| E marte, 08.08.2023, 07:55 PM |
ROMANI SI SHPALOSJE EPIKE JETËSHKRIMORE
(Ramiz
Selimi: “Dëshirë e djegur”, roman, vëllimi i dytë, 2023)
Nga
Prend BUZHALA
Romani “Dëshirë e
djegur” i Ramiz Selimit është një vepër e mirëfilltë e realizmit letrar. Është
vëllimi i dytë i një cikli të romaneve që duan ta paraqesin sagën e një
familjeje nëpër disa brezni. Vjen pas romanit të parë “Rrënjët e kujtesës”. Për
deri sa romani i parë trajton ngjarje pas Luftës së Dytë Botërore e deri më 1981,
me linja narrative përmes retrospekcionit të ngjarjeve, edhe ajo para kësaj
lufte; ky roman vazhdon aty ky përfundon i pari dhe zë fill me jetën studentore
të të rinjve, Dardan Ilirit, Lumirit e të tjerëve, me peripecitë e pengesat që
hasin në çdo hap, me vështirësitë e një jete të rëndë sociale, si dhe me
përndjekjet e vëzhgimet e policisë e të spiunëve. Mirëpo, gjatë atyre dekadave
të paraluftës, shumë të rinj “emigrimin e kanë si shpresën e vetme për
mirëqenie”. Këtu zë fill, nga ana kompozicionale-tematike, pjesa e dytë e
këtij romani, që merret me peripecitë e kësaj gjenerate nëpër rrugët e
mërgimit, dhe sidomos me aventurat e prekshme, pësimet e rënda nga matrapazë
kriminel e mashtrues si Hajdar Qypi që i detyrojnë jo pak familje të shesin çdo
gjë për ta siguruar “parajsën amerikane” apo atë evropiane. Dhe në këto
ëndërrime dalin të dështuar. Struktura e romanit shfaqet e skematizuar sipas
lëndës që e trajton dhe sipas botës së brendshme e karaktereve që tipizohen.
Sado që jeta këndvështrohet nga aspekti objektiv, epik; megjithatë nëpër
shtresat narrative të kësaj vepre ka edhe patos e didaktikë, ka edhe rekuizita
artistike që duan ta përfitojnë dhe zgjojnë interesimin e lexuesit.
Proza jonë ende nuk e
ka trajtuar të vërtetën e plotë për ato vite. Dhe një përpjekje e mirëpritur
është edhe përkushtimi krijues i Ramiz Selimit që të bëjë sinteza artistike për
fatin e njeriut tonë në ato dekada. Këtë gjë ia mundëson, mbi të gjitha, zhanri
i romanit, i cili ngërthen mundësi të shumta për ta paraqitur jetën në mënyrë
sa më të gjerë, në mënyrë sa më të gjithanshme e sa më të thellë. Ky roman
paraqet një dekadë të asaj jete, të mbarsur me përplot peripeci e drama
nacionale e sociale, familjare e ekzistenciale.
1.
Personazhi Dardan Iliri bart emblemën e fatit të njeriut shqiptar
Me pak fjalë, ky
është syzheu i veprës. Gjithnjë, edhe te ky roman, qëllimi i autorit është të
rrëfejë subjektin e zgjedhur në mënyrë realiste e me vërtetësi, për ta
paraqitur sa më objektivisht jetën dhe gjërat "ashtu siç janë", pa i
hequr a shtuar diçka. Dhe në këtë drejtim pena narrative romanore e Ramiz
Selimit nuk fal, duke i paraqitur përjetimet, dukuritë, fenomenet jetësore,
sociale e njerëzore në lakuriqësinë e tyre, pa zbukurime e pa mbulesa të
figurshme artistike apo tjetër fare.
Nuk ka idealizim apo
dramatizim romantik, por gjithandej ndodh drama e jetës, ndodh drama e një
brezi, me qëllime fisnike për të studiuar, për një mirëqenie familjare e
jetësore. Të krijohet mbresa sikur përqafohet jo vetëm metoda krijuese
balzakiane, por sikur përfillet edhe mendimi i vetë Balzakut, cili pohon te
hyrja e “Komedisë njerëzore“ se "krijimi poetik dhe krijimi shkencor
janë veprimtari të lidhura ngushtë, duke shfaqur prirjen e realistëve drejt
marrjes së metodave shkencore".
Emri i kryepersonazhit,
Dardan Iliri, bart edhe emblemën e njeriut shqiptar, gjeneratës që i ka rrënjët
thellë në histori, njeriun autokoton që trashëgon traditat dhe vetë historinë
si barrë; një ideal arketipor ky i autorit; kurse, nga ana tjetër, ai
përfaqëson gjeneratat që përjetuan dhunën serbe në ushtri, përndjekjet e
policisë e peripecitë sociale të jetës studentore, si dhe të mashtrimeve për
një jetë më të mirë. Kësisoj, edhe ambientet këmbehen, siç janë fshati,
shtëpia, qyteti, ambientet universitare, më tutje ato të udhëtimeve, ambientet
e kufijve, të botës së jashtme apo edhe ato të burgosjeve. Ambientet,
karakteret, sado që janë ato që vijnë në kontekste të ndryshme kohore, romani
është edhe një rrëfim i dhimbshëm për situatat e rënda, nëpër të cilat ka kaluar
populli i Kosovës.
Mashtrimi dhe
shqetësimet për të ardhmen, zhgënjimet dhe revolta, pakënaqësia dhe shpërthimet
e zemërimit, i përcjellin këta personazhe që nga fillimi, në çdo hap të jetës
dhe e përjetojnë si tragjedi që vret ëndrrat e tyre :
“Nga
dëshira e zjarrtë për të studiuar në fakultetin e preferuar, ata ishin të
shqetësuar, mbase dyshonin se mund të binin pre e manipulimeve dhe dallavereve
që ishin të pranishme në çdo hap. Prandaj gjithnjë brenda trupit u qarkullonte
një dridhërimë e pakuptimshme.(...)
Ky
vend, më duket katastrofë që të mos mundet njeriu të realizojë as ëndrrën e vet
dhe nuk besoj se e gjen askund tjetër në botë. Kjo ishte një përvojë e hidhur
pasi gjërat i kishin shkuar teposhtë. Dhe, i thelluar në mendime e nguli
vështrimin përtej dritares së vogël në një kopsht gjysmë të zbrazur që mezi
dallohej nga drita e hënës.”
Kur kështu krijohen
situatat e rënda, atëherë kërkimi i një shtegu i shpie në aventura të reja e të
rrezikshme të jetës, siç janë shtigjet e rrezikshme për kalimin e kufirit apo
migrimi, kërkimi i azilit etj. Vërtet idealet për shkollim e emancipim, ashtu
edhe për përkujdesjen ndaj familjes, ishin ishin të pathyeshme.
“Ato
pak para që merrte nga dhënia e tokës me qira, i shfrytëzonte deri në centin e
fundit për nënën e tij. Kritikat e shumta si ato nga Coli që i dëgjonte çdo
fundjavë nuk e demotivonin për asnjë çast, përkundrazi ai vazhdonte rrugën e
tij me bindjen e plotë se shkollimi universitar ishte i vetmi mjet që do ta
dërgonte deri atje ku ai ëndërronte.”
Edhe te ky roman tema
e socialitetit të rëndë, ajo e varfërisë, përbën një linjë narrative më vete.
Në këtë mënyrë, vepra hyn në ato krijime që duan ta ndërgjegjësojnë dhe zgjojnë
shoqërinë për ta spikatur jo vetëm mashtrimin e shfrytëzimin e egër, por edhe
stërkeqjen morale, padrejtësinë, shkatërrimin e familjeve; dhe sado që bëjnë
kaq e kaq përpjekje në kërkim të rrugëve të fatit ekzistencial e jetësor,
krijohet mendimi se ata protagonistë nuk arrijnë ta kapërcejnë hendekun social
në kushtet e një rendi të padrejtë shoqëror, dhe nuk arrijnë të përparojnë e të
ecin përpara për shkak të mjedisit që sjell shumë pengesa ashtu sikundër
dhe për shkak se me shoqërinë udhëheqin të pasurit e në, rastin e Kosovës, edhe
pushtuesit. Me realizëm janë paraqitë skenat e përjetimet nga shtypja policore:
“Studentët
me dhimbje në shpirt vetëm e shikonin, sesi katilët fillimisht po i shkulnin
flokët dhe pastaj kur e futën në një kthinë te errët, ku nuk i dallonte askush,
filluan ta grushtojnë dhe shqelmojnë pa mëshirë. Britmat e Dëfrimit nga
përdorimi i dhunës brutale, i dëgjonin jo vetëm studentët e frikësuar, por edhe
qytetarët nga ndërtesat përreth.”
Këtyre studentëve iu
desh ta kryenin edhe një universitet tjetër, atë të burgjeve, përndjekjeve dhe
përpjekjeve për liri. Kurse dhuna policore dhe shtypja sociale janë barrë
dyfish e rëndë që rëndon mbi supet e njerëzve hallexhinj. Janë ato raporte
ndërnjerëzore që e gërryejnë së brendshmi shoqërinë, apo edhe një shtet të
tërë, siç ishte ish-Jugosllavia. Në njërën anë qëndrojnë protagonistë me ideale
pozitive sociale e jetësore, siç është grupi i të rinjve apo edhe mërgimtarë që
jetojnë ndershëm me djersën e tyre, dhe solidarë. Me dashuri përshkruhet
portreti i nënës së Dardanit, i personazheve femra, i shokëve të Dardanit,
ashtu sikundër edhe personazhi i Dedë Çelikut, mërgimtar solidar. Nga ana
tjetër në secilin mjedis shoqëror e shtetëror, has edhe individë të rënë, si te
studentët, ndonjëri që jepet edhe apo drogës, siç është Narkoja, student, djali
i pronarit të një banese ku banojnë studentët apo edhe spiunë e njerëz të
shitur te regjimi, apo edhe të degraduar e të vetmuar, ashtu sikundër ka edhe
njerëz që e ruajnë dinjitetin e tyre, që e kanë ndërgjegjen e tyre dhe që
përfaqësojnë edhe vetëdijen e zgjuar të kohës:
“Shoku
polic, kemi dy lloj njerëzish. E para janë njerëzit e urtë si qengja, që ju i
quani të besueshëm dhe atëherë kur s’iu duhen për spiunllëk apo administratë,
sa herë të keni dëshirë i vendosni si kufoma mbi tavolina. Pastaj njerëzit e
llojit të dytë janë trima si luanët që nuk durojnë dot robërinë. Kur ata
vendosin t’iu dalin para pushtuesve, dije se po bëjnë përpjekje të jetojnë.
Mirëpo, kjo do të thotë se atëherë ata janë të gatshëm edhe të vdesin
menjëherë, sepse ata së pari do të bëjnë çmos t’iu eliminojnë, theksoi Dardani
i bindur që e kishte të pamundur të shpëtonte dhe po e parandiente se do ta
pësonte shumë keq nga kjo ekspeditë, meqë tanimë ishte përfshirë në thelb, dhe
e kishte kuptuar rrezikun që i kanosej.”
Dardani përfaqëson
këtë ndërgjegje të zgjuar liridashëse, sidomos pas kontaktit me Dëfrimin, i
cili burgoset dhe dënohet me njëzet vjet burg.
2.
Nga mërgimi te temat e mprehta sociale e ekzistenciale
E pra, autori mban
qëndrim kritik po edhe analitik ndaj realitetit social e atij politik të kohës,
të bashkëkohores, gjithnjë me kërkesën për të krijuar një vizion të një
zgjidhjeje nga ajo krizë morale, sociale e ekonomike, por, nga ana tjetër, me
përpjekje për të depërtuar edhe në botën e brendshme psikologjike të
protagonistëve të tij. Përparje e ndasi, mashtrime e intriga, hasen në çdo hap.
Jeta në fshat nuk ishte aspak e qëndrueshme: njerëzit jepen pas mbijetesës
sociale. Diskriminimi është i shumëfishtë. Dhe nuk është e habitshme përse
gjejmë personazhe që vuajnë, që goditen nga padrejtësia jo vetëm sociale, por
edhe kombëtare. Këta njerëz, studentë, prindër, fshatarë, apo edhe qytetarë,
janë të izoluar, janë të hedhur në margjinat e jetës. Autori e sheh varfërinë e
vuajtjen dhe dhembjen e tyre, por e sheh edhe forcën e vullnetin për të jetuar
e për ta pasur dinjitetin e vet njerëzor, ata ende janë në kërkim të rrugës për
çlirim.
“Dardani
kishte shumë respekt për ata që ballafaqoheshin me varfërinë dhe sa herë
takonte njerëz me halle ose brenga si ai, nuk ndihej mirë, sepse e dinte dhe e
kuptonte në thelb se çfarë do të thotë të mbijetosh, atëherë kur mezi arrin të
shtysh ditët. Në kokën e tij e kishte të qartë si kristali se përfundimi i
studimeve ishte ideja dhe hapja e derës magjike për ta braktisur përfundimisht
varfërinë, por arritja deri aty ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme.
Prandaj ishte i bindur se ajo ishte rruga e duhur dhe kujtonte se s’kishte
forcë që do ta ndante nga realizimi i qëllimit.”
Kur autori i
përshkruan ambientet e kushteve të rënda të banimit, në botën perëndimore,
ashtu siç i vuan ato Dardani apo edhe ndonjë tjetër, këtë e bën pa zbukurime,
për ta paraqitur kalbjen morale e njerëzore, po edhe për ta sugjeruar
seriozitetin e problematikës që trajton.
Duke qenë edhe vetë
autor që jeton në mërgim, ai e njeh mirë këto shtigje, jetën e tyre dhe
karakteret e njerëzve. Tashmë në të dy romanet ai e shqipton të vërtetën e
kahershme për mërgimtarin: se jeta e një të mërguari nuk është e rëndomtë, se
ajo i ka kaptinat e saja të veçanta të moteve, të valëve të kohës, të zjarrit
të zgjuar në kujtime e përmallime. Këta personazhe, kur bëjnë kaq shumë
shtegtime nëpër rrugët e botës, atëherë edhe vepra dhe rrëfimi romanor e zënë
dhe e këndvështrojnë botën dhe jetën në lëvizje. Edhe ata që jetojnë jashtë,
kanë kontradiktat, hallet, formimet e veta të karakterit dhe problemet
delikate:
“-Në
kurbet nuk mund të jesh human kur vetë nuk ke të ardhura Sament,- reagoi
Lasgushi ashpër ndaj dajës së tij, ku njëherë Dardanit i iku mendja se do ta
godiste me grushte.
Secili
prej nesh ka halle të shumta dhe secili është i interesuar të ndajë sa më shumë
para, për të ndihmuar familjet. Madje disa punojnë këtu vetëm për të ndërtuar
ndonjë godinë. Kupton tani, vazhdonte Lasgushi, që nxirrte një zë të fortë nga
fyti dhe gati sa nuk çirrej.”
Tashmë ky rrëfim zë e
shndërrohet në shpalosje jetëshkrimore. Dhe nuk është e habitshme përse rrëfimi
që e përcjell në çdo jap personazhin kryesor, Dardanin, do të ligjërojë nëpër
vorbullat e këtyre shtegtimeve të furtunshme, kur shfaqen lëkundjet e qenies
sonë, por duke shtegtuar, duke u larguar nga vendlindja, nuk ka se si të mos i
ruajë në kujtesë e në përmallime imazhet e vendlindjes e të Atdheut, si shenjë
të Identitetit të pashprishur, si thelbe të vetvetes. Përftohet përshtypja se
secili shteg narrativ na shpie kah një kronologji shpirtërore e përjetimit të
rrjedhës së kohës, si një autobiografi e botës së brendshme me shenja të
realitetit jetësor nëpër shtigjet e jetës. Rrugëtimi ekzistencial i emigrantit
ndërthuret me përsiatjet e protagonistit Dardanit, që e përkufizuam si
personazh me vetëdije të zgjuar sociale e liridashëse.
3.
Arkitektura epike e veprës
Autori na zbulon një
bollëk ngjarjesh, lëvizjesh, psikologjish, imazhesh e pamjesh të këtij
realiteti të ndërliqshëm; herën tjetër i zgjeron kuptimet psiko-refleksive e
psiko-sociale, duke gërmuar edhe nëpër trashëgiminë tonë, edhe nëpër emërtesat
e realitetit të tillë. Narratori bashkëbisedon dhe bashkëndjen me fatin e tyre.
Përshkrimi ambienteve të banimit në mërgim, përshkrimi i ambienteve të punës, i
ambienteve të kafenesë apo edhe i atyre urbane, me kontrastet e pezmatueshme,
realizohet me përshkrime të hollësishme. Ikjen nga vendlindja e gjejnë edhe si
nevojë që të largohen nga realiteti i rëndë, por ata gjithnjë ëndërrojnë se do
të kthehen një ditë. Largohen, duke menduar se kështu po i zotërojnë
vështirësitë e jetës, se po e mundin socialitetin e rëndë se po e mposhtin
realitetin e ankthshëm të kujtesës së rëndë.
Ky narrator sikur e
merr edhe rolin e sociologut e të dëshmitarit për të dëshmuar mbi kohën e tij,
mbi shoqërinë apo mbi komunitetin e tij; për të dëshmuar për fatin e individit,
për ekzistencën e tij, për të depërtuar në substancën e shpirtit të këtij
mjedisi e të mjediseve të ndryshme. Se deri ku arrin stërkeqja morale, narratori
i veprës na e jep këtë përshkrim të protagonistit të Hajdarit:
“Saktësisht
nuk e di se ku jeton, por thonë se diku në rrethinat e Pejës. Jam i bindur që
ti do t’ia gjesh shtëpinë. Vërtet Hajdari është një njeri që tek ne thuhet në
gjuhën popullore si “njëqind pa një shtëpi”, ku as fëmijën e tij, jo që vetëm
nuk e respekton, por edhe nuk e konsideron si të vetin. Madje as bashkëshorten
nuk e njeh si qenie njerëzore. Megjithatë kurrë s’dihet, ndoshta mund ta
dëgjojë babanë e tij. Më thuaj ti, e ke parë në këta muaj ndonjëherë me gruan
dhe fëmijët e tij?”
Dardani vendos t’i
ndërpresë studimet për shkak të rrënimit të jetës sociale të familjes.
Protagonistët e këtij romani janë edhe kryengritës, edhe atëherë kur këtë nuk e
dëshirojnë, por e bëjnë nga dëshpërimi e zemra e plastë e ekzistencës së
lëkundur. Jeta në atdhe dhe mërgimi kalojnë nëpër jo pak akte dramatike.
Vërtet, njerëzit
bëjnë gjithçka t'i ikën vuajtjes dhe varfërisë dhe t’i realizojnë ëndrrat e
tyre.... Por edhe secila vuajtje, thuhet, nuk është e keqe. Edhe tek vuajtjet
ka fisnikëri, ka vuajtje që na forcojnë, që na ndihmojnë në shpëtimin tonë...
Personazhet janë kështu përfaqësues të fatit kolektiv, nacional të asaj kohe.
Autori ka arritur që të seleksionojë nga kjo shumësi fatesh ato më të theksuarat,
më divegjentet, më tipiket, më esencialet. Ishte kohë, kur në skenën e jetës
sociale dalin si pseudo-shpëtimtarë fajdexhinjtë, biznes-kolaboracionistët apo
e tregtarët e paskrupullt. Duke e vendosur si figurë kryesore në roman të riun
Dardan Iliri, autori ka dashur kësisoj që të theksojë se më së miri mund të
shfaqen gjithë problematikat e kohës, tek i cili barten jo vetëm kundërthëniet
kryesore të kohës, por edhe shkallëzimi i situatave historike. Ndërkaq,
gdhendja e personazheve dhe e ngjarjeve, bëhet me mjetet e realizmit
tradicional. Edhe arkitektura kompozicionale-tematike e veprës mbështetet në
formën e epike të trajtimit.
Vuajtja rrëfehet si
një refren i gjatë i fateve dramatike. Dramën e vuajtjeve të mërgimit lexuesi e
ndien si dramë të atdheut të tij: janë ato dallgë që e patën përfshirë Kosovën
në të kaluarën, por që e kanë hedhë në stuhitë e fatit edhe sot.
Qershor,
2023