| E diele, 06.08.2023, 07:50 PM |
DY AUTORË, NJË LIBËR: SHUMËSIA E LEXIMEVE
("Arti kritikës" i autorëve Musa Jupolli e
Shefqet Dibrani, botoi Faik Konica, Prishtinë, 2023)
Nga
Prend BUZHALA
Një
vepër e veçantë me punime kritiko-letrare, eseistike, me interpretime
letrare... Është fjala për librin "Arti
kritikës" i autorëve Musa Jupolli e Shefqet Dibrani, që të dy nga
Llapi... autorë mërgimtarë, njëri në Francë, tjetri në Zvicër. Aty, gjithsesi,
është edhe emri i Mentor Thaqit (me referencën: ideator dhe autor i
parathënies).
1.
Por
ata nuk kanë hequr dorë asnjëherë nga shkrimi letrar. Kur lexohen këto shkrime,
të krijohet mbresa, se autorët arrijnë të sjellin jehonat e mendimit estetik
bashkëkohor evropian, meqë janë në kontakt edhe me letërsitë e literaturën e
atjeshme në disa gjuhë. Dhe kjo jehonë, e gërshetuar me mendimet për veprat
letrare e për krijimet letrare në shqip, përbën një vlerë të veçantë.
(INTEREMXO:
nga të dy autorët e ndiej veten të nderuar, meqë aty përfshihen disa punime për
veprat e krijimet e mia letrare: disa shkrime për veprën time poetike "Ani
i ilirishteve”: esetë interpretuese të Musa Jupollit, dhe dy shkrime
kritiko-letrare nga të dy autorët).
Mirëpo,
në libër vijnë emra kulmorë të letrave shqipe, siç është pjesa e parë me punime
të Musa Jupollit: për vepra e autorë si Ismail Kadare, Ibrahim Kadriu, akademik
Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Zekerija Cana, por edhe për krijues
që janë aktivë dhe kanë vlerat e veta artistike, si Shaip Beqiri, Tonin
Nikolli, Fatmir Halimi, Lutfi Lepaja, Rita Salihu, Martin Çuni, Naxhije Doçi,
Drita Fejza, Bajrush Zeka, Shaban Pllana, Fatos Kabashi, Angjalina Marku, Lumni
Nimani, Mentor Thaqi, FRran Tanushi, Besnik Camaj, Muharrem Blakaj, Faruk Tasholli,
Sylë Bajrami, Bardhyl Mahmuti, Shefqet Dibrani, Dritë Ruhani, Gjekë Marinaj, Rexhep Rifati, Bekim
Lumi, homazhe shkrimesh për shkrimtarë e gjuhëtarë si Musa Ramadani, Petrit
Ruka, Isa Bajçinca.
Pjesa
e dytë vjen me shkrime të Shefqet Dibranit, ku shkrimi letrar është
ekskluzivisht i ligjërimit kritiko-letrar, i analitikës letrare apo i librit
nga fushat tjera dokumentare e publicistike, për veprat e autorëve: Jusuf
Buxhovi, Gani Bytyçi, Barabara- Burbuqe Heim, Muharrem Blakaj, Ajete Zogaj, Zef
Ahmeti, Rexhep Rifati, Hajdar Sadrija, Adnan Mehmeti, Haradin Gashi, Musa
Jupolli, Mentor Thaqi, Gjek; Marinaj, Sevdije Rexhepi, Besnik Camaj, Yiye
Pepshi, Nam fetaj, Shemis Makolli, Fatime Kalimashi dhe Agim Desku.
2.
Kur
i lexojmë së bashku dy autorë të mërgatës që merren edhe me shkrimin
kritiko-letrar, apo me analitiken e librit shqip përgjithësisht; zhanër kaq pak
i kultivuar në ato anë; libri i tillë merr edhe një vlerë e domethënie tjetër:
për të dëshmuar se Fjala Shqipe andej është e gjallë, se Fjala e Shkruar Shqipe
është pjesë integrale e Letrave Shqipe përgjithësisht, se ky zë shkrimi vjen i
nuancuar, me thesaret e mendimit të
hapësirës së Fjalës sonë kudo që shkruhet e flitet. Sikundër vërehet,
mbizotërojnë autorë nga mërgata, dëshmi se letrat shqipe nëpër shtete të
ndryshme të Evropës perëndimore e në SHBA, po e përjetojnë edhe një renesancë
shkrimi e ringjalljeje. Ndër këta emra që u përmendën më lart, përveçse janë
poetë e krijues letrarë, ata janë edhe autorë të fushave të tjera të shkrimit,
si gazetarë, piktorë, gjuhëtarë apo historianë, qëmtues të librit dokumentar,
të librit të dëshmisë e të historisë.
Më
shumëse sa art i kritikës, këto punime janë art i shkrimit, i shkrimit eseistik
e interpretues, te Musaja, dhe të shkrimit kritiko-letrar e të analitikës
letrar dhe të asaj të beletristikës a librit dokumentar e publicistik, te
Shefqeti. Te analitika lexojmë kujdesin autorial për shqyrtimin dhe vlerësimin e kujdesshëm të një vepre letrare
apo joletrare, ndërsa te interpretimet, përveç vlerësimit të një aspekti a
krijese lirike.
3.
Kur
që në titull takohemi me referencat përkufizuese "art" dhe
"kritikë", atëherë lexuesi do të ndeshet me dy rrjedha shkrim-leximi:
me shijimin e së bukurës që ofrojnë jo vetëm veprat a krijimet në
vlerësim-interpretim, por edhe me përjetimin e mendimit, si thënie e pëlqyeshme
kritiko-letrare. Zaten, kritika letrare vetvetiu iu takon dy fushave: artit dhe
dijes, krijimit dhe vlerësimit. Kësisoj, autorët arrijnë t'i veçojnë shenjat
kreative te secili autor, arrijnë të zbërthejnë pjesët përbërëse a strukturën e
veprës e të krijimeve, t’i ekzaminojnë veçoritë individuale autoriale etj. Meqë
Musaja jeton në Paris, atëherë edhe relacionet e disa autorëve me Parisin janë
parapëlqime shkrimesh me frymë mendimi e me ligjërimin karakteristik eseistik.
Ndërkaq,
te Shefqeti, tashmë i sprovuar me disa vepra e studime letrare (këtu te pjesa
“Një autor një libër”), vjen me përgjegjësinë ndaj fjalës së shkruar, si
rezultat i kësaj përvoje në kontakt me librin e me veprimtaritë e librit.
Është
thënë sa e sa herë se Kritika gjithnjë vjen mbas veprës, ani se ngandonjëherë
ajo edhe i prin me kontekstin kulturor e shoqëror të momentit, në të cilin ajo
krijohet, shkruhet. Hegel do të thoshte: "Kjo është fryma e epokës, e
farkuar nga mendimet". Së këndejmi, edhe koha e konteksti hapësinor i
krijimtarisë e botimit të librave nga mërgata, veç sa e pasuron me rrezatime të
reja vlerash.
Secili
kritik e ka gjedhen e vet të leximit. Epoka Moderne kërkonte vetëm Leximin e
Tekstit, kurse që nga Niçeja e këndej, kërkonte vetëm Interpretimin. Shtigjet e
leximit dhe të jetës të shpijnë në brigje gjithnjë të reja. Edhe shkrimi kritik
i Shefqet Dibranit nuk mund t’i ikën kërkesës dhe prirjes së kryehershme të
kritikës për të qëndruar në mes krijimit dhe dijes; në mes artit dhe shkencës.
Shtigjet e leximit dhe të jetës të shpijnë në brigje gjithnjë të reja leximi,
kërkimi e vlerësimi.
Autorët
na dëshmojnë se leximi nuk i do kufizimet, ashtu sikundër as interpretimit të
një shkrimi letrar nuk mund t’i vihen kufij; letërsia në vete ngërthen
shumësinë e leximeve. Këtë shumësi leximi, ata arrijnë ta përçojnë te lexuesi.
31 korrik 2023