Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Energjia antiperëndimore, stuhi shkatërruese

| E premte, 15.09.2023, 07:58 PM |


Ndue Ukaj:

Ka disa shekuj prej kur ndër shqiptarë ka ekzistuar një energji antiperëndimore, e cila në çaste të caktuar historike është kthyer në stuhi shkatërruese kundër nesh.

Me gjasë, e vetmja gjë e vërtetë në këtë terr të madh ku është futë vendi ynë, është fakti se pushteti i gënjeshtrave po e vazhdon avazin e vet dhe s'po e ndal këtë hov të frikshëm të vetëshkatërrimit.

Po s'e ndalem, njerëz, nesër ka me qenë tepër vonë.

Mos harroni, kështu kemi gabuar shpeshherë në histori.

Kurrë s'mund të jenë të vërteta broçkollat e pushtetit se perëndimi është në anën e Serbisë.

Gjithë kjo pështymë e pushtetit të sotëm dhe e militantëve pa tru kundër perëndimit është rrjedhojë e deduksioneve osmane e komuniste që janë çjerrë me shekuj kundër perëndimit dhe popullit tonë i kanë shkaktuar vetëm mjerim e tragjedi.

Tutkuna, dijeni, kjo pështymë e ky vnerë kundër perëndimit, nuk mbërrin atje ku doni ju, por ju po pështyni vendin tuaj dhe po rrezikoni ta ktheni në moçal ku mund të fundosemi të gjithë.

E di, sot është kohë ideale për turmat me tru sa të peshkut me dalë në fushëbetejë e me vjellë vnerin e tyre kundër perëndimit, m'ia tregu Europës vendin, ama të meçmit këto turma do t'i ndalnin dhe s' do t' i ndërsenin kurrë.

______________

Kosova është nën sanksione perëndimore dhe ky realitet i trishtë duhet ta bëjë syçelë secilin qytetar që e do vendin e vet më shumë se një udhëheqës - cilido qoftë ai.

Kosova është nën sanksione për shkak të udhëheqësve delirantë e kryeneçë, me botëkuptime kryekëput lindore dhe jo pse ka ndjekë ndonjë kurs patriotik apo pse ka mbrojtë vlera fisnike politike.

E, përballë këtij realiteti, secili qyetar, duhet të ndihet me faj dhe i turpëruar.

Sepse, sanksionet janë goditja më e rëndë që i është bërë vendit dhe të ardhmës së tij tash e më shumë se dy dekada liri.

Të futësh vendin nën sanksione të perëndimit për disa kauza të përdala marksiste, kjo vërtet është gjendje e mjerueshme dhe krejt e pashpjegueshme.

Fatkeqësisht, druaj se pasojat politike, kulturore e ekonomike kanë me qenë tepër të rënda e afatgjata.

Dhe më së shumti druaj se duke folë me afsh kundër perëndimit, kemi mbjellë një farë të keqe mes nesh.

E di, sot ka me pasë turma me tru sa të peshkut që kanë me pritë me duar hapur e të gatshëm të duartrokasin cilëndo shfaqje që gatuan udhëheqësi, ama këto duartrokitje, nëse Kosova s'i përfill këshillat perëndimore, kanë m'u kthy në flakaresha për krejt Kosovën.

______________

Kur i shoh si flasin shqiptarët për tema që s'i kuptojnë, si për shembull, çështjen e asociacionit e tema të mëdha gjeopolitike, me sillen ndërmend Faik Konica e Paulin Margjokaj.

Konica në një tekst të shkruar në vitin  1897, thonte:

“Janë nj'a 50 Shqiptarë që e kuptojnë ç'është liria...Po të tjerët janë gomarë."

Kurse Margjokaj te libri "Kush janë anmiqt e Shqipnisë",  thonte:

"Shqiptarët flasin për gjithçka, por sidomos për politikë. Natyrisht, sa me pak të dijë njeriu, aq me shumë flet. E për politikë, nuk ashtë kush qi flet aq shumë sa shqiptarët. E me pvetë, ndër 100 vete ndoshta memzi njani din se ka vjen fjala politikë e shka shenjon e shka don me thanë."

Me gjasë, sot në krejt sistemin tonë, nuk është lehtë t'i gjesh këta numra që dinë t'i shpjegojnë mirë e me kompetencë këto tema e probleme që kanë mjegulluar shoqërinë tonë, por në anën tjetër, gjen tonelata "mendime" për to.

Sot, duke e parë forcën rrënimtare në vendin tonë, s’ke çka të shtosh pos të përsëritësh me mërzi ato që kanë thënë mendimtarët e vërtetë të historisë sonë dhe e kupton përse jemi kaq të mjerë e kaq të vonuar në histori.