| E premte, 01.09.2023, 07:59 PM |
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
HALIM
ORANA- PRIVILEGJ TË VDESËSH PËR VENDIN TËND (1914- u pushkatua në prill 1948)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetar
e intelektual i madh nga Gjilani, Halim Orana u lind më 1914 në Gjilan. Shkollën fillore e
kreu në vendlindja, ndërsa të Mesmen Normalen në Shkup. Ishte njëri ndër të rrallë intelektualë që në kohën e
Jugosllavisë monarkiste e kreu Shkollën Normale dhe karrierën e mësuesisë, ai e
filloi në shkollat me mësim në gjuhën serbe. Megjithatë, fshehtas nxënësve
shqiptarë, ai ua mësonte edhe gjuhën shqipe. Par luftës shërbeu mësues në
rrethin e Gjilanit, në Tankosiq, Kabash e mese të tjera. Gjatë L.D.B. u emërua
ambasador i shtetit shqiptar në shtetin
e pavarur kroat në Zagreb. Ishte në kontakt me Lëvizjen gjithë
myslimane dhe gjithë kroate për shkëputjen e Kosovës, Bosnjës e Kroacisë nga
shteti jugosllav i Beogradit. Qysh herët kishte fillua
të merrej me çështjet politike dhe me problemet që e rëndonin popullin
shqiptarë. Menjëherë pas
tradhtisë së madhe që iu bë Kosovës më 1945, angazhohej
në LNDSH. Ishte kryetar i Komitetit Qendror të NDSH-së, në Shkup. Më 1 qershor
me iniciativën e tij u thirr mbajtja e Kongresit të Katërt të NDSH-së që u
mbajt po në këtë qytet. Komiteti Qendror i LNDSH-së në Shkup u formua në prill të
vitit 1945 dhe veprimtarin e vet e zhvilloi edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Ky
Komitet pati jetë veprimi më të gjatë se KQ i LNDSH-së në Prizren, përkatësisht deri më
1946, kur edhe u zbulua veprimtaria e tij. Gjatë tërë kohës komiteti i Shkupit ishte shumë aktiv
ngase mbante lidhje edhe me përfaqësuesit e huaj në Shkup si me përfaqësitë
angleze, amerikane, franceze, turke etj. S’ka dyshim se rol me rëndësi të
veçantë në KQ të Shkupit patën Gjon Serreqi dhe gjilanasit si Halim Orana, Hamdi Berisha e Haki Sermaxhaj etj.
Nga
ky kongres doli një udhëheqësi e re e NDSH-së. Kryetar u zgjodh patrioti dhe
veprimtari i dalluar Halim Orana nga Gjilani, Qemajl Skenderi u zgjodh
zëvendës-kryetar dhe Azem Morana, sekretar i
organizatës, ndërsa anëtarë të KQ të NDSH-së u propozuan dhe u zgjodhën Hamdi
Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tershana. Kongresin e kishte
përshëndetur edhe Luan Gashi. Që kastile kishte
ardhur nga Perugji i Italisë dhe në atë kohë ishte sekretar i Komitetit të
Ballit Kombëtar. Kongresi gjatë punës që zhvilloi, miratoi një serë dokumentesh
që më vonë patën një rëndësi të madhe historike. Delegatët me aklamacion
miratuan “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave
Shqiptare”. Në kongres vlen të përmendim se mirënjohje e veçantë për punën dhe
hartimin e dokumenteve iu shpreh Halim Oranës, sepse pa angazhimin e tij puna e kongresit do të ishte më
e zbehtë dhe jo në nivelin e duhur.
Qysh
në fillim të vitit 1946, me gjithë angazhimin e forcave të mëdha ushtarake dhe
organeve të ndjekjes, me gjithë dhunën, vrasjet, burgosjet, aktiviteti
politiko-ushtarak i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave jo vetëm
që nuk u shua, por përkundrazi, vazhdoi luftën për lirimin e tokave shqiptare
në kushte të reja të riorganizimit. U zgjerua rrjeti organizativ i KQ të
ONDSH-së, në Shkup, me formimin e
komiteteve të reja në Kosovë e Maqedoni, duke u
shndërruar në lëvizje masive. Duhet cekur se edhe vet krerët e OZN-së u
detyruan të pranonin se atëbotë në kuadër të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare
antijugosllave, të udhëhequr nga KQ i ONDSH-së, vepronin mbi 30.000 mijë veta,
ushtar, ndihmëtarë e bashkëluftëtarë, pra anëtarë aktiv, të organizuar në 54
komitetet dhe njësi të shumta guerile në territoret shqiptare nën okupimin
jugosllav.
Qëndrimi ishte që të gjitha komitete nuk do të kenë
lidhje as me Zogun, as me Fan Nolin. Këto komitete do të jenë thjesht Nacional
Demokratike Shqiptare. Dhe, nga ky kongres doli kërkesa që sa më shpejt të
thirret dhe të organizohet mbajtja e kongresit të pestë e NDSH-së. i cili duhej
të mbahej në një vend ku mund të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha
krahinave shqiptare, me qëllim që të merret një vendim i përbashkët për një
kryengritje të përgjithshme shqiptare. Halim Orana përsëri do t’i mbante
lidhjet me jashtë përmes Zagrebit, kurse prof. Ymer
Berisha kishte vënë lidhje me misionarin anglez
në Tiranë, Hadson, përmes të cilit përpiqej ta bindë Anglinë për t’i ndihmuar
shqiptarët në rast të një kryengritje të përgjithshme. Me angazhimin e tij u formuan shumë komitete të NDSH-së në Maqedoni , po
ashtu edhe në Kosovë. Nga
viti 1945- 1947 në shënjestër të organeve të UDB-së ishin anëtarët e
organizatave ilegale, si asaj Nacional
Demokratike Shqiptare, anëtarët e Besës Kombëtare dhe të organizatave të tjera. Vlen të përmendet se gjatë viteve 1946 dhe
1947 vetëm në dhjetë vjetët e parë ishte numri më i madh i të burgosurve
politikë në Kosovë. Një fushatë tjetër arrestimesh ndërmerret gjatë viteve
1948-1953, gjatë kohës së informbyrosë, kur shqiptaret dënoheshin ama për çdo
gjë, por edhe si përkrahës të politikës së Shqipërisë dhe të Moskës zyrtare.
Politika
antishqiptare që u ndoq gjatë gjithë kohës nga krerët jugosllavë, forcoi
urrejtjen e popullit, mbajti ndezur zjarrin e luftës për liri e të drejta
politike dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Shqiptaret nën okupimin
jugosllav gjithnjë e më shumë u organizuan dhe u ngritën kundër padrejtësive
të shumta që u bëheshin në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike,
kulturore etj.
Rol të rëndësishëm në
këtë drejtim, që dhe është e logjikshme, ka luajtur elementi më përparimtar
dhe më demokratik: rinia dhe inteligjencia shqiptare, që zënë një vend të veçantë
në mbajtjen gjallë të patriotizmit të mirëfilltë në këto troje. Më 10 shkurt 1947
zbulohet veprimtaria e KQ të NDSH-së dhe e vet Halim Oranës nga organet e OZN-ës.
Halim Orana arrestohej në Zagreb për të dytën here. Pas një kohe u dërgua në Beograd, i
identifikuar tash si udhëheqësi kryesor i LNDSH-s. Pas arrestimit të Oranës,
OZN-a merr një fushat të madhe ndaj familjes Orana, duke përdorur të gjitha
llojet e presionit dhe të torturës ndaj familjarëve të tij. I burgos vëllain Xhelal Oranën, që ishte nxënës i gjimnazit në
Prishtinë, të cilin më vonë e lirojnë, por më kaq nuk merr fund presioni ndaj
tyre. Pas një kohe, të dy vëllezërit (Xhelalin e Nexhatin ) i përjashtojnë nga
gjimnazi i Prishtinës. Familjarët e Halimit malltretoheshin, edhe pse nuk
kishin asnjë informatë se ku gjendej vëllai i tyre.
Një
numër i konsideruar i të dënuarve politikë shqiptarë u ndëshkuan jashtë
Kosove, respektivisht në gjykata të ndryshme anekënd Jugosllavisë menjëherë
pas mbarimit të luftës, kur edhe merret qëndrim shtetëror për asgjësimin dhe
burgosjen e elementit “armiqësor”. Janë të njohura proceset gjyqësore që u
organizuan në Shkup kundër anëtarëve të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare,
(Procesi i Azem Idriz Moranës me shokë), me ç ‘rast u shqiptuan dënime me
shumë vite burgimi dhe me pushkatim. Katër veta u dënuan me pushkatim, ndërsa
15 të tjerë me nga 2 deri 20 vjet burgim të rëndë. Raste të ngjashme pati në Gjilan ku
para trupit gjykues dolën hiq më pak se 37 veta, nga të cilët 32 veta u
dënuan si “fajtor” dhe 5 veta nga këta u lëshuan nga burgu si të pafajshëm. Një
nga këta u dënua me pushkatim-Hamdi Berisha, ndërsa për 31 veta u shqiptuan 427
vjet burg. Me të madhe ndaj të arrestuarve të këtij grupi gjatë hetuesisë
kërkohej të tregonin çfarë dinin për Halim Oranën.
Shtypi i Beogradit për të dezinformonte
opinionin për Halim Oranën, trumbetonte se ai kishte ikur jashtë Jugosllavisë.
Pas disa muajve, fati e deshi që njëri nga të burgosurit shqiptar që ishte në
burgun e Beogradit, kupton se në këtë burg ndodhej Halim Orana. Ai duke e ditur
për dezinformatat që qarkullonin, iu shkruan një letër familjarëve të Oranës
dhe nëpër mes të familjarëve të vet iu dërgon në Gjilan. Rrezik i madh ishte
ndërmarrja e të burgosurit për informimin e familjarëve, por duke e ditur rolin
dhe rendësin e veprimtarisë së Halim Oranës, ai e merr edhe këtë rrezik. Në
letër iu shkruante se Halim Orana është në burgun ushtarak të Beogradit i
quajtur “Centrallni zatvor”, rr. “Deligradska”, nr. 40. Pas kësaj
informate, familjarët e vizitojnë disa herë Halimin në burgun e Beogradit.
Një ditë të kobshme kur familjarët shkojnë
për ta vizituar, gardiani në hyrje iu thotë se Halim Orana është pushkatuar.
Ishte muaji prill, i vitit 1948. Familjarët mbetën të shtangun. Kërkuan kufomën
e tij, por nuk iu dhanë duke iu thënë se është e ndaluar me ligjet e
Jugosllavisë. Llogaritej se në kohën kur u pushkatua, Halimi i kishte vetëm 33
vjet. Data e saktë e ekzekutimit me pushkatimit nuk dihet. Por një gjë është e
sigurt se pas burgosjes
dhe me procedurë të shpejt dënohet me vdekje me ç ‘rast edhe pushkatohet në
burgun ushtarak në Beograd. Halim Orana u pushkatua ngase kurrë nuk u pajtua me
robërinë, ai u angazhua pa kursyer asgjë vetëm e vetëm që një ditë Kosova e
tokat shqiptare të jenë të lira dhe të jetë aty , ku e kishte vendin. Dhe krejt
në fund, mund të themi, se Halim Orana me shokët e idealet,
me guximin dhe luftën e pa kompromis që zhvilloi nëpër vite, i trandi në mënyrë
të furishme organet e ndjekjes që vepronin në Kosovë por edhe të ish-
Jugosllavisë. Andaj lufta me okupatorin, i siguroi edhe një vdekje prej
heroi, ashtu edhe siç iu kishte hije patriotëve.