| E marte, 01.08.2023, 07:55 PM |
SI
E KISHIT EMRIN?...
Tregim
NGA
NDUE DEDAJ
-
Si e kishit emrin?
-
Mua po më pyesni, zoti Kryetar?!...
-
Ndjesë, po nuk po më vjen ndërmend emri juaj!
-
Të thuash për mua që jam plak, hajde de?…
Nit
Historikun e përshkoi një e therur nga koka te këmbët, iu rrotullua një çast
tavani plot llambadarë të shndritshëm, por e mbajti veten. Sapo kishte mbushur
81 vjeç dhe nuk priste të luante fati me të. Ishte moti i fundit i shekullit XX
dhe ai tashmë ndihej i “motshëm”, siç thoshte kur kërkonte ndihmë financiare
për botimet, në kuptimin se nesër bëhej vonë. Ndonjëri, që e njihte mirë dhe
nuk ua përtonte hokave, ia priste: “Fiks, pellazg je...”
Po
nuk ishte shaka. Sapo kishte botuar veprën e tij të jetës në tre vëllime dhe
kryetari i Akademisë së Shkencave, një profesor i njohur i Semiotikës, nuk ia
mbante mend emrin?!... Doli i turbulluar nga ai sallon hijerëndë, ku ishin
mbledhur gjithë akademikët e vendit për një urim të përbashkët me rastin e
ditës së shkencës. Nuk kishte pasur ndonjë ftesë dhe u habit kur pa se ata të
tjerët aty brenda kishin ftesa, bile dhe për drekën që do të shtronte ministri
i Arsimit me atë rast. Çfarë duhej më shumë se vepra prej 900 faqesh për ta
quajtur dhe atë akademik, si gjithë të tjerët? Ndërkohë që tre muaj më parë një
akademi shqiposh andej nga Amerika, e kishte shpallur akademik nderi. Ata,
mendjehapurit e Perëndimit, dinë se ç’bëjnë, kurse këta trutharët e këtushëm
kanë përlarë gjithçka për vete! Ndaj nuk bëhet ky vend...
Ashtu,
duke fryrë e shfryrë, u ul në një stol në parkun e Akademisë, ku cicerimat e
zogjve sikur ia davaritën disi atë dufin e brendshëm. Ku kishte humbur gjithë
ato vite, që nuk i kishte dëgjuar këta zëra gazmorë? I hodhi një sy çantës së
rëndë prej meshini ngjyrë kaf, ku gjendej vepra e tij madhore dhe e kaploi
sërish zëmërimi me shefin e Akademisë. Deshi të kthehej me turr në atë sallon
dhe t’ia plaste në sy ata libra me kapakë të trashë, që ta shihte mirë ai se me
kë kishte të bënte, por iu duk diçka fshatareske dhe u tërhoq.
Një
mendje i thoshte se emrin e tij e dinte i madh e i vogël, kurse i pari i
shkencës, e kishte bërë se nuk ishte? Vajmedet. Vetëm arkëtarja e KESH-it e
pyeste “si e ke emrin”, sa herë shkonte të paguante dritat në sportel...
Nuk
diti se çfarë t’i thoshte të shoqes në telefon, - që ia kishte merakun plakut
se mos e zinin makinat, apo rrëzohej shkallëve me gjithë atë çantë në dorë, sa
një samar kërriçi, siç kishte ironizuar një herë ajo, - se ai kishte ikur nga
ceremonia, sapo ajo kishte filluar dhe tash po sodiste si një të huaj Fan Nolin
në bronz...
“As
ky nuk ishte Akademik!...” - foli më vete.
*
Aranit
Bërxulla (nofkën Historiku ia kishte ngjitur pa të keq një dashamir, duke
dashur të thoshte Historiani) ishte marrë me punë të ndryshme në jetë, argat te
pasanikët para çlirimit, pas një kursi pedagogjik në fillim të viteve ‘50,
mësues filloreje, kurse me mbarimin e Institutit Pedagogjik, ishte emëruar
mësues historie në shkollën profesionale. Pasi kreu shkollën e Partisë, nisi
ngjitja në karrierë, në fillim përgjegjës kuadri në uzinën mekanike, pastaj
shef propagande në sektorë civilë dhe ushtarakë. 1990-a e zuri në pension dhe e
shoqja e nxiste që t’i ktheheshin fshatit, as dhjetë kilometra larg nga qyteti,
shkohej e vihej me urban, mirëpo Nitit ia kishte prishur mendjen një shok i tij
i fëmijërisë, ish - drejtor shkolle, edhe ai pensionist:
-
Ç’më rri si të kesh qenë askushi, shkruaj një monografi për krahinën tonë, kemi
qenë lokalitet në zë, kush më mirë se ti do ta bënte! Unë për vete i kam hyrë
punës për një libër për rolin e gruas në socializëm. Të gjithë po shkruajnë
libra! Pse më pak se të tjerët jemi ne? Nasi sapo e nxori librin për gjyshin e
tij patriot. Leci do ta nxjerrë muajin tjetër për minierat e qymyrgurit. Selimi
i është vënë punës për një album për çetat vullnetare.
-
Unë nuk bëj të këtilla, një shkrimtar këto i quan libra katundarie, do të bëj
një gjë që të tundet shkenca! O do t’iu shkoj në rrënjë Albanëve, o mos më
thënshin Aranit Bërxulla!
-
Shih, shih! Nuk thonë kot në ferrën e vogël fle lepuri i madh!...
Dhe
pa humbur kohë iu fut punës studimore, ditë - natë. Do të reviziononte në më
pak se një vit gjithë tezat për Albanët, duke kritikuar historianët, që sipas
tij kishin shkruar dokrra. Kishte shkuar disa herë në Zgërbonjë, duke këqyrur
rrënojat antike, por nuk ia kishin mbushur mendjen. Duke e parë ashtu me kapele
republike në kokë dhe çantën e stermadhe, fshatarët e kishin marrë për ndonjë
arkeolog të huaj, por kishte qëlluar një ish-zborist i kohës kur shërbente në
ushtri, që e kishte njohur dhe ai kishte bërë të habiturin se si komisari tash
na qenkësh bërë historiak. Apo nuk thoshtë asokohe Partia se në socializëm
njeriu duhet me qenë specialist për gjithçka? Me siguri fjala kishte qenë që
një tornitor të ishte dhe saldator, një shofer dhe pak mekanik, po asesi që një
kuadrovik administrate të turrej me pahir kah labirintet e shkencës!?...
Dhe
kishin ardhur kumtesat e para dhe gjer librat në formë broshurash të tij për
Albanët, që historiani i kohëve të vona me pasion djaloshar i nxirrte jo më nga
rajonet e përmendura deri atëherë, por në një krahinë gjysmëmalore, as veriore
e as jugore, as qendrore e as periferike, që për rastësi, dhe aspak për fajin e
tij, përkonte me vendlindjen e historian Nitit. Shtysë e gjithë kësaj kishte
qenë një toponim në katundin e tij, Arbena, që i kishte mbetur peng që në
fëmijëri. Ishte një rrënojë e vockël gurësh në një kodër, që deri atëherë
studiuesit e kishin quajtur një fortifikatë mesjetare jo kushedi.
Tashmë
kur mbaheshin konferenca në Tiranë për historinë e mesjetës, Nit Historiku
dilte në podium, pa ia dhënë kush fjalën, rrëmbente mikrofonin dhe iu vinte
hakut akademikëve, aq sa ata lusnin Zotin që veç ai të mos shkilte më në
tubimet e tyre. Arbena i tij ishte kthyer në makthin e tyre. Donte patjetër t’i
përfshinte në debat, por ata nuk e hanin atë kokërr ulliri të debatonin me një
amator, siç thoshin mes tyre, ndërkohë që mendonin se ai ishte jo vetëm amator
i rëndomtë, por një sharlatan që guxonte të përdorte shkencën për ambiciet e
tij delirante.
“Nuk
shkëlqeu dot si komisar, dashka të ndrisë si shkencëtar!”...
Mirëpo
Nit Historikut aq i bënte për ta. Ai do t’i mundte dhe pikë. Le të mbaheshin
për ajka e historiografisë. Në arkiva s’kishte hyrë ndonjëherë dhe as e dinte
se nga binin, por ai gjurmonte në popull, sajonte gojëdhëna, i rrotullonte
gjërat andej e këndej, vetëm e vetëm që ta shpallte Arbenën e tij qendër të
Albanëve... dhe të botës. Vendalinjtë e tij do të thoshin një ditë se heroi i
tyre kishte qenë ai, që i kishte nxjerrë në dritë dhe për këtë ata do t’ia
bënin shtatoren mu aty mbi gërmadhat e vjetra më të madhe se të Marin Barletit.
Ky nuk kishte shkruar asgjë për kalanë e Arbenës, kurse “Barleti” i tyre,
domethënë Nit Historiku, kishte sjellë argumente se ajo kishte qenë një nga
kështjellat skënderbegiane. Shkurt, i kishte futur në histori si katund e si
fis, kinse duke vërtetuar se Arbena ishte jo vetëm qytetërim ilir i
padiskutueshëm, por dhe pellazg.
Ia
kishte dalë që gjatë një fushate elektorale tek ajo rrënoja të sillte dhe vetë
kryetarin e Bashkisë, i cili duke mos pasur kurrëfarë haberi nga këto punë, i
kishte rrahur shpatullat Nit Historikut. Fotografitë nga ajo vizitë i tregonte
në çdo tubim “shkencor”, duke kujtuar se kështu do të tërhiqte vëmendjen e
atyre të Akademisë, por ata as që donin t’ia dinin për qokat e kryetarllëkut të
provincës, që veç vota donte. Kërkesës me shkrim të kryetarit të Bashkisë për
të organizuar një simpuzium në Arbenë, ata iu përgjigjën me shpërfillje. “E po
kanë kunj me mua. Janë bërë xhelozë me zbulimin tim! Ata, historianë me demek,
rrinë e ngrohin vezët në Bibliotekën Kombëtare, kurse unë prek me dorë çdo gur
të Arbenës, që më shpie te pellazgët! Le ta dinë të gjithë se nga mitra e
Arbenës sonë të vogël kanë dalë kolosët e njerëzimit. Edhe Aleksandri i Madh...
Edhe Pirro i Epirit... Edhe Teuta... Edhe Progoni... Edhe Topiajt... Edhe
Kastriotët... të gjithë ishin nga këtu... Po, po, thoni sa të doni me ironi, nga tri pëllëmbë vend!?...”
Kishte
pasur një polemikë të ashpër me një historian të njohur mediavelist, aty në
korridoret e Institut të Historisë. Hisoriani në fillim ishte përpjekur ta
largonte më të mirë, por kur Nit Historiku i kishte sulmuar si të paaftë në
çështjet e mesjetës, ai kishte shpërthyer duke dalë jashtë natyrës së tij dhe
sidomos etikës së institucionit: “Po kush na qenke ti, mor shoku historuc, që
nuk di nga bie shkenca e historisë dhe dërdëllit si dijetar i madh. Ti nuk ke
asnjë të dhënë shkencore, asnjë skedë e referencë tëndën, nuk ke shkelur kurrë
në arkiv, nuk ke metodike kërkimore, nuk di t’i kryqëzosh e parashtrosh të
dhënat edhe sikur t’i keshë ato... As grada e as tituj shkencorë! Asgjë. Nuk e
kupton se je duke rrëmihur në të huajt?!”
Por
nëse në Institutin e Historisë në Tiranë i kthenin shpinën, kishte shoqata
atdhetare - kulturore shqiptarësh në diasporë me të cilat e kishte ujdisur që
të mbante kumtesa për këndvështrimet e tij të reja historike dhe sidomos për
zbulimin e tij, Arbenën. Mirëpo pasi e dëgjonin njëherë Nit mavrinë, që nuk
pushonte për tri orë të mira, ata bënin qejf si me thana dhe nuk iu
përgjigjeshin më ftesave të tij për ta pritur përsëri vitin tjetër, më ditën e
flamurit.
Ata
që e kishin njohur dikur Komisar Nitin, nuk e njihnin Nit Historikun. Nuk ishte
më ajo koka e bëshme e ushtarakut faqekuq, sikur do të pëlciste nga shëndeti,
por një fytyrë e rreshkur, me flokët e kërleshur dhe mjekrën e bardhë si e
Marksit. Fotografitë e tij ishin para rafteve të mëdha me libra. E kishte
mbushur një ditë deng tavolinën e shkrimit me ato të uruar libra, si të ishte
Nikolae Jorga dhe kishte thirrur të nipin t’i bënte disa shkrepje. “O gjysh,
ç’është kjo rrëmujë kështu? Apo e ke bërë strofull për macet?!...”
*
Pas
asaj ceremonisë nuk u kthye kurrë më në dyert e Akademisë. A thua nuk kishte
vlejtur asgjë rropatja e tij me ditë e me net, me muaj e me vite, rretheqark
zbulimit të tij misterioz, përderisa nuk kishte krijuar një emër që të mbahej
mend nga të gjallët? Se nëse nuk mbahej mend sot, si do të mund të ishte i pavdekshëm
nesër? Ku do të shkonin 900 faqe studime për Arbenën e tij pellazge? Mbase nuk
do të harrohej atje mes dy grykash të nëmura, po ç’rëndësi kishte emri në një
provincë të harruar, kur nuk të njihte kryeqyteti?...
Ndërkohë,
shoku i tij, ish - drejtori i shkollës, kishte hequr dorë nga ai libri për
emancipimin e gruas, iu ishte kthyer fletoreve të dikurshme me fjalë të rralla,
që kishte mbledhur si mësues, i kishte rishikuar një për një, duke i
ballafaquar me fjalorët dhe ashtu pa u ndjerë, kishte botuar një libërth
gjuhësor me gjurmime nga terreni për trevën e tyre, dhe ja ku i kishte sjellë
ftesën për në promovimin që do të bëhej pasnesër në vendlindje…
-
Vij e të marr unë me makinë. Do t’i thuash dy fjalë për librin tim…, - i kishte
thënë ai në telefon. - A, se harrova, do të jetë dhe kryetari i Akademisë së
Shkencave! – kishte shtuar ai.
-
Siii? Do të vijë për librushkën tënde, që do ta bënte çdo mësues fshati, e nuk
ka ardhur njëherë për “Arbenën” time pellazgjike?...
-
Mbase… ngaqë… siç i kishte thënë një gjuhëtar, unë paskësha sjellë një
kontribut shkencor, sidomos sa i përket toponimisë së zonës me brumin e
shqipes…
*
-
Diku jemi parë? - iu drejtua kryeakademiku ditën e promovimit të asaj
“librushkës” gjuhësore prej 90 faqesh.
Nit
Historiku e vërejti nga këmbët te koka, se mos tjetri po tallej me të, por nuk
iu duk ashtu. Megjithëse hante një inat të paparë, tha:
-
Neee? Askund!...
Kur
u kthye në shtëpi, nxori albumin fotografik nga komodina dhe grisi të gjitha
fotot ku kishte dalë me VIP-at e shkencës, në kohën kur besonte se ata e
njihnin e ishte dhe ai njëri nga ata.
“Vërtetë,
si e kisha emrin?” - iu drejtua Aranit Bërxulla, me fjalët e atij tjetrit,
vetvetes...