor të zi në lidhje me variantet ç’mund të na ndodhte prej atij momenti
fatal kur nuk mund të bënim dot asnjë metër përpara. Arbeni supozoi vjedhje,
plaçkitje dhe djegje të makinës nga inati që nuk gjetën gjëra që u
nevojiteshin, p.sh., pantollona me numër të papërshtatshëm etj. Unë kujtova
filmin “Deliverance” ku disa miq që vendosën të kalojnë një “weekend”, duke
kaluar me varka nëpër një kanion, larg, mes malesh, por i gjeti belaja, dhe
çfarë belaje, me të egjërit lokalë.
Agimi
sugjeroi të vinim në lëvizje mekanizmin e Besës aq prezente andejpari, pra t’i
dorëzoheshim në Besë ndonjë kalimtari ose ndonjë shtëpie fshati.
U
nisa me këmbë nja dy kilometra më tutje, tek ai vendi ku degëzon rruga që të
çon në Spaç dhe Reps me një fije shprese të gjeja ndonjë Gomist të na ndreqte
të paktën një gomë, atë të shpuarën, se tjetra u ça.
Kur
arrita në kryqëzim pashë dy furgona policie dhe plot police që më panë të
habitur dhe iu përgjigjen me kënaqësi përshendetjes sime. U gëzova unë për
prezencën e policëve, por u gëzuan edhe ata që mesa kuptova deri në atë moment
kishin qenë, duke gromësitur në atë majë mali. Për gomist s’behej fjalë.
Policët e ngeshëm ma qanë hallin. U tregova qysh e tek. Ma bënë një propozim.
Më thanë ta zvarisja makinën me gomë të çarë prej ku ishte makina deri aty.
Pastaj, duke parë e duke berë. Ndoshta do gjenim një menyrë per ta riparuar një
gomë në Rrëshen.
U
nisa me zemër të thyer për të bërë si më thanë. Rrësheni, fjalë goje, 30
kilometra prej andej, dhe po errej.
Kur
arrita te makina, Arbeni dhe Agimi kishin harruar çdo lloj humori. U bëra gati
të nisëm zvarrë te policat me gomën e çarë. Ndërkohë ndejtëm edhe pak duke
reflektuar. Makinat shumë të rralla kalonin duke bërë sikur nuk na vinin re. I
nxjerr dorën një “Benz”-i me targë Tiranë. Ndali. Ia them hallin. Uau, e
pabesueshme. Ma dha gomën e vet rezervë. Kujt ia kam thënë këtë në Tiranë nuk e
ka besuar. Por, ma dha Ben Doçi, kështu quhej. Ia mora numrin e telefonit, ai
nuk ma kërkoi fare timin, dhe ia ktheva gomën të nesërmen në mengjes.
Por,
nuk mbaroi me kaq. Nuk shkonte disku. Vidat mbërthyese nuk kishin të njëjtën
gjatësi. Mirëpo mesa duket jo vetëm të keqijat, por edhe të mirat ardhkan njëra
pas tjetrës. Një “Benz” i madh ndali pas disa minutash. Mq jep dy vida, i
thashq se kqshtu-keshtu e kam hallin. Menjëherë, tha. Dhe shtoi: “sa të duhen,
4, apo 5 apo dhjetë, 10 kam, po të duhen t’i jap të gjitha”.
Nuk
po u besonim syve nga gjithë ai fat pas gjithë atyre fatkeësive.
Iku
edhe ai i vidave pa na kërkuar as numër telefoni, as para, askurgjë.
U
nisëm, pa gomë rezervë, duke shpresuar në Mëshirën Hyjnore.
Në
Rrëshen arritëm rreth orës 9.
Dy
gomista janë mbyllur. Është vonë.
Në
Rubik na e qau hallin një gomist nokturn ku ndreqëm gomën e çarë.
Nga
Kosova e të gjallëve në Shqipërinë e të vdekurve arrita i vdekur prej lodhjes.
Deri në lodhjen tjetër. Deri në vdekjen tjetër. Që mezi e pres.