| E marte, 29.08.2023, 07:58 PM |
FORUMI STRATEGJIK I BLEDIT, 2023 “Solidariteti për sigurinë globale”
PO
SOLIDARITETI I BOTËS PAN-SHQIPTARE?
Nga
Frank Shkreli
Forumi
Strategjik i Bledit, Slloveni, (28-29, 2023) është një platformë globale për
shkoqitur ide të reja dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet më të
fundit në shoqërinë moderne, në të cilën jetojmë, por dhe për të ardhmen e
shoqërive të përfaqësuara. Është një forum që synon gjithëpërfshirjen dhe
paraqitjen e pikëpamjeve të ndryshme të zyrtarëve të lartë nga vendet e Evropës
Qendrore dhe Jug-Lindore, por edhe të grupeve, personave dhe enteve të ndryshme
evropiane dhe globale, të interesuara për zhvillimet në këtë rajon të Evropës.
Në
parim -- Forumi Strategjik i Bledit, një projekt ndër-qeveitar i Republikës së
Sllovenisë – është një ide e mirë. Kush mund të jetë kundër shkëmbimit të lirë
të mendimeve, ideve, parimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme, për të tashmen dhe
të ardhmen e shteteve të asaj pjese të Evropës. Vlera e dialogut, liria e
shkëmbimit të mendimeve në forume të tilla, është gjithmonë shumë më mirë, në
çdo rast, në krahasim me konfliktet, mosmarrveshjet dhe luftën.
Pjesëmarrja
e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit të Republikës së
Kosovës dhe Kryeministrit (në largim) i Malit të Zi – tre kryeministra
shqiptarë në një takim të nivelit ndërkombëtar – me thënë të drejtën më bën
krenar, aty për aty, dhe për një moment, por pak pasi e marrë veten dhe mendoj
se si, aktualisht, shkojnë punët midis këtyre tre kryeministrave shqiptarë dhe,
rrjedhimisht, në botën panshqiptare në Ballkanin Perëndimor – krenaria ime
këthehet shumë shpejt në zhgënjim. Kjo, kur merret parasysh realiteti I
mungesës së komunkimit normal që do duhej të ekzistonte gjithmonë midis
përfaqsuesve të lartë shqiptarë dhe si rrjedhim edhe lidhjeve dhe komunikimeve
ndër-shqiptare në përgjithësi – anë e mbanë trojeve shqiptare
Ndërkohë
që në Bled të Sllovenisë po diskutohej, në nivel ndërkombëtar, për një,
“solidaritet të sigurisë globale”, gjëndja aktuale politike, sidomos ajo midis
Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, midis dy
shteteve shqiptare –Shqipërisë dhe Kosovës -- na detyron të bëjmë pyetjen: Po
për një bashkim e solidaritetsolidarizim të vërtetë të interesave
ndër-shqiptare, mbarë-kombëtare, kur do të flitet?! Kur do mbahet një forum i
tillë si i Bledit, në Tiranë ose Prishtinë, me një përfaqësi të gjërë dhe pa
dallim, për të biseduar interesat panshqiptare, afat shkurtëa dhe afat-gjata të
Kombit?!
Kishim
menduar, siç duket, gabimisht, se me shembjen e Murit të Berlinit, pas tiranisë
komuniste sllavo-aziatike-enveriste dhe me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës,
“gjaku i shprishur i shpiptarit”, do të gjente më në fund, paqe, solidaritet,
vëllazërim. Se me një grup të ri politikanësh të shekullit XXI, bota
panshqiptare, do të largohej njëherë e mirë nga ajo histori ogurzezë e
shekullit të kaluar dhe se do të zente karrigën në rradhën e vendeve
euro-atlantike, duke harmonizuar vlerat kombëtare të përbashkëta dhe me vetdije
të thellë për një ndryshim thelbësor dhe historik për botën pan-shqiptare të
shekullit të ri XXI.
Për
fat të keq, një anarki ideshë të gabuara po ua përshtjellon dhe trubullon,
tmersisht, shpirëtrat shqiptarëve, kudo që jemi. Kryeministrat shqiptarë dhe
politika pan-shqiptare, në përgjithësi dhe e të gjitha ngjyrave pa dallim, kanë
përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në politikën aktuale mbarë
shqiptare. Ka ardhur koha për një
solidaritet më të madh ndër-shqiptar, para se të jetë vonë, të ulur të gjithë,
për të biseduar dhe për të shkëmbyer ide e mendime – rreth një sofre – për të
fuqizuar botën pan-shqiptare, nepërmjet dialogut dhe solidaritetit me të gjithë
dhe për të gjithë, për të zhdukur njëherë e mirë të gjitha pengesat historike
dhe gjeografike, midis shqiptarëve.
Këtë
gjë mund ta bëjnë vetëm shqiptarët për veten e tyre, në solidaritet, bashkim
dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, për një të ardhme më të mirë të brezave të
rinjë të shqiptarëve.
Presidenti
i Këshillit të Evropës, Charles Michael tha në fjalën e tij, në hapje të
Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, se bashkimi është, “thelbi i fuqisë
së Bashkimit Evropian”. Le të shpresojmë
që ky të jetë edhe mesazhi që do të sjellin me vete kryeministrat shqiptarë nga
takimi rajonal në Bled të Sllovenisë: se solidariteti dhe bashkimi
ndër-shqiptar është gurthemeli i të gjitha arritjeve. Kjo është e vetmja
mundësi për të ndërtuar një botë më të mirë dhe më të begatë pan-shqiptare në
Ballkanin Perëndimor, në vëllazërim me vetveten, me njëri tjetrin dhe në paqe
me të tjerët.
Kryeministri
i Shqipërisë, Z. Edi Rama tha në Forumin e Bledit, ndoshta me të drejtë, se
ndjehet “tragjikisht optimist”, për mundësitë e antarësimit të Shqipërisë në
Bashkimin Evropian. Edhe unë e ndjejë veten, tragjikisht optimist, se
politikanët aktualë shqiptarë të botës pan-shqiptare do të sjellin nga Bledi
mesazhin e bashkimit dhe solidaritetit ndërshqiptar.
Ndryshimi
është se Z. Rama mund të bëjë diçka për të kontribuar drejt këtij objektivi
mbarë-shqiptar, drejt një solidratiteti e bashkrendimi mendimesh e idesh –
ashtu siç mund të bëjë edhe Z. Kurti e të tjerë -- po të duan. Për fat të keq,
unë, si shumë shqiptarë në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare e ndjejmë
veten të zhgënjyer dhe të hutuar përball realitetit të mos-komunikimit dhe të
mos bashkrendimit politik panshqiptar, sidomos sa i përket mbrojtjes së të
drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, por
dhe sigurisë rajonale.