Speciale
Dorian Koçi: Roli i Austro-Hungarisë në caktimin e kufijve veriorë të Shqipërisë
E hene, 11.09.2023, 07:57 PM
Roli i Austro-Hungarisë në caktimin e kufijve veriorë të Shqipërisë
Nga
Dorian Koçi
Shpallja
e pavarësisë së Shqipërisë dhe caktimi i kufijve të saj ishin guri i fundit i
mozaikut të krijimit të shteteve kombëtarë në Ballkan. Për shkak se këto
ngjarje të rëndësishme diplomatike , jo vetëm për popullsinë dhe etninë
shqiptare që po materializonte një proces që popullsitë dhe etnitë e tjera të
Ballkanit e kishin realizuar më herët, por edhe për vetë rajonin që për shumë
kohë ishte kthyer në një skakierë diplomatike ku luanin kryesisht interesat e
dy Perandorive të Mëdha, asaj Austro-Hungareze dhe Ruse si dhe të një Fuqie të
re të Madhe ambicioze si Italia, studimi i tyre fiton një rëndësi të veçantë.
Pas
një kompromisi të vështirë midis Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës të
thirrur për të gjetur një zgjidhje të problemeve që dilnin pas Luftës
ballkanike, por që në fakt pothuajse gjatë tetë muajve të veprimtarisë së
saj(sigurisht me ndërprerje), u morr kryesisht me çështjen shqiptare[1], për të
krijuar fillimisht një Shqipëri autonome nën suazën e Perandorisë Otomane ,
caktimi i kufijve të saj ishte një çështje që do të sillte më shumë debat në
Konferencën e Londrës, po aq dhe mundësinë për dështimin e saj. Fillimisht pasi
u ra dakord për të krijuar një Shqipëri
autonome nën suazën e Perandorisë Otomane , caktimi i kufijve të saj ishte një
çështje që do të sillte më shumë debat në Konferencën e Londrës, po aq dhe
mundësinë për dështimin e saj. Vendimi i parë i Konferencës së Londrës në datën
17 dhjetor të vitit 1912 përqendrohet në dy momente: në vendimin mbi autonominë
shqiptare dhe në njohjen e së drejtës së Serbisë për një dalje në Adriatik.[2]Më andej këto
vendime do të ndryshonin, në bazë dhe të situatës në rajon që ndryshonte
dita-ditës por dhe interesit të dy Fuqive të Mëdha të interesuara për
Shqipërinë, Perandoria Austro-Hungareze dhe Italisë. Pas shumë hezitimeve dhe
presioneve sidomos nga Rusia dhe nga fqinjët ballkanikë, më në fund u arrit me
miratimi e aktit përfundimtar më 29 korrik 1913.
Në
këtë akt kanë rëndësi shumë të madhe dy nenet e para ku në
nenin 1 thuhej shprehimisht se Shqipëria formohet si një principatë
autonome, sovrane dhe trashëgimore sipas rendit të parëlindjes(primogjeniturës),
nën garancinë e të 6 Fuqive. Princi do të caktohet nga të 6 Fuqitë, ndërsa neni
2 çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë përjashtohet.[3] Përmes këtyre dy neneve, vendimi i
Konferencës së Londrës mund të cilësohen si instrumentat më të rëndësishëm
ligjorë, ndërkombëtarë për sa i përket pavarësisë së Shqipërisë. Konferenca e
Ambasadorëve të Londrës diskutoi gjerësisht dhe caktimin e kufijve të
principatës autonome apo dhe të pavarur në varësi dhe të evoluimit të statusit
të territoreve shqiptare më vonë.
Situata
e Shqipërisë, krahasuar në momentin kur iu garantua pavarësia dhe u morën në
shqyrtim kufijtë e saj me shtetet e tjera ballkanike kur kishin qenë në të
njëjtat procese politike dhe diplomatike ishte më e keqe dhe më e pashpresë.
Shteti kombëtar shqiptar po krijohej pas rrënimit dhe tërheqjes së otomanëve
nga Ballkani dhe kufijtë e tij do të përcaktoheshin në një konflikt të hapur me
fqinjët e vet që dëshironin të zbatonin parimin e plaçkës së luftës. Kjo lakmi
e fqinjëve për të përfituar sa më shumë territore edhe pa e respektuar fare
parimin etnik në terren po dëmtonte shumë popullsinë shqiptare që në vigjilje
të krijimit të shtetit të vet kombëtar i duhej që një pjesë e konsiderueshme e
popullsisë së saj, të mos përqendrohej rreth bërthamës së vet etnike por ti
nënshtrohej autoritetit të shtetit kombëtar të popujve fqinjë. Sigurisht që
parimi etnik nuk ishte respektuar tërësisht dhe në caktimin e kufijve të
shteteve kombëtarë ballkanik, por në
ndryshim nga Shqipëria që po krijohej, popullsitë dhe territoret e këtyre
vendeve kishin mbetur nën dominimin osman , çka linte një shpresë që në të
ardhmen diçka mund të arrihej në kuadër të shpërbërjes së Perandorisë Otomane.
Në
rastin e Shqipërisë caktimi i kufijve të saj merrte një rëndësi të veçantë jo
vetëm për të qenë “leben fahig” –viable për të përdorur një term që përdori dhe
diplomacia Austro-Hungareze por edhe për të arritur dhe përfshirë në bazë të
kriterit etnik pjesën më të madhe të popullsisë dhe etnike shqiptare, pasi
lënia e tyre nën administrimin e shteteve kombëtarë fqinjë nuk linte asnjë
shpresë se në të ardhmen mund të kishte ndonjë rivendikim kufijsh. Për më tepër
elita shqiptare kishte të freskët fatin e territoreve dhe popullsisë shqiptare
të përfituar nga Mbretëria Serbe në vitin 1878 ku shumë shqiptarë ishin
detyruar të shpërnguleshin nga trojet e tyre etnike. Mirëpo pavarësisht
dëshirës së madhe të qeverisë së Vlorës apo dhe elitës shqiptare për të
përfshirë sa më shumë territore shqiptare brenda shtetit të vet kombëtar,
situata në terren ishte vërtet katastrofike, pasi më shumë se gjysma e
territoreve shqiptare ishin të okupuara nga ushtritë ballkanike që dëshironin
të zbatonin parimin e kompensimit në fitoren e tyre ndaj Perandorisë Otomane,
duke nënkuptuar qartë përfitimin e territoreve shqiptare.
Në
këtë moment roli i diplomacisë Austro-Hungareze ashtu si në përgatitjen e
opinionit diplomatik të Fuqive të Mëdha për shpalljen e pavarësisë së
Shqipërisë, rezultoi të ishte shumë përcaktues edhe për caktimin e kufijve të
ardhshëm të Shqipërisë.
Momentet
kryesore ku Austro-Hungaria luajti një rol të padiskutueshëm për caktimin e
kufijve ishte kryesisht përcaktimi i kufijve të saj veriorë. Kjo qendrim i
vendosur i Perandorisë së vjetër për të luajtur një rol të rëndësishëm dhe
përcaktues për kufijtë veriorë të shtetit të porsaformuar shqiptar, kishte në
themel arsyet e veta. Interesi i Austro-Hungarisë në kufirin e veriut të
Shqipërisë, e kishte origjinën e vet në kultusprotektorat-protektorati fetar të
Perandorëve Habsburg mbi katolikët e veriut të Shqipërisë. Herët që në 1615 me
Traktatin e Vjenës, Perandori i Shenjtë Romak fitoi të drejtën të kujdeset për
mirëqenien e popullsisë katolike të Perandorisë Otomane. Ndërsa teoritikisht
kjo e drejtë nuk ishte e kufizuar vetëm në Veriun e Shqipërisë, afërsia e këtij
rajoni me zotërimet e Habsburgëve dhe protektorati i ngjashëm fetar i Francës
në Perandorinë Otomane i bëri kufijtë veriorë precedentë të formuar mirë të
interesit të Habsburgëve në Shqipëri.[4]
Gjithsesi
edhe pse interesi diplomatik i Perandorisë daton që herët në Luftërat
Austro-Otomane të shekullit të XVI-XVII, ishte vetëm në vigjilje të
nacionalizmit në Ballkan në shekullin e XIX që diplomacia vjeneze fillon dhe
formon një opinion të saj statik rreth territoreve dhe popullsive shqiptare në
rajon. Perandoria Otomane në shekullin e XIX ishte në gjendje të avancuar drejt
rrënimit të plotë. Monarkia Habsburgase nuk mund të ishte më e sigurt në pjesën
e saj jugore. Vendndodhja e Shqipërisë në bregdetin lindor të Adriatikut e bëri
atë një territor të rëndësishëm për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes
Adriatikut.[5]Për këtë arsye Monarkia që herët në vitin 1832 kishte hapur një
konsullatë të saj në Shkodër, e cila u bë në një qendër të rritjes dhe
shpërhapjes së influencës austriake në rajon por dhe dëshmitare e rrënimit të
autoritetit të otomanëve dhe rritjes së nacionalizmit ndër popujt ballkanikë ku
mes tyre shquante nacionalizmi serb që pas formimit të shtetit të vet kombëtar
dhe përkrahjes së hapur nga Perandoria Ruse për tu zgjeruar në territore osmane
, u bë një kërcënim serioz për vetë Monarkinë dualiste që pas humbjeve të veta
me Gjermaninë dhe Italinë e shihte Ballkanin si territorin e natyrshëm ku ajo
mund të ushtronte ndikim dhe të zgjerohej. Si një aksion për të balancuar
rritjen e fuqisë së Serbëve në rajon, konsulli austriak më Shkodër F.Lippich
sugjeronte në memorandumin e tij të datës 20 qershor 1877 për Zyrën Jashtme,
që monarkia dualiste të mbështeste Shqipërinë. Duke mbështetur
Shqipërinë , Monarkia Dualiste mund të krijonte një barrierë kundër sllavëve
dhe mund të përforconte Perandorinë Otomane dhe ndalonte qëllimet imperialiste
ruse.[6] Po kështu ai ishte i pari zyrtar i lartë i Monarkisë Dualiste që u
mundua të përcaktonte dhe kufijtë linguistikë midis shqiptarëve dhe sllavëve në
veri.
Duke
pasur gjithë këtë sfond marrëdhëniesh dhe interesimi statik diplomatik midis
Monarkisë Dualiste dhe territoreve shqiptare në veri, përmes gjithë krizave
diplomatike dhe luftërave që kish kaluar Ballkani që nga Kongresi i Berlinit,
Lufta Greko-Turke më 1897, revolucioni xhonturk, aneksimi i Bosnjës dhe së
fundmi Luftërat Ballkanike, ishte e natyrshme që Monarkia Dualiste të adoptonte
një qëndrim në Konferencën e Londrës që kishte në bazë konsideratat etnografike
të shtrirjes së shqiptarëve në rajon. Kështu në diskutimin e çështjes së
kufijve që filloi në terma më konkrete që në seancën e dytë të Konferencës së
Ambasadorëve i ftuar për të thënë mendimin e tij “mbi kufirin lindor të Shqipërisë
së ardhshme”, Mensdorfi, ambasadori përfaqësues i Monarkisë Dualiste përsëriti
dhe njëherë pikëpamjen austro-hungareze se “ato pjesë që janë të banuara vetëm
e vetëm nga shqiptarët, duhet t’i përkasin Shqipërisë”. Pastaj ai i parashtroi
Konferencës një hartë të kombësive, të përgatitur më parë në Vjenë, në bazë të
së cilës delte qartë “sa thellë mbërrijnë shqiptarët” në Veri dhe
Verilindje.[7]
Mirëpo,
ashtu si pritej propozimi i tij do të haste në kundërshtimet e kolegëve të
tjerë të Konferencës së Ambasadorëve që ashtu si besohej ishte vërtetë një
shprehje e Koncertit Evropian që datonte që një shekull më parë në Kongresin e
Vjenës më 1815 por mishëronte gjithashtu unitetin e të kundërtave. Në fakt
Konferenca jepte po atë tablo të rreshtimit të forcave dhe kontradiktave midis
tyre. Dy blloqet e mëdha të kohës-Lidhja Trepalëshe dhe Antanta Kordiale e
shtrinë hijen e tyre edhe mbi punimet e Konferencës së Londrës. Prapa rivalëve
kryesorë qëndronin aleatët e tyre nga blloku përkatës. Padyshim pikëpamjet apo
propozimet u paraqitën gjithmonë në emër të asaj apo kësaj qeverie, por pasi
ishin zhvilluar më parë konsultime në rrethin e ngushtë të aleatëve për të
siguruar përkrahjen e tyre. [8]Në këtë klimë politike dhe diplomacie që
pasqyronte shpirtin e epokës ishte e vështirë
që çështja e caktimit të kufijve të Shqipërisë të gjente një modus
vivendi të pranueshëm nga Monarkia Dualiste dhe sllavët e jugut që kishin
mbështetjen e Perandorisë Ruse për pretendimet e tyre. Debatet dhe kontradiktat
në caktimin e kufijve veriorë e verilindorë të Shqipërisë u përqendruan në ato
që u quajtën kriza rreth Shkodrës dhe Gjakovës. Pikësëpari duhet sqaruar se për
interesat e Monarkisë, qyteti i Shkodrës që shënonte edhe fillimin e interesit
të tyre fetar, diplomatik e kulturor rreth çështjes shqiptare përbënte nyjën më
të rëndësishme të politikës austro-hungareze në rajon për të cilën nuk mund të
bëhej asnjë kompromis. Rëndësia e Shkodrës dhe arsyet se pse ajo duhej të
përfshihej brenda kufijve të shtetit shqiptar, është shprehur me tre pika
kryesore të hartuara nga vetë Konti Bertold , ministri i jashtëm i Monarkisë.
1- Shkodra
është qendra e protektoratit tonë katolik në Veri të Shqipërisë dhe si e
tillë është e rëndësishme për të mbetur në Shqipëri.
2- Në opinionin e ekspertëve , një Shqipëri
mbijetuese është e pakonceptueshme pa Shkodrën dhe rrethinat e saj.
3- Nëse Shqipëria nuk do të përfshihet në
Shqipëri, fiset shqiptare që e kanë qendrën e tyre rreth Shkodrës do të
humbasin lidhjet e tyre me Shqipërinë. Këto fise do të jenë, kundër dëshirës së
tyre, të asimiluara në Mali e Zi që është i kundërt nga pikëpamja etnike dhe
fetare nga Shqipëria.[9]
Sigurisht
që mbrapa këmbënguljes së Monarkisë për të mbajtur Shkodrën brenda kufijve të
shtetit shqiptar qëndronte fakti se diplomacia Austro-Hungareze e përfaqësuar
nga Konti Bertold, duke mos ushqyer iluzione se do të mund të përballonte
presionin e diplomacisë së vendeve të Antantës që mbështesnin parimin e
“së drejtës së luftës” për të kompensuar me territore shtetet ballkanikë
që kishin fituar mbi Perandorinë Otomane, dëshironte që në pamundësi për të
krijuar një shtet shqiptar që do përfshinte sa më shumë popullsi dhe qytete
shqiptare brenda tij, të paktën të garantonte një shtet mbijetues, të aftë që
të ushtronte kontroll mbi zonat bregdetare të Adriatikut Lindor, në mënyrë që asnjë Fuqi tjetër e huaj të mund të
ndërhynte aty. Kjo ishe arsyeja që qytetet e Gjakovës, Pejës, Prizrenit dhe
Dibrës, qytete etnikisht të pastra shqiptare, pavarësisht dëshirës së Monarkisë
për tu përfshirë brenda shtetit shqiptar, u konceptuan nga kjo e fundit edhe si
një objekt shkëmbimi dhe kompromisi në traktativat diplomatike me Perandorinë
Ruse. Kjo gjë dëshmohet që nga raportet e para të Mensdorfit[10] dërguar shefit
të vet Bertold por edhe në ecurinë e ngjarjeve që përcaktuan dhe kufijtë
Veriorë dhe Verilindorë të Shqipërisë. Pranimi i krijimit të shtetit shqiptar
dhe moslejimi i daljes së Serbisë në Adriatik ishte parë si koncesione të mëdha
politike nga ana e Perandorisë Ruse, kështu që në shkëmbim të Shkodrës ,
diplomacia ruse kërkonte që qytetet e Prizrenit, Pejës , Gjakovës dhe Dibrës ti
jepeshin Serbisë si kompensime territoriale. Zgjidhja e këtij rebusi të
vështirë diplomatik për Fuqitë e Mëdha , por kaq të dhimbshëm për popullatën
shqiptare në terren do të vinte përmes politikës së presioneve por dhe të
lëshimeve. Edhe pse çështja e kufijve veriorë të Shqipërisë po shikohej si
çështje prestigji dhe jetë a vdekje midis Monarkisë dhe sllavëve të jugut e
dëshmuar kjo nga fjalët e Konrad, shefit të Shtatmadhorisë Austro-Hungareze se
situata është kthyer në një test force midis Monarkisë dhe Serbisë dhe se ky test force duhet të zgjidhet[11], sërish
Monarkia nuk mund të shkonte aq larg pasi në horizont mund të shfaqej konflikti
i armatosur me Rusinë. Thelbi i politikës Austro-Hungareze qëndron në fjalët e
Kontit Bertold që edhe pas koncesionit që kishte bërë Mensdorf në Konferencën e
Ambasadorëve në 14 janar 1913 se Austro-Hungaria nuk do të insistonte më për
përfshirjen e Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit brenda kufijve të shtetit shqiptar,
koncesion që duket se e dobësuan pozitën Austro-Hungareze në Konferencë, pasi
këto qytete sipas konceptit fillestar të Kontit Bertold duhet të kishin qenë
oferta shkëmbimi, sërish do të theksonte “ne jemi të përgatitur për të lëshuar
territor të banuar në pjesën më të madhe prej shqiptarësh me qëllim për të
gjetur një bazë të fortë për një mirëkuptim. Por ne absolutisht nuk mund të
shkojmë shumë larg në këto lëshime sa të krijojmë një Shqipëri të përbërë nga
toka joprodhuese shkëmbore të cilat nuk mund të përbëjnë një shtet
mbijetues.[12]
Me
pak fjalë tashmë diplomacia Austro-Hungareze dukej qartë se braktisi parimin
etnik por vazhdoi të qëndronte fort në principin e mbijetueshmërisë të shtetit
shqiptar që do të mbetej deri në fund dhe principi mbi të cilën diplomacia
Habsburgase do të bënte lëshimet, presionet dhe traktativat mbi kufijtë veriorë
shqiptarë. Preokupimet më të mëdha në të shumtën e rasteve nuk ishin tashmë më
të karakterit etnik , por shpesh herë kaluan dhe në shqetësime melodramatike
mbi fatin e mbretërisë të Malit të Zi që ishte ushqyer prej kohësh me iluzionin
që duhej të zgjerohej në jug dhe Shkodrën të kishte si kryeqytet të Mbretërisë
apo me keqardhjen për mos daljen në det të Serbisë dhe për këtë gjë duhej
kompensuar me toka shqiptare në Verilindje që nuk përbënin interes strategjik
për Monarkinë. Ngjarjet e mëvonshme do të rridhnin shumë shpejt dhe për të
zhbllokuar këtë situatë nuk do të nguronin, takimet e fshehta diplomatike, letrat
e shkëmbyera midis dy sovranëve deri dhe
propozime të çuditshme anti ekologjikë si tharja e liqenit të Shkodrës për të
përfituar toka të reja për mbretërinë shkëmbore të Malit të Zi, derisa do të
arrihej kompromisi përfundimtar në datën 22 mars 1913 ku u fiksua marrëveshja e
plotë për kufijtë Verior dhe Verilindor të Shqipërisë. Mbledhja duke marrë
shënim për njoftimin austro-hungarez lidhur me lënien e Gjakovës Serbisë,
fiksoi marrëveshjen tanimë të plotë për gjithë vijën e kufirit në Veri e Verilindje.
Më tej përveç që konstatonte nevojën e marrjes së “masave urgjente për të
mbrojtur popullsinë katolike dhe myslimane dhe shqiptare në krahinat që iu
dhanë Malit të Zi dhe Serbisë”, mbledhja u rekomandoi Fuqive që të ndërmerrnin
hapat e konkorduar t’i nënshtroheshin
vendimeve të tyre. Duke qenë se çështja
shqiptare-thuhej për këtë në procesverbalin e mbledhjes-nuk ishte aspak e
lidhur me vazhdimin e luftës midis Turqisë dhe aleatëve, Fuqitë mund të
ndërhynin në Cetinë dhe Beograd, me qëllim që të hiqej rrethimi i Shkodrës, të
ndërpriteshin luftimet në tokat që iu lanë Shqipërisë dhe të zbrazeshin këto sa
më parë.[13] Si përfundim ishin caktuar kufijtë Veriorë dhe Verilindorë të
shtetit më të ri të Evropës duke mos respektuar aspak kriterin etnik, duke arritur
një paqe të vështirë në tavolinat e Konferencës së Ambasadorëve, partiturës së
fundit të Koncertit Evropian të Fuqive të Mëdha të nisur një shekull më parë në
Vjenë, paqe që jo më shumë se një vit do të prishej nga krisma e kobures që
vrau Princin Kurorës së Monarkisë, Franc Ferdinantin e që do shënonte fillimin
e Luftës së Parë Botërore, një nga kasaphanat më të mëdha të njerëzimit.
Përcaktimi në mënyrë arbitrare të kufijve të Shqipërisë edhe pse në përgjithësi
këto kufij u respektuan nga Fuqitë edhe pas dorëzimit të Shkodrës në duar të
malazezve duke mos lejuar këta të fundit për ta aneksuar, u kthyen në fakt në
burim konflikti të vazhdueshëm përgjatë gjatë gjithë shekullit duke dëshmuar
edhe njëherë se vendimet e marra pa respektuar kriterin etnik si faktor
përcaktues e vetëvendosës janë të
destinuar të dështojnë.
*Harta
e elementit etnik shqipfolës në Veri të Shqipërisë, e Konsullit Austriak në
Shkodër, Lippich e hartuar ne 1878 cituar sipas Hall Richard Cooper, (1974) Austro-Hungary and the northern
Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University, faqe 6
Bibliografi:
1- Hall Richard Cooper, (1974) Austro-Hungary and the
northern Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University
2- Puto A(1978). Diplomacia e Fuqive të
Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë : 8 Nëntori
3- Puto,A(2003)Historia Diplomatike e
çështjes shqiptare. Tiranë: Albin
4- P.Cambon-it dt 22.03.1913, DDF 3 serie
t.VI, D NR,49 DHE TEL Mensdorf-it po asaj date QUA d.nr. 6261
[1] Puto . A(1978)
Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori,
faqe 152
[2] Puto,A(2003)Historia
Diplomatike e çështjes shqiptare. Tiranë : Albin, faqe 99
[3] Puto . A(1978)
Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori,
faqe 326
[4] Hall Richard Cooper (1974), Austro-Hungary and the northern Albanian
frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University , faqe 1
[5] Po aty faqe 1
[6] Hall Richard Cooper (1974), Austro-Hungary and the northern Albanian
frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University , faqe 2
[7] Puto . A(1978)
Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori,
faqe 162-163
[8] Po aty faqe 150
[9] Hall Richard Cooper (1974), Austro-Hungary and the northern Albanian
frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University , faqe 38-39
[10] Shih për më tepër
Puto . A(1978) Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë:
8 Nëntori, faqe 164
[11] Hall Richard Cooper (1974), Austro-Hungary and the northern Albanian
frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University , faqe 44
[12] Hall Richard Cooper (1974), Austro-Hungary and the northern Albanian
frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University faqe 47
[13] Raport i
P.Cambon-it dt 22.03.1913, DDF 3 serie t.VI, D NR,49 DHE TEL Mensdorf-it po
asaj date QUA d.nr. 6261 cituar sipas Arben Puto. Diplomacia e Fuqive të Mëdha
dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë 8 Nëntori, faqe 205