Kulturë
Hamdi Hysuka: Mati, kryeqendra kombëtare e poezisë
E hene, 11.09.2023, 07:57 PM
Mati, kryeqendra kombëtare e poezisë
Nga
Hamdi Hysuka*
Më 2 shtator 2023, për të
shtatin vit me radhë, Klubi Letrar "Pjetër Budi" Mat organizoi
Festivalin Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”. Morën pjesë
dashamirë të fjalës poetike, shkrimtarë, poetë, artistë nga trojet shqiptare,
brenda e jashtë kufinjve të Shqipërisë: nga Mati, Durrësi, Tirana, Shkodra,
Kukësi, Dibra, Lezha, Fieri, Korça, Devolli, Prishtina, Gjakova, Prizreni,
Podujeva, Deçani, Tetova, Kërçova, Gostivari, Suedia dhe Italia... Nderuan me
praninë e tyre prof. dr. Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Kosovës; Myrteza Mara, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”
Vlorë; Adem Xheladini, drejtues i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë "Penestia"
dhe i takimeve poetike “Hyjnesha Ilire Thana”, Kërçovë; Meçan
Hoxha, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Durrës; Berat Batiu, nga Shoqata për
Kulturë dhe Art “Fidani”, Prizren; Vera Istrefaj, kryetare e Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve, dega Kukës; Trandafile Molla (Baja), kryetare e
Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” në
Novara, Itali; Hekuran Koka, kryetar i Klubit të Letrave “Ndoc Gjetja”
në Lezhë; znj. Flora Brovina, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe e të
drejtave të grave, ish-deputete e Parlamentit të Kosovës; Albi Lushi, kryetar i
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; Aleksandër Çipa, gazetar,
analist dhe poet, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë; Altin Bojni,
kryetar i Këshillit të Bashkisë Mat; Hasan Pasha, Nënprefektura Mat; Fiqirete
Kurti, Biblioteka “Pjetër Budi” Burrel; përfaqësues të Fondit Amerikan
Popullor, sponsor të festivalit. Gjithashtu morën pjesë studiues, përfaqësues
të arsimit e kulturës, medias së shkruar e vizive, të rinj e të reja,
dashamirës të poezisë etj. Himni kombëtar ishte mirëseardhje për të gjithë
pjesëmarrësit.
Ndërkohë vitet rrodhën e jeta
bëri të sajën. Më 8 mars të këtij viti, në moshën 69-vjeçare, ndërroi jetë
poeti i shquar Hamit Aliaj, “Mjeshtër i Madh”, autor i 7 librave poetikë
të vlerësuara me çmime kombëtare dhe i mbi 200 tekste këngësh, kryetari i parë
i jurisë së Festivalit tonë të Parë Kombëtar "Muza Poetike
Budiane". Më 25 qershor, në moshën 83-vjeçare u nda nga jeta dhe
shkrimtari, poeti, gazetari e publicisti prof. dr. Nikolla Spathari,
"Mjeshtër i Madh", kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve,
Durrës, pjesëmarrës në të gjitha festivalet “Muza poetike Budiane”.
Ndërsa më 22 korrik 2023, në moshën 87-vjeçare, ndërroi jetë Fride Kurti,
emblemë kombëtare e muzikës lirike, ikonë e këngës popullore matjane. Në nderim
të tyre u mbajt një minut heshtje.
* *
*
Takimi letrar filloi me
promovimin e dy librave të rinj, vëllimin me poezi “Hije ëndrre” i
poetes matjane Adivije Hoxha, për të cilin foli z. Shpendi Topollaj, poet,
shkrimtar e publicist dhe udhëpërshkrimin “Jehona e valëve të jetës”, e
poetes Trandafile Molla (Baja). Për këtë botim special u lexua recensioni i
kritikut e poetit Fatmir Neli. Vepra e poetes durrsake me banim në Novara të
Italisë u çmua për pjekuri artistike, larmi tematike dhe elemente të tjerë
publicistikë.
Më pas u zhvillua festivali i
poezisë, në të cilin me poezitë e tyre u paraqitën autorët Vladimir Muça,
Adivije Hoxha, Bajram Canameti, Adile Baleta, Lulzim Hajdari, Monika Muzikanti,
Rajmonda Qose, Setki Jashari, Rubjana Nika, Fatbardha Kaçi, Sokol Hoda, Ermal
Lala, Bajramalí Selimi, Andris Lleskai, Kadri Tarelli, Shire Caka Kasapi, Faik
Xhani, Merita Kuçi, Valbona Xhepi, Xheladin Mjeku, Shpendi Topollaj, Ajne
Ibërhysaj, Kasam Shaqirvela, Valentina Kurti, Agim Bajrami, Adem Xheladini, Shefqet
Merra, Haqif Heta, Trandafile Molla, Migena Arllati, Naim Aliaj, Ernest Marku,
Berat Batiu, Mevlud Buci, Basir Bushkashi, Zyrafete Kryeziu, Odise Plaku, Ramë
Oraca.
Pas konkurimit të poetëve,
juria e festivalit ndau çmimet letrare. Çmimi i tretë për poezitë më të mira iu
dha poetëve Zyrafete Kryeziu, Lulzim Hajdari dhe Mevlud Buci. Çmim të dytë
merituan poetët Haqif Heta dhe Rajmonda Qose. Ndërsa Çmimin e parë “Muza
Poetike Budiane” 2023 e fitoi poeti Shpendi Topollaj. Me votim të vetë
poetëve konkurues "Çmimi i poetëve" iu dha znj. Migena
Arllati. Çmimin Letrar "Pjetër Budi" e fitoi Ramë Oraca,
ndërsa Çmimi "Zëri i ri poetik" ishte për poeten Rubjana Nika.
Poetet Adivie Hoxha dhe Adile Baleta u vlerësuan me "Çmimi i
karrierës". Për herë të parë në këtë festival u nda Çmimi "Anëtar
Nderi i Klubit Letrar "Pjetër Budi", të cilin e meritoi prof. dr.
Ejup Hajdini.
-Një organizim shumë i mirë
nga bartësi i veprimtarisë, i përkrahur nga struktura të ndryshme shoqërore, -u
shpreh prof. dr. Shyqri Galica. Pjesëmarrja e gjerë qe dëshmi e integrimit
kombëtar e kulturor dhe e angazhimit vetëmohues të Klubit Letrar "Pjetër
Budi".
Në përshëndetjen e tij,
kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, Myrteza Mara,
anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, theksoi:
-Kisha dekada pa kaluar në
Burrel dhe ruaja kujtime nga imazhet e kohës. Por befasia e këndshme e pamjes
së këtij qyteti, simetria urbane, pastërtia dhe qetësia ishin dekor i bukur që
i shkonin për shtat festivalit letrar poetik. Mikrpitja dhe organizimi nuk
linte kohë e vend të mendoje, veçse respekt e mirënjohje. Thjeshtë dhe bukur!
Bukur dhe thjeshtë! Vlerësimi dhe pjesëmarrja e poetëve nga trevat shqiptare
ishte në funksion të drejtë me misionin e këtij festivali, kthyer në traditë.
Sipas analistit, poetit dhe
gazetarit Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, pozitive
ishte përfaqësimi gjeografik nga gjithë trojet shqiptare. Erdhën autorë që janë
shumë aktivë në botën letrare, poetë nga diaspora, nga emigracioni shqiptar,
nga trojet shqiptare amtare dhe nga hapsirat administrative shqiptare,
përkatësisht Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe viset e Shqipërisë
administrative. Në mënyrë evidente pati një konkurim antologjik të poetëve, ku
dominoi vjershërimi tradicional, por dhe elementë të poezisë eksperimentale, të
cilat bënë të mundur që ky tubim poetësh të pasurojë atë që konsiderohet
kalendari i takimeve dhe tubimeve poetike shqiptare.
-Me matjanët jam takuar dhe më
herët përmes shkrimeve dhe poezisë, përmes historisë, por është hera e parë që
vij në Mat, -tha znj. Flora Brovina, shkrimtare, ish-deputete e Parlamentit të
Kosovës. Ishte nder dhe kënaqësi të jesh pjeëmarrës(e) në këtë bashkim
kombëtar kulturor, ku na bashkon gjuha, kultura, letërsia, tradita dhe
bukuria magjepse e atdheut anembanë...
-Qe një atmosferë
mbresëlënëse, mes motrave e vëllezërve poetë, që me krijimet e tyre e duan
Shqipërinë edhe më të bukur, edhe më të begatë, edhe më evropiane, -theksoi
shkrimtari dhe studiuesi, Shpendi Topollaj. Ishte takim i organizuar aq mirë,
nga ata që dukej se kërkonin të pohonin drejtësinë e asaj thënies së mençur se “Shoqëria
njerëzore ka nevojë për poetët si nata për yjet”.
Poeti durrsak, Kadri Tarelli,
Festivalin Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane” e cilësoi Kuvend
poetik.
-E dinim, -tha ai, -se
gjithçka do të shkonte më së miri, të bindur nga serioziteti dhe përkushtimi i
drejtuesve të këtij klubi. Kënaqësia jonë ishte se, krahas paraqitjes së
poezive tona, takuam plot nga miqtë tanë poetë dhe u njohëm me shumë të tjerë
të ardhur nga të gjitha trevat ku flitet shqip, madje edhe nga diaspora.
-Kjo ditë i ngjante një feste
të vërtetë, -tha shkrimtari Luftar Pepmarku. Një atmosferë e tillë vihej
re në fytyrat e qeshura të pjesëmarrsëve, ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit
dhe trevat shqiptare, të mbetura jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Në
mënyrë të veçantë shkëlqeu mikpritja tradicionale e trevës dhe përkujdesja e
organizatorëve...
* *
*
Festivali Kombëtar i Poezisë “Muza
Poetike Budiane” bashkoi më të mirët e fjalës së bukur dhe arriti të
përkrahë e motivojë krijuesit e të gjitha moshave. Ndjesia e parë në atë skenë
poetike ishte gjeografia e pjesëmarrjes, thjeshtësia, vërtetësia, forca e
mesazheve që japim e marrim. U ndjeva i privilegjuar që isha i përfshirë në ato
emocione të shumëfishta. Nder dhe mirënjohje për nisiativën dhe kordinimin e
Shoqatës "Bashkimi i Përgjithshëm Vijues i Pensionistëve të Shqipërisë”,
personalish për z. Faik Xhani, që me Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes
Sociale, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë dhe partnerë të tjerë
ndërkombëtarë, afruan mbështetje financiare.
Poetë të të gjitha trojeve
shqiptare, Mati është shtëpia juaj!
*kryetar i
Klubit Letrar “Pjetër Budi”
Në Athinë,
me autobusin urban
Ku veje greke atë natë,
kur unë kërkoja mikun tim,
asfalti i rrugës shumë i
gjatë,
do desha të mos kish mbarim.
Nuk kisha qenë asnjëherë
në ato vende si përrallë,
qytetit pa fund të gjerë,
i jepje ti një nur të rrallë.
Pa tjetër nimfën kisha
ndeshur,
kur ty të pyeta në anglisht,
më erdhe pranë me sy të
qeshur,
dhe m`u përgjigje miqësisht.
Veç në statujë, një vajzë si
ti
unë në Akropol kisha parë,
dhe kisha rënë në dashuri,
sido që koha na kish ndarë.
Ti kishe ikur nga muzeu,
se të kish ngjallur dashuria,
por unë si të qesh Orfeu,
Euridikën pas do lija.
Dhe në stacion dorën ta
dhashë,
trishtuar në asfalt u hodha,
dy fjalë zemre vërtet` s`t`i
thashë,
por kisha zjarrin që të vodha.
Shpendi Topollaj
Pentagrami i
muzës sime
Më përkundi liqeni me valë,
herët që në fëmijëri,
të kemë kujdes në çdo fjalë,
me njerëzit veç në harmoni!
E fillova pentagramin të
ndërtoj,
të hidhja fjalët nota në fusha
e vija,
çdo fjalë thellë ta mendoja,
që e ëmbël të dalë melodia.
I këndoja në vija e në fusha,
duke ruajtur masën e ritmikën,
një pëllumb i bardhë më rrinte
te gusha,
dhe më qortonte për poezi
muzikën.
Eh, lirikat nga zemra më
buronin
si bregliqenas, doja të ngjaja
me Lasgushin
doja, që me ato që më lexonin
kohën me dashuri ta mbushnin.
E fluturova në qiellin blu,
të thërrisja me gëzim
pranverën,
për Matin tim shkruajta
gjithashtu,
e fillova të trokas me erën.
Shikoja lindjen dhe perëndimin
e diellit
në Matin tim, themel i
historisë
e vazhdova të shkruaj të
pathënat e qiellit,
që mos t’i ndahem tërë jetën
poezisë.
Për Matin, kryeqendrën e
Arbërisë
për burrat e dheut që i bënë
kombit nderë,
që ia lartësuan nderin
Shqipërisë,
pena ime s’do pushojë
asnjëherë!
Haqif Heta
Homos
Sapiens
Të vdekur me frymë kemi ardhur
në jetë,
me sy që s'shikojmë, me gojë që dot s'flet
me britma kraharorësh që mbyten në dallgët e heshtjes,
me veshët që dëgjojnë marrëzitë e gënjeshtrës.
Kemi ardhur pa jetë në këtë botë,
që nuk jetojmë, por veç frymojmë
ku edhe ajri jepet me pikatore,
e diellin e mbulojnë ca re të zeza mizore.
Orët e ditës i mbyt errësira,
lëvdohet e keqja, përbuzet e mira.
Jemi manekinë që na tërheqin zvarrë
ca duar të pista,
mbi buzë vizatuar buzëqeshjen fals,
me fjalë na veshin e zhveshin,
pastaj hipokrizisht na ftojnë në vals.
Në rresht ndjekim ritmin amorf të marshit funebër,
si homos sapiens nga një epokë e vjetër.
Të vdekur jemi lindur, qysh kur erdhëm në jetë
qëkur tokës iu larguan engjëjt,
dhe djajtë pushtuan këtë planet.
Rajmonda Qose
Ëndërr zhveshur erdhi vjeshta
Ëndërr zhveshur erdhi vjeshta,
vesa preki shpirtin tim,
dritën e hënës e mori agu,
rrezja e diellit ra n'perendim.
Bulza uji mbushur degët,
sikur loti në harrim,
po lag gjethen e këputur
që ra sipër unit tim.
Fati i thyer gjatë degdisi
nëpër brigjet e pafund,
thinjur, rrudhur, sa u mplaka
rob i lodhur pa u ndal kund.
Lulzim Hajdari
Sa e
shkurtër është jeta!
Një zë fort kumbon, zëri i
dritëlirisë
një këngë uragan, këngë e
bardhësisë
një valë drite plot rreze
altari,
ka shpirt kristal dhe fllade
behari.
Le të burojë së thelli
oshëtimë e këngës,
le të flasin sytë dhe dëlirësi
e zemrës,
le të flasë mirënjohja, e
drejta, e vërteta
o njeri i Zotit, sa e shkurtër
është jeta!...
A e keni parë bletën mbi një
fije bari,
a i keni parë lulet ku
mblidhet nektari,
mundohu, o njeri, me pasion
porsi bleta
lufto për parajsën, e shkurtër
është jeta!
A i keni parë si shndrit lot i
syrit,
a i keni parë të urtët, gen i
xhevahirit
a i keni parë karrieristët që
lëshojnë trumpeta,
kujdes o njeri, e shkurtër
është jeta!
Dikush i lindur për kurthe,
për dredhi
dikush i lindur për shpifje e
zili,
dikush i marrosur për pozita e
kuleta,
kujdes o njeri, e shkurtër
është jeta…
Na ndrit vllaznimi, mirësia,
natyra
lum kujt në jetë nuk i skuqet
fytyra,
kur kthen kokën pas, të krenon
e vërteta
pra, mendo o njeri, sa e
shkurtër është jeta!
Kujto tokën, gurët, dheun dhe
plisin
kujto babë e nanë, miq, shokë
e fisin
mendo e vepro për botën e
amshuar,
harmonia në jetë, parajsë e
shenjtëruar.
Një diell na ngroh në këtë
jetë provizore,
lum kush në shpirt ka dritën
hyjnore,
njerëzit e mirësisë si shqipe
në shkrepa,
kujto o njeri, sa e shkurtër
është jeta!…
Mevlud Buci
Të rrëfehem
ty, Burrel!
Po vij te ti me hapa të
lodhun, Burrel
veç ruajma besën e shekujve,
se do të ma kthesh sofrën e
ngrohtë
me pogaçe prushi.
Sot po vij te ti Burrel, me
shpresat e mëdha
se e mira do të na ndritë
ballin ty e mua,
se eshtnat na kërcitnin nga të
zanunit ngushtë,
me dertet e hallet ngarkuar
supeve.
Po vij te ti me i vra
dhimbjet, Burrel
e me ngjy pikën e lotit deri
në tharje,
me ja hap rrugën dritës së
diellit,
e me ngroh pak shpirtin
e mërdhirë nga ditët e rënda,
që i përcollëm me humbje.
Burrel, ngrohma ballin, pash
sfidat e të prangosurve
gjakun e të rënëve,
dhe shtroma sofrën pa hile,
me agun e stinëve të
gjelbrume,
që nga bari i njomë të
njomësohemi.
Ah, bre qytet i rrënjëve të
lashtësisë
sa përmallshëm po nisem kah
ti,
veç shpresa po më mban,
se do të të gjej të lirë, siç
di të frymosh ti.
Zyrafete Kryeziu (Manaj)
Ka ende
shpresë
Diku larg një melodi,
një pogonishte, një tallavá
atëherë mendja u kujtua,
sa mirë që dasma akoma ka...
M'u ngroh zemra, u qetësova
akulli i heshtjes u shkri nga
pak,
jo, s'ka mbet bosh qyteti im
do gjallërohet, do mbushet
prapë
Bashkë me pranverën shkrihen
akujt,
vijnë dallëndyshet, çdo gjë
lulëzon
Ka ende shpresë ku ka njerëzí,
kur vendin duam, e puna vlon.
Ka ende shpresë për qytetin
tim,
për shqipen tonë të
shumësprovuar,
nëse lemë pas grindjet, mëritë
e duart fort mbajmë
shtrënguar.
Rubjana Nika
Atdheu
Provoj ta gjej veten, vetëm
mbetem
gjirin ma përvëlon një mall i
rrallë,
nga mërzia për atdhenë lotoj,
tretem
s’jam asgjë tjetër, një
mërgimtar.
Provoj të kthehem, mundësi
s’kam
fëmijëve duhet t’ua siguroj
një kafshatë,
i thyer, i lodhur, në shpirt i
dërrmuar jam
familjen vetë, vetë gruan e
ngratë.
Një djersë e ftohtë ballin ma
përshkron,
një buzëqeshje e ngrohtë më
shpërndahet në fytyrë,
jetoj me shpresë se çdo gjë
kalon,
të kthehem në atdhe do të gjej
mënyrë.
Më prit, o frymë, o dhé
të kam, të paça përherë, o
Atdhe!
Valëza Fusha, Podujevë
Kisha
dashtë!
Kisha dashtë me e dashtë
jetën, njejt sikur fëmijë
kisha dashtë me e dashtë
veten, më shumë se sa ty!
Kisha dashtë me i ngjá kohës e
me t’mbulú harresa,
kisha dashtë me kánë veç
andërr e me t’harrú kujtesa!
Kisha dashtë mos me t’njoftë e
takimet mos me ndodhë kurrë,
kisha dashtë, që në vend të
zemrës të kisha një grusht gur!
Kisha dashtë me vra vetminë e
me kánë e lumtur,
kisha dashtë, që pa ty, mos
m’u ndih e humbur!
Kisha dashtë veç me m’dashtë,
asgjë më shumë
kisha dashtë, ty mos me
t’dashtë askush si unë!
Leonor Berisha, Prizren
Mësuesi i
juaj
Luftë, ku janë sytë e mi
edhe pse nuk e shoh dritën,
shoh Brçkon, Tuzllën, Maoçën
a nuk e shoh babain, nënën,
motrën!
Bosnjë, ku janë nxënësit e mi
gjymsa në vorre, gjymsa
invalid
a ku është ditari im dhe
librat,
në Klladushën e madhe, te Muja
dhe Halili!
A ku jam unë, mësuesi juaj
në Kosovë, në qiellin e
Prizrenit
pse Kosovën si shtet nuk e
pranon,
kur tog kemi qenë në luftë
prej Brçkos deri në Sarajevë!
-Bosjne, i vjetër jam
për lirinë e juaj kam fjetur
maleve,
i kam humbur sytë si shqiptar,
nga Kosova të shoh Bosnjë, veç
me shpirt!
Nëse ma pranon Kosovën si
shtet,
dhe mua do të më vjen të
pamurit,
Zoti do të japë fat ty,
a shikimi im do t’i shembë
muret e burgut!
Husein Imeri, Br?ko Bosnja