| E merkure, 16.08.2023, 06:51 PM |
Si të mbrohemi nga soji i keq i politikanëve!?
Shkruan:
Florim Zeqa
I
kemi tre lloje të politikanëve; politikanët karrierist (interegjinjë),
politikanët matrapaz (pazaregjinjë) dhe politikanët e ndershëm. Për fatin e
keq, dy grupet e para të politikanëve janë në rritje e sipër, kur grupi i
politikanëve të ndershëm është duke u zvogëluar dita-ditës shkaku i injorimit
nga dy grupet e para të politikanëve.
Të fortët e politikës injorojnë
politikanët ndershëm
Politikanët
karrierist apo lakmitarë të pushtetit, përveqse më të rrezikshmit janë niveli
më i lartë i marrëzisë njerëzore, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe
jetëra njerëzish për marrjen, gjegjësisht mbajtjen e pushtetit.
Politikanët
matrapaz apo pazaregjinjët e skenës politike janë vartës të grupit të parë dhe
janë grupi i politikanëve që janë të gatshëm t’i ndërrojnë partitë sikurse
prostitutat partnerët e natës, pa ju skuqur fytyra fare.
Sikurse
të parët (kerrieristët) edhe të dytët (matrapazët) nuk e kanë problem
gëlltitjen e “qershive të lagura” në të gjitha stinët e vitit.
Ndërsa
politikanët e ndershëm janë kategoria e politikanëve për të cilët ndjejë
dhembshuri dhe keqardhje të madhe, të cilët po djegen nën hijen e dy grupeve të
politikanëve të sipërcekur sikurse filizi i njomë nën hijen e lisit të djegur.
Nëpër
të gjitha partitë politike ka politikan të ndershëm, njerëz të mirë dhe
atdhetarë që e duan me shpirtë e zemër atdheun e tyre, të cilët me tërë qenjen
e tyre i përkushtohen interesit të shtetit dhe qytetarëve, porqë nuk e kanë
fuqinë e vendimarrjes në Parlament dhe brenda partive të tyre. Në pamundësi për
t’u përballur me klanet dhe grupet e interesit në hierarkinë e lartë partiake
apo shtetërore detyrohen të heshtin që të mos “digjen” politikisht.
Zgjedhjet e kurdisura partiake
Pa
dashur të ndalem në emra të përveqëm, me të gjithë politikanët e ndershëm që
kam biseduar, asnjëri prej tyre nuk është i kënaqur me menaxhimin e partive nga
liderët partiak, ku këta të fundit në vend të meritokracisë, i ngrisin në
karrierë politike servilët dhe puthadorët, mercenarët dhe parashutistët nga
partitë e tjera.
Kuvendet
zgjedhore apo zgjedhjet e brendshme partiake mbahen sa për sy e faqe, pasi
paraprakisht caktohen nga lideri i partisë njerëzit më të besueshëm të tij që
do të bëhen pjesë e drejtimit të partisë, që i bie se gjithçka kurdiset
paraprakisht, duke i caktuar individët (dele-gatët) kush kë për ta propozuar
për anëtarë të kryesisë apo këshillave drejtuese brenda partisë e deri tek
influencimi i votës së delegatëve në Kuvend.
Situata
më e tmerrshme bëhet gjatë proceseve zgjedhore në nivelin qendror dhe komunal,
ku gjithnjë mobilizohen grupet e interesit për t’ua grabitur votën elektorateve
të tyre. Në rast që ju dështon gjahu gjatë procesit zgjedhorë, menjëherë e
“lakojnë bigën” duke i kthyer shpinën elektoratin për t’u futur në koalicion me
rivalët politik në zgjedhje.
Kërkohet forcë dhe guxim më i
madh i politikanëve të ndershëm
Çfarë
duhet të ndodhë në këto situata!? Duhet të ndodhë mobilizimi i elektoratit për
t’i ndëshkuar në zgjedhjet e radhës politikanët mashtrues, duke i mbështetur
politikanët e ndershëm brenda subjekteve të tyre.
Mirëpo,
që ndryshimi të ndodhë më shpejtë dhe sa më parë, secili politikan i ndershëm,
pavarësisht grupimit politik, duhet të ngrisin zërin kundër padrejtësive nëpër
partitë e tyre dhe të bëhen bashkë në një subjekt të ri politik apo në një
alternativë të re politike. Politikanët e ndershëm duhet të digjen si qiriri
dhe ta marrin guximin e të sakrifikojnë diçka nga vetja (post të përkohshëm
partiak) për të fituar mbështetjen afatëgjatë nga populli, i cili si asnjë herë
më parë ka nevojë për një frymë të re dhe mentalitet të ri qeverisës. Populli
ka nevojë për një klas të re dhe gjak të ri politik në vend të politikanëve
karrierist dhe matrapaz që mendojnë vetëm për veten e tyre.
Soji
më i mirë i politikanëve janë ata që e duan vendin dhe popullin e tyre, ata që
e vëjnë në plan të parë interesin e qytetarëve, që e respektojnë vullnetin e
elektoratit dhe mbrojnë interesat e shtetit edhe përkundër konseguencave
partiake. Soji më i keq i politikanëve janë egoistët (ata që e duan veten) të
cilët, pasi t’i marrin votën nuk e çajnë më hallin e elektoratit.
Florim Zeqa
12.08.2023