Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Bishnica

| E diele, 30.07.2023, 07:22 PM |


Bishnica

Nga Edison Ypi

Bishnica nuk çfaqet.

Bishnica fanepset.

Ta shohësh Bishnicën kur fanepset, të bëhet ta përqafosh, ta përkëdhelësh, ta puthësh si Femër.

Bishnica është një luginë e blertë magjepsëse.

Bishnica mahnitëse duket si arenë e zhvillimeve dramatike e të gjitha kryveprave letrare njëkohësisht.

Bishnica është si një film tmerrësisht i bukur pamjet e të cilit të ndjekin deri në varr e përtej varrit.

Bishnica është një udhëtim pa gravitacion në kohë dhe hapësirë.

Bishnica është një mirazh nga ata që shihen me sy mbyllur kur po dëgjon muzikë që të shkakton lot.

Bishnica është ëndërr.

Bishnica është det me gjelbërim, rrethuar nga një oqean me klorofilë.

Bishnica është bukuroshe e strukur.

Bishnica është perri' e përgjumur.

Bishnica është mjegull e arratisur.

Rrethuar nga peisazhe leonardeske, përrenj mozartianë, fllad që të shkakton mornica, ujvara si flokë femrash, pëshpërima gjethesh, këngë bilbilash, aroma marramendëse, Bishnica është një Parajsë që po e pe një herë, nuk kthehesh më, mbetesh përgjithmonë aty.