Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Festa e Nënë Terezës
E enjte, 07.09.2023, 08:14 PM
Visar
Zhiti:
Edhe
këtë radhë mbërrita në Tiranë, në aeroportin “Nënë Tereza” në një datë festive,
5 Shtatori i Nënë Terezës, kur ajo para 7 vjetësh u shpall shenjtore… Dhe është
festë zyrtare në Shqipëri, ditë pushimi.
Në
aeroport brenda kishte rrëmujë të madhe, por asgjë prej feste, dhe jashtë
vargan veturash… Pasditja e vonë vezullonte vërtet.
-
Edhe këtë radhë asnjë dritë që të përkujtonte këtë festë, që është e të
gjithëve a një parrullë me emrin e saj, një portret… - po i thosha mikut tim që
kishte dalë të më priste. Por biseda jonë kishte përmallim, kishte Nënë Terezë…
Dhe
pyeta për shtatoren e re të saj në aeroport, desha ta shoh, por gjithë ky kaos,
të shtynte në të kundërt si me dallgë, ndërsa në të dalë, tek ajo që quhet me
një fjalë italiane “rotonda” e aeroportit, shtatorja e Nënë Terezës në muzgun
mbrëmësor dukej dëshpërimisht e vobektë, është vobektësia jonë shpirtërore, po
thosha me vete, s’kishte kurora me lule aty, as qirinj fare, as ndonjë
projektor, i drejtuar nga Shenjtja, por
begati pluhuri prapë, veç ky ar i padobishëm…
Miku
im e përshpejtoi makinën, unë s’bëra asnje foto, s’e ktheva kokën pas.
Mbërritën në shtëpinë time, miku im nuk
ndejti, kishte për të shkruar… e kishte premtuar, do bënte diçka për poezinë e
Dom Ndre Mjedës. Dhe më vetëtiu në kokë që Nënë Tereza, vajzë e re, i kishte
lexuar poezitë e tij, ia jepte vëllai i Domit, që ajo e kishte patur mësues.
Hapa
me ngut njërën nga valixhet, nxora një qiri që e kisha sjellë nga larg dhe e
ndeza pranë statuetës së Nënë Terezës në dhomën e librave dhe portretit të saj të
bardhë si mermeri në sallon. Festa shpesh është më e fuqishme brenda shpirtit
të njeriut, se sa me zhurma e fishekzjarre jashtë, po mendoja përsëri dhe
mjaftonin një përzemërsi, ja, si kjo e mikut tim. bisedat serioze dhe të
mençura si përherë, përkushtimi dhe është kaq i ri, këtu po ngulmoj, se kjo më
bën të besoj, që po vjen një brez i ri i virtyteve, nëse… dhe kjo është festa e
Nënë Terezës dhe s’jam i vetëm që po e festoj…