| E diele, 27.08.2023, 07:54 PM |
MOTE
TË LARGËTA
Nga
Mihal Gjergji
Kam
mbledhur një grusht kujtimesh, të cilat kanë lënë gjurmë nëpër kohë. Thinjesh
dhe e ndjen që po kthehesh te fëmijëria, ke dëshirë t’i zgjosh historitë e
përgjumura, fjalët e pathëna të marrin jetë. Nga rrëfimet e moshatarëve kam
dëgjuar se Gusmari i Kurveleshit kishte tri mëhallë; Dukgjin, Reçpalaj dhe
Pargjin, ose thënë ndryshe, Duka i Gjinit, Reçi i Palit dhe Parua i Gjinit. Nuk
dihet saktësisht lidhja e tyre me Gusmon, ndoshta ka qënë gjyshi i tyre. Po nga
kishin ardhur këta njerëz dhe pse ishin vendosur pikërisht këtu? Një historian
nga Kroacia, profesor në universitetin e Zagrebit, me të cilin kishim të
njëjtin mbiemër, mëtonte të më bindëte dhe bënte be e rrufe që i përkisnim të
njëjtës principatë, e cila në periudhën e Bizantit hyri në një konflikt të
përgjakshëm me një tjetër principatë të fuqishme në veriun e Dalmacisë, mandej
u detyrua të largohej nga teritoret që zotëronte dhe të shpërndahej në Ballkan
dhe disa vende evropiane. Ka shumë të ngjarë që banorët e hershëm të Gusmarit
të kenë ardhur nga veriu i Arbërisë, fillimisht për tu strehuar. Dikur kam
pyetur një gjuhëtar për një toponim të çuditshëm, Rroçkullare (jo Rrotullare,
apo rrotull arës). Është një strehë shkëmbi në fundin e malit të Kanatait. Dhe
përgjigja që mora më befasoi. -Tregon fuqinë mashkullore më tha
bashkëbiseduesi. -Të kujt?- e ngava bisedën më tej. -Të kreut të fisit, të
kryeplakut të mëhallës, të prijësit të komunitetit…Gjithsesi, çdo fshat ka
mbetur në gjykimin e të tjerëve, e kryesisht të të huajve, vizitorëve apo kalimtarëve.
Autori Halo Malaj, mësues prej disa vitesh në këtë fshat, në një kushtim poetik
e quan Gusmarin “Fshati me ngjyrë”. Ka një të vërtetë në këtë cilësim. Në vitin
1492, shumë fise hebreje, të detyruar nga dhuna e të përzënë nga vendet ku
jetonin, zbarkuan në brigjet e Adriatikut. U vendosën edhe në Vllua të Gusmarit
rreth 25 familje. Kohë më vonë, tre prej fiseve mbetën aty, Banaj, Çelaj dhe
Gjokaj. Në lashtësi flitet për 12 fise hebreje, shumica e të cilëve me ngjyrë,
ndoshta jo ata të Kazarisë. Por kjo është e parëndësishme, sepse etnia,
kombësia dhe feja jehude janë shumë të ndërlidhura. Ata kanë librin e tyre të
shenjtë e tepër të fshehtë. Të vijojmë me gjykimet e të tjerëve për Gusmarin.
Kuçiotët që s’dinë ç’të bëjnë me ujin e Lëpushës, e quajnë Gusmarin fshat
kseriko, sepse burimet e ujit i ka të kursyera. Në rregjistrat osmanë e gjejmë
me emërin Gjysmar, ndoshta ngaqë i ngjanë një are të ndarë në mes nga rruga ku
ecnin këmbësorët dhe karvanet e kuajve, historikisht N/Prefekturë në varësinë e
Prefekturës Gjirokastër. Një plak i mënçur i këtij vendi, në një moment
zhgënjimi a nervozizmi e quajti vendlindjen e tij, “Fshati thjatro”…Një zotëri
nga qyteti i Shkodrës, rastisi të ndalonte te pijetorja e fshatit. Ishin orët e
para të mëngjesit. Përparësja që i afroi kafen teshtiu sipër filxhanit. Paska
mbetur një varr i hapur, mërmëriti qytetari, pastaj pagoi lekët, por s’e lagu
buzën. Në ikje shikonte njerëz me ngjyrë që nxitonin për t’u futur brenda
lokalit. Kur mbriti në fshatin tjetër e quajti Gusmarin jataku i evgjitëve.
Ndërsa unë e kam quajtur Rripi i Gazës. Dhe e dini pse? Atje frynin të gjitha
erërat, atje përplaseshin izraelitë dhe filistinë, bëheshin gjykime kolektive
dhe merreshin vendime të frikshme. Ishte si një stacion tranzit me orare të
kushtëzuara. Deri në vitin ‘45 në kuvende flisnin thinjat dhe mënçuria e
burrave të bardhë, paskëtaj ata heshtën dhe vendin e tyre e zuri pushteti
politik, të quajturit përfaqësues të popullit. Së pari më duhet të flas për
njerëzit, pastaj për natyrën. Ky fshat i ka të gjitha me “shumë”; njerëz shumë
punëtorë, shumë pijetarë, qejflinj të këngës e të valles dhe shumë bujarë. Dhe
më të çmuarën pasuri ka vajzat, nuset dhe nënat. Të gjitha të mrekullueshme e
duararta, të lera dhe të blera. Sigurisht që këta njerëz përbënin shumicën, por
mos harroni që shtëpia ka dhe qilarin ku futen gjëra të veçanta, ka dhe vendin
ku kryhen nevojat. Ndaj duhet ta themi se kishte dhe njerëz të mbarsur me
urrejtje, intrigantë e ngatërrestarë. Të shumtë ishin dhe spiunët, pa harruar
vrasësit e pabesë. Cdo ditë i kishim nëpër këmbë. Aty ka ndodhur që miku të
vritet në shtëpi, në kundërshtim me traditën shqiptare. Një burrë nga Progonati
e ftuan brenda, e mbytën në emër të hakmarrjes, pastaj e hodhën te Sterra e
Trëndafilit. Mbretëria shqiptare i burgosi, por ndodhi që Mbreti të vishte
këpucët në udhën e mërgimit dhe burgjet u hapën. Vrasësit shpëtuan pa u hyrë
asnjë gjemb në këmbë. Faji u bë qyrk me gëzof, por s’e veshën as Gorajt, as
Gumenajt dhe as Bockajt. E megjithatë, Zoti që mban shënim çdo frymëmarrje
tonën, i ndëshkoi në një tjetër mënyrë, të ngadaltë por të hidhur. Emërtimet e
vendeve apo toponimet, fshehin në vetvete një pjesë të historisë së panjohur.
Gusmari ka shuma qafa; Qafa e Qarrit, Qafa e Gomarthes, Qafa e Mihait, atje ku
Elmazia, motra e Xheladinit doli për të marrë hakën e babait të saj, Qafa e
Blacës, Qafa e Kalibaqit, Qafa e Sërës apo e zotërisë(!), e shumë të tjera. Po
kështu janë edhe trapet (jo lundrat); Trapi i Arushës, Trapi i Syskës, Trapi i
Gjergje, Trapi i Nele, etj. Shumë fise s’i kam njohur. S’i kam arritur
Maçulajt, Gjostojajt, Qesarajt, Fushajt, Vezelajt, Ormënajt, Groshajt, Dinajt,
Mërkurajt, Horjetajt, por gjurmët e tyre kanë mbetur diku. Atje është Bregu i
Maçule, Lëmi i Leke, Korija e Duke, Protopapa me arat e Gumene, Sinonreja,
Vështi i Cike, Korija e Gjoke, Korija e Bane, Hilakuqja, Zagaret e Tahire, Lugu
i Janushit, Shkoza e Çele, Kroi i Sheqeres, Munushtiri e kështu me radhë. Aq sa
të afërt me njëri-tjetrin, aq dhe të ndryshëm janë fshatrat e Kurveleshit.
Fshat e zanat, derë e tarbjat. Mote të largëta, një çoban nga Gusmari i hoqi
shaminë një gruaje nga Nivica. Përzuri bagëtitë që niviciotja kishte futur në
Greshicë dhe ndodhi ajo që s’pritej. Gruaja reagoi forcërisht. Në bazë të
Kanunit të Labërisë duhet të mblidhej pleqsia e fshatrave dhe të vendoste
dënimin e burrit, që nënkuptonte vrasjen publike. Ishte cënuar nderi i një
gruaje dhe një fshati. Nivica ishte fshat i madh e megjithatë nxitoi të bënte
aleancë me Kucin. Pleqsia e Gusmarit mori 7 deshë me vete dhe shkoi në Zhulat.
Ishte ditë e premte. Mishrat u poqën në hell dhe parësia mori vendimin.
Zhulatit ju bënë 7 mëhallë, tok me Gusmarin që e pranoi rishtas dhe e mori nën
mbrojtje…Tashmë këto kanë mbetur kujtime të largëta që s’peshohen në kandarin e
kësaj kohe që jetojmë. Unë kam mbajtur ditar qysh në klasë të pestë dhe ndodh
të bëhem kurreshtar e të kërkoj rrënjët e mia, për të cilat kam hedhur shënime
të detajuara. Janë të shumta ato që më bashkojnë me niviciotët dhe të pakta
gjërat që më ndajnë. Gjyshi im nga babai, Skëndo Gjergjit, ishte i biri i Bajos
dhe Salihesë, bijë në fisin Lilaj të Nivicës. Edhe gruaja e Skëndos (gjyshja
ime), Hajria, ishte bijë nga Nivica, vajza e Murat Zogaj dhe e Sulltanës.
Ndërsa gjyshja ime nga nëna, Trëndafilja, gjithashtu nga Nivica, ishte vajza e
Balil Bushit dhe Vikos. Vikua ishte motra e Balilit të Xhixhisë që i këndohet
kënga. Lidhjet miqësore të familjes tonë me gusmariotët janë krejt ndryshe. Me
shumë familje ishim të ndarë nga një zjarr dhe na bashkonin gëzimet apo hallet.
P.sh, kujtoj Tahirajt. Mëma e Ahmet Tahirit dhe Skëndo Gjergjit ishin motra,
bija nga Lilajt. Edhe me Banajt shikoj lidhjet e dikurshme të mbetura në
harresë. Xhafo Bana, i biri i Magripit, kishte nënë Fato Tahirin, kushërirën e
parë të Skëndo Gjergjit. Enët komunikuese të gjakut funksiononin dikur, por jo
sot. Një fenomen i cuditshëm vazhdon të më lëndojë sa herë që mundohem ta
fshijë nga kujtesa, por ja që s’mundem.
Më ka ndodhur me njerëzit e mi shumë të afërt, të cilët m'i shkruanin në cdo
fletë biografie për 25 vite me radhë. Tashmë kanë heshtur, janë bërë të largët
dhe të akullt. E kanë harruar mirësinë e prindërve të mi, të cilët afronin
dashuri dhe përkujdesje, madje guxojnë t’u lëndojnë dhe eshtrat. Edhe unë kam
humbur shumë kohë me ta dhe pas tyre. Tashmë krekosen dhe i bien gjoksit. Kot
lodhen, kot shpenzojnë sapunë aromatikë, zgjyra e tyre s’mund të lahet, as
njolla e turpit. Rri e mendohem. Mos vallë e kanë merituar përdhunën e djeshme
të shtetit, shpërfilljen, varfërinë? Ndoshta! Po të kishin virtyte, do kishin
pak mirësi, sepse virtyti qëndroj më lart se drejtësia. Kam njohur mjerimin e
shumë njerëzve të tjerë, të cilët i kanë harruar sapllakët me dhallë dhe
grushtet me miell. Mosmirënjohja është sëmundje e rëndë dhe është bërë masive. Tashmë Gusmari është braktisur nga banorët
dhe nga shteti, ka mbetur si Hundecova (“Hundecova kasaba/ pesë burra, gjashtë
gra”). Dhe s’dihet se kur do ti këndohet kënga.
Tiranë,
Gusht 2023.