| E enjte, 14.09.2023, 07:35 PM |
HAXHIU: VERIU I KOSOVËS T´I LIHET SERBISË!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Kosova ka bërë lëshime të bollshme, madje edhe të dhimbshme. Vetë
pranimi i dialogut politik me Serbinë, pas masakrave masive në Kosovë, është
një faj e tradhti nga Hashim Thaçi me ekipin e tij. Duke qenë rrast i
shantazhuar, me dosje krimesh, të kundërshtarëve politikë shqiptarë, ai pranoi
gjithçka që kërkoi Serbia, në këmbim të lirisë personale e grupore, mbi të
cilët rëndojnë krimet numerike.
Një popull i tërë nuk mund dhe nuk duhet të dënohet e ndëshkohet,
për fajet individuale apo grupore kriminale. Kosova duhet t`i penalizojë
nënshkruesit e Marrëveshjes të Asociacionit dhe të tjera, të cilat vënë në
pikëpyetje ekzistencën e vet shtetit të Kosovës.
Ngulmimi i BE-së dhe SHBA-së, për krijimin e Asocioacionit të
komunave me shumicë serbe, ka ngulfatur Kosovën. Kosova me 94 % të popullësisë
shqiptare, nuk mund të jetë -multietnike-. Por, këtë ia imponuan
ndërkombëtarët, për t`i favorizuar ende më shumë komunitetet pakicë në Kosovë,
në veçanti, serbët vendorë. Tani, paradoksalisht, BE dhe SHBA, kërkojnë
krijimin e një -Asociacioni monoetnik-, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk e
lejon!
Arsyetimi i ndërkombëtarëve se është nënshkruar një marrëveshje
dhe duhet zbatuar, pavarësisht kohës dhe rrethanave, në të cilat është bërë ajo
marrëveshje fatale, e devalvon një teori juridike, e njohur me emërtesën: "Klausula Sic Stantibus Rebus", si
normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare,
kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një
marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç është Asociacioni
njëetnik për Kosovën! Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen hisedare të
Serbisë në Kosovë, duke krijuar një "Republika Srpska", e cila
paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e një
pjese të saj.
Rrethanat e ndryshuara, madje
rrënjësisht, nga koha e nënshkrimit të Marrëveshjës të Asociacionit, fatale për
Kosovën, janë evidente, të dukshme:
1) Nënshkruesit e marrëveshjes
në fjalë, Hashimi Thaçi, me ekipin e tij, ishin dhe mbetën të shantazhuar, tani
edhe të penalizuar, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, me dosjet
faktike vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Dhe, ky nënshkrim, më
vonë, edhe ratifikim në Kuvend, u bë në këmbim të lirisë të Hashim Thaçit dhe
bandës së tij, të akuzuar me dosje bazike, për krimet e luftës dhe të pas
luftës, kryesisht, vrasjen e oficërëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim
Rugovës; veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve me integritet të luftës. Por, edhe
ekzekutimet brenda llojit, kuadrot të hershëm të LPK-së, për ta eliminuar,
paraprakisht, konkurrencën brenda partiake, në të ardhmen.
Shtesë e krimeve të bandës-PAN,
janë edhe vrasja prapa shpinës, përafërsisht, 300 ushtarët e UÇK-së, të
angazhuar në shërbimin e komandantëve të inkriminuar të PAN-it, arrestimet,
burgosjen, maltretimet dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe fshehjen e
kufomave të tyre. Dhe, këto krime makabre, banda-PAN ia faturon LDK-së, kinse
për hakmarrje ndaj PAN-it, si përgjigje për vrasjen e listuar të komandantëve
FARK-istë dhe të kuadrove të LDK-së! Edhe pse LDK-ja kurrë nuk ka pasur strukturë
vrastare të shqiptarëve dhe aq më pak të pjesëtarëve të UÇK-së.
Kjo dëshmohet edhe me
deklarimin publik, në median T7, emisioni PRESSING, me moderator Leonard
Kërçuku, të Baton Haxhiut, me porosi të drejtëpërdrejtë të Hashim Thaçit, si
parapërgaditje të opinionit, për zbatimin të planit-pazar Thaçi-Vuçiq, të
renditur në tri pika:
Veriu i Kosovës t`i lihet
Serbisë;
Të zhbëhet Gjykata Speciale e
Kosovës, me seli në Hagë;
Të falen krimet reciproke dhe
të bëhet pajtimi shqiptaro-serb!
2) Serbia, në koordinim me
Moskën, me qëllimin perspektiv, për krijimin e "botës serbe" dhe të
"botës ruse", në Draft-statutin për Asociacionin, të një palo
"Komisioni serb", kinse të Kosovëe, kërkoi autonomi territoriale dhe
referendum për serbët veriut të Kosovës, me synimin e qartë për ndarjen dhe
bashkangjitjen Serbisë;
3) Sllogani, tashmë, i afishuar
në veriun e Kosovës, në Serbi, në Mal të Zi (nga serbët vendorë), në
"Republika Srpska" në Bosnje e deri në Moskën ruse: "Kur ushtria
serbe do të kthehet në Kosovë"?!
Përgjigja e BE-së dhe e
SHBA-së, për Beogradin zyrtar dhe aleatët e tij, duhej të ishte
"NIKADA", KURRË! Dhe, në mesin e dhjetra fakteve tjera, vetëm këto
tri fakte të cituara, për ta hequr, njëherë e përgjithmonë, nga agjenda e
dialogut Asociacionin e stisur dhe të shpifur, qëllimshëm, nga shtetet mike të
Serbisë brenda BE-së, do të ishin të mjaftueshëm.
Çfarëdo insistimi i mëtejmë i
BE-së, SHBA-së dhe të ndërkombëtarëve të tjerë, për themelimin e cilitdo nivel
Asociacioni, do të ishte përdhosje e 800 dëshmorëve, 13.000 viktimave civile të
pafajshme, e vuajtjeve masive fizike e shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës.
Kjo do të ishte një padrejtësi e madhe, një provokim i rëndë për popullin e
Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm.
Pendesa e BE-së, SHBA-së dhe
ndërkombëtarëve tjerë, do të ishte e parathënë, e pritshme, ashtu siç u penduan
për plojën e përgjakshme në Bosnje, Kosovë dhe Ukrainë. Por, nëse, vërtet,
themelimi i Asociacionit do të imponohet nga BE dhe SHBA, pendesa e tyre e
sigurtë, nuk do të ishte kurrëfarë zgjidhje. Për rrjedhojë, konflikti
serbo-shqiptar do të mbetet gjithnjë i hapur, me mundësi përshkallëzimi, deri
në përmasën e një lufte të përgjakshme, në mes të dy popujve, me rrezik të
destabilizimit në rajon e më gjerë.
Ndoshta e vetmja shtesë, që mund t`i bëhet de-përshkallëzimit sot,
nga qeveria e Kosovës, është zhvendosja e kryetarit të ngujuar në zyrën
komunale dhe sistemimin e tij në një objekt rrethanor. Por, gjithnjë, me garancinë
se në zyrën e të parit të komunës, nuk do të lejohet të hyjë askush, përveç
kryetarit fitues në zgjedhjet dhe votën demokratike të pritshme.
Kosova, nën masat sanksionuese, gjithësesi pëson humbje të mëdha.
Por, kur dihet, madje botërisht, se këto masa nuk janë për fajin e Kosovës,
duhet të përballohen dinjitetshëm. Kosova ka përjetuar terror dhe varfëri,
njëherësh. Dhe, ka mbijetuar në saje të solidaritetit ndërnjerëzor. Edhe këto
masa do t`i përballojmë, pavarësisht, kohëzgjatjes së tyre.
Për përballimin e lehtësuar të vështirësive aktuale, kërkohet
unitet në qendresë. Pikërisht, mungesa e unitetit dhe etja e shfrenuar për
pushtet, e një opozite servile, destruktive, rrast të inkriminuar, kontribuoi
shumë në ndëshkimin absurd të Kosovës. Mosbesues në votën e popullit, opozita
zgjodhi mbështetjen e Serbisë. Kjo opozitë dje kishte mbështetur -Listën
Serbe-, në luftimin e opozitës të saj, sot kjo Listë famëkeqe, po ndihmon në
luftimin e pozitës, përkatësisht, të qeverisë aktuale të Kosovës.
PAN-i i lidhur fort me Listën Serbe, në makro-kontrabandën, në
vite e dekada, me disa komandantë të inkriminuar, penguan, qëllimshëm,
kontaktet me minoritetin serb në veri të Kosovës. Ata e heshtën dhe bllokuan hapjen
e Urës së Ibrit, edhe pas ndërtimit të saj, me qëllim që kontrabanda të bëhej
shpengueshëm. Krerët e Listës Serbe preferencë kishin PAN-in, në zgjedhjet
qendrore. Dhe, këtë e dëshmuan me votën e tyre vendimtare, në zgjedhjen e
Ramush Haradinaj kryeministër.
Kosova, pavarësisht marrëdhënieve me Beogradin, me serbët në
Kosovë, jug dhe veri, duhet të bashkëpunojë, sepse në mesin e tyre ka shumë
Rashiqër e Kërstiçër, Bogdanoviçër dhe të tjerë, të cilët e kuptojnë se
bashkëjetesa me shqiptarët, ka qenë dhe mbetet domosdo e kohës.
Me të drejtë, opozita serbe, akuzon, me emër e mbiemër, Hashim
Thaçin, Ramush Haradinaj dhe komandantët tjerë, për bashkëpunimin në
makro-kontrabandën me "Listën Serbe". Ata e luftuan dhe e shkatërruan
Opozitën serbe në Kosovë, duke e ndihmuar, drejtëpërdrejtë, "Listën
Serbe", për ta përvehtësuar të gjithë pushtetin në komunat me shumicë
serbe në Kosovë dhe Vuçiqin në Serbi.
Askush nuk duhet të krenohet, në Kosovë, nëse
krijon qeverinë pa pjesëmarrjen e serbëve në qeverisje, për aq sa i takon
ligjërisht komunitetit serb. Komunikimi me serbët, në jug dhe veri, duhet të
jetë i çiltër, i sinqertë, gjithnjë, në funksion të integrimit e tyre në
shoqërinë dhe shtetin e përbashkët-Kosovë, përkrah komuniteteve tjera vendore.