| E diele, 08.10.2023, 07:59 PM |
SHKODRA - VENDI I DËSHMISË DHE KUJTESËS!
Nga
Frank Shkreli
Ku
tjetër, nëse jo në Shkodër! Pikërisht në këtë qytet – në qendër të Shkodrës –
mund të vizitoni muzeun e parë në Shqipëri, me emrin, “Vendi i Dëshmisë dhe
Kujtesës” -- në përkujtim të përsekutimit politik të atyre që kanë vuajtur dhe
që kanë vdekur në duartë e regjimit komunist të Enver Hoxhës gjatë persekutimit
politik gjatë diktaturës komuniste prej pothuaj gjysëm shekulli, në Shqipëri.
Është “një vend kujtese, pikërisht në përkujtim të viktimave të diktaturës
komuniste”, shkruan në librin doracak mbi historinë e muzeut, Z. Pjerin
Mirdita, Historiani i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër.
Pyetjes se pse pikërisht ky muze u ngrit në Shkodër, ai thekson se janë shumë
faktorë, por përgjigja, sipas tij është shumë e thjeshtë. “Shkodra ishte qyteti
më i përsekutuar i Shqipërisë, qyteti që vuajti më së shumti mbi njerzit e saj
atë diktaturë, qyteti që asnjëherë nuk u përkul përball dhunës dhe hakmarrjes
komuniste, sepse shkodranët nuk e deshën asnjëherë komunizmin dhe as
komunistët”, shpjegon Pjerin Mirdita arsyen se pse ky muze u ngrit pikërisht
aty në Shkodër.
Fjalët
nuk mjaftojnë për të përshkruar ndjenjat personale as historikun e këtij
“Vendi”. Për fat të mirë, gjatë vizitës së paharrueshme në këtë muze, gjatë një
vizite në Shkodër, në fillim të shtatorit, patëm mundësinë dhe privilegjin të
shoqëroheshim nga Pjerin Mirdita, Historiani i Muzeut, “Vendi i Dëshmisë dhe
Kujtesës”, në Shkodër, i cili me shumë profesionalizëm, dokumentacion dhe me
fakte historike shpjegoi në hollësi historinë e këtij “vendi”, si dhe vuajtjet
prej dekadash të shumë shqiptarëve të pafajshëm – kundërshtarë të regjimit
komunist.
Duke
folur për historikun e këtij “vendi”, historiani Pjerin Mirdita shpjegoi se
ndërtesa – që nga vitit 1930 -- ka qenë pronë e Provincës Françeskane
shqiptare, por me ardhjen e komunizmit, ajo konfiskohet dhe në ‘të vendoset
Sigurimi famëkeq e krimanl i shtetit barbar të Enver Hoxhës. Kjo ndërtesë “Dëshmie e Kujtimi”, për
viktimat e komunizmit -- sot duhet të vizitohet nga të gjithë shqiptarët,
detyrimisht, për kujtesë të krimeve të komunizmit dhe për reflektim, por edhe
nga brezi i ri i shqiptarëve në veçanti që të njohin të kaluarën, por edhe nga
vizitorë të huaj jashtë Shqipërisë që vizitojnë Shkodrën. Të vizitohet ky vend krimesh çnjerzore, një
skenë sjelljesh barbare nga Sigurimi i Shtetit shqiptar komunist nga viti 1946
e deri në rrëzimin e komunizmit zyrtar të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Vendi
i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory
Në
hyrje të muzeut, vizitorët gjëndet përball një harte të vend-ndodhjes së
burgjeve komuniste në Shkodër – Shkodra si “qytet-burg”, numëronte gjithsejt 23
burgje të tilla ku mbaheshin kundërshtarët e regjimit komunist sllavo-aziatik –
që mbajti rob, për pothuaj një gjysëm shekulli, jo vetëm Shkodrën por një
popull të tërë – mbarë Shqipërinë dhe Kombin shqiptar.
Muzeu
është mjaft i pasur me materiale që tregojnë historinë e vuajtjeve dhe të
vdekjeve të viktimave të komunizmit në Shkodër – ku salla vizuale, në vetvete,
përmban video dhe dokumentarë që shfaqen gjatë vizitës për të interesuarit,
përfshir edhe një bibliotekë e pasur me libra të asaj periudhe fatzezë.
Ndoshta
pjesa më e dhimbshme dhe më e ndjeshme nga pikëpamja njerzore e morale – ndërsa
mendoja me vete se si është e mundur që shqiptari të trajtojë shqiptarin në
këtë mënyrë, vetëm e vetëm, se ka mendime të papajtueshme me një regjim barbar
e anti-njerzor – siç ishte komunizmi ndërkombëtar i shekullit të kaluar,
përfshir regjimin enverist. E dhimbshme dhe i trishtueshëm për vizitorin është
kalimi për tek vend-ndodhja e qelive ku mbaheshin të burgosurit, që siç
shpjegoi Z. Pjerin Mirdita. është një galeri e ndërtuar rishtasi, por e
konceptuar si rrugëtimi i të burgosurve drejtë vuajtjeve, tortutave dhe
dhimbjeve.
At
Zef Pllumi, autori i veprës, "Rrnoi për me tregue", njëri prej të
burgosurve në këtë “vend”. Përkujtojmë
15 vjetorin e ndarjes nga jeta të fratit françeskan, At Zef Pllumi, i cili u
arrestua dy herë gjatë diktaturës komuniste dhe në total kaloi 24 vite në
burgjet dhe kampet e punës së detyruar të asaj periudhe. Vepra e tij
përkujtimore "Rrno vetëm për me tregue", është një dëshmi e gjallë
mbi atë çfarë ishte diktatura komuniste për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Gjithashtu kjo vepër na kujton dhe sakrificën e një populli për të jetuar nën
një prej diktaturave më të egra të kampit socialist në Europën Lindore dhe në
botë. Vepra e tij e merr titullin nga një amanet që At Zef Pllumi mori në atë
kohë nga At Marin Sirdani, të cilin e përshkruan edhe në një fragment të
veprës, duke e kthyer atë në misionin kryesor të jetës së tij.
Autori
në qelinë e vuajtjeve e të torturave, ose në “birucën” e At Zef Pllumit dikur,
sot muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. Të burgosurit i quanin
qelitë e terrorit “biruca”, për shkak të hapësirës së ngushtë dhe sasisë së
vogël të dritës dhe ajrit që depërtonte
brenda.
“Stalinizmi
shqiptar, dega shqiptare e marksizëm leninizmit është nominalisht marksist,
minimanilisht Leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë
maoiste. Emri më i përshtatëshëm për këtë fe të re është Stalalbanianizmi ose
thjeshtë Hoxhaizimi.”, (Profesor Arshi Pipa)
Duke
ecur nepër korridoret e qelive ose “birucave” të këtij “vendi” – (Vendi i
Dëshmisë dhe Kujtesës), vizitori mendon dhe pyet veten se si është e mundur që
shqiptari të veprojë në këtë mënyrë barbare kundër shqiptarit – duke vrarë e
prerë më të mirët e Shqiptarisë. Por, njëkohësisht, duke reflektuar dhe duke
kujtuar vuajtjet dhe vdekjen e këtyre heronjve të fesë e të Atdheut në duartë e
barbarëve komunistë shqiptarë, një grup fanatik i dalur prej të njëjtit popull,
për fat të keq – njeriu ndjenë se një popull nga gjiri i të cilit kanë dalur
këta heronjë, duhet të jetë kryelartë dhe të mos humbas kurrë shpresën për një
të ardhme më të mirë për Kombin! Le të
shpesojmë që kujtimi i sakrificave të tyre sublime do të frymëzojë brezat e
ardhëshëm të shqiptarëve për vepra më të mira për veten dhe mbarë Kombin
shqiptar.
Me
Historianin e Muzeut, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, Pjerin Mirdita