| E hene, 07.08.2023, 07:58 PM |
Një nisje e shkëlqyer për romanin “Dëshirë e djegur”,
Autori
merr çmimin shkrimtar i vitit 2023
Nga
MBA Dafina Selimi
Në
ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë u bë promovimi i romanit të
shumë pritur nga shkrimtari tashmë i njohur Ramiz Selimi, i titulluar “Dëshirë
e djegur”. Ky eveniment i rëndësishëm kulturor u mbajt me sukses të madh duke sjellë krijues, lexues dhe miq të
autorit për të festuar momente të veçanta në skenën e letërsisë.
Vet
pjesëmarrësit së bashku me autorin dhe panelin që ishin një ëmbëlsirë e kthyen
këtë ngjarje në një kujtim të pashlyeshëm. Moderatorja e shkëlqyer zonja Mimoza
Abrazhda hapi evenimentin duke përshëndetur të pranishmit si dhe mysafirin e
nderit profesorin e autorit Anton Kolaj. Pastaj gazetari i mirënjohur Asllan
Bajrami lexoi me zërin e tij të ëmbël një fragment hyrës, për ti hapur rrugë
fjalimit të zotit Prof. Safet Gërxhaliu që si temë kishte biografinë e autorit.
Ai tregoi për rrugëtimin jetësor të autorit që ishte një fjalim tejet
mbresëlënës dhe interesant, duke treguar për fëmijërinë, shkollimin dhe
peripecitë e paskajshme jetësore.
Recensenti
i romanit autori i mbi njëqind veprave Prof. Prend Buzhala, tha se “Dëshirë e
djegur” është një vepër e thellë dhe kuptimore, ku autori shkruan me ndjeshmëri
për sfidat e jetës, për ëndrrat dhe ndjenjat që kishte përjetuar personazhi
emblematik Dardan Iliri. Ai tha se vëllimi i dytë vazhdon pas romanit “Rrënjët
e Kujtesës”duke shtjelluar në pjesën e parë peripecitë dhe jetën studentore,
për të vazhduar në pjesën e dytë me emigrimin dhe pësimet e dhimbshme nga
matrapazët. Buzhala tha se Dardan Iliri është syzheu i veprës që bart emblemën
e fatit të njeriut shqiptar.
Një
diskutim të ngrohtë dhe tejet përmbajtjesor e mbajti shkrimtari nga Peja zoti
Esat Loshaj, i cili tha se ky roman vlerësohet lartë me të gjithë elementet e
veta letrare artistike dhe kuptimore. Duke mbajtur rëndësinë dhe vlerat
përmbajtjesore të romanit, Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës e ka vlerësuar lartë
punën e zotit Selimi, për merita të shquara, për vlera të shquara
ideo-artistike dhe përmbajtjesore, me çmimin Shkrimtar i vitit 2023.
Autori
në një fjalë të ndjeshme të shoqëruara nga emocionet shprehu mirënjohjen dhe
falënderimet për të gjithë ata që ishin të pranishëm. Një vend të veçantë në
falënderimet e autorit zuri edhe redaktorja e romanit zonja Violeta Allmuça, e
cila kishte thënë se romani "Dëshirë e djegur", ishte njëri ndër
romanet më të mira që kishte lexuar. Ramiz Selimi kërkoi nga lexuesit të hapin
faqet e këtij romani dhe të marrin pjesë në aventurën e tij.
Promovimi
u shoqërua edhe nga një diskutim i ngrohtë, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të
shprehin mendimet e tyre. Në fjalimin e tij zoti Anton Kolaj tregoi për kohën
kur e kishte nxënës dhe tani ndjehej krenar me të arriturat e Ramizit.
Përderisa kolegu nga Austria zoti Hazir Mehmeti tha se është kënaqësi që kemi
njerëz të tillë në mërgim. Vajza Dafina Selimi mburrej me të atin dhe i tregoi
dy këshilla që i kishin hyrë shumë në punë. Kurse zoti Afrim Berisha recitoi
poezinë e Ndre Mjedës, “O lejlek, o shpend udhëtarë”.
Kjo
ngjarje u pasua nga një seancë nënshkrimi ku mysafirët morën dhuratë librin.
Pas koktejit të shtruar, autori dha edhe disa intervista për mediat vendore.
Me
një shpresë të madhe dhe entuziazëm për të ardhmen e romanit “Dëshirë e djegur”
ky promovim shpalli një sukses të qartë dhe një ndikim të dukshëm në botën
letrare të Kosovës.
https://www.youtube.com/watch?v=wYHDnCuFf3A