E premte, 08.11.2024, 11:30 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Kadri Veli Halili - Atdheu mbi të gjitha

E shtune, 23.09.2023, 07:00 PM


T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

KADRI VELI HALILI “Beba”, ATDHEU MBI TË GJITHA

(1881- u pushkatua më 12 shkurt 1948)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari Kadri Veli Halili  me pseudonimin “Beba”, ishte i lindur në lagjen Graiçevci të  fshatit Ribari i Madh, më 1881. Nga babai Veli dhe nëna Fata, e lindur Rashiti. Në kohën kur u arrestua ishte i martuar dhe baba i katër fëmijëve: Xhevës- 20 vjeçare, Tafës- 19 vjeç, Ajshes- 12 vjeçe dhe Avdullahu, 9 vjet   Deri sa u arrestua ishte i pa dënuar. Ndërsa në burg ndodhej që nga 10 marsi 1947.

Gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ai ishte marr me bujqësi, dhe kishte qenë kryetar i fshatit Ribar i Madh. Pastaj jep dorëheqje dhe më vitin 1943, përsëri ai caktohet kryetar i komunës së Lipjanit. Njihej si një njeri i përbetuar për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Atëherë, ministër i Kosovës në Qeverinë e Tiranës, Ilaz Agushi, e kishte emëruar Kadri Bebën kryetar të komunës së Lypjanit. Gjatë periudhës prej vitit 1941 e deri në fillim të fund të vitit 1944 ka mbajtur kontakte me krerët më të lartë të kohës. Ka kontribuar në dërgimin e forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve të  Shqipërisë Etnike, sidomos në Frontin e Prapashticës, ku kishte caktuar, kushëririn e tij Salih Rexhën, komandant të njësive të rrethit të Lypjanit.  Me 14 prill 1943, përmes vullnetarëve të vet dhe kryetarëve të fshatrave, e kishte organizuar popullin e komunës së Lipjanit nën komandën e tij dhe në bashkëpunim me njerëzit nga komuna e Sedllarit dhe Komoranit që të mbrohen nga grupe partizanësh që ndodheshin në malin e Lipovicës. Me ç’rast, në këtë përleshje janë vrarë mbi 6  partizan.

Kadri Beba, ishte pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, po ashtu ishte edhe veprimtar i LNDSH-së. Kishte marr pjesë në shumë tubime të ilegales. Ai bashkë me grupin e tij ishte pjesëmarrës në punimet e Kongresit të V të LNDSH-së që u mbajt më 25 korrik 1946, në Lipovicë.

Luftëtari dhe patrioti i madh, Kadri Beba, në radhët e ilegales njihej si një ndër  organizatorët më të mirë. Ai, veç kësaj, ishte strateg  i mirë i ecurive luftarake. Në vjeshtën e vitit 1944 ai kishte bërë mobilizimin e popullatës në komunën e Lipjanit që nga mosha 16-17 vjeçare që të marrin pjesë në luftë kundër partizanëve në atë anë.

Ndërsa në dimrin e vitit 1944/1945, me gjithë familjen kalon në ilegalitet. Në këtë kohë organizon grupin e armatosur 535, që ka qenë udhëheqës i tyre. Grupi i tij  numëronte mbi 70 vullnetar  të ndarë në 3-4 grupe më të vogla. Zëvendës i Kadriut ishte Sadri Sejdiu nga fshati Busi, i cili ishte plagosur në luftimet në Hoqë të Prizrenit më 8 gusht 1946, duke tentuar për të kaluar kufirin për Greqi. Kadri Beba, lëvizte me grupin e tij në territorin e rrethit të Graçanicës, Llapit dhe Drenicës dhe rregullisht i mbante lidhjet me grupet tjera vullnetare, siç ishte grupi nga Gjilani- Din Hoxhen, Ajet Gërgurin, Ukë Sadikun, Gjon Serreçin, Arif Shalën, Ibrahim Lutfiun, Azem Jashanicën, e shumë atdhetar të tjerë.

Kudo që lëvizte Kadri Beba kishte mbështetjen e popullatës sidomos në rrethet  e Drenicës dhe në fshatrat Vërshevc, Krajmirocë, Verigovc, Zllokuqan dhe në Ribarin e madh. Por duhet cekur se ai shkonte gjithandej kudo që kishte nevojë për mbrojtje e fshatrave gjithandej Kosovës. Me Ukë Sadikun ishte mik e shok i ngushtë në idealin e tyre. Ai kalonte shpesh në rrethin e Podrimës, ku takohej me të dhe bisedonin për situatën e krijuar në Kosovë. Kadri Beba ishte luftëtar i përbetuar i cili luftonte për bashkimin e trojeve shqiptare. Duhet theksuar se ai ishte shumë aktiv sidomos në luftën e gushtit 1945, që u bë në malin Kaqandoll, me ç’rast aty ishin vrarë 7 partizan, po ashtu edhe lufta që është zhvilluar më 13 mars 1946 në malin e Mramorit, ku gjithashtu ka pasur të vrarë.

Në fund të luftës në Kosovës forcat partizane komuniste ia arrestuan tërë meshkujt e familjes, dhe për lirimin e tyre e kushtëzuan me dorëzimin e tij tek organet e OZN-es. Ai pranon të sakrifikohet për familjen dhe arrestohet  më 10 mars të vitit 1947.  Pasi arrestohet, organet e sigurimit atë e marrin në pyetje tri herë: me 3, 4, e 6 maj 1947. Të gjitha marrjet në hetuesi i bënë krye hetuesi Qeda Topalloviqi. I cili gjatë hetuesisë e torturon dhe e malltreton në mënyrën më shtazarake.

Sipas aktgjykimit të Gjyqit  Ushtarak të Divizionit në Prishtinë, në përbërje të kryetarit togeri Smajl R. Softiqit- kryetar i këshillit, gjyqtari ushtarak- majori Marko Gjuroviq, si dhe kolonelit Millan Beriq, ndërsa procesverbalin e mbante sekretari i gjyqit, koloneli  Vllada Nikoliq. Aktakuzën ndaj të arrestuarve e kishte paraqitur gjyqtari ushtarak i divizionit të III-të Dushan Llozanqiq, kundër: Kadri Veli Bebës, Ahmet Selmanit, Smajl Isufit, Maliq Mal Rrahimit dhe Jakup Ajet Durmishit. Aktakuza e rëndonte për vepra penale nga neni 3, pika 3 dhe 7, e ligjit për vepra penale kundër popullit dhe shtetit, të cilat i mbronte Jakuna Velibor Berisavljeviq nga Gjilani, në bazë të aktpadisë së hapur dhe të mbajtur me gojë të datës 24-25 nëntor 1947. Gjykata e lartpërmendur me 25 Nëntor 1947, para të pranishmëve ka komunikuar Aktgjykimin :

1. Kadri Veli Beba është dënuar me vdekje-pushkatim dhe humbjen e lirive politike dhe të disave qytetare për një kohë të gjatë të përjetshëm.

2. Ahmet Selmani me dënim heqje lirie dhe me punë të dhunshme në lartësi prej 15 viteve, si dhe humbjen e të drejtave politike dhe të disave qytetare, përveç të drejtave prindore prej 5 viteve pas mbajtjes së dënimit apo faljes së dënimit kryesor. Ndërsa koha e kaluar në burg nga 26 gushti 1947, të llogaritet në dënimin e dhënë.

3. Smajl Jusufi me dënim heqje lirie, me punë të dhunshme prej 15 viteve, si dhe me humbjen e të drejtave politike dhe të disave qytetare, përveç të drejtave prindore prej 5 viteve pas mbajtjes së dënimit apo faljes së dënimit kryesor. Ndërsa koha e kaluar në burg nga 26 gushti 1947, të llogaritet në dënimin e dhënë.

4. Maliq Mal Rrahimi me dënim me vdekje- pushkatim, si dhe humbjen e lirive politike dhe të disave qytetare të përjetshme.

5. Jakup Ajet Durmishi me dënim me vdekje- pushkatim si dhe humbjen e lirive politike dhe të disave qytetare të përjetshme

Ekzekutimi me vdekje-pushkatim për Kadri Veli Bebën nga Lypjani u krye me 12 shkurt 1948. Dënimin me vdekje  e kryen Seksioni i Punëve të Brendshme pranë G.M.P. në Prishtinë, përmes organeve të policisë popullore. Në ekzekutim ishin të pranishëm: 1. Shefi i Seksionit të Punëve të Brendshme pran G.M.P, Hashim Mustafa; 2. Zyrtari i Seksionit të Punëve të Brendshme pranë Këshillit Popullor në Prishtinë, Rrezak Shala; 3. Prokurori Ushtarak i Divizionit të III-të në Prishtinë, togeri Dushan Llozaniq; 4. Mjeku i qytetit, Dr. Vasilije Jovanoviq.

Pas kësaj, në vendin ku është caktuar që të kryhet dënimi me vdekje- pushkatim e kryer ekzekutimin aradhe e policisë popullore nën komandën e udhëheqësve të saj të ultë, me krisma rrebesh të pushkëve, pasi që para kësaj është sjell në varrin e hapur. Pushkatimi është kryer në ora 5 të mëngjesit pa pranin e publikut në vendin e quajtur Taukbahqe në Prishtinë, ku edhe sot nuk dihet varri i atdhetarit të madh Kadri Beba.



(Vota: 120 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora