| E enjte, 10.08.2023, 07:55 PM |
Kohë-humbësit e njohjes së shtetësisë së Kosovës!
Nga
Enver Bytyçi
Prej
vitit 2017 vende të shumta që nuk e kanë njohur Kosovën kanë patur një arsye
për këtë. Prej asaj kohe këto vende kanë pritur “zgjidhjen” me krijimin e
Jugosllavisë së re, brenda së cilës të ishte edhe Kosova. Ose kanë pritur
ndarjen e territorit të Kosovës e për pasojë edhe ndarjen e saj midis Serbisë
dhe Shqipërisë, sipas akordit të kryeministrit të Shqipërisë, Presidentit të
Serbisë dhe ish-presidentit të Republikës së Kosovës! Angazhimi i Shqipërisë
zyrtare, Beogradit dhe presidencës së Kosovës për realizimin e këtyre dy
opsioneve e stepën me të drejtë përpjekjen për njohje të shtetësisë së saj.
Qeveritë e përgjegjshme nuk kishin pse të shpallnin njohjen e shtetit e të
pavarësisë, sa kohë që vetë presidenti i vendit dhe kryeministri i vendit “amë”
ishin në aksion për zhbërjen e atij shteti.
Sot
po duket qartë se gjërat kanë ndryshuar, ose së paku po ndryshojnë pozitivisht.
Ndonëse ndaj Albin Kurtit po ka kritika, disa herë edhe të ashpra, sinjalet që
vijnë japin shpresë më shumë se kurrë më parë për njohjen dhe konsolidimin e
shtetit më të ri në Europë, ose shtetit të fundit që del nga shpërbërja e
ish-Jugosllavisë. Kjo për shkak se qeverisja dhe institucionet e Kosovës po e
bindin botën demokratike e më gjerë, se ndarja dhe Jugosllavia e Re nuk kalojnë
në Kosovë. Krijimi i kësaj situate positive ka vënë në lëvizje edhe njohjen nga
dy shtetet me peshën morale më të madhe të globit, Vatikanit dhe Ukrainës.
Papa
Françesku njoftoi se përgatitet për një vizitë në Kosovë. Para ose pas saj, kjo
vizitë do të sjellë njohjen formale të shtetit të Kosovës. Ndërsa vetë vizita
do të jetë konfirmim i njohjes de facto të saj. Lëvizja e Vatikanit drejt
njohjes së Kosovës është jetike e ndërkohë është rrjedhojë e faktit se “Kosova
është e vendosur për ta realizuar shtetësinë e saj”! Të jesh i vendosur në
qëllimet e tua është alfa dhe omega e suksesit. Presidentja Osmani,
kryeministri Kurti, qeveria e vendit, mund të kenë shumë të meta. Mund të kenë
bërë gabime. Por në një gjë ama ata nuk lëshuan pe: - Në përkushtimin për të
implementuar shtetësinë e vendit të tyre. Madje në luftë edhe së paku me
gjysmën e politikës në Kosovë e në Shqipëri. Jo vetëm në luftë me Beoigradin
dhe lobistët pro-serbë kudo nëpër botë!
Kjo
është arsyeja pse gjithashtu Ukraina e ka njohur de facto shtetësinë e Kosovës.
Nënshkrimi i letrës në mbështetje të Kosovës nga ana e kryetarit të Komisionit
të Jashtëm të parlamentit ukrainas është konfirmim i plotë i kësaj njohjeje de
facto. Presidenti i Serbisë “paralajmëroi” Ukrainën se do ta dëmtojë interesin
e saj kombëtar, nëse de jure e njeh shtetin e Kosovës. Por politikanët ukrainas
e dinë më mirë sesa Vuçiç, nëse dëmtojnë apo përkundrazi mbrojnë veten e tyre
dhe interesat e vendit të tyre me njohjen e Kosovës. Vuçiç në këtë rast luajti
rolin e zëdhënësit të Vladimir Putin, duke “paralajmëruar” humbjen e Krimesë
nga ana e Ukrainës, nëse ajo e njeh shtetësinë e Kosovës. Ndoshta do të ishte
mirë që kreut të shtetit serb t’i kujtohej në këtë rast se “Kosova është e
humbur për Serbinë, për shkak se vetë ai ishte aktiv në genocidin serb kundër
shqiptarëve”, ndërkohë që në Krime nuk kishte e nuk ka asnjë provë për dhunë e
terror. Kosova vetëm se mund ta ndihëmojë rikthimin e Krimesë nën sovranitetin
e Ukrainës. Ndërsa Serbia ka dëshmuar se është palë më Kremlinin kundër
Ukrainës!
Në
momentin që Vatikani dhe Ukraina do ta njohin edhe formalisht shtetësinë e
Kosovës, në atë moment ajo e ka të fituar betejën morale e politike për
pavarësinë e saj. Dhe sa më të vendosur të jenë liderët politikë në Kosovë në
mbrojtje të lirisë, pavarësisë, shtetësisë, institucioneve, sovranitetit,
integritetit territorial dhe demokracisë, aq më shpejt do të realizohet
shtetësia e plotë në këtë vend. Askush nuk duhet të ketë mëdyshje për këtë.
Përpjekjet e këtyre pak më shumë se dy viteve për ta mbrojtur shtetësinë dhe
territorin e Kosovës janë dëshmi e kthesës së rëndësishme në rrugën e
konsolidimit të pavarësisë së saj.
Megjithatë
dikush duhet të përgjigjet për kohën e humbur. Kohë-humbësit kanë emrat dhe
mbiemrat e tyre. Ata janë aktivë edhe në ditët e sotme. Madje sa më shumë
shohin fundin e turpshëm të tyre, aq më agresivë bëhen. Kohë-humbësit e Kosovës
nuk duan që shteti i saj të jetësohet plotësisht. Ata edhe sot i qëndrojnë
besnik paktit me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç. Punojnë pa
pushim kundër pavarësisë dhe shtetësisë së vendit.
Por
qeveria e Kosovës, presidentja e vendit, Osmani, të gjitha institucionet, duhet
të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për t’i dhënë fund kohës së
kohë-humbësve të Kosovës! Të angazhohen me gjithçka kanë në dorë që të
realizohet brenda këtij viti edhe njohja formale nga ana e Vatikanit dhe
Ukrainës e më pas do të vijë njohja nga pesë vendet anëtare të BE-së!