| E diele, 01.10.2023, 07:57 PM |
EDHE TË MUNDUR, ATA FITUAN
NË
SHALË INAUGUROHET MEMORIALI KUSHTUAR MARTIRËVE TË KISHËS KATOLIKE ME ORIGJINË
NGA DUKAGJINI
Nga
Frank Shkreli
“Memoriali në Shalë u kushtohet 7 burrave të
vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe të shpallurve “të lumnuar” nga
Kisha Katolike Universale: At Ciprian Nika, O.F.M, At Bernardin Palaj, O.F.M,
At Gjon Shllaku, O.F.M, At Gaspër Suma, O.F.M, Dom Dedë Plani, Dom Lazer
Shantoja dhe Gjelosh Lulashi, martir laik.”
Sot
është një ditë historike – kunjtohen përjetësisht 8 burra të Dukagjinit, të
cilët ashtu si edhe shumë të tjerë anë e mbanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare
kanë flijuar jetën – duke kundërshtua dhe rezistuar komunizmin ndërkombëtar në
Shqipëri dhe anë e mbanë e botës.
Duke
dhënë jetën e tyre, këta burra të Kishës e të Kombit shqiptar – shembuj të
qendresës anti-komuniste -- ndihmuan përpjekjet historike gjysëm shekullore për
shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe atij ndërkombëtar në mbarë Evropën duke
çuar, eventualisht, në gjunjëzimin e diktaturës së perandorisë komuniste.
Jo
vetëm Shqipëria dhe Evropa, por e mbarë historia botërore do kujtojë shekullin
e kaluar si njërin prej shekujve më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit.
Krimet
e atij regjimi sllavo-aziatik – ndër barbarizmat më të egra të përjetuara në
Evropë dhe në botë – po kujtohen sot, pikërisht, këtu në Shalë, me inaugurimin
e këtij Memoriali kushtuar këtyre 8 burrave të mëdhej të Dukagjinit. Ngritja e
këtij monumenti është një përgjigje dinjitoze e thirrjes së këtyre martirëve:
“Mos na harroni, por na kujtoni!
Ky
Memorial është ngritur në kujtim të këtyre viktimave të pafajshme të
komunizmit, por ky Memorial shërben gjithashtu edhe si një detyrim ndaj brezave
të ardhëshëm për tu kujtuar atyre, krimet e komunizmit me shpresën që ato krime
barbare të mos përsëriten kurrë më. Ky Memorial është njëherazi edhe një
monument që na sjell në mend se e keqja ekziston në këtë botë dhe si e tillë
shoqëria duhet të përballet me të.
Vendosja
e këtij monumenti kushtuar burrave të kësaj ane, në Breglum të Shalës, rrethi
Shkodër, është një ditë gëzimi por edhe një ditë vajtimi. Të gëzuar dhe
kryelartë për këta vëllezër shqiptarë, të një gjaku e një Kombi, të cilët
heroikisht, kanë dhenë jetën duke qendruar besnikë ndaj fesë së tyre dhe Kombit
të vet – besnikë ndaj lirisë, drejtësisë, besës e burrënisë, nderit dhe të
drejtave të njeriut.
Ditë
vajtimi --se na kujton një grup të vogël fanatik shqiptar i influencuar nga një
ideologji e pa fe dhe e pa atdhe, komuniste sllavo-aziatike, një grup i dalur
nga i njëjti Komb, por që në emër të kësaj ideologjie vriste e priste bijtë më
të mirë të Kombi Shqiptar sepse nuk pajtoheshin me të. Mos përballimi,
zyrtarisht, me të kaluarën komuniste dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit nga
Shqipëria, mbetet sot e kësaj dite një njollë e zezë në fytyrën e Kombit – 30-e
sa vjet pas rënjës së komunizmit zyrtar.
Por,
megjithëktë, më në fund, e mira dhe e verteta triumfojnë gjithmonë kundër së
keqës dhe gënjeshtrave. Duke ndenjur besnikë ndaj idealeve dhe vlerave më të
larta të fesë dhe Atdheut, këta heronjë na kujtojnë se me sakrificën e tyre
sublime, sipas frazës latine, “Vinci, Vincimus”. Ata edhe “Të mundur, fituan!
Ky
memorial, do të thoshte At Zef Valentini,
njëri prej albanologëve më të mëdhej, “Dëshmon se jo vetëm që Shqipëria ka
pasur martirë të spiritualizmës e të demokracisë, në krahasim, më shumë se çdo
vend tjetër, por njëherazi tregon edhe se shpirti i tyre ndër ata që mbetën
gjallë e përkujtojnë sot, nuk është shëndërruar në një ankim të kotë, në një
shpirt vëllavrasës, por vazhdon të jetë ndërtues i një ndërgjegje kombëtare me
mendime e caqe të prehta, por me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi.”
Urime
familjes Gjin Markaj dhe Dedë Prenaj të cilat ideuan dhe mundësuan vendosjen e
këtij Memoriali në
Shalë kushtuar 8 burrave të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, por edhe
të gjithë atyre që ndihmuan në realizimin e kësaj nisme.
I
paharrueshëm qoftë kujtimi i martirëve të Kombit Shqiptar të cilët dhanë jetën
për “Fe, Atdhe e Përparim” -- për liri e demokraci, për të gjithë dhe pa
dallim!
Frank
Shkreli
Shqipëria tronditet thellë nga persekutimi gjatë, por që njëkohësisht, edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë të thjeshtë…” Papa Gjon Pali II, Otranto, Itali, Shtator, 1980
“…Ty,
o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të
dashur! I dimë të gjitha ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të
përballosh, veçanërisht në 25 vitet e fundit.
Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit, koha me vështirësi
do të arrijë t’i fshij dhe që Evropa dhe e gjithë bota nuk duhet t’i harrojë!” Papa Gjon Pali II, Aeroporti Rinas, Tiranë,
Prill, 1993
Fotot janë marrë nga faqja -- Ngjarjet Kisha Katolike Shkoder-Pult (Arkidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult)