Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Dr. Lutfi Alia - Shen Nënë Tereza

| E shtune, 19.08.2023, 08:41 PM |


SHEN NËNË TEREZA

- Libër nga Dr. Lutfi Alia -

Nga Visar Zhiti

E shfletova dhe sot. 17 gushti është zanafillë mrekullie në jetën e saj, 75 vjet më parë veshi sarin e bardhë si pastërtia e shpirtit, anëve vijat blu në ngjyrën e petkave të Zonjês së Bekuar. Si e mbuluar me Qiell nisi një jetë t? re, u bë Nënë Tereza, që do të shpallej shenjtore…

Libri “Shen Nënë Tereza”, i botuar këtë vit, me autor Dr. Lutfi Alia, tregon me çiltërsi  dhe pasion jetën dhe bëmat e misionares së madhe, përkushtuar njerëzimit, më të varfërve të botës dhe sipas saj varfërinë e kemi shkaktuar ne, njerëzit, dhe jo Zoti.

Kapitull pas kapitulli në libër na shpaloset si në një film përunjtësia e madhërishme e Nënë Terezës, besimi në   Krisht, detyra që në emër të Tij t‘u shërbente të tjerëve, atyre që kishin më shumë nevojë, më të varfërve të të varfërve, ku?- larg në Indi, të shëronte plagë, ato ishin pasuria e saj, plagët si xhevahirë.

Ashtu si Dom Lush Gjergji, biografi më i mirë i Nënë Terezës në Kosovë, që ka treguar dhe ikjet e saj nëpër botë për të hapur shtëpitë e saj të mëshirës, takimet me personalitetet e larta të shteteve, etj, apo studiuesi i shquar Prof. Gëzim Alpion, me vepra madhore në gjuhën angleze, edhe Dr. Lutfi Alia do të shtonte për ardhjet e Nënë Terezës në Shqipëri dëshmi vetanake, ndër të parët që e ka takuar dhe ka shkruar, mbresëlënëse të gjitha, edhe fotografitë e shumta që mbushin librin dhe pikturat si me prarime ngazëllyese, ja, me Papa Gjon Pali II, po edhe Papa Françesku që e shpalli shenjtore, etj, etj.

Befas dhe fotografia ime me Nënë Terezën, ai pak rrëfim dhe mbresë, lutja/ poezi e saj dhe poezia/ lutje imja, që më dhanë një emocion të patreguar.

Në libër gjithashtu ceken dhe çështje të thella, që marrin përgjigje të larta.

Dr. Lutfi Alia tashmë është i sprovuar në hulumtime e studime të vyera e qëmtime historike me interes kombëtar.

Por sot duhej hapur libri “Shen Nënë Tereza”, eshte 17 gusht, data kur ajo vuri sarin mbi krye, që do të shndërrohej në aureolë drite.