| E diele, 20.08.2023, 07:59 PM |
PSE JO, REPUBLIKA E DARDANISË!?
Nga
Frank Shkreli
“Një zbulim që
formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është
zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana”. Kështu e ka cilësuar Ministri i
Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, njoftimin
e ditëve të fundit të një ekipi të përbërë nga arkeologë të Kosovës dhe
francezë, I cili po bën hulumtime arkelogjike në Ulpianë, nja 10-kilometra larg
nga Prishtina.
Grupi i
arkeologëve që përbëhet nga francezi Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot
Berisha nga Kosova, gjatë hulumtimeve të kryera shkencore kanë zbuluar një
mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori
Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda. Ai e përshkruan këtë qytet si një qytet
Dardan, në krahinën e Dardanisë. Qyteti dhe kisha, të themeluar nga paraardhësi
i tij, Diokleciani në fillim të shekullit IV. Ekspertët thonë se mbishkrimi
paraqet një dëshmi shumë të rrallë ndërsa dëshmon afërsinë e perandorit
Justinian ndaj provincës së origjinës së tij. Kisha e atjeshme, paraqet një
prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më
të rëndësishëm të saj, thuhet në njoftimet për media.
Me të drejtë ky
zbulim me rëndësi historike dhe identike për shqiptarët ka tërhequr vëmendjen
dhe interesimin e autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe disa
përfaqsuesve ndërkombëtarë në Kosovë.
“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e
fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë
të lashtë”, është shprehur presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa
Osmani. “Nga Mbretëria e Dardanisë e
deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e
cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët. Zbulimet e fundit në
Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e
Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, është
shprehur e para e shtetit të Kosovës, Zonja Osmani, në lidhje me zbulimet
arkeologjike të ditëve të fundit në Ulpianë, pasi vizitoi hapësirat e
hulumtimve arkeologjike jo shumë larg Prishtinës.
Ndërkaq,
edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas njoftimit
për zbulimin e mbishkrimit monumental në qytetin Ulpianë, ndërsa ka thënë për
media se ky zbulim
dëshmon lidhjet e Perandorit Justinian me vendin e origjinës së tij --
Dardaninë. Punën e sukseshme arkeogjike
në Ulpianë të ekipit të lartë-përmendur, Kryeministri Kurti e lavdëroi këtë
zbulim si një dëshmi e bashkpunimit të suksesshëm ndërkombëtar -- midis
arkeologëve nga Kosova dhe Franca, ka shkruar në portalin e tij, Kryeministri
Kurti.
Jo se
kjo histori nuk dihej. Dihej dhe mbrohej nga historian dhe eskpertëtë huaj dhe
vendas gjatë dekadave të shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme. Për fat
të mirë, zbulimet e këtyre ekspertëve në të kauarën si veprat dhe botimet
historike të tyre – përfshir Profesor Dr. Zef Mirditën, babain e Dardanisë
Antike -- Frank Shkreli/ Ndërroi jetë Apostulli i Dardanisë | Gazeta
Telegraf, tani po vërtetohen dhe po dokumentohen nga zbulimet e fundit, të
ekspertëve shqiptarë të Kosovës në bashkpunim me ekspertët e huaj.
Ndonëse zbulimi
arkeologjik i ditëve të fundit në Ulpianë është shumë i rëndësishëm, sipas
ekspertëve, nuk besoj që ky të jetë më i rëndësishmi as më i fundit. Janë bërë
dhe po bëhen hulumtime anë e mbanë trojeve dardane -- Frank Shkreli: Këtu i thonë Dardani, o bir! | Gazeta
Telegraf -- të cilat, më në fund, po tregojnë dhe
dëshmojnë para botës, se – megjithë propagandën serbo-greke dhe kundërshtimeve të tyre
-- më në fund po rpovohet historikisht dhe shkencërisht nga grupe
eskepertësh me përvojë e reputacion, se trojet shqiptare kanë qenë dhe janë
dardane dhe se ajo krahinë është quajtur Dardani. Prandaj, si përfundim, ashtu
duhet të quhet edhe sot, me qëllim për t’a çuar në vend të VËRTETËN historike,
njëherë e përgjithmonë: Republikën e Dardanisë me flamurin e saj shtetëror,
propozuar nga i ndjeri President Dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2001. Pse jo?
“Ajo është nje
kërkesë e gjithë popullit dhe nuk mund ta injoroj askush”. (Ibrahim Rugova).
“Oh
moj Dardani antike, gjuje vellon e lashtësisë,
Rrok lahutën ti
kreshnike, për babain e Pavarësisë!
DARDANIA
Presidentja e Republikës së
Kosovës, Vjosa Osmani me ekipin e arkeologëve në Ulpianë
Perandori Justiniani i I-rë ose Justiniani i Madh i lindur në Dardani – Perandori gjigand ilir që drejtoi
Romën e Bizantin, që rishkroi, Kodin Civil Romak dhe vuri gurëthemelin e
ligjësisë moderne. Njëri prej
perandorëve të historisë që cilësohet si një prej perandorëve më të mëdhenj të
historisë romake e bizantine. Justiniani i I-rë, sipas historianëve, ka
Ilirizuar kastën perandorake dhe i ka dhënë Ilirisë një status të veçantë dhe
më të privilegjuar se rajonet e tjera, nën jurisdiksionin e tij
administrative-perandorak.