| E hene, 07.08.2023, 08:01 PM |
11 vite pa poetin e kalibrit ndërkombëtar, Ali Podrimjen
Nga
Gjekë Gjonaj
Më
21 korrik të këtij viti janë bërë 11 vite pa poetin e madh shqiptar nga Gjakova
(Kosovë), Ali Podrimjen. Atë ditë policia franceze gjeti trupin e tij të pajetë
në afërsi të qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në
Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë "Voix de la Mediterranee". Sipas
raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja
dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze,
Podrimja kishte humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të
tëra lëvizjeje është dehidruar.
Lajmin
e hidhur për gjetjen e trupit të tij të pajetë të gjithë shqiptarët kudo e morën
me dhimbje dhe pikëllim mbase askush nuk do ta ketë pritur që poeti i madh i
dhimbjes, vuajtjeve, qëndresës dhe qenies shqiptare, Ali Podrimja të na linte
përgjithmonë lamtumirën pa kthim të kësaj jete, për të shkuar në amshim.
Me
vdekjen e papritur të poetit u shua edhe një penë e madhe e letrave shqipe, që
la zbrazëti e dhimbje në këto troje, për të mbetur përjetësisht në zemrat e të
gjithë shqiptarëve, si udhërrëfim për brezat që do të vijnë. Vdekja e poetit
nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e tij,
por edhe për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, artin dhe kulturën kombëtare në
përgjithësi.
Jetëshkrimi
Ali
Podrimja u lind në vitin 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu
në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filo¬zofik, Gjuhë dhe letërsi shqipe në
Universitetin e Kosovës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme
"Rilindja" në rubrikën e kulturës. Më 1976 në Edicionin e Botimeve
"Rilin¬dja" udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe
Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Ishte anëtar i LSHK dhe i PEN-it
shqiptar. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin
2000 zgjidhet anëtar i rregullt. Bashkëpunoi me të gjitha revistat e fletushkat
në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Është fitues i shpërblimeve të
ndryshme letrare. Në vitin 1999 në Shtutgart të Gjermanisë u nderua me çmimin e
mirënjohur letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe
përkthyer në disa gjuhë. Është prezent në shumë manifestime ndërkombëtare. Pos
poezive, Podrimja shkroi ese e tregime. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme
letrare.
Krijimtaria letrare
Ali
Podrimja është autor i rreth njëzet vëllimeve me poezi i cili nga kritika
vlerësohet si njëri ndër përfaqësuesit më të vlerësuar të poezisë së sotme
shqiptare dhe poet me emër të njohur edhe në shkallë ndërkombëtare. Ai është
marrë më tepër me poezi lirike, vargjet e së cilës çdo herë ishin të frymëzuara
dhe të lidhura ngusht me fatin e hidhur historik të popullit shqiptar. Ndaj, në
qendër të shkrimeve të tij, poeti gjithmonë kishte qëndresën heroike kombëtare.
Nga opusi i tij i madh krijues veçojmë përmbledhjet me poezi
"Thirrje" 1961, "Shamijat e përshëndetjeve"1963 ,
"Dhimbë e bukur" 1967, "Sampo" 1969 , "Torzo" /
"Hija e tokës" 1971 , "Drejtpeshimi"1981,"Lum
Lumi"1982 ,"Fund i gëzuar" 1988 ,"Zari" 1990,"Në
bisht të sorrës" 1994, "Buzëqeshje në kafaz" 1994,"Burgu i
hapur"1998,"Hrakiri" , "Ishulli Albani"
1999,"Dielli i zi" 2000 ,"Libri që nuk mbyllet" 2001 dhe dy
libra në prozë "Burgu i hapur" 1998, dhe "Harakiri" 1999,
etj.
Vlerësimet për poetin
Kritikët
dhe studiuesit e letërsisë me të drejtë Ali Podrimjen e konsiderojnë një poet
të kalibrit ndërkombëtar dhe njërin ndër përfaqësuesit më të njohur të poezisë
së sotme shqiptare. Ata konstatojnë se poezia e Podrimjes është dëshmi e një
vetëdijesimi kolektiv në luftën për liri e pavarësi që nga vitet '60, respektivisht
në vitet '80, ku poezia e tij u bë zë i përgjithshëm i popullit. Sipas tyre,
puna e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjitha
trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja.
Podrimja,
shprehen njohësit e mirë të poezisë së tij, përmes artit poetik ka përçuar
kulturën e traditën tonë dhe me krijimtarinë e tij e ka ngritur në një nivel
tjetër poezinë shqipe. Studiuesit theksojnë se ai shquhej për atdhetarinë e
flakët, si krijues i një arti të rrallë në letrat shqipe, një princ i poezisë,
poet e mendjendritur i kombit tonë i cili tërë jetën dhe veprën e tij me shpirt
ia përkushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për të cilën bëri gjithë atë që
mundi për të deri me vdekjen e tij në Paris.
Ismail
Kadare e vlerëson si një nga poetët më të rëndësishëm të kombit shqiptar, të
gjuhës shqipe, duke shtuar se ka qenë ndër kënaqësitë e jetës së tij prania e
këtij poeti. Agim Vinca thotë se poezia ishte arti, feja dhe ideologjia e tij,
duke qenë në rrethin e poetëve që e modernizuan strukturën e poezisë shqipe.
Aleksandër Zoto shkruan se Aliu bëhet psalt i atdheut të vogël (Kosovës), po
dhe i gjithë universit albanofon. Simbolika e gurit është përveçuar si një nga
tiparet e tij krijuese, teksa Dino Kubatis konfiguron "kullën poetike
Podrimja". Flora Nrovina përvijon mishërimin e së bukurës dhe artistikes
te poeti emblematik. Fatos Arapi, Hans-Joakim Lanksh, Mehmet Kraja, Sadik
Bejko, Visar Zhiti, Agron Tufa etj., zbulojnë secili fille nga gjerdani poetik
podrimjan, ashtu si dhe piktorët Gjelosh Gjokaj e Rexhep Ferri.
Përfundim
Krijimtaria
e tij letrare la gjurmë të pashlyera në kujtesën e lexuesve duke kapërcyer
kufijtë etnikë dhe përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, për të arritur deri
në piedestalin e përjetshëm të poezisë, artit dhe kulturës ndërkombëtare. Ali
Podrimja ishte krijues i veçantë dhe skalitës i vlerave të rralla artistike, i
cili me veprën "Lum Lumi"përgjithësoi dhimbjen e tij të madhe
shpirtërore, me të gjithë shpirtrat e pafajshëm kudo, që kanë mundur të përjetojnë
tragjedi. Ai do të hynte në histori përmes fjalës së shkruar në mënyrë
metaforike ku shprehu ndjenjat e vrara me shumë plagë të popullit të tij dhe
dëshmoi vuajtjet e atdheut të kthyer në "Gjak që nuk falet" si dhe
përpjekjet e shqiptarëve për çlirim kombëtar dhe atdhedashuri. Ali Podrimja
kishte lindur për poezinë. Lirika e tij kishte një bukuri të fshehtë mahnitëse,
që herë-herë duhej ta kërkoje.