| E merkure, 16.08.2023, 07:50 PM |
VERIFIKIMI I PASURISË TË FILLOJË NGA VITI 1997 DHE JO 2008!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Për
një shtet ligjor, hartimi i përgjegjshëm i ligjeve, ka shumë rëndësi për
mbarëvajtjen shtetërore. Po veçojmë katër (4) ligje, që duhen korrigjuar, ndryshuar,
domosdoshmërisht, sepse janë hartuar qëllimshëm dhe idiotisht, të imponuar nga
individë ose grupe të interesit. Si të tilla nuk i shërbejnë shtetit dhe as
pushtetit, por mafias personale e grupore.
Tani
po trajtojmë vetëm ligjin për: Verifikimin e pasurive të paligjshme, të fillojë
nga viti 1997 dhe jo nga viti 2008.
Verifikimi
i pasurive është bërë, duke filluar nga 17 shkurti i vitit 2008, pra, nga
shpallja e pavarësisë!? Kjo ka ngjallur shumë dyshime, sepse ka amnistuar,
jashtëligjshëm abuzimet dhe hajnitë e periudhës 1997-2008! Personalisht, si
gazetar profesionist, kam përcjellur, madje vëmendshëm, abuzimet, hajnitë
private dhe zyrtare, të filluara në vitin 1997, për të vazhduar edhe sot, më
2023! Dhe, për këtë kam reaguar publikisht, se llogaritja e pasurive duhet të
fillojë, pikërisht, më 1997, kur Hashim
Thaçi, me klanin e tij, bëri puç në Kryesinë e LPK-së, në Mërgatë.
Ai,
harbutshëm e përdhunshëm, grabiti të gatshëm Fondin "Vendlindja
thërret", si dhe Fondët tjera të Shoqatave e klubeve të etnikumit
shqiptar. Shembull: Kryesuesi i fondit në fjalë, Jashar Salihu, fillimisht,
rezistoi, për të mos ia dorëzuar Fondin Hashimit, sepse "unë kam garantuar
bashkatdhetarët kontribues, për transparencë e llogaridhënie atyre, për çdo
qindarkë të shpenzuar".
Por,
Hashimi përdori shprehjen e Dr. Mujë Rugovës, eksponent i LPK-së: "UÇK-ja
nuk këshillon dy herë", e deshifruar, pas këshillës së parë, vjen plumbi,
madje jo vetëm për ty, por edhe për familjen tënde". Jashar Salihu u
dorëzua. Hashimi e shpalli - Hero të Kosovës"-, edhe pse ai vdiq natyrshëm
në shtëpi! Populli ka një shprehje pezhorative: "Me la m...t me
sh...rrë!"
Një
Shoqatë e Kosovës Lindore kishte themeluar një fond, për mbrojtjen eventuale
nga pushtuesit serbë. Hashimi me mashtrime e dallavere, kinse për të blerë
armë, mori 1(një) milionë franga zvicrane. "Prit një muaj e prit një vjet, pushka e Lilës nuk po
kërcet",- është vargu i një kënge, për një pushkë që nuk u dëgjuar kurrë
krisma e saj! Kryesuesi i Fondit, njëherësh, edhe njeriu i parë politik në
Kosovën Lindore, Shefket Hasani, e denoncoi rastin, duke kërkuar që
"aventurieri dhe gilipteri Hashim Thaçi, duhet t`i kthejë frangat e
grabitura nga Fondi ynë!" Por Hashim hajni jo vetëm që nuk i ktheu paratë,
por ndërhyri brutalisht politikisht, duke intriguar dhe shkarkuar atë, duke e
zëvendësuar me Shefket Musliun.
Njësoj
si në Kosovë, Hashimi futi farën e përçarjes edhe në Kosovën Lindore, duke e
dështuar edhe atje luftën. Thonë se "çdo e keqe ka edhe një të mirë!"
Dhe, e vetmja e mirë e puçit në Kryesinë e LPK-së të vjetër në Mërgatë, ishte
akuza e bërë për tradhti, përfshi edhe nip e dajë, ish-kryetarin e LPK-së,
Fazli Veliun dhe Ali Ahmetin. Kjo mjaftoi që në UÇK-në Iliridë, e refuzuan
"të fusin hundët" Hashimin me bandën e tij supërkriminale. Andaj, në
Maqedoni, lufta u fitua, krerët shtetërorë u detyruan të kërkojnë ndihmë, gjë
që solli "Marrëveshjen e Ohrit!"
Banda
e LPK-së, me kryesinë e re, kryesisht, eksponentë të krimit dhe të
makro-hajnisë, pasi "i qeruan hesapet" -brenda llojit-, iu sulën
Fondit Shtetëror, i shprehur në 3 %-in obligativ, nga paga individuale. Edhe
pse LPK-ja e kishte refuzuar dhe bojkotuar këtë Fond, tani kërkonte -hise- nga
ai. Me gjithë rezistencën fillestare, kur filluan atentatimet e ushtarakëve
ndaj FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të LDK-së, nga PAN-i i
sotëm, kryeministri Bujar Bukoshi dhe ministri i Financave Isa Mustafa u
dorëzuan, duke bashkëpunuar me LPK-në, pa përfillur kundërshtinë e Presidentit
Rugova dhe të LDK-së.
Ky
bashkëpunim ishte i dhunshëm. Citojmë eksponentin e SHIK-ut dhe të SHISH-it,
Xhavit Halitin: "Në Kukës e shpëtova Bujar Bukoshin nga atentati i
përgaditur për atë!" Këtë e pohon edhe sot, por, pa përmendur
atentatorët!? Dihet, ata ishin nga -soji i tij-. Ngjashëm të rrezikuar ishin
edhe ministrat e Qeverisë në Ekzil: Muhamet Bicat, Jonuz Tërstena, Halit
Muharremi, Xhafer Shatri, ... ndaj të cilit u përgadit atentati, për çka
Hashimi, me LPK-në e tij, paguajti 160 mijë marka.
Hashimi,
në telefonin e Azem Sylës, e urdhëroi ministrin e Informacionit, Xhafer
Shatrin, t´ia dorëzojë bandës të LPK-së Redaksinë e Kosovës, pranë
Radio-Televizionit të Shqipërisë. Zoti Shatri e kundërshtoi "kopukun
Hashim dhe refuzoi urdhrin mujëshor të tij". Hashimi ia -bëri betë-
Shatrit. Në selinë e Ministrisë të
Informacionit, në Gjenevë, ku kam punuar për ca kohë edhe unë, dy atentatorët,
gjysmë të maskuar, i bien zilës. Roja e hapë pakëz derën, arma e pazëshme u
shprazë, roja u plagos. Fati, ministri Shatri nuk ishte në zyre.
Ndërmjetësuesin për atentatin, një drenicar, Hashimi e shpërbleu për shërbimin kriminal
-Hero i Kosovës-, edhe pse ai vdiq në shtëpi pas luftës.
Megjithatë,
krimi dhe marrëzia vazhdon edhe sot e gjithë ditën. 16 milionë euro, deri tani,
janë paguar për avoketërit, zhvatës e banditër, për katër të akuzuarit, për
vrasjet e kundërshtarëve politikë shqiptarë, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me
seli në Hagë. Krimin e pagesës, nga buxheti i varfër i Kosovës, për t`i
mbrojtur "komandantët" multi-milionerë, e ligjësoi Qeveria PDK-LDK,
përkatësisht, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Pjesë e krimi u bënë edhe Qeveria e
PAN-it dhe, së fundi, edhe kjo e Vetëvendosjes, e cila, në vend të rishikimit
të ligjit, përkatësisht, ndërprerjen e mbrojtjes, nga lukunia e avoketërve të
kushtueshëm ndërkombëtarë, vazhdon me makro-abuzimin e buxhetit të Kosovës!
Gjykatat
maskaradë të UNMIK-ut, të EULEX-it, e Hagës dhe, tani, kjo Speciale e Kosovës,
me seli në Hagë, kanë arrestuar qindra kriminelë faktikë, vrastarë dhe
makro-hajna. Dhe, i kanë liruar me arsyetimin klishe: "Lirohen për mungesë
provash!" Mjafton ta kujtoni procesin "PRONTO", përgjim -live-
dhe, megjithatë "lirohen për mungesë provash!" Krim dhe rrugaçëri,
njëherësh, e të gjitha gjykatave, që kanë për subjekt Kosovën!
Qeveria
aktuale e Vetëvendosjes, nismetare e ligjit për verifikimin e pasurive hajnore
e grabitçare, jo vetëm të politikanëve aktiv, por edhe të gjithë atyre që
abuzuan me Fondet, privatizimet, tenderimet dhe format tjera, duke e
keqpërdorur shenjtërinë e emrit UÇK-e, në veçanti, grupi i disa komandantëve
mujëshorë, të dyshuar për shumë të zeza e gjëmë, që i kanë shkaktuar Kosovës,
duhet ta rishikojë e korrigjojë, duke filluar verifikimin e pasurive, që nga
viti 1977 dhe assesi nga viti i pavarësisë, më 2008!
Sepse
periudha 1997 deri 2008, është e begatë me krimet industriale ekonomike,
përkatësisht, marrjen dhunshëm të parave të gatshme të Fondeve të Mërgatës së
përbotshme shqiptare, të cilat u përdorën për blerjen e tokave masive,
kryesisht, pronë shtetrore; fabrikave, ndërmarrjeve dhe objekteve të
kushtueshme, por me çmime simbolike, privatizimeve, grabitjeve të gjithçkaje,
dikur prona shtetërore, shoqërore e private. Metodat e përdorura ishin të egra
dhe të përgjakshme. Kushdo që do të rezistonte, e priste fati i kuadrit të
lartë komunal, Rexhep Luci, i vrarë nga mafia e komandantëve në Prishtinë!
I
vetmi i dakordimit publik, për korrigjim të datimit të llogaritjes verifikuese,
ishte deputeti, Gjeneral Hisen Berisha. Për çudi, e tha dhe heshti, sepse është
në vathën, torishtën e PAN-it dhe ata janë protagonistët e abuzimit, hajnisë
private dhe zyrtare, të inkriminuar dhe makro-hajna.
Rrjedhimisht,
fillimi i verifikimit të pasurive të paligjshme, nga shpallja e pavarësisë 2008
e këtej, është i mangët e hiç real, ngaqë anashkalohen krimet ekonomike
faktike, të periudhës 1997 deri në 2008, të cilat janë të bollshme. Korrigjimi
i datimit aktual, nga 2008 e këtej, duhet zhvendosur nga 1997 dhe deri 2023 e
këtej, për të qenë afatizim kohor real, për verifikimin e pasurive të zyrtarëve
të lartë dhe të kategorive tjera, të pasuruar jashtëligjshëm dhe kriminalisht.