| E enjte, 17.08.2023, 06:51 PM |
Nostalgji për të kaluaren, shpresë për të ardhmen!
Shkruan:
Florim Zeqa
Njerëzit
kanë dëshirë dhe të drejtë që ta kujtojnë të kaluarën krenare për ta projektuar
të ardhmen e tyre të ndritshme, mirëpo kjo u bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe
e ndërlikuar pasi e sotmja po ua njollos të kaluarën dhe mjegullon të ardhmen!
Vitet e krenarisë
kombëtare
Vitet
e ’90-ta apo siq e parapelqejë t’i quaj Vitet e Krenarisë Kombëtare, ishin
vitet më të rënda për shqiptarët e robëruar nga hegjemonia serbomadhe e
Sllobodan Millosheviqit, por ishin edhe vitet më krenare për shqiptarët, përgjatë
të cilave ndodhi homogjenizimi më i madh kombëtar, do të thoja uniteti biblik i
shqiptarëve të Kosovës i cili kulmoj me pajtimin e të gjitha gjaqeve dhe
ngatërresave brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore.
Ndodhi
humaniteti dhe solidariteti më i madh dhe i paparë deri më tani mes shqiptarëve
në të gjitha trevat etnike. Përgjatë viteve të ’90-ta ndodhen të gjitha
mrekullitë për shqiptarët nga të sipërcekurat e deri tek ndërtimi i themeleve
të shtetit.
Deklarata
Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është gurëthemeli i pavarësisë së Kosovës.
Nga
ky moment fillon edhe shpërbërja e krijesës artificiale të ashtuquajtur RSFJ, e
dominuar kryesisht nga politika hegjemoniste serbe.
Efektet
politike te 2 Korrikut janë te shumta në rrafshin kombëtar, ngase pikë së pari
2 Korriku shënon fillimin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia, krijimin e
unitetit dhe rritjen e solidaritetit në popullatën shqiptare si asnjëhere më
parë gjatë historisë. I gjithë aktiviteti dhe veprimtaria politike e
shqiptarëve bëhej krejtësisht në baza vullnetare. Parim bazë i aktivistëve e
veprimtarëve te viteve te '90 ishte dhënja gjithçka nga vetja për interesin e
popullit e të shtetit.
Ishte
kjo platforma politike e Alternativës Kosovare të asaj kohe, gjegjësisht e
Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ju parapriu edhe shumë ngjarjeve
tjera të rëndësishme politike për të ardhmën e vendit si ; Kushtetuta e
Republikës së Kosovës e 7 shtatorit 1990 e mbajtur në Kaçanikun legjendar,
Referendumin mbarëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur të mbajtur
prej 26-30 shtator 1991, dhe zgjedhjet e para të lira pluraliste për Kuvendin e
Republikës së Kosovës të mbajtura më 24 maj 1992, më ç'rast zgjidhet edhe
kryetari i parë të Republikës së Kosovës (Ibrahim Rugova) më mandatin e Kushtetutës
së Kaçanikut.
Pa
këto dokumente të rëndësishme historike, Kosova nuk do të arrinte dot as të
zhvillimet tjera të më vonshme që u kurorëzuan më luftën e lavdishme të UÇK-së,
e madje as në 17 shkurtin e 2008-së, kur edhe fillon njohja formale ndërkombëtare
të Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, kërkesë kjo që i rrodhi
nga goja Presidenti historik Ibrahim Rugova deri në frymën e tij të fundit.
Jam
i sigurtë që për këtë periudhë të lavdishme kombëtare ka nostalgji secili
aktivist dhe veprimtar, secili ushtarë i lirisë dhe atdhetar i të gjitha
periudhave historike.
E sotmja ka mjegulluar
të ardhmen e shtetit
Kosova
nga një shtet i vogël, i njohur dhe ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare,
përkatësisht nga SHBA-të dhe aleanca më e fuqishme ushtarake në botë-NATO, si
pasojë politik-bërjes së gabuar është kthyer në një shtet të harruar dhe gati
të braktisur nga të gjithë, e sanksionuar dhe izoluar nga bashkësia
ndërkombëtare!
Kjo
situatë, jo vetëm e trishtë për shqiptarët duhet të jetë edhe e papranueshme
nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mërgimtarët të cilët kanë dhënë gjithçka
nga vetja e tyre për çlrimin dhe bërjen e shtetit.
Klasa
aktuale politike pa dallim pushtet dhe opozitë nuk paraqet më shpresë për të
ardhmen, pasi të gjitha janë shtjerrur dhe konsumuar deri në embrion.
Sikurse
platforma politike e Alternativës Kosovare e viteve të ’90-ta, gjegjësisht e
lëvizjes shtetformuese (LDK) që ju hapi rrugë proceseve demokratike në trojet
etnike dhe mbarë ballkanin perëndimor, edhe tani Kosovës i duhet një
Alternativë e Re politike që e bën shkëputjen nga e kaluara dhe nisë fillimin e
mbarë të proceseve të mirëfillëta paqedashëse dhe demokratike në ballkanin e
trazuar nga ekstremizmat e llojeve dhe trajtave të ndryshme.
E
sotmja jo vetëm që lë shumë për të dëshiruar, e ka mjegulluar të ardhmen dhe
përspektivën zhvillimore të shtetit si dhe e ka dëmtuar rëndë mirëqenjen e
qytetarëve.
Vendi
ynë ka nevojë për ndihmën tonë, kombi ynë ka nevojë për qytetarët dhe
mërgimtarët e jo për karrieristë, sepse karrierizmi është kancer i demokracisë
dhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Andaj krahas nostalgjisë për të
kaluarën duhet të udhëhiqemi nga shpresa dhe dashuria ndaj atdheut për të
arritur ndryshimin epokal që i duhet vendit tonë.
Florim Zeqa
10.08.2023