Shtesë » Historia
Jusuf Buxhovi: Miqësia me SHBA-të filloi në prill 1990 në Uashington
E shtune, 02.09.2023, 07:57 PM
MIQËSIA ME SHBA-të FILLOI NË PRILL 1990 NË UASHINGTON
Nga
Jusuf Buxhovi
“Sot
u bënë 33 vite nga dita kur u lidhën nyjet e dy skajeve të litarit që lidhi
marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Më 29 gusht 1990,
senatori amerikan Robert Joseph Dole erdhi ta vizitonte Kosovën, duke u takuar
me një grup të gjerë përfaqësuesish politikë, aktivistësh të të drejtave të
njeriut dhe gazetarë.”
Kështu
thotë kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti, me rastin e kësaj vizite, duke ia
dhënë asaj verdiktin e një ngjarjeje historike.
Në
të vërtetë, vizita e senatorit amerikan Robert Dol në Kosovë paraqet një
ngjarje të rëndësisme, që ka ndikuar me të madhe proceset e mëtejshme të
angazhimit të SHBA-ve në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të Kosovës në
rrethanat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë deri te ndërhyrja ushtarke e NATO-s
në mars-qershor 1999 dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Por, fiksimi
te kjo datë dhe te kjo vizitë, anashkalon zhvillimet tjera që i kanë paraprirë
asaj, ndër të cilat gjithësesi si “nyje” paraqitet vizita e përfaqësuesve të
partive politike dhe të intelektualëve shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera të
Jugosllavisë, nga katër prilli deri më 22 prill të vitit 1990 në Uashington dhe
Nju Jork, kur në Këshillin e Senatit
Amerikan për të drejtat e Njeriut u
dhanë dëshmi nga dr Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së, Rexhep Qosja –
intelektual i pavarur si dhe Luljeta Pula- Beqiri. Gjatë asaj kohe
përfaqësuesit shqiptarë u pritën nga Robert Doli si dhe në Stejt Departament.
Me
këtë rast, duhet të theksohet fakti, se Robert Dol, pati një takim joformal me dr. Ibrahim Rugovës, kryetar i
LDK-së njëherësh kryesues i delegacionit të përfaqësuesve të Kosovës si dhe akademikun serb (autorit të
memorandumit të fundit të Akademisë së Shkencave Serbe) Dobrica Qosiqin.
Senatori Dol kërkoi nga Qosiqi dhe
Rugova qëndrime të prera si do të sillen në rrethanat e reja të pluralizmit
politik ndaj krizës së Jugosllavisë në
shpërthim dhe me raportet gjeostrategjike në rrethanat e procesit të rënies së
bipolariteti blokist pas rënies së Murit të Berlinit. Natyrisht se dr Rugova
paraqiti qëndrimin e tij se shqiptarët kërkojnë liri, demokraci dhe barazi
kushtetuese (subjekt i barabatë i
fedratës apo konfederatës së ardhshme
jugosllave), me çka do të mbështeten te Perëndimi dhe SHBA-të në veçanti.
Ndërsa, Dobrica Qosiq, përkundrazi shfaqi qëndrimin se Serbia do të përkrah
pluralizmin politik, por assesi nuk do të pranojë një konstalacion kur nga
koalicione të ndryshme (përmendi LDK-në si partinë më të madhe në vend),
qeveria mund të formohet nga jo serbët. Mbas kësaj, Robert Dol i tha
Qosiqit se me logjikën që pluralizmi të
kthehet në diktat serb, nuk do të ketë Jugosllavi. Ndërsa Rugovës, të cilin e
quajti përfasqësues legjitim të
shqiptarëve të Jugosllavisë, i tha se me një qëndrim të tillë fitonin
mbështetjen e SHBA-ve, që do t’i keni
pranë.
Pra,
nga pikëpamja historike, kjo është edhe nisma e asaj që merret “nyje” e
angazhimit të SHBA-ve me Kosovën dhe çështjen e saj, që si parakusht kishte një
subjekt legjitim - LDK-në, me partitë e vogla përreth, dhe një autoritet që
mbështetej mbi vullnetin e popullit - dr. Ibrahim Rugova kryetar i LDK-së e nga
1992 President i parë i Kosovës. Kjo do të dëshmohet edhe me vizitën e parë të
Tom Lentoshit bashkë me DioGuardin në Kosovë në maj të atij viti, kur në Selinë
e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës u prit nga dr. Rugova si dhe
përfaqësuesit e të gjitha partive politike, këshillit të të drejtave njerëzove,
e ku bënte pjesë edhe Adem Demaçi, me ç’rast Lentosh deklaroi se sjell
qëndrimin amerikan për përkrahjen e kursit për liri, demokraci dhe barazi pasi
që shqiptarët me LDK - në dhe spektrin tjetër politik, kanë plotësuar kushtin
esencial formal.
Vizita
e Robert Dolit e 29 gushtit, e nisur në Beogad dhe e përfunduar në Prishtinë,
gjithësesi se ishte në vazhdë të këtij qëndrimi, ku u konfirmua ajo që e tha
Tom Lentosh në selinë e LDK-së më 27 maj 1990.
Me
këtë rast, duhet thënë se roli i Ligës shqiptaro-amerikane në krye me DioGuardin
ishte tejet i madh, madje historik. Po ashtu, duhet theksuar se interesimi dhe
angazhimi i SHBA-ve për Kosovën, nuk ishte jashtë rrethanave (themelimit të
Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetor 1989) dhe rolit të presidentit
historik dr. Ibrahim Rugova, i cili ishte partner i këtij zhvillimi gjatë
gjithë kohës, si kryetar i LDK-së dhe si President i Kosovës ngas zgjedhja në
prill të vitit 1992 dhe në vitet në viji. Andaj, miqësia dhe angazhimi me
SHBA-të nuk mund të shihet jashtë faktorit Ligë Qytetare-Amerikane me në krye
JoeDioguardin e as pa rolin e Lidhjes
Demokratike të Kosovës si bartëse e lëvizjes kombëtare dhe të dr Ibrahim
Rugovës si lider historik i Kosovës.