| E diele, 24.09.2023, 07:50 PM |
Recension i fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe të Prof. Dr. Eshref Ymerit
Nga
Prof. Dr. Hajri Shehu
Thonë
që fjalorët janë librat më të mirë që mund të shkruhen për gjuhën. Sepse
fjalorët janë fryt i një pune të ngulët për qëmtimin e njësive që do të
përbëjnë korpusin e tij, punë e cila zgjat me vite e vite të tëra, në mos me
dhjetëvjeçarë. I tillë është rasti edhe i “Fjalorit frazeologjik të gjuhës
shqipe”, që po i vihet në dorë lexuesit, i cili e ka zanafillën gjysmë shekulli
më parë, kur prof. Eshref Ymeri nisi punën për vjeljen e shprehjeve
frazeologjike të gjuhës shqipe nga disa qindra vepra letrare, publicistike e
politiko-shoqërore.
Ky
është fjalori i pestë frazeologjik i prof. E. Ymerit. Katër të tjerët janë
gjuhë e huaj - shqip (italisht-shqip - me bashkautorë, rusisht-shqip,
anglisht-shqip e frëngjisht- shqip - ky i fundit me bashkautor). Të pesë
fjalorët janë të mëdhenj. Në katër të parët, frazeologjia e shqipes
ballafaqohet denjësisht me frazeologjinë e katër gjuhëve të mëdha botërore.
Në
Fjalorin e tanishëm, shqipja “ballafaqohet” me vetveten - me pasurinë e saj të
madhe frazeologjike, me sinoniminë e variantësinë e saj të gjerë. Fjalori mund
të vlerësohet denjësisht edhe si Fjalor frazeologjik sinonimik i gjuhës shqipe.
Një
nga detyrat e gjuhësisë sonë është ngritja e kulturës gjuhësore të popullit.
Fjalori i prof. Eshref Ymerit mendojmë se e përmbush më së miri këtë detyrë.
Përdoruesi e ka rrugë të shtruar Fjalorin për të gjetur të gjitha grupet
semantike - ato që kanë të bëjnë me tipare fizike a morale të njeriut, me
veprime a mosveprime të njeriut, me veprime a punë të pamenduara të njeriut, me
marrëdhëniet ndërmjet njerëzve etj. Mjafton që përdoruesi i Fjalorit të shkojë
te fjala bosht e frazeologjisë (p.sh., te zemër, te dërrasë, te masat etj.) dhe
do të gjejë thesarin - të gjitha shprehjet - kryesisht sinonimike. Po t’i
veçonim grupet semantike, do të kishim disa minifjalorë frazeologjikë. Për
dashatarët e fjalëve të urta e të fjalëve fluturake Fjalori është udhërrëfyesi
i duhur. Letërsia artistike është zakonisht trualli ku gjejnë përdorim
stilistik frazeologjitë a fjalët e urta, sepse në të ka vend më shumë roli
shprehës i gjuhës. Natyrisht, kjo varet nga gjinia e veprës letrare, nga
individualiteti i shkrimtarit, nga tipi i frazeologjisë etj. Dhe shkrimtarët
kanë një ndihmëtar shumë të vyer te Fjalori frazeologjik i prof. Eshrefit. Po
aq ndihmë ka edhe për publicistët.
Njësitë
frazeologjike e fjalët e urta janë të rëndësishme jo vetëm si mjet komunikimi,
por edhe si burim të dhënash shoqërore për kulturën materiale dhe shpirtërore
të popullit. Për këtë arsye pasqyrimi i tyre në fjalorë është i vlefshëm edhe
për folkloristin, etnografin e sociologun. Në Fjalor, përdoruesi do të gjejë
mjaft frazeologji që kanë të bëjnë me mjeshtëri e zeje popullore, me festa
popullore, me etnografizma (shih, p.sh., lulja e dasmës “degë lisi e zbukuruar
me lule etj. që vihet mbi çatinë e shtëpisë si shenjë gëzimi a gazmendi kur
merret nusja”) e festa popullore etj.
Në
Fjalor përfshihen, siç u tha, edhe fjalë të urta. Shih në Fjalor: burri s’matet
me pëllëmbë, po me zemër; vër zemrën atje ku jep fjalën! kush u martua e s’u
gëzua, s’bëhet lundra me dru marene. Edhe fjalët e urta konsiderohen mjet
gjuhësor. Ato janë karakteristikë e gjuhës së gjallë bisedore. Klasifikimi i
tyre tipologjik bëhet në gjuhësi e jo në folkloristikë, çka do të thotë se ato
e kanë vendin në fjalor. Ndryshe nga njësitë frazeologjike, fjalët e urta kanë
strukturë më konservative, domethënë, përgjithësisht ato funksionojnë në
ligjërim me kontekste të caktuara sintaksore, pothuajse të pandryshueshme e të
papërpunueshme. Stilistikisht, ato përdoren në mënyrë ballësore, domethënë, në
të gjitha stilet funksionale (në letërsinë artistike, në publicistikë, në
letërsinë shkencore-popullarizuese etj.).
Në
Fjalor ka edhe fjalë fluturake (shih, p.sh., koha është pará / flori). Fjalët
fluturake janë fakte ligjërimore me karakter përgjithësues - të drejtpërdrejtë
ose të figurshëm. Janë modele letrare. Prandaj, ashtu si fjalët e urta, edhe
ato e kanë vendin në fjalor.
Fjalori
është filologjik. Jepet fjala bosht (me shkronja të mëdha) dhe pastaj njësia (a
njësitë) frazeologjike me shpjegimin leksikografik. Tipologjikisht, Fjalori
është diferencor (krahasimi bëhet me një fjalor të përgjithshëm shpjegues). Ai
nuk shpjegon fjalët. Ai shpjegon frazeologjitë. Edhe brenda vetes, Fjalori
është diferencor:
Ai
përfshin njësi frazeologjike aktive, domethënë, që janë të gjuhës së njësuar
letrare shqipe.
Në
një fjalor frazeologjik, edhe renditja e njësive brenda vargut ka vlerën e vet.
Ajo ka të bëjë me vendosjen e lidhjeve të një njësie frazeologjike me njësi të
tjera frazeologjike brenda sistemit të gjuhës. Në një fjalor frazeologjik, edhe
shtypshkrimi ka vlera përdalluese. Prandaj Fjalori paraprihet nga një Hyrje, shkruar
nga autori me kulturë leksikore, e cila i tregon përdoruesit ç’është ky Fjalor
e si është ky Fjalor dhe si duhet përdorur ky Fjalor.
Njësia
frazeologjike është njësi semantike funksionalisht e afërt me fjalën, por më e
ndërlikuar se fjala. E ç’është atëherë njësia frazeologjike? Cili është vëllimi
i saj? Deri ku shkojnë kufijtë e njësisë frazeologjike? Cili është roli i tyre
komunikues-funksional? Cili është tipari i tyre stilistik? Si përdallohet
shprehësia e tyre emocionale? Si përdallohen vargjet frazeologjike sipas rolit
komunikues-funksional të njësive? Për këtë ka një koncept të ngushtë a shumë të
ngushtë. Ka edhe një koncept të gjerë a shumë të gjerë. Autori ka anuar nga
koncepti i gjerë. Shpjegimi i njësisë frazeologjike në Fjalor bëhet sipas funksionit
sintaksor.
Sinonimet
frazeologjike përdoren (në shpjegim) si plotësuese. Shih, p.sh. ta shet shkumën
për ajkë dhe pastaj ta shet sapunin për djathë. Njëherësh, ato janë me vlerën
që ka sinonimi si mjet gjuhësor. Sipas hierarkisë së tyre, sinonimi është edhe
me vlerë stilistike. Krahaso ta shet shkumën për ajkë dhe të hedh (të shtie)
trutë e gomarit. Kur njësia frazeologjike ka më shumë se një kuptim, përdoren
numrat. Veçoria stilistike e njësisë jepet me shënime stilistikore (shak - me
shaka, përb - me ngjyrim përbuzës etj.).
Veçoria
ligjërimore është dhënë me shënimet libr - librore, bis - bisedore, thjeshtligj
- e ligjërimit të thjeshtë etj. Në disa njësi frazeologjike që janë
ndërkombëtarizma e lidhen me histori, personalitete historike, mitologji etj.,
jepet edhe shpjegim plotësues enciklopedik. Shih, p.sh., te ahur, Albion, ar
etj. Për përdoruesin e Fjalorit ky shpjegim është shumë i këndshëm.
Duam
të përveçojmë tri pasuri të mëdha të gjuhës shqipe që na vijnë në Fjalorin e
prof. Eshref Ymerit. Ato janë: sinonimia frazeologjike, variantësia
frazeologjike (këtu vijnë edhe fjalët e urta) dhe bashkë me to e brenda tyre -
frazeologjia popullore dhe fjalët e urta popullore. Autori ka qëmtuar e vjelë
me kujdes e me dashuri të veçantë dhe ka krijuar një kartotekë vetjake vigane.
Dhe kjo lëndë na vjen e përzgjedhur dhe e situr aq imët. Në Fjalor ka njësi
frazeologjike me mbi 30 sinonime. Prandaj, siç u shprehëm më sipër, Fjalori
mund të quhet mirëfilli Fjalor frazeologjik sinonimik i gjuhës shqipe.
Sinonimia
frazeologjike është pasuri e pakufishme për zhvillimin e sistemit stilistik të
shqipes, sepse, sa më shumë njësi frazeologjike të ketë në përdorim, aq më
shumë ato mund të dallohen stilistikisht. Fjalori i prof. Eshrefit ia sjell
shkrimtarit e publicistit këtë pasuri të renditur alfabetikisht.
Variantet
frazeologjike janë po aq pasuri e pakufishme e shqipes. Në Fjalor ka dhjetëra e
dhjetëra variante frazeologjike. (Shih, p.sh., vetëm te fjala titull zavë /
zavëz - një fjalë jo dhe aq e njohur). Pasuria e tyre është te mënyra e
ndërtimit dhe e motivimit të njësisë frazeologjike, që vjen nëpërmjet
ndryshimit të përbërësve kuptimorë (krahaso: të shtie në lak dhe të shtie në
kllapë; të fut në ujë dhe të nxjerr pa lagur dhe të fut në lumë... dhe të fut
në pus... dhe të fut në det). Dhe variantësia frazeologjike e shpëton
shkrimtarin e publicistin nga monotonia ligjërimore. Siç dihet, pothuajse
shumica e njësive frazeologjike janë popullore. Pse? Sepse për nga burimi janë
krijime të popullit; për nga gjymtyrët përbërëse, janë fjalët e fondit themelor
dhe fjalët më të zakonshme e më të njohura. Gjuha letrare “i zgjedh” njësitë
leksikore e semantike (fjalët dhe kuptimet) krahinore popullore dhe merr e
përvetëson ato që i sjellin vlera pozitive. Me njësitë frazeologjike e fjalët e
urta puna është ndryshe:
Gjuha
letrare i merr këto pa kufizime (sigurisht, pas një përpunimi drejtshqiptimor,
drejtshkrimor e gramatikor). Bie fjala, pse të mos e marrë gjuha letrare
frazeologjinë (me prejardhje krahinore) flet si miza në shytkë? Dhe sa më shumë
njësi frazeologjike të ketë, aq më shumë shtohet sinonimia frazeologjike ose
variantësia frazeologjike (ngaqë e njëjta frazeologji na vjen me gjymtyrë të
ndryshme përbërëse) e siç u tha, aq më shumë zhvillohet sistemi stilistik i
shqipes dhe aq më shumë mund të dallohen stilistikisht njësitë frazeologjike
(krahaso: i ra hunda dhe i ra lafsha). Këtej vjen edhe një nga vlerat e
frazeologjisë popullore e në këtë hulli, edhe e botimeve si ky Fjalor.
Profesor
Eshrefi e njeh aq mirë ligjërimin popullor dhe na e sjell po aq mirë në Fjalor.
Shumica e njësive frazeologjike, përveç kuptimit (leksikor) objektiv, kanë edhe
ngjyrim shprehës-emocional. Ai është ngjyrim kuptimor plotësues dhe e shoqëron
gjithnjë kuptimin (themelor) të njësisë frazeologjike. Madje, janë figurshmëria
dhe shprehësia e njësisë frazeologjike ato që e fuqizojnë përdorimin e saj në
gjuhë (krahaso: të ha me gjithë opinga). Fjalori na vë përpara tërë atë lëndë e
gjithë ato sinonime për të parë e studiuar si ndodh përtëritja e ngjyrimit
shprehës-emocional me përtëritjen e formës së brendshme të frazeologjisë.
Kemi
përshtypjen që nuk janë studiuar shumë veçoritë stilistike të njësive
frazeologjike të shqipes. Ekzistenca në gjuhën letrare shqipe e njësive
frazeologjike, ku vargu sinonimik shkon deri në dhjetë e më shumë njësi (në
këtë Fjalor deri në 40), të cilat kanë edhe variante, krijon mundësi për
zhvillimin e sistemit stilistik, sepse stilistika në fushën e togfjalëshave të
qëndrueshëm nuk është gjë tjetër, veçse zgjedhje. Dhe sa më shumë njësi
frazeologjike e variante frazeologjike të ketë në qarkullim, aq më shumë ato
fitojnë dallime stilistike e aq më shumë ka vend për të zgjedhur. Dhe ky Fjalor
na vë përpara aq shumë frazeologji sinonime e variante, tubuar
leksikografikisht, të cilat me emocionalitetin, me shprehësinë dhe me mënyrën e
tyre të përdorimit, na japin mundësi t’i studiojmë më shumë veçoritë stilistike
të njësive frazeologjike të shqipes në ligjërimin bisedor, në publicistikë etj.
Fjalori
është i madh. Dhe sa më i madh të jetë një fjalor frazeologjik, aq më i
vështirë është shpjegimi, përcaktimi e përveçimi a tubimi i sinonimeve dhe i
varianteve frazeologjike. Edhe t’i gjesh vend një njësie frazeologjike është e
vështirë. Autori e ka bërë shumë mirë këtë punë. Sinonimet janë në vendin e
vet. Secili variant është në vendin e vet. Renditja alfabetike është siç duhet.
Prin fjala bosht e njësisë frazeologjike.
Shpjegimet
për kuptimin e njësive frazeologjike janë të sakta e të qarta. Dhe frazeologët
kanë në Fjalor të gjithë tipat e frazeologjive. Leksikologët dhe leksikografët
mund të shohin në Fjalor modelet strukturore-semantike te variantet e njësive
frazeologjike, domethënë, siç u tha, te variantet që kanë semantikë të
përbashkët dhe figurshmëri të njëjtë, por që kanë të ndryshme gjymtyrë të
veçanta (tipi u dogj nga qulli / qumështi e i fryn kosit). Në këtë variantësi
dhe, përgjithësisht, te frazeologjia e te ky Fjalor frazeologjik, dialektologu
mund të zbulojë edhe bashkëmarrëdhëniet ndërkrahinore të njësive frazeologjike
dhe të përcaktojë saktë arealet frazeologjike; etnografi - sende e dukuri;
etimologu - etimologji të frazeologjive.
Fjalori
është për të gjithë - për shkrimtarët dhe publicistët, për mësuesit dhe
studentët - për të gjithë ata e ato që duan ta ngrenë më lart ligjërimin e tyre
të folur e të shkruar. Fjalori na nxit për ta njohur më thellë pasurinë
frazeologjike të gjuhës shqipe e sidomos të ligjërimit popullor. Ai na nxit
fort ta gjurmojmë e ta mbledhim frazeologjinë popullore. Ai na nxit ta
përvetësojmë frazeologjinë e ta rritim kulturën tonë gjuhësore, edhe duke e
zbukuruar të folurit tonë me përdorimin e frazeologjive.
Tiranë, qershor 2022