| E enjte, 10.08.2023, 07:50 PM |
Populli pa ligje nuk mund të jetojë i lirë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Kohëve
të fundit janë shpeshtuar rastet e vrasjeve dhe ngatërresave në Kosovë.
Pothuajse nuk kalon ditë që nuk nodhë një ngatërresë mes qytetarëve e cila
përfundon me vrasje dhe plagosje të rëndë. Rastet e rrahjeve mes qytetarëve
sikur janë bërë të përditshme, kudo dhe kahdo; duke filluar nga pikat kufitare,
në aeroport, në doganë, në kryeqytet dhe në të gjitha qytetet e Kosovës.
Kronikat e zeza të
vrasjeve në Kosovë
Çdo
ditë nga një e më shumë kronika e zeza në edicionet e lajmeve, secila kronikë
më e rëndë sesa tjetra, vrasje në familje, rrahje dhe vrasje mes të rinjëve,
vrasje për çështje biznesi, dhunim dhe vrasje e vajzave të reja (mitura)
shqiptare.
Mungesa
e funksionimit të sistemit të drejtësisë apo më mirë të themi e mosfunksionimit
të ligjit ka bërë që njerëzit të shfrenohen në veprimet e tyre. Kur prokurorët
dhe gjykatësit nuk e kryejnë punën e tyre siq duhet, ruajtësit e rendit
(policët) shërbejnë vetëm si dekor i ekzistencës së shtetit pa ligje dhe pa
demokraci.
Inkriminimi
i thellë i sistemit të drejtësisë ka ndikuar në uljen e imazhit të Shërbimit
Policorë të Koosvës, gjegjësisht demotivimin e plotë të policisë hetimore, të
cilët pasi t'i dërgojnë hajdutët dhe kriminelët, vrasësësit dhe keqbërësit në
dorën e gjykatësve, të nesermën i shohin duke shëtitur të lirë dhe kokëlartë
para syve të tyre.
Raporti
i ekspertëve perëndimorë është edhe nje dëshmi më shumë se në Kosovë nuk ka
sundim të ligjit dhe as që ka sinjale pozitive për përmirësim të cilësisë në
sistemin gjyqësorë dhe prokurial të Kosovës, që i bie se nuk ka as gjasa
teorike të luftohet korrupsioni nivelit të lartë dhe krimit të organizuar i
cili ka degraduar të gjitha institucionet e shtetit.
Ligj për
dekriminalizimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë
Nga
cili do aspekt që e analizon situatën aktuale në vendin tonë, shkaktarët
kryesor të kaosit institucional dhe juridik janë faktorët politik. Kosova nuk
është se vuan aq shumë nga mungesa e ligjeve, sa vuan nga mosimplementimi i
tyre.
Edhe
përkundër infrastrukturës së pasur ligjore, mijëra lëndë të veprave kriminale,
me vite pluhërosen në sirtarët e "drejtësisë", kriminelët flejnë të
qetë, levizin dhe veprojnë lirshëm, sa prej tyre kanë kapur majat e
institucioneve shtetërore!
Si
kundërpërgjigje e kësaj situate, Kosovës i nevojitet urgjentisht ligji për
dekriminalizimin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe publike, që ndryshe
i bie, aprovimin e një ligji për pastrimin e listave zgjedhore nga të gjithë të
dyshuarit për vepra kriminale, pamundësimin e zgjedhjes në organet e larta
shtetëtore të njerëzve nën akuza për vepra të rënda kriminale apo korruptive.
Në
këtë mënyrë, legjislatura e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, jo vetëm që do
ishte më e pastër nga kjo që e kemi tani, do të jetë më e lirë dhe më e zonja
për nxjerrjen e ligjeve tjera konformë nevojave dhe rrethanave kohore për
konsolidimin e plotë të sistemit të drejtësisë, për ndëshkimin e krimit,
korrupsionit dhe dukurive të shumta negative të shoqërisë sonë.
Mafio-politika e ka
"prangosur" Kosovën
Shteti
i Kosovës i prangosur nga mafia politike, tashmë edhe i izoluar nga bashkësia
ndërkombëtare po i kalon ditët më të vështira nga ri-shpallja e pavarësisë e
këndej.
Pa
dyshim, plaga më e rëndë e shkaktuar nga pushtetet kriminale është ajo në
sistemin e drejtësisë, e manifestuar në formën e korrupsionit, krimit të
organizuar, mitmarrjes, nepotizmit dhe dukurive tjera negative.
Si
pasojë e një drejtësie joefikase, është sëmurë edhe shoqëria nga mosefikasiteti
i gjyqësorit. S'ka si të mos jetë ndryshe kur një shoqëri "pajtohet"
në heshtje me korrupsionin, krimin e organizuar, mosfunksionimin dhe
mossundimin e ligjit, skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme qeveritare.
Përderisa
të vazhdoj heshtja e popullatës, shoqërisë civile, OJQ-ve dhe elitës
intelektuale ndaj situatës anarkike në vend, jo vetëm që nuk do të kemi rënje
të krimit të organizuar, do të kemi ngritje të vrasjeve të njëpasnjëshme në
Kosovë.
Vështruar
nga aspekti analitik, heshtja e qytetarëve ndaj korrupsionit dhe krimit të
organizuar, ndaj vrasjeve dhe dhunimeve të vajzave dhe motrave tona, përveqse
miratim në heshtje, është ushqim i këndshëm për kriminelët dhe grupet mafioze
në mbarë Kosovën.
Ndryshe,
reagimi energjik dhe në kohën e duhur i shoqërisë civile dhe qytetarëve për
aplikimin e ligjeve të Kanunit, do t’ia prenë rrënjët vrasjeve kriminale dhe
dukurive dukurive të shumta negative.
Kot
vazhdojmë së prituri, që do të intervenoj dikush nga jasht në shërimin e
plagëve në sisitemin e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, kulturës, etj.
Ne
vet duhet të përkujdesemi për mbarëvajtjen dhe funksionimin e të gjitha
hallkave zingjirore të sistemit qeverisës të vendit tonë, konformë ligjeve në
fuqi, rregullave demokratike, të drejtave dhe parimeve universale të
civilizimit botëror, mirëpo kur ato nuk funksionojnë duhet të ju kthehemi
rregullave të vjetra Kanunore për parandalimin e dukurisë së shëmtuar të
vrasjeve dhe dhunimeve ndërvllëzërore në vendin tonë.
Florim Zeqa
08.08.2023