Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Personalitete që frymëzojnë

| E diele, 03.09.2023, 08:01 PM |


"Personalitete që frymëzojnë”

Mbahet në Fier veprimtari kushtuar Prof. Dr. Thanas Fureraj dhe Thoma Binjaku “Mësues i merituar”

Nga Entela Binjaku

Më 31 gusht 2023 në sallën e konferencave të Hotel "Fierit" u mbajt veprimtaria kulturore me titull: "Personalitete që frymëzojnë”. Ky takim i organizuar nga Fondacioni “Harriet Martineau” ju kushtua dy figurave të komunitetit arumun të qytetit të Fierit të ndarë nga jeta: Prof. Dr. Thanas Fureraj dhe Thoma Binjakut "Mësues i merituar". Për zhvillimin e veprimtarisë organizatorët kishin përzgjedhur qytetin e Fierit i njohur për praninë e rëndësishme të komunitetit arumun si dhe figurat e dr. Th. Furerajt dhe Th. Binjakut në shenjë respekti të kontributit si figura intelektuale dhe për ruajtjen e gjuhës, traditave, identitetit. Ky aktivitet u caktua pikërisht në Ditën e Gjuhës Rumune, ditë qe   festohet nga rumunët e kudondodhur në të gjithë botën. E mbajtur në këtë atmosferë kjo ditë përmblodhi emocione dhe vlerësime. Të pranishëm në takim ishin pjestarë të  komunitetit arumun, miq, bashkëpunëtorë të dy figurave të nderuara, studentë të institucioneve arsimore të Rumanisë, drejtues organizatash të shoqërisë civile etj. I pranishëm në takim ishte z. Adrian Dënçilë (Adrian Dancila), Konsulli i Rumanisë në vendin tonë. Në fjalën e saj përshëndetëse znj. Binjaku koordinatore e aktivitetit u shpreh mbi ndërrmarjen e kësaj nisme dhe synimin për ta kthyer atë në një aktivitet të përvitshëm, “Në nderim të figurave arumune që janë ndarë nga jeta, por që kanë lënë pas emer dhe kontribut të shquar në ruajtjen dhe përcjellen traditave arumune, kemi menduar të celim këtë cikël veprimtarish në këtë qytet dhe fillimisht me dy figura me ndikim të lartë në një shoqëri, sic është mjeku dhe arsimtari”, u shpreh ajo. Në fjalën drejtuar të pranishmëve konsulli i Rumanisë në vendin tonë z. Adrian Dënçilë shprehu falënderimin për ftesën në këtë aktivitet që organizohej në Ditën e Gjuhës rumune dhe njeherë mbeshtetjen që Rumania jep për arumunët në Shqipëri.  Z. Dënçilë theksoi programin e studimeve në institucionet universitare rumune, organizimin e kampeve verore për arumunët nga gjithë bota si dhe mbështetjen e aktiviteve të ndryshme edhe në Shqipëri”. “Rumania nuk i harron asnjëherë arumunët që jetojnë jashtë kufijve të saj”, u shpreh Konsulli i Rumanisë në Shqipëri.

Z. Elior Fureraj foli mbi figurën e Prof. Dr. Thanas Furerajt dhe rolin e tij në drejtim të mbështetjes njerëzore që ai zhvilloi gjatë gjithë jetës së tij.  z. Julis Binjaku që ju drejtua të pranishmëve në dialektin arumun, foli mbi kontributin e Thoma Binjakut në drejtim të ruajtjes së gjuhës dhe traditave arumune. Mesazhet përshëndetëse për këtë takim u përcollën nga z. Luci Keri, nga fshati Sqepur i Beratit i cili u shpreh mbi vecantinë e këtij fshati ku jetojnë familje arumune të lidhura fort me gjuhën dhe traditën si dhe dr. Asqeri  Llanaj nga Vlora. Ky i fundit në mesazhin e tij përcolli nderimin “për miqte e mij qe sot jane ne amshim. Vleren e takimit e shton prania e Konsullit. Lavdi figurave me kontribut shkencor e historik”!. Më pas u vijua me një diskutim të hapur me pjesëmarrësit dhe me fotot e rastit. Lidhur me këtë aktivitet z. Jani Gusho një ndër figurat kryesore të Shoqatës Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” për veprimtarinë mbi figurat arumune që nuk jetojnë u shpreh: “Të paharruar. Kujtimi i figurave, që nuk jetojnë, por që kanë dhënë kontribut për çështjen arumune, sidomos për mbajtjen gjallë të gjuhës, konsiderohet një detyrim dhe vlerësim për ta”.