Kulturë
Femi Cakolli: Poshtnimi i shpirtnisë shqiptare
E hene, 11.09.2023, 07:55 PM
Poshtnimi i shpirtnisë shqiptare
Nga
Pastor Dr. Femi Cakolli
Gani
Mehmetaj është i njohur dhe i pranishëm
në jetën kulturore të vendit tonë qe
shumë vjet, i njohur dhe i pranishëm në gazetarinë shqiptare qe disa
dekada, i njohur si shkrimtar (autor romanesh, dramash dhe ese filmash), si dhe
si pedagog dhe po ashtu edhe drejtor i
“Kosovafilmit. Libri më i ri i tij mban titullin “A din Zoti shqip”.
A
din Zoti shqip? Nëse kjo është pyetja e shtruar atëherë shkoqtë se ka një
përgjigje të thjeshtë dhe të rreptë madje! Po, Ai e din! Zoti pra e di shqipen!
Po, Ai flet shqip, se ka krijuar kombin shqiptar, ka krijuar gjuhën shqipe!
Madje ai di edhe dialektet e shqipes, edhe të folmet e nënfolmet. E çështja
është se ne a po flasim Shqip!
A
di Zoti shqip nuk është shtruar kurrsesi si pyetje, herezi, profani a mistikë,
përkundrazi:
I. është shtruar si ballafaqim i
shpirtnisë a i fetarisë aktuale që ushtrohet në trevat shqiptare.
II. Është shtruar si reflektim, meditim i
një realiteti historik që autori sheh se po përmbytet gradualisht.
III. Është shtruar si protestë për
shqiptarët, për gjuhën e tyre, për komunikimin e tyre!
IV. Është shtruar si sintagmë emblematike,
ose si një metanarracion, i marrë dhe dëgjuar nga rilindësit tanë si “Zoti flet
shqip”.
V. Është shtruar si një doksologji e jo
profanizim se gjoja Zoti nuk ditka shqip!
VI. Është shtruar si një mesazh lutjeje,
thirrjeje e ndërhyrje nga Zoti për gjendjen e shtegtimin tonë, se mjaft u ba,
boll u ba, a nuk po sheh Zoti se u ba
tepër, se u ba shumë, deri kur kështuëëë
VII. A di Zoti shqip është shtruar si një
përgjigje nga plani historik se Zoti na është drejtuar shqip me ungjillin qysh
prej kohës së apostujve të Krishtit.
Libri
“A din Zoti shqip” përmbledh shkrime autoriale të z. Mehmetaj gjatë viteve të fundit,
dhe pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve janë botuar nëpër gazeta të ndryshme,
dhe si i tillë libri ofrohet si një kronikë e kohës.
Mjeshtëria
kryesore e Ganiut është gazetaria, dhe ky stil e kjo kompetencë shpaloset në
këtë botim kudo, por kjo prozë publicistike shtron edhe zgjidhje problemesh,
kritikon dukuri të ndryshme, personalitete e individë, andaj këtu haset edhe
potenciali intelektual i shtrimit të disa çështjeve që i kanë ardhur vendit e
popullit tonë shumë shpejt, shumë ndryshe, pa prit e pa kujtue, pa ba gja për
këtë dergjë në mënyrë të organizuar si shtet, shoqëri dhe krijues e
intelektualë.
Cilat
janë temat bosht të këtij libri: e para është çështja e islamizimit,
riislamizimit, islamit doktrinar, islamit politik, islamit radikal, islamit
tjetër etj. Dhe tema e dytë është gjendja aktuale dhe poshtnimi, rrëshqitja,
ramja, degradimi i partisë politike që dikur kishte mbi 700.000 anëtarë, e
njohur si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Pra poshtnimi nuk matet këtu me numra por me vlera e parime. E si i
ndërlidh autori këto dy tema, të shohim!
Pyetja
e vjetër që përherë ka mbet aktuale është: pse shkruan njeriuë Një nga
përgjigjet është shumë e thjeshtë. Njeriu shkruan sepse synon të vendos dialog
me tjetrin, apo të mbivendos debat me tjetrin, por bazuar në rrethanat e
tranzicionit tonë politik, social dhe ekonomik si dhe bazuar në nivelin e
rrafshit gati zero si mundësi reagimi e mobilizimi, aktualisht, shkrimi po
shpërthen, po lulëzon si një paradigmë e vendosjes ose të mbivendosjes së dialogut
a debatit me vetveten. Ndryshe si të
shpjegohet që mos secilin krijues, botues a librashitës këtu e dëgjon duke
thënë: “libra boll ama lexues pak”.
Lidhur
me çështjen e parë të këtij teksti ja si e fillon autori: “Shën Pali predikoi
fjalën e Zotit deri në Iliri. Sigurisht duhet t’u jetë drejtuar besimtarëve të
parë ilirë në gjuhën e tyre ose me ndihmën e përkthyesve. Ndryshe nuk do ta
merrnin vesh dhe nuk do ta dëgjonin. Zoti u foli arbërorëve në gjuhën e tyre
edhe në mesjetë”.
Ky
fakt, pra përdorimi i gjuhës ilire/arbërore/shqipe, nuk është vetëm historik
por edhe përligjja më e madhe që ndodh për shkak se është fakt edhe biblik,
edhe për relevancën e autorit. Kjo çështje përbën bazën inicuese e ideologjike
të temës së parë të këtij botimi.
Autori
z. Gani Mehmetaj i end dhe i gjen dhe i thur fijet e një argumenti se çka ka
ndodhë historikisht me ata shqiptarë që në religjionet a konfesionet e tyre nuk
e kanë përdorur gjuhën shqipe. Kështu ortodoksët shqiptarë gradualisht në Serbi
janë sllavizuar, shqiptarët myslimanë në Turqi janë turqizuar përbrenda një
brezi, shqiptarët ortodoksë në Maqedoni janë asimiluar, por në anën tjetër
shqiptarët në Kalabri, ata në Karakurt të Ukrainës vazhdojnë ta përdorin
shqipen me shekuj. Perandoria Osmane shqiptarët ortodoksë në jug i shihte grekë
kurse shqiptarët ortodoksë në veri “shkije”. Dhe pyetja që sillet në diskursin
e Mehmetajt është se a ka ndryshuar sot kjo ndonjë gjë a joë
Austro-Hungaria
ishte perandoria që mundësoi formimin e shtetit shqiptar me interes të veçantë
për shkak të katolikëve shqiptarë por ishte pikërisht Serbia ajo që filloi mbas
shtetësisë shqiptare t’i sulmojë dhe t’i paraqes shqiptarët katolikë pikërisht
si njerëz të egër. Te dy këto platforma antishqiptare, njëra nga Turqia e
tjetra nga Serbia, sipas autorit po shprehën edhe sot po ashtu kundër
shtetësisë së Kosovës si dhe kundër shqiptarëve në përgjithësi përmes këtyreve
metodave të renditura në vijim:
1. Me shqiptarë kundër shqiptarëve!
2. Me islamizëm kundër shqiptarisë (kjo betejë
është shumë e vjetër dhe historikisht herë njëra e herë tjetra kanë qenë sipër
njëra-tjetrës, kështu publicisti ynë vëren një shembull kur mbreti Zog me ligj
kishte ndaluar që të përkuleshin besimtarët myslimanë shqiptarë bazuar në
Kanunin e Lekë Dukagjinit).
3.
Me islamizëm kundër Amerikës dhe gjithë
aleatëve të saj që mundësuan çlirimin dhe mbështetjen e Kosovës.
4. Me erdoganizëm kundër lidhjeve dhe
përcaktimit me perëndimin dhe përcaktim me lindjen.
5. Me rituale islame vetëm arabisht kundër
shqipes.
6.
Me mendësi islamiste kundër
etnopsikologjisë së individit dhe kulturës shqiptare (p.sh. kur vdes një burrë
hoxha ia thirr emrin e nënës dhe kështu i vihet në dyshim atësia dhe kjo për
burrin shqiptar përbën nënçmim; ose propagandimi se martesat tani mund të bëhen
edhe në lidhje familjare a gjaku).
7. Me islamizëm të tipeve vahabi, selefi ose
sikur të Vëllazërisë Myslimane, të gjitha këta tipe të pranishëm mes
shqiptarëve, kundër kulturës shqiptare
dhe figurave e personaliteteve më të njohura shqiptare: Skënderbeu, Nënë
Tereza, Kadare, Rugova etj.
8. Me shoqatat turke, arabe dhe iraniane të
cilat kryesisht ndërtojnë xhami por specifikisht këto shoqata gjoja humanitare
po keqpërdorin skamjen shqiptare me riindoktrinimin e tyre po ndryshon
toleranca mes besimeve, po ndryshon harta shpirtërore shqiptare, po dëbohet
shqipja, po flitet në mesin tonë për Zotin i cili nuk flet shqip etj. –
konkludon autori.
9. Ky lloj islamizmi, i identifikuar këtu në
libër si “mjekërrzinjtë”, është i kundërt dhe tjetër me islamin tradicional
shqiptar, dhe sipas Gani Mehmetajt, është Kali i Trojës mes shqiptarëve i
sjellë nga jashtë andaj edhe gjitha pasojat ende nuk mund të dihen.
10. Me islam jotradicional kundër
tarikateve, të krishterëve, nacionalistëve dhe ateistëve.
11. Me ideologji të këtillë
islamiste bëhet luftë edhe për ta zhvendosur a hequr plotësisht tregun, pra
ekonominë dhe investuesit ose prodhimin perëndimor nga Kosova, Shqipëria dhe
Maqedonia.
12. Me politikanë të shitur
agjendave “mjekërrzeza” ose të “tyxharëve” të tipit Esat Pashë Toptana kundër
interesave shtetërore e kombëtare.
Autori
propozon edhe zgjidhje për këto probleme:
1. Hoxhollarët të nisin të përdorin vetëm
shqipen në ritualet e tyre.
2. Me slloganin “feja e shqiptarit shqiptaria”
të bëhet himn dhe kushtrim për çdo shqiptar si mundësi e ngjitjes dhe bashkimit
me perëndimin.
3. Shqiptarët duhet ta njohin Turqinë, Iranin a
Sirinë jo përmes mercenarëve në emër të fesë e serialeve turke por përmes
librit, studimit dhe autorëve sikurse Orhan Pamuk, Azis Nesimi, Jilmaz Gynejit,
Nuri Bilge Ceylanit etj.
4. Rusofilia dhe serbofilia mos të zëvendësohet
me turkofili.
5. Shtet laik e jo islamik.
6. Në fund z. Mehmetaj na përkujton se fijet e
përbashkëta që e përbëjnë kulturën dhe kombin shqiptar janë shumë më të forta
sesa dallimet fetare e të cilat shqiptarët kanë arritur si askush tjetër që t’i
zbusin këto dallime dhe të sjellin një tolerancë fetare që është bërë model e
shembull i mirë në Europë dhe botë, edhe pse shfaqen nganjëherë parulla kundër
kësaj tolerance e bashkëjetese ndërfetare, sikur këto: “myslimanët nuk falin”,
“kjo është tokë islame”, “kjo është tokë e
çliruar nga osmanët” etj.
7. Përmes dy pyetjeve që i shtron autori “si
shqiptarë a jemi rrënjëshkulur” dhe “largësi feje a afri kombi” janë përpjekje
që së paku të krijohet tek secili shqiptar një reflektim i domosdoshëm për
ripërtërirje, si shembull ta zamë kur imami boshnjak i Sanxhakut kërkon rrënjët
ilire (fq. 209).
Tani
sa i përket temës së dytë, shumë shkurt, lidhet me partinë politike të
LDK-s z. Mehmetaj vëren dy gjëra të
cilat nuk janë thënë kurrë ose nuk janë kuptuar deri më sot si duhet se çka po
ndodh në këtë parti e cila dikur ka qenë prijëse dhe sot është poshtnuar si jo
më keq:
1. Decidivisht, në faqen 116 thuhet se LDK
është rrotulluar nga parti properëndimore në parti islamiste. Dhe këtu vëren
autori, i cili është njëri nga bashkëthemeluesit e LDK, se disa krerë të kësaj
partie janë pjesë e “mafisë së Anadollit”.
2. Dhe për shkak të kësaj krerë e aktivistë të
LDK dhe të partive të tjera gjithsesi, lagje të tëra, apo gjithë të varfrit
kudo nëpër Kosovë, të cilët deri dje kishin luftuar, sakrifikuar e kontribuar
çdo gjë për lirinë e vendit, por sot të gjetur në skamje e që për politikanët
këta përbënin rrezikun për trazira sociale e politike me pasoja përmbytjen e
pushtetit dhe influencës së këtyre politikanëve, atëherë të varfërit i lanë
qëllimisht nën tutellën e organizatave islamiste. Andaj çka ka prodhuar tash
klasa politike kosovare është flirtimi ose aleancimi i politikanëve me imamë e
drejtues organizatash të tilla qoftë për vota qoftë për fonde. Dhe rezultati i
dytë, sipas autorit, sot nëse hynë nëpër disa lagje a nënlagje shqiptare të
disa qyteve a fshatrave të Kosovës nuk e di a je në qoshe diku të Sirisë,
Arabisë, Iranit e Turqisë apo në Kosovë.
3. Konkluza e z. Mehmetaj në këtë çështje është
se shoqëria kosovare ku ka ra kulturalisht është si pasojë se LDK ka ndërruar
kursin rugovian dhe po i shërben agjendave islamiste. Kjo mbetet sigurisht për
t’u parë, hetuar e dëshmuar pasi nuk është një fundrrinë.
Dhe
së fundi, meqë Ganiu është gazetar, ai ka disa fjalë edhe për gazetarinë
kosovare, duke e cilësuar atë në shumicën e rasteve për dembele pasi ajo nuk
troket gati në asnjë derë për informim por bazohet në deklaratat zyrtare dhe se
kjo gazetari bëhet nga zyrja e jo nga terreni, se nuk kemi gazetari hulumtuese;
se ne kemi gazetari qeveritare, partiake dhe gazetari e grupeve të interesit.
Mesazhi
final i librit “A din Zoti shqip” është se vetëm atëherë kur të fillojmë që të
mendojmë shqip, të ndjejmë shqip, të flasim shqip, të sillemi shqip për çdo
gjë, sikurse edhe është dëshmuar me përplot raste dikur dhe sot, do të
përparojmë.
Madje,
kur jemi këtu, edhe në vend të fjalës miratuese liturgjike a përmbaruese “amen”
ose “amin” mund të themi pse jo - Shqip!
Pastor Dr. Femi Cakolli
12 nëntor 2015 Prishtinë