| E marte, 22.08.2023, 07:56 PM |
Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa e XII.
PSE VETEM SHKODRA?!
VRITET 17
VJEçARI
STUDENTI
BARDHOSH DANI
18 GUSHT 1948
CILA ISHTE
DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të
QYTETIT Të SHKODRES, PREJ 1946
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E EMNAVE Të RINISë SHKODRANE
ANTIKOMUNISTE.
Kanë kalue 75 vjet dhe shelqet
e bregut të lumit Buna vazhdojnë me lotue!...
Ata nuk janë shelqe lotuese!
Janë shelqe që kanë bijtë siduket atëherë, kur padronët e Evropës aty menduene
me cungue kufinin tonë shtetnor. Kalimtarët aty mbrekullohën nga bukuria natyrore
e atyne krahinave, që për 60 vjet thirreshin “zona kufitare”. Qellimi i këtij
shkrimi nuk ka të bajë me studimin e prejardhjes në Shqipni të këtyne shelqeve
që të shoqnojnë përgjatë bregut të Bunës, por kujtimet e mija lidhën me rrajtë
e këtyne pemve, me stomijet ku ato janë të vëndosuna, me hijet e bukura të
degve të tyne, me zallishtat dhe ranishtat e bregut të lumit që janë aq të
kandshme për synin e njeriut, të kombinueme me një ngjyrë aq të ambël për synin
vrojtues prej mrinave e kaçubave të ferrave që dukën sikur t’ishin çerdhe
trumcakësh, babilash e gjithfarë zogjësh edhe ata...shtegtarë! Degët e tyne të
rame në një krah përshëndesin kalimtarët me lundrat e tyne shekullore, të
latueme me aq mjeshtri nga vetë fshatarët e atyne katundëve që kanë zanë vend
aty njëheresh me shkruesit e lashtë të historisë sonë. Dëshmi e kohës së tyne
asht edhe Kisha e Shirqit. E pashë njëherë të zhytun rreth gjysëm metri në
ujnat përmytës të Bunës. Kur lumi Buna fryhet nga ujnat e liqenit të Shkodres
dhe derdhjet e mëdha të Drinit, era e pamëshirshme e shirokut i zenë gryken mu
në derdhje të saj në Detin Adriatik dhe, sikur, ta kishin ba me marrveshje të
tri palët shpërthejnë mbi fshatrat përrreth tue i ba si t’ishin plaçkë e
bombardueme lufte...
Në verë aty natyra me shijen e
saj artistike ka kompozue një kuader të plotë pikture. Pikërisht, në këte vepër
arti, mu në një kthesë të Bunës në fshatin Samrishë, në Gushtin e vitit 1948 u
ngrit një monument i pavdekshëm i Rinisë Shkodrane...mbi një grumbull dheu
përzi me ranë, nën hijën e disa shelqeve që vazhdojnë edhe sot me lotue...
Aty janë vra pabesisht Bardhosh
Dani, Mark Triepshi (Cacaj) dhe Brahim Derguti!
Tre djelm të rinjë, studenta të
Gjimnazit “29 Nandori” të Shkodres, në përpjekje me disa forca të mbrojtjes së
kufinit në bashpunim me sigurimin e shtetit, të cilët ato ditë ma shumë se kurr kontrollonin atë zonë kufini,
sëpse u deklarue se qeveria komuniste e Tiranës ishte prishë me “miqtë” jugosllav. U hap fjala ndër ata
fshatra se janë vra tre studenta nga qyteti i Shkodres. E pata pa me sy atë
vend si fëmijë.., ku, mbas pak ditësh daja i em prift Don Kolec Prennushi, pat
shkue gjoja tek një i sëmurë i famullisë së tij, që banonte në Samrishë dhe e
pat Bekue Vendin ku ishin varrosë Ata tre Heronjë! Flitej se dy janë vra në
breg të Bunës, ndërsa, i treti asht coptue nga një motoskaf, trupi i të cilit
asht këthye nga disa roje kufini jugosllave dhe, mandej, të tre janë varrosë
nën shelqe e ma vonë nga familjet e tyne. Sigurisht, përshtypja e Atij vendi më
ka mbetë e përjetëshme.
Nga bashkohësit ka pak shkrime
edhe ata shumë të përcipta. Aktiviteti i Tyne asht vërtetë fillestar por, jo, i
papërfillshëm që me mbetë në pak rreshta. Mbas mbylljes së shkollave të
Françeskanve dhe të Jezuitve në Shkoder, pothuej të gjithë studentat shkuen me
vazhdue shkollën e mesme në Gjimnazin e Shtetit, që iu pat vue emni “29
Nandori”. Ky Gjimnaz njihët si vatër kulture që në thëmelimin e tij në vitin
1922, me drejtorët e parë Luigj Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda
etj. që mbyllën jetën Martirë të Atdheut, por jo ma pak edhe qendër e
përpjekjeve të vetë rinisë shkodrane për liri dhe demokraci. Në atë Gjimnaz
gjithnjë janë kenë të pashueme shkëndijat e luftës kundër okupatorve që shkelën
pa mëshirë Atdheun tonë. Me okupacionin sllavo komunist sigurisht nuk u pajtue
asnjëherë rinia përparimtare e Shkodres, kështu, vetvetiu zjarri që vlonte në gjiun
e inteligjencës dhe Atdhetarve shumë shpejtë përfshiu edhe studentat e
Gjimnazit, të cilët pa pikë frike filluen me shkrue ndër mure thirrjet e Tyne
për organizim të luftës së përbashkët kundër pushtueve të rinj të Atdheut të
shkatrruem nga Lufta e Dytë Botnore. Fillimisht hapat e para u hodhën në fushat
sportive të futbollit, tek Kisha Kathedrale, Ara e Pashës, Fusha e tigrit në
Parrucë dhe kudo që rinia mund të mblidhej me një shkak pa ra në sy për
qellimin e vërtetë.
Takimet në këto fusha sporti sollën
edhe lidhjet miqësore të cilat pasuen studentët e të gjitha shkollave tashma të
unifikueme, por edhe ringjallën ndjenjat e pashueme të besës mbi të cilat do të
triumfonte Ideali i përbashkët, tue krijue Organizatën Antikomuniste të
Gjimnazit Shkodres “Përpjekja Shqiptare”,
me drejtues Bardhosh Danin. Kjo Organizatë për disa kohë mëshefej nën
petkun sportiv të futbollit, shoqatë e cila drejtohej nga Xhevat Gjyrezi dhe
nënkryetar Bert Çoba. Shumë shpejtë grupit të parë ku bante pjesë Xhevati,
Berti, Lec Vasija, Bardhosh Dani, Mark Triepshi, Ferit Myftia, Simon Deda, Beqo
Seknej, Bardh Shiroka, Alfons Radovani, Nexhip Osmani, Injac Kujxhija, Hilmi
Hoxha, Augustin Dema, Henrrik Kraja, Zef Gjon Marku, Kol Gjoni etj., që ishte
kryesisht grupi i studentave të shkollës së Jezuitve dhe, që, quhej Shoqnia
“Besa”, iu afrue edhe një pjesë me të vërtetë e zgjedhun e disa familjeve të
tjera të qytetit nga lagjët Muslimane si: Xhabir Hoti, Medin Shpuza, Bib
Smajli, Fetah Myrto, Ali Komi, Nuh Vajushi, Haki Tuzi, etj,, si edhe shumë të
tjerë që banonin në lagjet Dudas e Ndocaj.
Të gjithë së bashku në fillim
të vitit 1947, u betuen me luftue me të gjitha format ma sekrete kundër
pushtuesve sllavo komunist.
Survejimi i këtij grupi filloi
nga spijunët Isa Miloti, Faik Zeneli dhe Xhemal Dini. Në të 17 –tën vjetë të
jetës ishte Kryetari i Organizatës “Përpjekja Shqiptare”, djali trim Shkodranë Bardhosh Dani, i vetmi djalë i Atij
konaku Burrash që i fali Thëmelëve të “Rozafës” një Gurë aq të çmueshëm e të
daltuem me të gjitha virtytet e traditat e Besës dhe të Bujarisë së Trojeve
tona Shqiptare. Djalë me të gjitha aftësitë drejtuese dhe organizative që
pjekunia e Tij nuk i përpiqte fare me moshën e re. Elokuent dhe i çiltër si
ujët e bjeshkve që buron bash si t’ishte ndër lugjet ma të thepisuna e të
pakapërcyeshme prej njeriut.
Aty ku zogjtë fluturojnë me
frikë nga shpendët grabitçarë, bash Aty Bardhoshi kishte “çerdhën” e Tij, prej
ku drejtonte Atë Rini, që do të bante vdekjen si me lé për dashninë ndaj
Atdheut!
Bardhoshi jo vetëm që
shkelqente në mësime po, Ai ishte aq komunikues dhe i afërt me të gjithë shokët
dhe shoqet e shkollës, sa kenja e Tij si kryetar i Asaj Organizate ishte aq e
natyrshme sa deri vonë Ata pak anëtar që kam njohtë, nuk përcaktonin kurr
besimin e Tij fetar, sëpse unitetit dhe bashpunimi ishte aq i fortë sa kjo nuk
binte në sy fare nga ana e palës tjetët Katolike. Duhet theksue fort se një
marrveshje dhe moskenje e ma të vogles së asaj që thirrët “shkëndi” e vogël
fanatizmi ka vazhdue edhe ma vonë me brezin tonë dhe, këte e vërteton miqësia
dhe dashnia që asht ruejtë edhe sot mes nesh që nga ajo kohë kur na ishim
studenta ndër gjimnaze dhe në pedagogjike të Shkodres. Nuk duhet harrue se në
Atë Organizatë kishte në korrikun e 1948 – 49 rreth 120 anëtarë dhe mbrenda
kësaj shifre ishin ma shumë se 35 vajza edhe këta nga të dy besimet, prej të
cilave kujtoj: Bela (Gjystina) Kapidani, Çiljeta (Çita) Simoni, Albina Marashi,
Terezina Dajçi, Zana Kraja, Gjina Dajçi, Motrat Pipa, Rregjina Kola, Lali Glasovi, Linda Boriçi, Ana Daja, Roza
Harapi etj. të cilat shumica u përjashtuen nga të gjitha shkollat e Shqipnisë
me motivacionin se, “nuk pajtohen me frymen e re të shkollës sonë”, të
nënshkruem nga amorali spijun i sigurimit të shtetit dhe ish hetues i vitëve
1945 në qytetin e Korçës, arroganti Skender Villa, pasues besnik i Nesti
Havjarit, Dhori Samsurir, Fadil Hoxhës etj. të njohtun si përsekutor komunist
dhe spijun.
Nga këto vajza disa vuejtën
edhe me vite të tana të rinisë ndër burgje.
Sigurimi i shtetit i forcoi
pozitat e veta në Gjimnazin e Shkodres, me mjaft nga ata vagabondë e rrebel të
sjellun nga “llomi” i Shqipnisë së Jugut, të cilët i kanë shërbye deri sa u
plakën dhe u matufosën sherbëtorë të PPSH dhe të Sigurimit komunist. Disa nga
këta i kujtoj edhe unë si: Nasho Jorgaqi, Koço Opari, Peço Fidhi, Alfred Uçi,
Anesti Boçka, Haxhi Pela, Ramadan Perhati, Mirdash Kalo, Jani e Sokrat Çomo,
Emil Mborja, Mili Misja, Tefta Ziko, Bardhyl Haxhihyseni, Çiril Pistoli, Sadush
Kumbaro, etj.
Me ta fatkeqësisht mbetën në
kujtesën e shkodranve endè sot, si: Agim Bejleri, Ferit Mandija, Marjan Zhagari
(i ngarkuem nga spijunazhi jugosllav në Shkoder), Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi,
Iljaz Fishta, Jonuz Tuli. Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Isa Miloti me korrjer
Xhemal Dinin, Hamid Beqja, Satber Jubani, Halit Isufi, Selah Cena, Bep Jubani e
shumë të tjerë që koha do ti zbulojë, mbasi veprat e tyne nuk i kalbë as dheu
pa u dëshmue!
Krimineli Hilmi Seiti porsa
vjen në Shkoder kërkon nga Ministria e Mbrendshme: “Në Gjimnazin e Shkodres
vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktor
nga Jugu!...” (Arkivi M.M.Tiranë, 1998). Kalimi i postit të kryetarit të Degës
së Mbrendshme nga duet e kasapit Zoji Thëmeli tek terroristi Hilmi Seiti, u
pasue me një dendsim të spijunve konviktor dhe me arrestime të shumta nga rinia
shkodrane, por ajo që do të ve në dukje asht edhe rrjeti i madh i hetuesve dhe
spijunve nga vetë qyteti i Shkodres, të cilët për fatin e keq kanë lanë një
njollë të keqe por edhe të madhe në historinë e lashtë të shumë familjeve me
tradita qytetare, mbasi ata jo vetëm i kanë shërbye sigurimit të shtetit por
edhe kanë rekrutue shumë djelmë të rinjë nga disa familje të nderueme
shkodrane, tue i çnderue përjetësisht si spijun të divoçem të tyne.
Hapja e dosjeve të Sigurimit
asht një domosdoshmëni për shpalljen publike të disa vetve, mbasi shumë prej
këtyne monstrave vazhdojnë me kenë spijun të sigurimit edhe sot në shumë nga
vendet Përendimore, të cilat nën maskën e “gjuhës angleze” i kanë vue në shërbimin
e dyfishtë “kapitalisto-komunist”, vetëm nga interesi i kapitaleve të tyne
n’euro ndër bankat Përendimore, që me kenjen gjallë të baballarve të tyne
“miljonerë”...
Në ata vite ishin të
përkushtuem me shpartallue Rininë Heroike Shkodrane mjaftë nga ata kriminel që
kanë edhe mbi varrezat e tyne të pashlyeme njollat e gjakut si: Kasem Troshani,
Lilo Zeneli, Hamdi Ulqinaku, Ali Xhunga, Hysni Ndoja, Xheudet Miloti, Nesti
Kopali, Ahmet Suji, Jonuz Dini, Gjon Prennushi, Çesk Shoshi, Fadil Kapisyzi,
Abdyl Hakiu, Dul Rrjolli, Zoji Shkurti, Dhimiter Çifligari, Elez Mesi, Pjerin
Kçira, Alush Bakalli, Shyqyri Qoku, Asllan Lici, Xhemal Selimi, Dulaç Lekiqi,
Bilo Bregu, Idriz Çoba, Ali Qorri e sa të tjerë që nuk mund të harrohen për
krimet e tyne ndaj shkodranve.
Mbas vrasjes së Bardhosh Danit,
Mark Triepshit dhe Brahim Dergutit, u vra edhe i riu Asim Rusi. Ndonse trathtia
për këte vrasje i mbet një fshatari të Anës së Malit, por nga Fatbardha Shkupi
kam mësue emën tjetër, i cili duhet të dalin nga hapja e dosjeve, mbasi edhe
vetë Bardha nuk kishte fakte të mjaftueshme për te.
Një fakt asht i pamohueshëm se
lëvizja studentore, mbas vrasjes së Bardhosh Danit pësoi një tronditje të
madhe, aqsa edhe me përpjekjet e bame tue u mbledhë në shtëpinë e Alfons
Radovanit dhe Viktor Lukës, mbetën ma shumë tentativa organizimi sesa organizim
i mirëfilltë. Elementi “spijun” depërtoi aqsa arrijti me zbulue krejtë
Organizatën “Përpjekja Shqiptare” dhe, me daten 10 Maji 1950, Sigurimi arrestoi
Et-hem Bakallin, Mergim Danin, Alfons Radovanin, Nexhip Osmanin, Viktor Lukën,
Ferit Myftinë, Gjon Mark Ndojn dhe Njazi Uruçin e Pjerin Vatën, që dy të fundit
ishin mbajtë dy-tri ditë para 24 orë në sigurim dhe ishin “lirue”, për humbje
gjurmësh të denoncimëve të tyne, gja e cila del edhe në dosjen e hetimeve nr.
2452 (Arkivi MM Tiranë) të bame në vitin 1950 nga vetë Hilmi Seiti, Ali Xhunga
dhe Kasem Troshani.
Ky grup mori dënime të randa
tue mbyllë edhe aktivitetin e Organizatës, kështu provohet se me shpartallimin
e kësaj Organizatë nuk pat ma forca që mujtën me formue organizata vërtetë
antikomuniste në shkollat e mesme të Shkodres. Lexoi në librin e z.Ahmet
Bushatit “Në gjurmët e një ditari”, faqe 197, një shkrim të keqinformuem në
lidhje me vazhdimsinë e “dy grupëve” të studentave në Shkoder, në vitin 1953 e
ma vonë, ku përmendën Pjetër Arbnori, Bep Jubani etj. “që do të mbyllin me
lavdi ciklin prej tetë vitësh që studentët e gjimnazit të Shkodres kishin
zhvillue thuejse pa ndërpremje ...”. Fatkeqsisht, me përjashtim të Dr. Ali
Spahisë, emnat tjerë janë emna që i kanë sherbye sigurimit të shtetit dhe,
pikërisht Bep Jubani asht një student bashkohës i emi, i cili në vitin 1952 –
53 ishte anëtar i divoçem i komitetit të rinisë komuniste të shkollave të
bashkueme Gjimnaz e Pedagogjike të Shkodres, me drejtor Skender Villën dhe
sekretar i rinisë Jani Çomo. Kur shkolla Pedagogjike kaloi nga ndërtesa e
grumbullimit përballë Gjimnazit, me drejtor Gani Daiun, nga Elbasani, sekretar
i PPSH Enver Thanasi, vlonjat dhe, sekretar i komitetit të rinisë komuniste
ishte vetë Bep Jubani, një nga ata spijun që u shpërblye nga sigurimi edhe me
bursë në BRSS. Për ma tepër në dosjen teme kam pa në vitin 1992, në degën e
mbrendshme të Shkodres edhe një deklaratë të lëshueme nga Bep Jubani, në vitin
1956, ku, shkruhet: “Se... F.Radovani asht ai që i ka shkrue traktet e
shpërndame në shkollën Pedagogjike...”, gja, e cila asht vetëm shpifje e tij,
mbasi unë nuk kam shkrue kurr të pakten një trakt, jo pse nuk kam dashtë, po,
kam pasë frikë për palc... nga vetë rrethanat e mija të familjes seme, së cilës
nuk i janë nda burgjet nga viti 1945 – 1989...prandej edhe shënova këte fakt, i
cili nuk duhet të ndodhin në asnjë libër e, sidomos nga përsona që e njohin
Shkodren qyshë se kanë marrë mend... ndërsa, kur bahet fjalë për figura të
Ndrituna si Bardhosh Dani me shokë, emnat e spijunve pranë veprës së Tyne
antikomuniste dhe heroike nuk kanë vend!
Aktiviteti antikomunist i
Rinisë Shkodrane asht aq i gjanë dhe burrnor sa vetëm me fakte të pamohueshme
do të arrijmë me vërtetue dy cilësitë e papërsëritëshme të Asaj kohë aq të
lavdishme dhe të trishtueshme, tue kujtue humbjen e jetës së Atyne Djelmve që
ranë për Liri dhe Shqipni Demokratike me Bardhosh
Danin në Krye:
Uniteti i Rinisë Shkodrane pa
paragjykime Besimi e krahine.
Rinia Shkodrane luftare e
pamposhtun kundër komunizmit.
Sot asht domosdoshmeni që në
një ambjent të bukur pranë Gjimnazit “28 Nandori”, në një lulishtë apo shesh
sportiv të Shkodres, duhet të vëndosën bustet ose një “Gurë i daltuem” me emnat
e këtyne djelmve që ranë për Liri, mbasi kështu edhe Rinia e sotme do të
kuptojnë por edhe nuk duhet të harrojnë kurr, sesa barbare dhe e pashpirtë
ishte diktatura komuniste që sundoi në Shqipni për një gjysëm shekulli...
Këta janë bazat historike mbi
të cilat Rinia e ardhëshme duhet të ndërtojnë godinën e re Demokratike, që i
përket me e gëzue Asaj e, vetëm Asaj, që asht pa asnjë kundërshtim e ardhshmja
e Rinisë Heroike Shqiptare!
Melbourne, 18 Gusht 2023.