Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Sot Shqipëria bëhet

| E diele, 17.09.2023, 07:56 PM |


SOT SHQIPËRIA BËHET…

NGA NDUE DEDAJ

Sot fillon shkolla dhe kur më mirë se në një ditë si kjo mund të thuhet, po, Shqipëria bëhet! Gjithmonë kështu ka ndodhur, edhe kur përgjatë mesjetës hapeshin shkollat në Durrës, Shkodër, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Zadrimë, Himarë, Janinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Karadak, Janjevë etj., për të kulmuar me “Kuvendin e Arbnit” më 1703; edhe kur shkruheshin abetaret e para e hapeshin shkollat e periudhës së Rilindjes Kombëtare, si Mësonjëtorja e Korçës, seminaret e Troshanit e Rubikut në shekullin XIX; edhe kur zhvillohej “Kongresi i Manastirit” më 1908; edhe kur hapej “Normalja” e Elbasanit e mbahej Kongresi Arsimor më 1909; edhe kur hapeshin internatet, licetë, gjimnazet dhe instituti femnuer “Nana Mbretneshë”; shkollat e Luftës së Dytë Botërore në krejt trojet shqiptare (Tokat e Lira); shkollat masive fillore, 7-vjeçare e të mesme pas Luftës e gjer Universiteti i Tiranës më 1957; shkollat jopublike pas 90-ës etj.

Sot Shqipëria bëhet, pse ajo lëron në hullinë e vazhdën historike të diturisë, që mbajti gjallë gjuhën shqipe. Të gjithë kemi nga një listë mësuesish e profesorësh për të përmendur në këtë ditë të shënuar. Janë ata që kemi pasur vetë nga fillorja në universitet. Njerëz të thjeshtë si askush tjetër ndër profesionistët, edhe kur ishin me grada e tituj akademikë. Por përtej nesh, ndjesive tona, si ish-nxënës e ish-studentë të tyre, ata janë njëherësh arsimtarët e këtij kombi, që nuk kanë rreshtur së mësuari abc-në shekujve.

Shkolla vazhdon të mbetet institucioni kryesor i edukimit dhe formimit të njeriut. Alternativat e reja të marrjes së informacionit shkencor e kulturor në mënyrë të pavarur nuk e kanë zbehur rolin dhe kuptimin e saj. Puna është si ta modernizojmë e bëjmë më frytdhënës institucionin shkollor. Vërtetë janë bërë shkolla të reja dhe ky është një tregues i vëmendjes së shtetit ndaj mësimit e arsimimit, por ka një varg problematikash që duhen zgjidhur, edhe nga ato që nuk kërkojnë gjithnjë para, por përgjegjshmëri, dashuri dhe shërbesë, përtej fjalëve plot “devocion” të qeverisë për shkollën. Në klasën e parë regjistrohen përherë e më pak nxënës, në fakultetet e mësuesisë venë përherë e më pak studentë cilësorë, kurrikulat mësimorë të lëndëve kombëtare nuk janë më të mirat etj., gjer tek përditshmëritë që mund të quhen gjëra të vogla, si rasti kur një nxënës, në mes të Tiranës, nuk mund të transferohet në shkollën e lagjes së re ku ka shkuar me banim familja e tij, pasi atje ku banonte deri dje, gjuhë e huaj e parë ishte frengjishtja, që shkolla ku don të shkojë nuk e ka!? Pikërisht këtë gjë që mungon këtu, shkolla perëndimore e ka përparësi, mirëqenien e nxënësit në shkollë. Gjithçka bëhet për atë dhe vetëm atë. Asnjë “protokoll” zyrtar me askënd, qofshin këto dhe shtete apo qeveri të vendeve të tjera europiane, nuk mund të ketë vlerë kur bëhet pengesë për liritë dhe të drejtat e një fëmije të vetëm në Shqipëri.

Shkolla do ta bëjë Shqipërinë, nëse mbahet gjithnjë qendrim kritik, analitik dhe reformues ndaj saj dhe reformë nuk quhet se ndërron një ministër i Arsimit e vjen një tjetër, jo rrallë pa një karrierë bindëse për të kryesuar arsimin e vendit. Duam apo nuk duam, ende shkolla shihet me syze ideologjike, politika ia njeh vetes të drejtën e ndikimit mbi shkollën, ku sidomos drejtimin e saj e sheh si monopol të vetin dhe jo, bie fjala, të ndonjë “shkolle drejtorash”, të cilën mund ta mbarojnë dhe të tjerë, por drejtorë bëhen vetëm ata që thotë mazhoranca. Çfarë sjell kjo? Bëni krahasime me çka shihni përditë me sytë tuaj. Shumë shkolla jopublike, relativisht të reja, i konkurrojnë e tejkalojnë ato publike disadekadëshe edhe për faktin se drejtimi në të parat nuk ka kritere politike, ani së të “padukshme”, siç ndodh me ato shtetërore. Te shkollat jopublike nuk funksionon “të vëmë drejtor këtë tonin, se na duhet për vota”, për patronazhist etj. Se si duhet të jetë shkolla, e dinë të zotët e punës, nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Por ata i ka mbytur burokracia! Letra e letra pa fund nëpër duar. Vetëm politikat arsimore dhe vendimarrja që “buron” prej kësaj trinie (nxënës-mësues-prind), do ta çojë shkollën përpara dhe në standarde bashkëkohore. Përndryshe, do të vazhdojmë të mburremi se kemi ndërtuar kaq e aq godina të reja, kurse nxënës do të kemi më pak!...

Por sot nuk është dita për shumë analizë, nesër e mbrapa po.

E kemi në majë të gjuhës, “Shqipëria nuk bëhet”… Mirëpo Shqipëria nuk është vetëm e hajdutërisë dhe arrogancës së pushtetit, është më parë e këtyre vogëlushëve që plot besim nisin sot ditën e parë të shkollës, e gjeneratave shkollore e studentore, e një pafundësie mësuesish që mbetën edukatorë dhe kur gjendën në emigrim, bile ndonjëherë më shumë se ne këtu, pasi ata kanë në duar fatet e shqipes te pasardhësit e tyre, që të mund të quhen shqiptarë, duke qenë njëherësh shtetas europianë etj. Prandaj lë të shkojmë sot me një tufë lule tek ata mësues që i mbajnë hapur dyert e shkollave të diasporës në Europë e Amerikë. Ta dinë që kanë dhe përkrahjen tonë morale e urojmë dhe atë shtetërore shqiptare. Ai mesazhi tradicional i kreut të Arsimit me rastin e fillimit të ditës së parë të shkollës, me siguri që iu drejtohet dhe atyre, mësuesve të shqipes jashtë hapësirës shqiptare.

Një vit shkollor i mbarë për të gjithë!

Ndue Dedaj, 11/09/2023