| E premte, 28.07.2023, 08:00 PM |
ZEF JUBANI (1818 – 1880):
“RACCOLTA
DI CANTI E RAPSODIE DI POEMI ALBANESI”, TRIESTE 1871
“PËRMBLEDHJE
KËNGËSH POPULLORE DHE RAPSODISHË TË POEMAVE SHQIPTARE”
DHE
DOKUMENTIMI SË PARI I EMËRTIMEVE:
SHQYPNI
– SCHKGIÛPNY, SHQIPTAR – SCHKGÛPTÀR.
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Folklori shqiptar në aspektet
historiko – kulturore është ndër më të herëshmit në rrafshin europian. Pasuria
folklorike është krijimtari popullore, është shpirti, kultura dhe kujtesa
historike e popullit tonë, e transmetuar gojarisht brez pas brezi, kësisoj ka
arrijt e pastër dhe origjinale deri në ditët tona . I pari studiues shqiptar,
që iu dedikua folklorit tonë është Zef Jubani (1818 – 1880), nëpunës i
administratës në Vilajetin e Shkodrës, ekonomist, folklorist, gjuhëtarë,
shkrimtar, diplomat, përkthyes (zotëronte pesë gjuhë të huaja).
Zef Jubani gjatë viteve 1850 - 1860
mblodhi folklorin e qytetit dhe të Malësisë së Shkodrës. Gjatë kohës që punonte
përkthyes i Hyancunte Hecquard, konsulli i Francës në Shkodër, Jubani i
redaktoi veprën me titull “La haute Albanie ou Guégarie - Albania e epërme ose
Gegëria”, madje një pjesë të këngëve folklorike që kish mbledhur Jubani,
Hecquard i shtoi në veprën e tij, të botuar në vitin 1858.
Më 12 korrik 1870, Zef Jubani
(Giuseppe Jubany) e përfundoi dhe në vitin 1871 botoi në Trieste – Itali veprën
“Raccolta di canti e rapsodie di poemi albanesi – Përmbledhje këngësh popullore
dhe rapsodishë të poemave shqiptare”, që është vepra e parë historike në
bibliografinë e folklorit shqiptar me këngë të lashta të qytetit dhe malësisë
së Shkodrës, të shkruara në dialektin gegënisht. Në fakt, Jubani kishte
mbledhur shumë këngë dhe rrëfenja të lashta në qytet dhe në malësi të Shkodrës,
por gjatë përmbytjeve të 13 janarit 1866, shumë nga dorëshkrimet u lagën dhe u
prishën si shprehet për këtë ngjarje, duke theksuar se humbi shumë materiale,
që kishte mbledhur me vite dhe më shumë mundime.
“Përmbledhje këngësh popullore dhe
rapsodishë të poemave shqiptare”, është vepër dy gjuhëshe, e hartuar në
italisht dhe në shqip dhe e karakterizuar me disa veçori:
1. Në parathënien e librit të shkruar në
italisht, Zef Jubani fillon me disa përsiatje politike, me qëndrime kritike për
gjendjen e popullit në Vilajetin e Shkodrës, shpreh keqardhje për mos
respektimin e reformave të Tanzimatit, çka kishin penguar përparimin e
shoqërisë arbërore. Ai kërkonte që arsimi në shqip të bëhej i detyrushëm, akuzon
klerin e të dy feve, që nuk përdornin gjuhën shqipe, kritikonte jezuitët e
Shkodrës, që në shkolla i zhvillonin mësimet në italisht dhe latinisht, andaj
ata e denocuan në Vatikan si kundërshtarë i kishës.
Zef Jubani në këtë vepër, ashtu si në
të tjerat të botuara në vitet e më pasme, kërkonte të ndalohej gjakmarrja,
madje të trajtohej nga drejtësia si vrasje, si akt kriminal. Ai i akuzon
gjykatat e pushtetit osaman, që ngatërronin ligjet e Sheriatit me të drejtës
zakonore arbërore. Thekson se fiset malore të Hotit, Kelmendit, Shkrelit,
Shalës,
Kastratit, Dukagjinit, Pukës,
Mirditës, Matit, Lurës, Kthellës, Selitës, Pedana, shqiptarët e Malit të Zi
etj, jetën e brendëshme e drejtonin sipas ligjeve tradicionale të Lek
Dukagjinit, madje gëzonin dhe autonomi.
2. Në pjesën e dytë të kësaj vepre,
“Nuova sistema di lettere albanesi – sull’alfabeto latino – Sistemi i ri i
germave albaneze – bazuar në alfabetin latin”, Zef Jubani prezanton alfabetin e
gjuhës shqipe, të përpiluar prej atij vetë, pra shkruan me alfabet origjinal me
germa latine, të shoqëruar me gramatikë përshkruese e me detaje fonetike, çka e
kanë lehtësuar shqiptimin në gjuhën shqipe të këngëve dhe rrëfenjave të
mbledhura prej tij. Alfabeti i gjuhës shqipes i përdorur nga Zef Jubani
përbëhet nga 36 germa, që përkojnë saktësisht me 36 tingujt e gjuhës sonë, nga
të cilat 14 të janë bashtingëllore të përbëra. Në parathënie Jubani thekson: “Nuk pretendoj të marr
autorsinë e alfabetit albanez, qëllimi im është t’i dhuroj lexuesve një metodë
të thjeshtë për të shqiptuar lehtësisht zanoret, bashtingelloret, rrokjet dhe
fjalët në gjuhën albaneze.
Zef Jubani, në alfabetin e tij mjeshtërisht shtoi germat ë, y, oe (voe – veza); krijoi bashkëtingëlloret e përbëra dh, ll, sch – sh, th, sz – zh, dj – xh, ndërsa për germën q përdori kompleksin bashtingëllor kg, etj. Sistemin e ri i germave të alfabetit me germa latine, Jubani e shoqëroi me rregulla preçize sintakse dhe fonetike, me synim që këngët e përmbledhura në këtë vëllim, të shqiptohen në gjuhën albaneze me theks origjnal.
Alfabeti i Zef Jubanit i botuar më 1871, por i praktikuar shumë më herët prej tij, së paku nga vitit 1850, i parapriu alfabetit me 36 germa latine i hartuar më 19 marsit 1879 në Stamboll nga “Komiteti për mbrojtjen e të drejtave të arbërorëve”.
Alfabeti i gjuhës shqipe me germa
latine i Zef Jubanit
3. Një meritë e Zef Jubanit është se këtë
vepër folklorike të shkruar në italisht e ka shoqëruar me përkthimin saktësisht në dialektin gegënisht të gjuhës
shqipe, duke theksuar se ndonjë dallim në aspektin struktural, ose e theksit në
shqiptim, lidhet kryesisht nga diferencat në stilet e të dy gjuhëve italisht
dhe albaneze. Kjo vepër pasurohet me rregullat gramatikore në zgjedhimin e
foljeve, lakimin e emrave, në specifikimin e vetave, të parafjalëve, të
ndajfoljeve, që në kompleksin e tyre shprehin pasurinë e gjuhës sonë.
4. Në komentet rreth rregullave gramatikore, të sintaksës
dhe fonetikës të gjuhës tonë në dialektin gegënisht, Zef Jubani thekson se do
t’i ndihmojnë filologët të gjykojnë cilit dialekt i përket merita e primatit.
Për këtë argument Jubani thekson: “Dialektet në Albania janë të shumtë, aq
shumë sa janë fiset e popullit shqiptar- popolo Schkipetar. Nga ana ime,
mendoj se bazuar ne fleksibilitetin, ëmbëlsinë në shprehje dhe pastërinë e
fjalëve, më perfekti është dialekti i folur nga albanezët e Elbasanit
(Albanopoli) dhe të rrethinave.
5. Në këtë vepër, Jubani shkruan Albania, popolo albanese,
alta Albania, lingua albanese, Arbeny, ashtu si dhe Schkgiûpny, Schkgiûptar,
popolo Schkipetar etj, si në tekstet në italisht, ashtu dhe në tekstet e
shkruara në shqip. Prej shumë vitesh vazhdojnë pyetjet retorike dhe kurioze
“kur mëmëdheu ynë u quajt Shqipëri, populli shqiptar dhe gjuha shqipe?”
Nuk do të shpreh opinione rreth
këtyre argumentave, por do të theksoj disa fakte që lidhen me kontributin e Zef
Jubanit, i cili në këtë vepre përdori së pari emrin Shqypni – Schkgiûpny,
emërtimin popolo Schkipetar - populli shqiptar,
gjuha shqype, duke e përsëritur në disa nga këngët e kësaj vepre.
Në shtypin tonë thuhet se përherë të
parë emri Shqypni, u përdor nga Pashko Vasa, në poemën “O moj Shqypni”, e
botuar në vitin 1880, ndërsa në fakt, për herë të parë u përdor 10 vite më
herët nga Zef Jubani, në veprën “Raccolta di canti e rapsodie di poemi
albanesi”, të hartuar në vitin 1870 dhe botuar në Trieste nga Tipografia Lloyd
Austriaco, në vitin 1871.
6. Në
pjesën e tretë të librit titulluar “Canti e rapsodie di poemi albanesi –
këngë dhe rapsodi të poemave albaneze – shqiptare”, Zef Jubani prezanton ciklin
me 24 këngë popullore, të mbledhura në qytetin e Shkodrës dhe fshatrat e
malësisë së Shkodrës, nga të cilat 16 këngë epiko-heroike, një këngë satirike e
Molla Sali Pata, dy këngë vaji grashë, tre këngë dasme, këngën e Shqypnisë të
Dom Pjetër Zarishtit dhe një ode për Dora D’Istria, prej Zefit Ndok Illys
Jubany.
Kënga e parë e kësaj
përmbledhje e titulluar “Kanga Ibrahim Pashës Schkgûptàr,
pasqyron ngjarjet e vitit 1572, kur shkodranët, përballuan heroikisht ushtrinë
turke të komanduar nga Pashvan Ogllu, i cili kishte sulmuar me 60 000 ushtarë
për të nënshtruar Shkodrën. Kjo kangë njihet dhe me titullin “Zani i
kasnecëve”. Në komentet e tij Zef Jubani thekson: “Kjo këngë i dedikohet
Ibrahim Pashës Shqyptar, i cili në vitin 1572 theu ushtrinë e Pashvan Oglu. Në
kohë të shkuara ishte ndër të rrallat këngë heroike të popullit shqiptar. Kjo
këngë u ruajt në kujtesën e disa banorëve të malësisë”.
Jup Kastrati mendon se kjo këngë
është një krijim osianik i vetë Zef Jubanit.
Në vitet 1415 – 1417 në pushtimin e parë nga Perandoria Osmane u krijua Sanxhaku Arvanidi (Albanisë), por me pushtimin e trojeve tona pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, u quajt Sanxhaku i Elbasanit. Nga shekulli XVI deri në vitin 1912, trojet tona ishin ndarë në katër vilajete, çka kishin ndikuar që administrata osmane të shmangte emërtimin Albania – Arbëria, por banorët vazhdonin të quheshin albanezë – arbër – arvanidi.
Kënga e parë që mblodhi Zef Jubani i
dedikohet Ibrahim Pashës Shqiptar, i cili në vitin 1572 theu ushtrinë e Pashvan Oglin më 60 000
luftëtarë, që ishin nis me nënshtrue Shkodrën. Në shekullin XVI nuk është
përdorur emërtimi shqiptar, si kuptohet këtë emër e përdori së pari Zef Jubani,
për të theksuar përkatësinë shqiptare të Ibrahim Pashës, madje krahas cilësimit
në titullin e këngës e përdor edhe ne strofën e dytë, duke theksuar:
“Pushkt’ besnike te Schkgûptàrve azgana.
Kënga e parë
Zani i kasnecëve,
përpiqet me gjamë,
Te fushat, e te
malet; e thërret
Burrat e dheut
gati me u bam
Nder arm. Njato
burra për të madh shndet,
Qi t’rrebt kan
kthye me shenja t’arta,
Nder shpia t’veta
gjithmon, si drita e-larta.
Gjith’ ngasin, tuj
dihat nder pleq e kapidana;
Armt shndrrisin
prej çelikut’ bardh;
Pushkt’ besnike te
Schkgûptàrve azgana,
Duken nder dyer te dialmnis pa-ardh
Ne burrni. Gjith ngasin si vala e
rrebt,
Ku asht rreziku ma i vështiri e i
verbt.
....................................
etj.
Sipas rregullave
fonetike të përcaktuara nga Zef Jubani emri Schkgûptàrve shqiptohet Shqyptarëve.
Në strofën e gjashtë të kësaj kënge, në vargjet dedikuar Ibrahim Mahmud Begollit, i cili si luan i priu me shpat në dorë 20 000 Schkgûptàr shkodranë, pra në këtë varg e përsërit emërtimin shqiptarë.
Kënga e dytë. I dedikohet Ipeshkëvit Ndrek Zmajeviçi i Tivarit, tekst i
shkruar nga Pjetër Bogdani në vitin 1685. Tekstin e kësaj kënge Jubani e ka
marrë nga vepra e Pjetër Bogdanit, i cili thekson se Andrea Zmajeviçi e ruan
Arbërinë si Krishti Malin Sion.
Ruén Arbnyn i-pàri ;
Pòssi Krischti Màl Syóne.
Si kuptohet në
këtë këngë, Jubani ruajti emërtimin Arbëni, si e kishte shkruar Pjetër Bogdani.
Kënga e tretë dhe e katërt. I dedikohen Imzot Pjetër Bogdanit. Kënga e tretë
i dedikohet kur ishte Ipeshkëv
i Shkodrës, ndërsa
kënga e katërt në nderim të Pjetër Bogdanit kur u ishte Arkipeshkëvi i Shkupit.
Tekstet e këtyre dy këngëve janë shkruar nga Luk Bogdani në vitet e fundit të
shekullit XVII.
Në strofën e
gjashtë të këngës së katërt, theksohet se Imzot Pjetër Bogdani zotëronte 10
gjuhë duke theksuar të parën gjuhën shqipe - Schkgiûp e me rradhë
latinisht, italisht, greqishte, dalmate (gjuhët sllave), ebraishte, arabe,
armene, siriane, si dhe osmanishte. Emërtimi Schkqiûp – shqip është i Zef
Jubanit, ndërsa Luk Bogdani e shkruante arbëneshe.
Në strofën e 19të
të kësaj kënge, shkruhet se kurorat e maleve ishin në duart e Arbëneshëve,
si kuptohet Jubani ka ruajtur varjantin e Luk Bogdanit, i cili e ka shkruar
Arbeny dhe Arbënesh, pra deri në fund të shekullit
XIX ende nuk
përdoreshin emërtimet Shqypni dhe shqyptarë.
Si kuptohet, në
këtë përmbledhje këngësh epiko – heroike, Zef Jubani ka ruajtur varjantet
origjinale, duke
shkruar herë
Albania, në të tjerat Arbnya (Arberia), Arbénésche (Arbëreshë), si në vargjet e
këngës të katërt:
Kënga e pestë e vitit 1784. Ishte shkruar nga Luk Bogdani dhe i dedikohet Mahmmud
Pashë – Dovletit. Jubani përsëri shkruan shqiptarët, për të theksuar
përkatësinë e luftëtarëve, si shprehet në vargjet:
Ahmed Pasha me Schkgûptar (me shqiptarët), bani luftë porsi motit.
Dhe në këtë këngë,
mendohet se termi Schkgûptar është shkruar nga Jubani, pasi në origjinal,
ndofta ishte shkruar arbër – arbënesh, si e kishte shkruar Lek Bogdani në
këngën e pestë dedikuar Pjetër Bogdanit.
Kënga e tetë. Është shkruar nga Zef Jubani dhe i dedikohet gjyshit të tij, Ilia prej
Juabnit, i cili në kohën e Ahmed Pashës, luftoi me Ali Serdarin në Zadrimë,
kundër toskëve, që e kishin pushtuar Lezhën deri në Bregun e Matit. Për këtë
këngë Jubani shkruan: “Questo Canto di pura favella Albanese; non vi ha un
vocabolo straniero, ed è nel dialetto parlato nell' Alta Albania – kjo këngë në
të folurën e pastër albaneze, nuk ka asnjë fjalë të huaj dhe është e dialektit
që flitet në Albaninë e veriut”.
Në këtë këngë, që
evokon gjyshin e tij Illys prej Jubanit (Ilia Jubani) thekson: “Asht fis e gjak
i nderuar, asht soji i Skenderbeut” dhe në vazhdim për të shprehur fisnikërinë
e fisit të tij shkruan: “Në Arbni janë tre zjarre...”, pra atdheun e quan
Arbëri – Arbry dhe ndër tre male kanë mbet Shala, Baba dhe Jubani.
Nè Arbry yán tri
sziare,
Atû sziarmi ascht
schpèrdare,
Nder tri Male kane
mète.
Schále, Bába, edhe
Yùbán,
Kënga e nëntë. Është krijim origjinal i Zef Jubanit, i cilia ia ka dedikuar Bonapartit,
revolucionit dhe luftës civile në Francë, duke evokuar lëvizjet patriotike dhe
në trojet Arbërore. Në vargjet e strofës të fundit të kësaj kënge shkruan për
pasuritë natyrore të Arbërisë, që ishin lakmi e nemceve – austriakëve:
Provincat e
Bosnjes dhe Arbërisë,
Mbush me fusha dhe
tokë të mirë,
Malet veshun
gjithë me ar,
Austriakëve zemra
iu a ka dëshirë.
Kënga e dhjetë. Kënga e Rexhep Agë Shkodranit, në luftën e Missirit, para vitit 1806.
Kjo këngë evokon
ngjarjet e luftës të Misirit (Egjyptit), ku mori pjesë Rexhep Agë Shkodrani,
para se në Egjypt të merrte pushtetin Mehmet Ali Pasha. Në këtë këngë, Zef
Jubani e cilëson Rexhep Agën “ma i pari i Schkgiûpnys (i Shqypnisë).
Në myllje të kësaj
vepre, janë dy poezi njëra shkruar nga Dom Pjetër Zarishti dhe tjetra një ode,
të cilën Jubani ia dedikon zonjës së përndritur dhe shkrimtares se shquar Dora
D’Istria.
Në letërkëmbimet
me Dom Pjetër Zarishti (abati i Mirditës) dhe me fratin Leonardo de Martino, dy
rilindasit e hershëm, Zef Jubani shkruan: “.... Shkurtimisht do të shohim në
dritë poezitë e bukura në shqip dhe të çmuara të abatit Zarishti i Mirditës.
Pas vdekjet të këtij fetari të shquar dhe të arsimuar, veprat e tij janë
çdukur....”
Dom Pjetër
Zarishti (1806 – 1866) kishte shkruar shumë poezi e ndër ato pak që ishin
ruajtur nga malësorët
Zef Jubani zgjodhi
“Këngën e Shqypnisë – Kàngh e-Schkgiûpnys”, me të cilën Zarishti evokon
pasuritë natyrale të Shqypnisë.
Në gjysmën e dytë
të shekullit XIX kemi tre rilindas, që e kanë emërtuar vendin tonë Shqypnia.
- Zef Jubani në
vitet 1860 – 1870.
- Dom Pjetër
Zarishti para vitit 1866.
- Pashko Vasa në
vitet 1878 – 1880.
Vëllimi “Raccolta di canti e
rapsodie di poemi albanesi – Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodishë të
poemave shqiptare”, mbyllet me një ode shkruar nga Zef Ndok Illia Jubani.
Tine yée gni hûûll
e na schndritt Arbnyn,
Me diée, me t'
mira,, e me bùkúrii;
.............................
Prèi Schkgiûpriéet
yée Bèghtaréscha,
Kgi githkund e
ketù te ndèròin.
..................................
Në vargjet e kësaj
ode, Jubani shkruan “Ti je ylli që na shndrit Arbnyn”, pra vendin tonë e quan
Arbëri, por në strofën e tretë, në vazhdën e lëvdatave dhe vlerësimeve
shprehet: “Për Shqipninë je Zonjë – Begtaresh”.
Ndërsa në vargun e
parë shkruan Arbny – Arbëri, në vazhdim shkruan Schkgiûpriéet – Shqipnie, si
kuptohet emërtimi i ri i vendit tonë Shqypnia, kishte hyrë në përdorimin e
përditshëm e gradualusht u masivizua dhe më 28 Nëntor 1912, në Kuvendin
Mbarëkombëtarë të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë, vendi ynë u quajt
Shqipëri.