| E merkure, 13.09.2023, 08:16 PM |
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
BEDRI
PEJANI “Emoraj”- ATDHETARI I PA KOMPROMIS PËR SHQIPËRINË ETNIKE
(1885- u dënua me pushkatim, por u helmua dhe vdiq
me 6 korrik 1946)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Bedri
Pejani ka qenë figurë poliedrike shqiptare; nënshkrues i Shpalljes së
Pavarësisë të Shqipërisë; publicist dhe kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Bedri Pejani u lind më 10 tetor 1885, në qytetin e bukur të Pejës. Ishte i biri
i Abdi Thaqit dhe i nënës Bahtijare, e lindur Spahiu. Bedri Pejani shkollën e
mesme e ndoqi dhe e kreu në Robert College dhe studimet e larta, Degën e
Historisë i mbaroi në Universitetin e
Stambollit, dhe mund të themi se për kohën ishte njeri i arsimuar. Fliste shumë
gjuhë të huaja si: gjuhën shqipe, turqishte, frëngjishte dhe më pak italishten.
Në kohën kur u arrestua, ishte gazetar dhe ishte kryetar i Lidhjes së Dytë të
Prizrenit.
Bedri
Pejani apo Babushi siç e quanin shokët e miqtë e ngushtë, tërë jetën ia kushtoi
Shqipërisë etnike dhe popullit shqiptar. Ishte anëtar i klubit
"Bashkimi" të Shkupit, kryesuar nga Nexhip bej Draga. Më 1908 punonte
mësues në Shkup, ndërsa më 1-6 prill 1910 ishte delegat në kongresin e dytë të
Manastirit. Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910.
Në shtator të 1910 gjykata e Prizrenit e dënon me vdekje në mungesë duke e
akuzuar për punë konspirative.
Më
14 tetor 1912, anëtar i komitetit, nënshkroi një memorandum për Fuqitë e Mëdha.
U zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës. Ishte delegat në
Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë me siglën Bedri Pejani.
Më 1920 bëhet redaktor i gazetës Populli me qendër në Shkodër. Prillin e vitit
1921 u zgjodh inspektor në Komisionin Qendror të Federatës "Atdheu", formuar
pas mbledhjes më 25-28 prill 1921 në Vlorë;
U zgjodh deputet në zgjedhjet 1921, më 1922 u zgjodh kryetar i Partisë
Popullore. Mori pjesë në Komintern, së bashku me Ali Kelmendin dhe u integrua
në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ai ishte prej kohësh një veprimtar i njohur i
Komintern-it, kishte pseudonimin “Emoraj” dhe mbante korrespondencë të rregullt
me këtë organizatë të madhe komuniste ndërkombëtare.
Bedri
Pajani ishte njëri ndër themeluesit e “Komitetit të Kosovës”, i përbërë nga 12
veta. I cili u formua në Tiranë, në maj të vitit 1941. Bedri Pejani u emërua
sekretar dhe hartoi programin politik, i cili kishte këto pika: 1. Të qetësojmë
popullin e Kosovës, t’i hapim shkollat e ta krijojmë administratën dhe të
prapagojën për Shqipërinë e lirë. Komiteti kishte mbi 120 anëtarë dhe ishte në
kontakt të vazhdueshëm me qeverinë në Tiranë.
Bedri
Pejani qysh në vitin 1937, jetonte në Paris, dhe nga aty kryente detyrën e
gazetarit duke shkruar tekste të ndryshme për gazetat e vendit. Më 8 prill 1939
merr pjesë në një miting në Paris ku flet kundër italianëve duke i kritikuar se
ata kanë okupuar Shqipërinë. Në Shqipëri është kthyer më 1941 dhe nga aty
kthehej në Kosovë me një grup emigrantësh prej 120 vetave. Në Kosovë kishte
vizituar Prizrenin, Gjakovën dhe Pejën. Pas dhjet ditëve shkon në Mitrovicë dhe
aty qëndron mbi 11 muaj. Gjatë kësaj kohe kryetari i Qeverisë- Mustafa Kruaja i
kishte propozua që të shkonte përsëri në Francë që të punonte kundër
italianëve. Ai nuk kishte pranuar duke kërkuar që të kthehej në vendlindje-
Pejë. Më 8 gusht 1943, italianët e internojnë në Porto Romano, ku qëndroi 35
ditë, deri në kapitullimin e Italisë. Pas lirimit nga internimi, shkon në
Tiranë dhe angazhohej në Komitetin Ekzekutiv, të cilin e udhëhiqte Ibrahim
Biçaku. Komiteti Ekzekutiv ishte një lloj qeverie e përkohshme, deri sa të
formohej qeveria e përhershme e Shqipërisë.
Duke
i parë rrjedhat politike në Kosovë, gjenocidin dhe terrorin e paparë ndaj
popullatës të pafajshme shqiptare, Bedri Pejani pa hezituar renditet
skajshmërish në krahun e djathtë të orientimit politik .
Bedri
Pejani mbante lidhje edhe me Muharrem Bajraktarin e Lumës. Në një takim që
kishte pasur me të, ku merrnin pjesë edhe Shaqir Curri dhe një komandant
gjerman. Takimi u bë në stacionin e xhandarmërisë në fshatin Bicaj të Lumës.
Qëllimi i takimit ishte që Muharrem Bajraktari të rrinte urtë dhe të mos
ndërmerrte kurrfarë aksionesh kundër gjermanëve, si dhe ai të sigurojë rrugën
Prizren-Shkodër, nëpër të cilën kalonin gjermanet. Po ashtu Bajraktarit iu
ofrua që të jetë pjesë e Komitetit Ekzekutiv në Tiranë dhe që të iu pamundësojë
partizanëve të krijojnë bazën e tyre në Lumë. Muharrem Bajraktari nuk kishte
pranua asnjërën nga këto kërkesa. Pas kësaj Bedri Pejani kthehet përsëri në
Tiranë, ku qëndron deri më 16 nëntor 1943.
Sipas
deklaratës së Bedri Pejanit që e jep në hetuesi, më 22 nëntor 1945, ai kishte
deklarua se pas kësaj, kthehej përsëri në Prizren, ku merr pjesë në Kongresin e
Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për atë takim ishin kthyer vetëm
katër veta si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Masar Sopoti dhe ai- Bedri
Pejani. Takimi ishte mbajtur në shkollën “Bajram Curri”. Në kongres, Bedri
Pejani kishte mbajtur një fjalim ku i njoftonte të pranishmit për formimin e
Komitetit Ekzekutiv që u formua në Tiranë dhe për qëllimet e këtij komiteti. Në
kongresin e parë u zgjodhe edhe kryesia : Rexhep Mitrovica u zgjodhe kryetar,
Musa Shehzade- nënkryetar, etj.
Bedri
Pejani gjatë tërë kohës sa jetoi ishte në rrjedhat e ngjarjeve politike që
ndodhnin në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera. Pas krijimit të Qeverisë në
Tiranë dhe pasi që Rexhep Mitrovica zgjidhet kryetar i Qeverisë, s bashku me te
kishin shkua edhe disa anëtarë të Lidhjes së Prizrenit në Tiranës. Në Lidhjen e
Dytë të Prizrenit u shtrua nevoja për thirrjen e një kongresi të ri të Lidhjes
dhe të zgjidhet udhëheqësia e re e tij. Në kongresin e dytë, Bedri Pejani
zgjidhet kryetar i kongresit dhe kryetar i Komitetit të Lidhjes së Dytë të
Prizrenit. Komiteti i Lidhjes ndahej në Katër sektor: I- Sekretariati, II-
Sektori financiar, III- Sektori kulturor- propagandues dhe IV- sektori
ushtarak.
Sektori
financiar kishte një rëndësi të veçantë nga se grumbullonte mjete për
shpenzimet e komitetit, për furnizimin e ushtrisë , e cila luftonte kundër
çetnikëve në Kollashin, por edhe kundër partizanëve që luftonin në Rugovë dhe
Rozhajë. Ajo ushtri që furnizohej nga këto të holla quhej “Vullnetarët” dhe
“Kreshnikët”. Po ashtu Bedri Pejani si kryetar që ishte, kishte marr pjesë në
mbledhjen në Rogovë, që e kishte inicua
K.Q. i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më 15 mars 1944. Në të merrte pjesë edhe
komandanti i sektorit për gjithë Kosovën, Qazim Komoni. Kjo mbledhje ishte e
rëndësishme ngase në të u morr vendimi që të mobilizohet e tërë popullata nga
mosha 20 vjeçare, e deri në atë 35 vjeçare që quhej “Kreshnikët”. Ndërsa ata
mbi moshën 35 vjeçe e deri në 50 vjeç, u quajtën “Vullnetar”. Bedri Pejani nga
posti i kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit shkarkohet me 17 qershor
1944.
Duhet
cekur se “Vullnetarët” e “Kreshnikët”,
sa ishte kryetar Bedri Pejani mori pjesë në shumë lufta me çetnikët në
Kollashin dhe dy lufta në Çakorr e në Rozhajë kundër partizanëve në Plavë e
Guci. Me inkurajimin e kryeministrit Rexhep bej Mitrovica dhe ministrit të
Brendshëm Deva, u mor gjithashtu me ndërmjetësimin me autoritetet naziste për
krijimin e Divizionit SS Skanderbeg.
Veç
angazhimit të madh në mbrojtje të kufijve të atdheut, Bedri Pejani kishte botua
edhe disa artikuj kundër Drazha Mihajloviqit dhe kundër Nediqit. Pastaj kishte
shkrua një artikull kundër Titos, ku kishte porosit që, së pari, të zgjidhet
çështja nacionale e pastaj do ti zgjidhim çështjes sociale dhe të tjera që Titoja donte ti
zgjidhte si më parësoret. Mbarimi i luftës Bedri Pejanin e gjen në Tiranë, ku u
arrestua nga autoritetet komuniste dhe e dorëzojnë te jugosllavët. Bedri Pejani
u mor në hetuesi dy herë, më 22 nëntor 1945 dhe me 8 janar 1946 në burgun e
Prizrenit.
Më
21 shkurt 1946 gjykata e Prizrenit e dënoi me vdekje-pushkatim, dënimi nuk
arrin të zbatohet pasi u helmua dhe ndërroi jetë në spitalin e Prizrenit m? 6
korrik 1946.