| E enjte, 28.09.2023, 07:53 PM |
TOPONIMET NË PRESHEVË
/Punim i përgatitur me rastin e Ditës së
Plisit në Tetovë/
Shkruan: Xhemaledin
SALIHU
HYRJE
Presheva aktualisht gjendet në
jug të Serbisë, përgjatë vijës admnistrative me Kosovën. Presheva banohet nga
popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e
Dardanisë, të cilën e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike,
kulturo-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera.
Në bazë të regjistrimit tetor
të vitit 2022, në komunën e Preshevës jetojnë 35.097 banorë, ndërsa sipas shënimeve të komisionit
regjistrues në Preshevë jetojnë 59.024 banorë që kontestohet nga komisioni
regjistrues republikan.Shtimi natyral pozitiv I popullatës në Preshevë, Tutin
dhe Novi Pazar është më i madhi në Serbi.
Komuna e Preshevës ka
35 vendbanime, prej tyre 1 qytet dhe 34 vendbanime fshatare dhe shumica e
popullatës shqiptare flasin
dialektin Gegë dhe popullsinë
serbe pakicë që flasin dialektin Torlak.
Shumica e venbanimeve janë me
shumicë shqiptare përveç fshatrave: Lanik, Svinjishtë, Sllavujevc, Cakanoc dhe Mamicë ku serbët janë
shumicë.
Kjo zonë
ka një lëndë toponomastike të pasur dhe mjaft të larmishme. Ndonëse edhe këtu,
si shumëkund gjetkë në trevat verilindore të shqipes, që ka prani edhe të
elementeve alogjene turke, sllave, greke, latine, arumune, prapëseprapë
elementi shqiptar mbizotëron, sidomos në mikrotoponimi, në veçanti në fshatrat
me popullatë shqiptare, si dëshmi e pranisë së kësaj etnie – dardanëve në këtë
anë që nga antikiteti e deri më sot, pavarësisht nga pohimet e disa dijetarëve
sllavo-maqedonas të cilët shqiptarët i shohin në këto troje vetëm nga shekulli
XVII e XVIII
Onomastika e këtij krahu, ashtu
si edhe e disa fshatrave të tjera shqiptare përreth, deri më tani nuk është
marrë sa duhet në shqyrtim nga studiuesit tanë. Bën përjashtim ndonjë studim i rrallë në fushën e dialektologjisë (Dr.
Idriz Ajeti), të historisë (Dr. Skënder Rizaj, Dr. Sabit Uka), të gjeografisë –
demografisë (Dr. Hivzi Islami), të toponomastikës (Dr. Rexhep Ismajli),
të arkeologjisë (Dr. Jahi Murati), ose edhe
ndonjë punim i autorit të këtij shkrimi.
Ndërkaq
shumë më shumë trajtime, studime e monografi nga kjo anë (vetëm ne kemi pasur
në dorë mbi 25) kemi ndeshur te autorët sllavë, të cilët, me ndonjë përjashtim, kanë ecur pas
hullisë së politikës, duke u përpjekur me çdo kusht të çojnë në vend amanetin
që u kanë diktuar interesat politikë të vendit të tyre – siç do të thoshte
profesor Emil Lafe, e “për të provuar diçka të paracaktuar” – siç ka thënë
kaherë patriarku i gjuhësisë shqiptare, Eqrem Çabej.
Puna që
kemi bërë në këtë punim, me një temë të këtillë, ka për qëllim që të
nxjerrë në pah dhe të shënoj edhe një material toponimesh të Preshevës, duke
bërë përpjekjet tona, për të shënuar toponimet ashtu siç I quajnë banorët e
këtij vendi. Për këtë temë, përveç materialit të vjelë në terren, informata dhe
informatorë të shumtë mbi toponimin e Preshevës, kemi pasur parasysh edhe një
literaturë të pasur.
EMËRTIMI I PRESHEVËS
Emri Presheva sipas mendimit të
Prof. dr. Skënder Rizaj vjen nga fjala
turqishte që do të thotë:
“Presh” (presh, bot. Allium porrum) dhe “ova” (fushë);
fushë e preshve.
Për emrin e Preshevës vazhdon
Prof .dr. Skënder Rizaj:
1. Mendime lidhur me formimin e
Vilajetit të Kosovës(1877-1912):
Sanxhaku i Prishtinës me kaza:
Presheva (Pirchova), Peja(Ipek), Gjilani
(Guilan) dhe Viçitrina
(Voulchiterin). Pra këtu Profesori Rizaj e nxjerr si
Pirchova, por nuk jep shpjegime
të tjera.
Ndërsa në faqen 236: Kazaja e
Preshevës (Preshovës) dhe shpjegimi:
në dokument është shkruar
Preshovë, e cila duhet të deshifrohet me shqipen:
presh-o-v (ë) = v(endi) o
(oshtë, ashtë, është) i presh-it. Presh,-i bot. perime
e ngjashme me qepën, me gjethe
të gjata si shpatë, me kërcell më të trashë e
pa kokë nën dhe.
3.“Emni Preshevë nuk asht
sllav, shqiptar as latin. Një Preshevë tjetër
gjendet në Çekosllovaki. Dhe
thuhet se emni vjen prej nji fjale hungare që
dmth man. Unë mendoj se edhe
Preshevës sonë emni i vjen nga e njëjta
fjalë, mbasi çdo e dyta ferrë e
kodrave dhe e fushës asht nji man i egër. Pastaj
çdo shtëpi ka dy ose tre trupa
mana të butë në oborr.
Emni “Preshevë” mund të jetë
mbjellë në kohë të kur fiset turke të kumanëvet, peçenegëvet, të hunëvet dhe
t’Avarëve hulumtojshin nëpër Evropën Lindore dhe Juglindore.” shkruan Ibrahim
Kelmmendi.
“Guri i Shpuem dhe Kalaja e
Preshevës janë pjesë më e spikatur e
Preshevës antike. Gjer më tani
janë dhënë disa supozime rreth etimologjisë
së emrit të Preshevës. Nëse në
fushën e gjuhësisë ka tendencë gjithnjë e më
tepër që gjuha shqipe dhe
populli shqiptar në kontinuitet të lidhen me
gjuhën pellazge-ilire dhe
popullin pellazg-ilir. Këtë ide e kishin mbështetur
edhe rilindësit tanë
mendjendritur. Gjithnjë e më tepër po vërejmë se kësaj
çështjeje po i kthehet
legjitimiteti edhe në kohën e re. Prandaj, nëse Presheva
antike ka poseduar DODONËN dhe
objektet e kultit (faltoren në Gurin e Shpuem), na lind ideja që të krijojmë
versionin e radhës mbi etimologjinë e emrit të Preshevës antike. Hyjni e
preferuar e antikitetit ka qenë ajo me emrin Persetone (Persefone).Hyjnitë e antikitetit
banonin në faltore. Supozojmë se banorët antikë-Dardanët e quanin Preshevën
antike sipas Hyjneshës që ata e preferonin Persetone (Persefone). Emër, i cili
me kalimin e gjatë kohor dhe ndikimet e huaja kulturore dhe gjuhësore, u
transformua në emrin e sotëm Presheve.”
“Zanafilla e emrit Presheve
është shumë më e hershme se shek. XIV, kohë kur për herë të parë /1379/
përmendet në literaturën kishtare. Rrënja e nocionit Preshevë është shumë më e
vjetër dhe burimin e ka nga gjuha pellazgo-ilire, përkatësisht shqiptare, nga
emir me rrënjë mbiemërore PRRUSHE sipas bazës topografike, më saktësisht asaj
mikrotopografike, sepse vendbanimi i Preshevës, fillimisht shtrihej në një
përrua, 1,5 km në perëndim të qendrës së sotme të këtij qyteti. Në këtë mënyrë,
sipas emër vendit
PËRRUE/dialekti geg.vendor/, ku
shtrihej fillimisht ky vendbanim është emërtuar në trajtën mbiemërore PRRUSHE
/që gjendet në përrue, që shtrihet në përrue/ nga banorët e atëhershëm. Kështu
rrënja e emrit Preshevë është krejtësisht kuptimplote.
Emri parahistorik PRRUSHE i
vendbanimit të Preshevës së sotme, më vonë është trashëguar te popujt e
ndryshëm pushtues të kësaj treve.
…Këtë hipotezë mbi prejardhjen
e emrit Preshevë nga mbiemri
PRRUSHE e përforcon shqiptimi i
mbiemrit të sotëm të Preshevës nga katundarët
e Malësisë së Karadakut të
Preshevës në periudhën e para LDB, kur
ai shqiptohej në trajtën
PRRUSHE, pra si mbiemër i emërzuar. Mbas kësaj
lufte fillon të shqiptohet
PRRUSHEVË , në këtë rast, duke përdorur
prapashtesën vë-në, si emër prapashtesor.”
TOPONIMET E PRESHEVËS
ARAT E ÇIFLLAKIT – tokë nën
Hekurudhën kah Atari i Zhunicës
ARA E LOMËS - arë në fushë të Preshevës, ndërmjet Allajve
dhe Te bunari ku dikur fshinin drithnajet e fushës, para se të kalojnë të
fshirat te Loma e Majancës dhe nëpër shtëpia.
BAHÇET – kopshtet e Mëhallës së
Rrahmonëve dhe të tjerat për rreth tyre udhës së Vorreve.
BIRA E KAÇAKËVE – gjendet në
malin Vaçë, birë, shpellë në të cilën janë fshehur 11 deri 13 kaçakë, siç i quanin at kohë. Për
ate edhe ajo birë-shpellë e vogël ku ishin vendosur kaçakët e Preshevës e mori emrin “Bira e Kaçakëve”. Gjatë
qëndrimit të tyre te “Bira e Kaçakëve”.
BIRAT TE KODRA E ALIMETËVE – dy
birra që gjenden në Kodrën e Alimetëve.
BRINJA E PRESHEVËS - në
very-perëndim të qytetit të Preshevës, vendbanim dhe varreza të vjetra.
BUNARI i Haxhi Maliqit, në udhën e Vorreve, më
poshtë se bunari i Haxhi Muharremit.
BUNARI i Haxhi Muharremit të Rrahmonëve, në udhën e
Vorreve, i ndërtuar më 1940.
BUZALLUKI – përpara vend me
kullosa, tash ara që punohen në të djathtë të qytetit.
CURRILI – vend ku bie uji
curril, te Kisha, ku laheshin fëmijët dhe të rinjtë e Preshevës.
ÇARSHIA - Çarshia e Preshevës,
në qendër të qytetit dhe për shkak të nevojave të tregtisë dhe zanateve
karakterizohet me dyqane dhe mehane të shumta. Ato janë të vogla, njëkatëshe,
të ndërtuara me tjegulla dhe me dërrasa. Hanet si ndërtesa të mëdha janë të
pakta. Më tepër gjenden mejhanet, që janë më të vogla. Ato ishin me mindere
përreth mureve.
ÇEZMA E ALIMETËVE - më parë Kroi i Mëhallës së Alimetëve gjindej
para dyerve të Mëhallës së Alimetëve, sepse ajo ishte e mbrojtur me dyerë,
poshtë dhe lartë Mëhallës. Më vonë dyert tërhiqen brenda territorit të Mëhallës
dhe Çezma bëhet publike. Bejtulla Osmani për Çezmen thotë se ka vjetërsi 300
vjetëshe. Burimi i ujit të Çezmesë ndahet në tri pjesë : tre vëllezër dhe tre
burime: për Alimetët, për Shehlerët dhe për Sheh-Halilët.
ÇEZMA E LIMON AGËS - Çezma e
Limon Agës i Mëhallës së Liçajve, në
rrugën rajonale Preshevë-Stacioni Hekurudhor-Autostradë, te Livadhet e Qytetit,
e cila sipas bashkëbiseduesit Selver Rexhepit të Mëhallës së Liçajve ka
vjetërsinë e para 150 vjetëve, e rindërtuar disa herë nga Familja Rexhepi e
Liçajve. Bile bashkëbiseduesi thotë: “Kjo Çezme është më e vjetër se Çezma e
Madhe te Mëhalla e Kuklarëve.”
ÇEZMA E MADHE – gjendet në Mëhallën e Kuklarëve. Është e vjetër dhe i plotëson nevojat për ujë
të pijshëm për një mëhallë.
ÇEZMA E VJETËR E TEQESË –
gjendet afër Teqesë, para Tyrbes, pronë
e Sheh Salimit, e ndërtuar më 1878, kurse sipas Hixhrës më 1275.
ÇEZMA E ZABELIT - ka marrë
emrin sipas Majës së Zabelit, uji edhe sot rrjedhë në te dhe përdoret për
kafshët.
DARDHA E HOXHËS – arë e Ali
Litunit ndërmjet udhës së Allajve dhe asaj Vorrezave, arë me një trup dardhe ku
kanë pushuar punuesit e fushave, ku kanë gjetur flladë.
FYERA – ndryshe edhe fytyra,
përmbi Lugin e Blinit,
GRADINA - lokaliteti i quajtur
“Gradina” gjendet në anën e djathtë të rrjedhës së lumit të Preshevës, rreth
500 m në perëndim të Kishës dhe 150-200 m në lindje, në juglindje të
lokalitetit antik ndër Kalanë e Preshevës. Në anën e jugut ajo puthet me kodrat
fqinje. Në sipërfaqe të platosë shihen mbetjet e objektit antik, themele
gurësh, tjegulla të formatit romak. Po ashtu gjejmë edhe qeramikë të kohës
antike të mëvonshme. Thuhet se lokaliteti është i kohës iliro-romake dhe se ka
paraqitur vendbanim strategjik.
GURI I BLETËS në Preshevë.
GURI I BOLLËS - sipas një
legjende se në fillim të Kodrës-Gurit të Bollës paska pasur shumë bolla të
mëdha, për të cilat thuhet se edhe sot dalin nga Gurishtja, por jo në ato
përmasa.
GURI I SHPUEM - gjendet në jugperëndim të qytetit, mbi 20
Mullinjtë e Preshevës, në anën e majtë të Lumit të Preshevës.
“Guri i Shpuem” ishte objekt
kulti, në realitet kishë gjysmë e futur në tokë shkëmbore, me zgavër në mes, në
brendinë e të cilës hasen freska. Objekti i takonte lokalitetit ilir në
Preshevë.
GURISHTJA – gjendet permbi
Mëhallën e Kuklarëve, kodër me gur për gëlqere
– përmbi malin Vaçë, ku rrinin
thitë e egër,
GURRA E KISHËS në Preshevë
GJERIZAT E KAÇAKËVE – vend në
malin Vaçë, ku laheshin Kaçakët e Preshevës, të cilët banonin te Birat e
Kaçakëve.
HAMAMI I VJETËR – gjendej në të
djathtë të rrugës Ramiz Sadiku, Preshevë- Rahovicë, para Xhamisë së Poshtme,
tashti është ndërtuar ndërtesë e re shumëkatëshe.
S. Rizaj shkruante se në Kazanë
e Preshevës, më 1896/7 ekzistonte një banjë publike, hamam afër Xhamisë së Poshtme. Deri në vitin
1912 ishte në shërbim të qytetarëve, ndërsa pas vitit 1912, hamami u përdor për
banim nga emigrantët, pastaj në të u ndërtua një mulli elektrik, më 1953. Më
vonë shërbeu edhe depo e materialeve ndërtimore e Kooperativës Bujqësore të
Preshevës. Në vend të hamamit të shkatërruar plotësisht, më vitin 1987 u ngrit
një ndërtesë e banimit kolektiv. Hamami i Vjetër në Preshevë kishte vlera
kulturore dhe historike, ishte ndërtuar gjatë kohës së Perandorisë Osmane, në
periudhën e ngritjes së hamameve në Shkup, Prishtinë, Vranjë, Tetovë.
HANI I QORVELISË - gjendej në
rr. “R. Sadiku” të Preshevës, Mëhalla e Kamberëve, sot te shtëpia e Mitat
Veliut, në të djathtë të udhës Preshevë-Rahovicë, i ndërtuar më 1805.
HANI I RRAHMONËVE - Hani i
Rrahmonëve të Preshevës ishte një kompleks, ku pos hanit, ekzistonte edhe
Mulliri, kah lumi i Preshevës, i ndërtuar në fillim të shek. XIX, në Preshevë,
në rrugën “M. Tito”. Hani i shërbente edhe udhëtarët, por edhe ata që bluanin e
ishin nga larg. Sot është shtëpia në pronësi të Isa Latifit, Mëhalla e Begajve
të Preshevës.
HIJA E KEQE – mal i Preshevës
në lartësi 997 m, në anën e djathtë të lumit të Preshevës.
HISAR - rrëza e kodrinës së
kalasë ku gjendej vendbanimi i lashtë.
KALAJA E PRESHEVËS - Kalaja e Preshevës së pari u themelua nga
Dardanët në shek. IV para erës së re. Ajo gjendet në perëndim të qytetit të
Preshevës. Me ardhjen e romakëve në këtë trevë, ata në shek. I të erës së re
ndërtuan udhët të shtruara me gurë sipas standardeve ndërtimore të tyre,
rindërtuan kështjellën mbi themelet e kështjellës së lashtë ilire, përkatësisht
dardane si dhe vendbanimin dardan poshtë kalasë.
Më vonë u rindërtua nga
Perandoria osmane dhe serbët.
KARADAKU I PRESHEVËS – është
pjesë e masivit të Karadakut dhe përfshin Preshevën dhe shumë vendbanime
malore.
KËRKOC – vend i vneshtave në
very-perëndim të qytetit.
KISHA E PRESHEVËS - gjendet në të dalë nga qyteti, në të majtë të
rrugës rajonale Preshevë-Gjilan. Ajo ka edhe Kumbonaren, në të cilën kryqi
dallon nga i Kishës.
Dera e kishës ishte në
perëndim, më vonë është hapur në jug, ku edhe është hyrja zyrtare e lutësve
ortodoksë.
KODRA E ALIMETËVE – kodër që
gjendet përmbi Mëhallën e Alimetëve
KOLIBET E ÇOBANËVE -
shtriheshin rrëzë Majës së Zabelit kah Mëhalla e Kuklarëve, ku ishin të
vendosura Kolibet e Çobanëve dhe toriqet e dhenëve.
KROI I KEQ - Çezmë sot-autori,
te Mëhalla e Derrajve, te Vreshtat e Preshevës, te Furrat e Qyreçit, në veri të
qytetit. Kroi i Keq është i njohur shumë dhe i popullarizuar, sepse më 6 maj,
Ditën e Shën Gjergjit , për çdo vit, populli, sidomos vajzat e gratë shkojnë
për të kërkuar shëndet, duke i lajtë sytë me ujë Kroi dhe duke i mbushur enët e
ndryshme për në shtëpi, ku i stërpikin anëtarët e familjes. Poashtu vajzat e
reja, aty shkojnë për të kërkuar njohje dhe dashuri. Kroi i Keq më shumë
vizitohet nga Romët, të cilët atë ditë e kanë festë të tyre, edhepse nuk qëndron
ky mendim, ka literaturë të bollshme për Shën Gjergjin, në të cilin shprehet
mendim tjetër mbi Shën Gjergjin.
KROI I MAHMUTIT – gjendet përmbi Mëhallën e Kuklarëve.
KROI I YMER EFENDISË - gjendet në fushë, në Llapincë.
KRONI I MAHMUTIT – arat te Kroni
i Mahmutit, mëhallë e baballukëve.
KOZARI-vend ku mblidheshin
dhitë e Preshevë
LISI I MATËS – arat që punohen
për rreth Lisit të Matës, udhës së drumit /udhë e madhe/.
LIVADHI I SHEHIT - Livadhi i
Shehut quhet edhe Livadhi i Shenjtë dhe Livadhi i Fshehtë. Livadhi ishte pronë
e Shehlerëve apo pronë e ndonjë Shehu të Preshevës.
Vend në Malësi, me kullosa,
disa hektarësh, në të majtë të rrugës Preshevë-Gjilan.
LIVADHI I VALËS/VALEVË/ -
Livadhi i Valës gjendet në vendin e quajtur Valë. E quajnë edhe Livadhi i
Selver Ramadanit, përshkak të pronËs së tij: aty janë arat e tij, livadhi ka ujë të bollshëm, natyrë me ajër shumtë të
shëndetshme. Bile, shumë më herët kam ndëgjuar se këtë vend e kanë kërkuar për
sanatorium, ku do të shëroheshin të
sëmuritë nga frymëmarrja dhe mushkëritë.
LOMA E MAJANCËS - gjithë
Mëhallën e Kuklarëve e lidh një
strumbullar, një territor, në mes të të cilit gjendet Loma e Majancës. Në
të kanë fshirë drithnaja banorët e Mëhallës së Kuklarëve, por edhe të Mëhallëve
të tjera dhe më gjërë. Në këtë vend kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera :
lojërat e fëmijëve, të të rinjve, bisedat e të mëdhënjve dhe të Pleqëve
të Mëhallës, për probleme jetësore, politike, fetare.
LUGI I BLINIT – lug i blinave,
në të dy anët e tij kishte stane dhe ishte i pasur me kullosa.
LUGINA – fushë, arat ndërmjet rrugës që shkon për fushën Izvor dhe
për Zhunicë
LUMI I PRESHEVËS - ka burimin në malin Ostrovicë /1100 m/, në
rrjedhë teposhtë dhe në hyrje të qytetit, te Mullinjtë e Preshevës merr një përrockë, që vjen nga perëndimi.
Deri këtu rrjedha e lumit është në drejtim veri-lindje, ndërsa prej këtu merr
drejtimin lindor. Lumi kalon nëpër qytet, deri më 1912 kaloi nëpër qendër të
qytetit dhe rrugës së sotme të Ramiz Sadikut, teposhtë Mëhallës së Karavelive dhe
Kamberëve, ndërsa pas këtij viti shtrati i rregullohet drejtë rrugës së sotme
të Rinisë, teposhtë Mëhallës së Liçajve, Rrahmonëve,Berajve dhe Gollomehëve.
Kështu te Stacioni Hekurudhor pranon lumin e Norçës dhe derdhet në Moravicë.
LLAPINCA – fusha, arat në të
djathtë të udhës Preshevë- Stacioni Hekurudhor, tashti po urbanizohet dhe po
ndërtohen shtepi e komplekse ndërtesash,
MALI HIJA E KEQE është mal
karakteristik i tipit këllëf, shtrihet menjëher në perëndim të livadhit të
Shehut. Ka shtrirje JJB - VVP. Gjatësia e tij është afërsisht 1 km, lartësia
mbidetare 997 m. Me formën e tij dallohet nga të gjithë malet e tjera në
Malësinë e Karadakut.
MANASTIRI I PRESHEVËS - gjendej
në jugperëndim të Preshevës, në anën e majtë të udhës Preshevë-Gjilan, mbi kishën
dhe ndër Kalanë e Preshevës ose aty te vendi i quajtur Te Mullinjtë e
Preshevës.
MAXHERESHTINA – fushë e
Preshevës që gjendet në jug-lindje të Rahovicës.
MERAJA – vend kullosë,
djerrinë, tokë djerrë, ledinë.
MËHALLA E DOGANËVE - shtrihet
në të djathtë të lumit të Preshevës
MËHALLA E KUKLARËVE - shtrihet në anën e majtë të lumit
Emri i Mëhallës së Kuklarëve
nuk dihet saktësisht qysh ka mbetur, edhe pse shumë pleqë të kësaj Mëhalle dhe
Trifunoski e vërtetojnë me sinonimin Kukës-Kuklar.
MËHALLA E SHEH-HALILËVE DHE E
ALI-METËVE - shtrihen në anën e majtë të lumi. Këto dy mëhalla janë të një
gjaku.
MAJA E ZABELIT – maja e
malit-kodrës që quhet Zabel përmbi Mëhallën e Kuklarëve, e cila ka kullosa për
dhenë, dhi dhe kafshë të jera.
MORAVICA - fusha e Preshevës përfshin fushën e Preshevës
dhe të disa vendbanimeve: Zhunicë, Çukarkë, Bukuroc, e tjerë
20 MULLINJTË E VJETËR - Në
Preshevë ka pasur mullinj shumë të hershëm. Ata janë ngritur në lumin e
Preshevës, shumica në kohën e Turqisë. Disa kanë më shumë se 150 vjet. Këta mullinj janë:
Mulliri i Shaip Miratocit, në jug të lumit, te Mëhalla e Kajallarëve; Mulliri i
Kadri Mullinxhisë, në jugperëndim të lumit, te Mëhalla e Karaponxhëve; Mulliri
i Maksut Karavelisë, te Kisha; Mulliri i Qorvelisë, te Kisha; Mulliri i
Horosanëve dhe Majancalive, te Kisha; Mulliri i Rashëve, te Currili te
Mullinjtë; Mulliri i Karavelisë; Mulliri i Haxhi Halimit, te Mullinjtë; Mulliri i një serbi, te Mullinjtë; Mulliri i
Ymer Efendisë; Mulliri i Hanucëve; Mulliri i Karaponxhëve; Mulliri i Stanojës;
Mulliri i Laz Norçës; Mulliri i një serbi; Mulliri i Arif
Kurbalisë-Nuhallarëve; Mulliri i Behë Kurbalisë; Mulliri i Kadri Norçës;
Mulliri i Jonuz Kurbalisë dhe Mulliri i Zejnë Kurbalisë.
PËRZHARI - lokaliteti që
gjendet në perëndim të Preshevës, në të majtë të udhës Preshevë-Gjilan. Këtu
janë gjetur varreza të vjetra, që i përkasin shek. I para Krishtit. Pozita e
varreve ishte në drejtin lindje-perëndim, që vërteton origjinën dardane të
varrezave.
PRRONI I KISHËS-gjendet në kompleksin
e Manastirit të Preshevës, në të djathtë të udhës Preshevë-Kurbali.
PUSI I KAUT TË EGËR në
Ostrovicë.
QERAMIDHA – fusha, arat
ndërmjet preshevës dhe Stacionit Hekurudhor, dheu përdorej për tjegulla,
qeramidhe.
RRETHI – kodër në formë rrethi,
rreth 300-400 m në lindje nga Kisha gjendet Rrethi, në të cilin është gjetur
një pitos antik. Poashtu, sipas fjalëve të vendasve është gjetur edhe një Varr,
por origjina dhe konstrukcioni nuk janë vërtetuar.
TE ALLAJT – vend në të djathtë
të udhës Preshevë-Rahovicë, për fushë,
për te Arat Te Bunari, ku në dasmat e Preshevës ndodhnin vrapimet e kuajve dhe
te vrapuesve, po edhe luhej vallja deri sa arrinin në cak kuajt dhe vrapuesit.
TE BUNARI I FUSHËS – arat
te plehrat ku bashkohen udha e Allajve
dhe udha per Maxhereshtinë, Kroni i takonte Mëhallës së Binajve, të cilët dhanë
një arë për ta mbajtur.
TE FUSHA E THIVE - PUSAT – vend
malor me ujë, ku kafshët pinin ujë,
TE LLUGA E POSHTME – fushë,
arat ndërmjet udhës Rahovicë-Zhunicë dhe
Preshevë- Izvor
TE MOLLAT – vend në Vaçë, vend me molla,
TEQJA E PRESHEVËS - gjendet afër Xhamisë së Vjetër, u ndërtua në
mes të viteve 1698-1700. E ndërtuan Shehët e Preshevës. Atëherë ishte e
rrethuar me muri të lartë, ka pasur Hanin për udhëtarë, kuzhinën dhe ahurin e kafshëve
të karavaneve. Këtu u ndërtua Tyrbja, e cila edhe sot ekziston në kompleksin e
kësaj Teqeje. Teqja i perkët sektës “Halveti”.
UDHA E FRENGIT – hekurudhë, të
cilën e ndërtoi qeveria françeze më 1888 e që lidh
Beograd-Nish-Preshevë-Shkup-Selanik.
UDHA E LIVADHEVE – livadhet e
Preshevës në të majtë të Udhës Preshevë-Stacioni Hekurudhor.
UDHA E NEMCIT - ku ushtria e
gjeneralit austriak Pikolomini (1690) kaloi nëpër Karadak dhe që nga ajo kohë
udha kryesore Preshevë-Gjilan është quajtur Udha e Nemcit. Bile sipas legjendës
ekzistojne disa rrugë, nëpër të cilat kaloi kjo ushtri.
VAÇA/VAÇKA/ - vendbanim i
vjetër në karadakun e Preshevës, gjendet në anën e djathtë të rrugës
Preshevë-Gjilan.
VALA - vendbanim i vjetër në
Karadakun e Preshevës, gjendet përmbi Preshevë. Toponim me Valevojt te
Kurbalia.
VILA LETAFET – shtëpi, vilë
është e ndërtuar më 1936. në rr. e Gjilanit, pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Në
këtë objekt për herë të parë u hap shkolla fillore në Preshevë, në gjuhën
shqipe, më 7 shkurt 1945. Shkollën e hapi me një fjalim të rastit Abdulla
Krashnica, sekretar i Komitetit te Rrethit të Preshevës, ndërsa mësues ishin
Hilmi Qerimi, Demirali Ibrahimi, Abdullah Ukshini, Dilaver Osmani, Lutfi
Ahmeti, Isa Selimi, Kadrije Kelmendi.
Në Vila Letafet kati i parë u
përdorë për mësim, ndërsa i dyti për banim të mësuesve.
XHADEJA E VJETËR – Xhadeja e
Vjetër apo Xhadeja e Mithat Pashës u ndërtua më 1863-1985 dhe kjo rrugë lidhte shumë qendra të
atëhershme tregtare veri-jug dhe
jug-veri-Vranjë-Bujanoc-Preshevë-Kumanovë-Shkup.
XHAMIA E RE - Xhamia
"Xhamiul-Xhedid " u ndërtua më 1878, kurse është rindërtuar më 1983.
Në murin e oborrit të Xhamisë gjendet Çezma e Xhamisë, me mbishkrim dhe në
oborr të Xhamisë gjendet edhe Shatërvani i Xhamisë.
XHAMIA E VJETËR – Atik Xhamija
e ndërtuar më 1628 nga Ibrahim Pasha, ashtu edhe e mban emrin, në qendër të
qytetit të Preshevës.
PËRFUNDIM
Për hartimin e librit: “
Mëhallët dhe toponimet e vendbanimeve të komunës së Preshevës”, duke kërkuar
mbështetje, përkrahje, por edhe këshilla, sygjerime e propozime të
mirëseardhura pata një bisedë me Akademik Rexhep Ismajli, pos të tjerave, më porositi që të mbledh sa më tepër toponime
të vendbanimeve të Preshevës.
Pra, në këtë punim u mundova që
sa më tepër të mbledhë toponime, të jap shënime mbi toponimet e Preshevës. Sa
kam arritur që ta realizoj idenë e përmendur, do të shihet atëherë kur punimi
të bie në dorë të lexuesit dhe ai e vlerëson dhe shprehet pozitivisht për të.
Jam i vetëdijshëm se ideja e
realizuar është fillestare, të shkruhet për toponimet, por i mbetet gjeneratave
të ardhme dhe studiuesve të rinj të hulumtojnë edhe më tepër në këtë lëmi dhe
ta lëvrojnë në mënyrë studiuese, shkencore çdo aspekt lëminë e përmendur,
faktikisht më thellësisht ta spjegojnë gjenealogjinë e toponimeve të Preshevës.
Me këto pak të dhëna të
paraqitura në këtë punim, nuk mund të thuhet se është shterur së shqyrtuari e
studiuari e gjithë ajo lëndë e vlefshme toponimesh të Preshevës. Është kjo
vetëm një ndihmesë e vogël për të motivuar dijen tonë, ta ruajmë trashëgiminë e
toponimeve në kujtesë të gjeneratave të ardhshme, përndryshe trashëgimia
kulturore, në këtë rast toponimia po shkojnë drejt tretjes si kripa në ujë,
siç shprehej profesor Eqrem Çabej, e të cilat, po edhe deshëm t’i kemi dikur,
në qoftë se nuk mblidhen e studiohen sa më parë, nuk do t’i kemi ose do të jenë
ndryshe nga ato që janë sot.
Në këtë punim shkrova vetëm për
toponimet e Preshevës.
Në fund mun të themë se
toponimet e Preshevës janë shumica më origjinë shqiptare, afro 80 toponime,
ndërsa në gjuhën slave janë vetem 3 toponime.
REFERENCAT
Banovina Vardarska, opsti pregled, Skoplje, 1931
Cvijic, Jovan, Geografski polozaj i veze, Govori i clanci, Sabrana dela, tom 3,
Geografske osnove makedonskog pitanja, str. 148
Hadzi-Vasiljevic, Jovan, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II,
Beograd, 1913
Kelmendi, Fehmi, Kush janë Shqiptarët, Tetor 1990
Kelmendi, Ibrahim, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006
Kncov, Vasil, Izbrani proizvedenia, tom 2, Sofia, Nauka i iskustvo, 1970
Kostic, Mihajlo, Presevska dolina, Vranjski glasnik, knj.V, Vranje, 1969
Ndrecaj, Mikel, Fjalor fjalësh e shprehjesh të
huaja, Prishtinë, 1986
Papazoglu, Fanula, Srednjobalkanska plemena u
predrimsko doba : Tribal, Autarijati, Dardanci,Skordisci i Mezi, Beograd,
Equilibrium, 2007
Papazoglu, Fanula, Iz istorije antickog Balkana, Beograd, Equilibrium, 2007
Petrov, Gj., Materiali za izucavaneto na Makedonia /Materiale për studim në
Maqedoni/ , Sofia, 1896,
Petrovic, Tomislav, Svetislav, Presevo, Istorija i sudbina, Jagodina, 2009
Rizaj dr.Skender, Kaza Presova 1896/97. godine, Vranjski glasnik, IV, Vranje,
1968, Rizaj dr.Skender, Vilajeti I
Kosovës/1877-1912/, Vjetari nr.45-46, Prishtinë, 2011
Stojanovski, Aleksandar, Vranjski Kadiluk u XVI
veku, Vranje, 1985
Trifunoski, Jovan F. , Presevo, Beograd, 1951
Vukanovic, Tatomir, Presevo, Vranje, 1966
Wikipedia, Enciklopedia e lirë