| E premte, 22.09.2023, 06:59 PM |
Pjerin Ashiku, shëmbëllimi i një tradite vlerash krenuese, trokthi i “Djepit të Kulturës”, Shkodrës
Nga
Albert Vataj
Pjerin
Ashiku është një emër mes qindra konstelacionesh krenarie, të cilat përbëjnë
gjenezën e postulatit të gjithkohshëm, “Shkodra, djepi i kulturës”. Ky qytet,
nevoja e njerëzisë së kësaj kreshte prejkah mundesh të shohësh dhe të
rrezatosh, ka qenë dhe vijon të mbetet, të jetuarit bukur, të shijuarit të çdo
momenti, të përgjithësuarit të çdo vlere si një atribut i shpirtrave të pasur,
i atyre forcave ndijuese dhe përjetuese, zjarmuese dhe përtëritëse, të cilat në
rrugën e shndërrimit në vullnet të përjetësisë, kanë mundur të lënë, jo vetëm
Shkodrës, por gjithkah flitet dhe përjetohet shqip një testament vlerash të
paçmuara.
Pjerin
Ashiku është një rreze në këtë dritë kjartësie dhe krenarie, është mishërimi i
asaj gjenerate, e cila bëri gjithçka me aq pasion e përkushtim, sa edhe sot e
asaj dite, veprat, sublimja krijuese e tyre, çliron të njëjten energji, na deh
me të njëjtën aromë, na marros me të njëjtin zell hovesh djaloshare, na thërret
në të atillat kushtrime që zgjuan ëndrra e mbrujtën përmendoren e asaj realeje,
së cilës i përulemi me respekt e mirënjohje.
Pjerin Ashiku dhe “Lulja
e Majit”
Në
mbrëmjet e vallëzimit që organizonim kur ishim në gjimnaz, në aureolën e
tangove që interpretonte orkestra ishte pa diskutim “Lulja e Majit”. Ne
shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të embël që kur e dëgjon mund të themi
pa hezitim se ajo shkrin akujt e zemrës më të ftohtë në botë dhe e bën të
përjetojë valë të ngrohta. Kjo këngë magjike u bë hymn i mbrëmjeve të
vallëzimit dhe koncerteve të asaj kohe. Kënga kishte marre skenat dhe kishte
marre zemrat e shkodranëve. Po ku kishte lindë kjo këngë lapidare. Kishte lindë
në tokën e dashurisë, aty në Pjacën e Shkodrës. Atë e kishte kompozuar Pjerin
Ashiku i cili jetonte në Pjacë dhe dilte përnatë aty tek dyqani i valutës duke
përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Në këtë Pjacë kanë lindur
mijra këngë nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë. Si përherë në krah të tij
qëndronin dy aktorë brilantë të humorit shkodran Tano Banushi dhe Bik Pepa.
Bile Tanon e kërcënonin shpesh se do ta përjashtonin nga partia se rrinte
pasdrekeve me Pjerin Ashikun i cili nxirrte barcoleta kundër partisë, si e
vetmja mënyrë kundërvënie ndaj padrejtësisë që i bënte diktatura. Po kush ishte
ky njeri që nxorri këtë këngë perlë e cila i ka rezistuar kohës për gjysëm
shekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar? A ka kompozuar këngë
të tjera apo është mjaftuar me një? Nga vinte dhe çfarë konservatori kish
kryer; të Romës apo të Vjenës, të Parisit apo të Berlinit?
Nga jeta e Ashikut
Pjerin
Ashiku lindi më 10 tetor 1926 në qytetin e Shkodrës, në një familje të vjetër
dhe me tradita shkodrane, shkruan Shkodranews që bën portretin.
Familja
e Pashko Ashikut (baba i Pjerinit) ban pjesë në ato familje që e kanë kultivuar
kulturën në Shkodër. Për katër breza kjo familje ka mbajtur farmaci moderne në
mes të Shkodrës duke i shërbyer bashkëqytetarëve me ilaçe qysh në shekullin e
XVIII-të. Falë kësaj dinastie efemere Shkodra përdorte ilaçe të prodhuara në
Itali, Gjermani, Austri e Francë kur Tirana ziente akoma gjethe mullage e
hithërash për sëmundjet e stomakut e te melçisë. Babai i Pjerinit ishte doktor
farmacist i diplomuar në Romë që në vitin 1903. Ndërsa nëna, Teresa ishte me
prejardhje ruse e lindur në kryeqytetin e Rusisë, Shën Peterburg. Nëna Teresa
ishte e motra e konsullit rus të akredituar në Shkodër. Nuk e teprojmë po të
themi se kjo dinasti ishte e një rangu për nga kultura me familjet europiane.
Ndaj prindërit ishin të interesuar për edukimin e fëmijëve kryesisht me kulturë
europiane.
Që
në moshë të njomë, akoma pa i mbushë 7 vjet, bie në sy të prindërve se shijet e
Pjerinit anonin nga muzika dhe kënga. Kjo ra në sy edhe të Ndrekë Kaçulinit i
cili kishte në Pjacë dyqanin kryesor të kinkalerisë. Nuk vonoi dhe Ndreka, duke
qenë vetë muzikant, t’i dhuronte Pjerinit të vogël një kitarë dhe një
fizarmonikë, të parën që kishte ardhë në Shkodër. E ku mbahej Pjerini tashti
duke bërë muzike me shokë më të rritur se vetja. Që në moshën adoleshente
aktivizohet më Ndrek Kaçulinin në orkestrën muzikore. Duke pa se ishte talent
në muzikë, prindërit e fusin me marrë mësime muziket në violinë tek Pader
Martin Gjoni. Shkollën e mesme e kreu pranë Kolegjit Saverian, ku u dallua si
talent i lindur e shumë premtues në fushat e muzikës, kantos dhe aktrimit.
Pjerini ishte një instrumentist i talentuar në kitarë, fizarmonikë, instrumeta
të cilat gjatë gjithë jetës do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore.
Çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi italo-gjerman e gjeti Pjerinin maturant të
sapodiplomuar. Aktivizohet në melodramat “Juda Makabe”, “Basifondi”. Ishte mik
i kompozitorit të madh Prenkë Jakovës, Zef Zorbës dhe më vonë i basit Lukë
Kaçaj dhe kompozitorit Zef Lekaj. I vjen koha të kryejë shërbimin e detyrueshëm
ushtarak por edhe aty i buzëqesh fati dhe e kalon pranë Korit të Ushtrisë. Aty
duan ta mbajnë përherë, por se kujt i kujtohet prejardhja e tij “borgjeze” dhe
e largojnë. Kthehet në Shkodër.
Jeta e trazuar e
mjeshtrit dhe fillimet e humorit
Për
nevoja ekonomike ndërpret tërë aktivitetet muzikore dhe kërkon punë. E cakojnë
punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Pas pak kohësh drejton grupin e estradës të
kësaj ndërrmarje dhe fiton çmimin e parë. Në këtë grup amator këndohen edhe
këngë që kishte fillu të kompozonte Pjerini, të cilat bien në sy të opinionit
të at’herëshëm për ëmbëlsinë e tyre. Me krijimin e Estradës së Shkodrës
caktohet me orkestren e saj. Aty shquhet për shoqërimin muzikor të parodive dhe
intermexove. Gjatë kohës që qëndroi në estradë bie në sy një hop cilësor dhe
promovimi i talenteve të reja si Zyliha Miloti, Tonin Tërshana e Besnik Çinari
etj ,të cilët vite më pas u bënë këngëtar dhe aktorë estrade të njohur në
gjithë Shqipërinë.
Por
nuk qe e thënë që të vazhdonte gjatë në estradën e qytetit. E largojnë prej
estradës dhe e caktojnë axhustator në Parkun e Automjeteve. Kjo ishte një
goditje e rëndë për Pjerinin. Nga Estrada Profesioniste dërgohej në një
ndërmarrje si axhustator. Në vend të fizarmonikës a kitarës do të merrte në
duar tornon. Por edhe aty ai nuk dorëzohet, por krijon një grup amator estrade
që konkurroi denjësisht në shumë takime kombëtare dhe mori çmime të para.
Shtojmë ketu se i tërë libreti dhe muzika ishin krijimtari e Pjerin Ashikut.
Kjo ka qenë periudha më kulminante e Pjerinit në drejtim të krijimtarisë së tij
muzikore. Këtu spikati talenti i tij dhe kultura e tij e gjerë. Krijoi parodi
të shumta dhe kompozoi shumë këngë të paharrueshme që këndohen edhe sot,
mbështetur kryesisht në motive popullore shkodrane.
Pjerinin,
falë humorit të tij, e njihnin të gjithë në Shkodër e më gjerë, përsëri punonte
në Parkun Automobilistik, tashmë edhe i rritur në “përgjegjësi”, si dizenjator,
dhe njëheri ishte libretist, kompozitor dhe fizarmoniçist i përkryer që ishte
zemra e estradës së ndërmarjes së asaj kohe. Në këtë periudhë lindën këngët
prestigjioze “Trotuari i qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”,
“Ermira”, “Miri i vogël”, “Kukulla”, “Valbona” etj etj. Ndërkohë gjatë këtyre
viteve spikatë talenti i tij edhe si piktor.
Krijimtaria muzikore
Krijimtaria
e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashikut përfshinë 140 këngë, e
shumë parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës këngët e tij janë
kënduar me sukses në Dekadat e Majit si përshembull këngët “Një zog i vogël”
dhe “Ermira” por ajo që e nevrikoste gjithmonë Pjerinin ishte fakti se
asnjëherë nuk dilte emri i tij si kompozitor. Kjo fshehje e emrit të tij nga
ana e pushtetit e mërziste dhe e therte në zemër. Në këtë periudhë, pranohet në
Festivalin e Këngës në RTV, por është për t’u shënuar transformimi që pëson
kënga e “Kukullës” të cilës i shndrrohet emri dhe titullohet “Vashat”. Le që i
ndryshohet titulli por i bëhën transformime rrënjësore dhe skartohet qysh në
naten e parë të festivalit. Më vonë kënga e “Kukullës” këndohet nga këngetarja
e mirë njohur Justina Alija në “100 vjet muzikë”, këngë të cilën e kishte
kënduar në Festivalin e Fëmijëvet qysh në vitin 1964. Një transformim të
skajshëm pësoi edhe kënga “Ermira” të cilës ju vu emri “Bija ime” dhe nuk iu
përmend fare autori. Kënga “Miri i vogël” pëson një skandal edhe më të madh
duke ju ndërruar titulli dhe duke u kthyer “Besmiri i vogël” duke ia kushtuar
nipit të Enver Hoxhës. Gjithnjë pa u pyetur dhe u përmendur autori, sepse
diktatorët kishin nevojë edhe për këngë që të kushtoheshin nipave të tyre, ku
pyesnin ata për autorët..
Mosmarrëveshjet e një
“yjësie”
Në
kohën e demokracisë kënga “Një zog i vogël”, me tekst të shkrimtarit të
mirënjohur shkodran Fadil Kraja dhe me muzikë të kompozitorit Pjerin Ashiku
përvetësohet me paturpësinë më të madhe nga një këngëtar korçar madje arrin të
quajë veten edhe kantautor në radio-televizionin shqiptar në vitin 1999. Si e
thamë edhe në fillim të shkrimit, Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i
këngës brilante “Lules së Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe
shqiptare.
Teksti origjinal i
kangës Lulja e dit’s Majit, shkruar nga dora e kompozitorit Pjerin Ashiku…!
Të
befason fakti që edhe kësaj këngë i janë bërë tokë krijuese dhe të tjera vise
si Korça, Ulqini e Kosova. Sepse tek e fundit kudo ka të dashuruar dhe të
brengosur nga dashuria. Kudo ka një lule maji dhe për çdo njeri do kishte një
këngë apo serenatë. Por nuk ka kudo kompozitor si Pjerin Ashiku, ata nuk lindin
kund tjetër veçse në Shkodër. Në vitet e demokracisë këtë këngë e këndon Ermira
Babaliu dhe e paraqet si pa gjë te keqe si këngë korçare (serenatë), duke i
ndryshuar edhe linjen muzikore dhe duke i ndërruar pa përgjegjësi teksitin. Për
këtë Pjerini i drejtohet me një letër drejtorit të RTSH-së por nuk mori
asnjëherë përgjigje. Shteti po i kundërvihej me heshtje duke i lënë të tjerët
të bënin çfarë të donin me këngët e tij. Historia e përvetësimit të kësaj kënge
vazhdon dhe sot e kësaj dite. Po t’i pyesësh korçarët të thojnë: ”gjene mirë
‘Lulka e majit’ është një serenatë pe Korçe”, po t’i pyesësh kosovarët të
thojnë: ”heu, hala se ke marrë vesh o shqipe se asht kajkë gjakovare e k’ndueme
prej Isës (Ismet Pejës)” e kështu me radhë. Secili tenton t’i vëjë myhyrin e
vet, gjithsekush kërkon ta “hipotekojë” dhe ta shpallë pronë të veten. Kjo
“luftë” dixhitale vazhdon prej vitesh sikur të kishte filluar dje. Mos harroni
se kjo këngë e Pjerin Ashikut mban të shënuar vitin 1954. Gjithsesi kënga ka
udhëtuar në kohë dhe hapësirën mbarëshqiptare duke u bërë një “Vals i Danubit”
shqiptar, nëse hungarezët kanë një valcer famoz siç është ”Valsi i Danubit”
edhe shkodranët kanë një tango monumentale siç është “Lulja e Majit” ose
Tangoja e Bunës. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe të shoqërojnë gjatë gjithë
Pjacës Pedonale të qytetit të Shkodrës si hije të ëmbëla.
Por ti je vyshkë e më
s’ke erë
Lulet e tua për mua
s’kanë më vlerë,
Nuk je ti lulja e bukur
e ditës së majit
Por je lulja e këngës
sime të vajit…
Kur
e dëgjon ajo provokon me të njëjtën magji edhe me vibrimet e më të akulltës
zemër që mund të ekzistojë në botë. Ka shtegtuar kjo lule e erëandëshme
pothuajse në të gjitha trojet shqiptare prej më se gjashtë dekada dhe përsëri
ka mbetë këngë monumentale. Por erdhi një ditë që Pjerini u lodh nga kjo
shtypje e heshtur që dalëngadalë po e cfiliste dhe po i merrte shpirtin. Ishin
vitet e diktaturës dhe në dhjetra mbledhje të komitetit ekzekutiv për artin i
shkaktonin fyerje gjer në dhimbje shpirtërore duke e etiketuar si
sentimentalist e pesimist në muzikën e tij. Në një rast proverbial kompozitori
iu është përgjigjur me fjalët lapidare duke cituar vargjet e këngës “Miri i
vogël” që ia kishin transformuar e cila thoshte: “një pushkë e një kazëm i
shtohen atdheut” këtu kompozitori u ngrit në këmbë duke u rebeluar e u tha me
ironi: “apo doni këngë vetëm me pushkë e mitraloz…”
Iu duk sikur shfreu tërë
brengën që i ishte grumbulluar në shpirt
Kompozitori
Pjerin Ashiku kurr nuk pati asnjë sadisfaksion moral apo trajtim ekonomik.
Gjithë jetën u la në harresë e me rrogë të vogël sa për të mbajtur frymën
gjallë. Megjithëse ishte kompozitor, instrumentist, humorist, e kantautor që i
këndoi tërë jetën me shumë dashuri Shkodrës dhe njerëzve të saj, njeri i dashur
dhe me shpirt polidimensional ai u la në internim virtual në mes të qytetit. Më
21 shtator 1995 Pjerin Ashiku mbylli sytë përgjithnjë. Bashkëshortja me djalin
e vajzën kanë emigruar në SHBA. Mark Bregu, shoku i tij, i ka kushtuar këto
vargje në një gazetë lokale:
Syt me lot mbushen prej
vajit,
Vajtojn’ Zanat e
Veleçikut,
Kur kujton “Lulen e
Majit”,
Kangen perl’ t’Pjerin
Ashikut.
Muzikant e humorist
Që e deshti Shkodra
mbarë,
Si piktor e si artist
Shpirt e zemër qytetar.
Pjerin
Ashiku ka vite që ka vdekur, duke marrë me vete brengat dhe hidhërimet që i
shkaktoi jeta nën diktaturë. Zanat e Velçikut ka vite që vajtojnë mbi murrana.
Mbi varrin e tij atje në Rrmaj harliset selvia dhe çelin drandofillet. Era u
përkëdhelë gjethet, dhe sëbashku me erën akoma dhe sot vijnë ato tinguj famoz
të “Lules së Majit” ose nëse mund ta quajmë “Tangos së Bunës”. U prehsh në paqe
o Pjerin…