Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Mozart Gorar

| E diele, 20.08.2023, 07:39 PM |


Mozart Gorar

Nga Edison Ypi

Mes Moglicës e Lozhanit mu faneps para syve si fotogramë filmi.

Seç po bënte mbi ca degë të varura nga një kopësht.

Ndala.

Foli.

Po ç'të folur !

Foli një Shqipe të butë, të ngrohtë, të pastër, muzikë, simfoni e tëra, me të ik ment e kres.

Zëri i dilte nga brenda gjoksit ku kishte fshehur një mijë violina, pesqint piano, treqint fyej, dyqint daulle.

Shqipja e Tij ardhur nga mjegullat e shekujve, ishte një koshere rrënqethëse e tingujve, aromave, ngjyrave, të Gorës, Oparit, Mokrës.

Ai kishte ardhur aty pasi kishte kaluar nëpër pesë fshatra me nga pesë shtëpi, tamam si ata që arrijnë në Londër pasi kanë kaluar me pesqint vështirësi nëpër pesë metropole.

Ata, të lodhur e të kërrusur duke belbëzuar gjuhë të huaja e duke kafshuar hamburgera si të babëzitur.

Ai, Mozarti gorar, vigan i freskët duke ngrënë lajthi anës udhës e duke folur gjuhën më të pastër, më të pasur e më të bukur të Botës, Shqipen e Vjetër.