| E merkure, 26.07.2023, 08:30 PM |
... KJO MURTAJË E ZEZË E BALLKANIT
-
ideologjia serbomadhe –
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Serbia e Madhe ose ideologjia serbomadhe është ide
irredentiste e cila ka për qëllim t’i bashkojë në një shtet të përbashkët të
gjitha territoret në të cilat jetojnë apo kanë jetuar dikur serbët. Gjatë
historisë, kjo ide shfaqet në forma të ndryshme dhe me emërtime të ndryshme.
Ideja e krijimit të shtetit të madh
serb ka lindur në shekullin XIX, në kohën e zgjimit kombëtar në mare Evropën
dhe të luftës së popullit serb për pavarësi. Në mënyrë më të qartë është
formësuar në vitin 1844 në “Naçertanien” e politikanit dhe kryeministrit
Ilija Garashanin (Ilija Garašanin, 1812-1874). Ky është program politik
sekret i Principatës së Serbisë. Sipas tij, shteti i ri serb do t’i përfshinte
edhe rajonet shumetnike të Ballkanit,
si Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën, viset shqiptare etj. Gjatë shekullit
XIX inteligjencia serbe, me përjashtim të mendimtarëve të së majtës të cilët
kanë qenë për krijimin e Federatës Ballkanike, kryesisht e kanë
pranuar idenë e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet të madh serb. Një
program të këtillë e kanë pranuar edhe shumë sundimtarë dhe shtetarë serbë,
duke përfshirë princin Aleksandar Karagjorgjeviq (Aleksandar
Kara?or?evi?, 1806-1885), princin Mihaillo Obrenoviq (Mihailo Obrenovi?,
1823-1868), themeluesin e Partisë Radikale Serbe, kryeministrin Nikolla
Pashiq (Nikola Paši?, 1845-1926) dhe shumë të tjerë. Të gjitha partitë
politike të Mbretërisë së Serbisë, me përjashtim të partisë socialdemokrate,
kanë pasur për qëllim krijimin e Serbisë së Madhe, përkatësisht “bashkimin e
serbëve”. Deri në Luftën e Parë Botërore, territori i Serbisë është
zgjeruar vazhdimisht. Pas Luftës I Botërore, elita politike serbe është
përcaktuar për krijimin e Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve,
bashkësisë së proklamuar të popujve jugosllavë, të cilën shumë studiues e kanë
konsideruar krijim serbomadh. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërmjet partizanëve,
në një anë dhe çetnikëve serbë, mbrojtës të krijimit të Serbisë së Madhe
në kuadër të Jugosllavisë së madhe, në anën tjetër - në Jugosllavi u zhvillua luftë
qytetare. Me dështimin e çetnikëve në Luftën II Botërore, dështoi edhe
politika serbomadhe, RSF e Jugosllavisë ndërkaq, u ndërtua mbi parimin
federativ. Pas vdekjes së Josip Broz Titos (1892-1980), në vitet ’80 të
shekullit XX, synimet e serbomëdhenjve që me dekada ishin të mposhtur – tani
ringjallen. Gjatë luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX, elita
politike serbe, me ndërmarrje kriminale të bashkuar në hapësirën e
Jugosllavisë, tentoi të krijojë shtet që do t’i bashkonte të gjithë serbët. Kjo
rezultoi me krime lufte masive dhe me spastrime etnike.
Karakteri agresiv i idesë së Serbisë
së Madhe si dhe i projekteve të tjera të krijimit të shtetit të madh
manifestohet në përpjekjen e sendërtimit të objektivit të parashikuar, që bie
ndesh qartas me vullnetin e artikuluar prerazi të shumicës, të pjesëtarëve të
kombeve të tjera, për të mos jetuar në atë shtet. Popujt e Ballkanit me shekuj
jetojnë të përzier njëri me tjetrin, ndaj është e pamundur të krijohet një
shtet kombëtar i madh pa përfshirë shumë grupe etnike kundër
vullnetit të tyre. Gjatë historisë, të gjitha përpjekjet e tilla për krijimin e
Serbisë së Madhe kanë përfunduar me krime të spastrimit etnik, me dëbimin e
popujve joserbë, madje edhe me gjenocid.
Shënim: “Doktrina serbomadhe” apo “ideologjia
serbomadhe“ nënkuptojnë idenë nacionaliste të bashkimit të serbëve. Me
termin “politikë serbomadhe“ nënkuptohet politika që synon
krijimin e Serbisë së Madhe. “Agresion serbomadh” është luftë pushtuese
e ndërmarrë për krijimin e Serbisë së Madhe. Ky term ka hyrë në përdorim të
gjerë që nga koha e luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX. Me
termin “borgjezia serbomadhe” nënkuptohet elita politike serbe e cila
promovon ideologjinë e Serbisë së Madhe. Termin e vuri në përdorim Partia Komuniste
e Jugosllavisë (PKJ) gjatë Jugosllavisë së parë. Termi “hegjemoni
serbomadhe” nënkupton epërsinë e Serbisë në shtetin e përbashkët jugosllav.
Termi është përdorur sidomos gjatë Jugosllavisë së parë.
Sipas serbëve, termi “politikë
serbomadhe” na qenkësh floskulë austro-hungareze që duhet të bëjë të mundur
copëtimin e Serbisë.
* * *
Ideologjia
serbomadhe në shekullin XIX –
Ideja e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet është formësuar në fillim
të shekullit XIX, si program i integrimit kombëtar dhe i krijimit të shtetit
kombëtar në kufij maksimalë. Kjo dukuri e fillimit të shekullit XIX ka qenë e
zakonshme ndër popujt e Evropës të cilët zgjimin kombëtar e kanë përjetuar në
periudhën gjatë Revolucionit Francez dhe luftërave të
Napoleonit (Napoleon Bonaparti, 1769-1821; perandor i Francës) dhe pas
saj. Në kohën e rilindjes kombëtare në shekullin XIX, dijetarët serbë kërkonin
modele historike për rimëkëmbjen e shtetësisë serbe. Kjo “e drejtë e
shenjtë historike” bazohet kryesisht në Perandorinë serbe –
kohëshkurtër - të Dushanit*, të shekullit XIV, e cila ka qenë
shteti mesjetar serb më i shtrirë. Bujarët kishtarë kanë vajtur në Rusi për
t’ia propozuar perandorit rus planet e rimëkëmbjes së “perandorisë
sllavo-serbe”. Shtrirje me ndihmën e Rusisë ka kërkuar edhe peshkopi
malazias Pjetri I Petroviq Njegosh (Petar I Petrovi? Njegoš, 1748-1830),
duke e zgjeruar Malin e Zi në Hercegovinë, në Dalmaci dhe në Dubrovnik, që do
të bëhej edhe kryeqendër.
Shënim: Dushani (Stefan Urosh IV Namanji?, i njohur edhe
si Dušna Silni, rreth 1312 – 1355), në vitet 1331-1345 ka qenë mbret mesjetar
serb, ndërsa në vitet 1346-1355, perandor i parë serb.
* * *
“Naçertania” (Projekti, 1844) e Ilia Garashaninit ishte
program sekret i politikës së jashtme dhe kombëtare të Serbisë. E shkroi kah
fundi i vitit 1844 ministri i Punëve të Brendshme Ilia Garashanini (1812-1874)
për princin Aleksandar Karagjorgjeviq (1842-1858).
“Çerta është bazë e
politikës serbe; ajo nuk kufizohet në kufijtë e tashëm të saj, por synon t’ia
bashkëngjit asaj të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë” - Ilia
Garashanin, “Naçertanie”.
Sipas “Naçertanies”, Serbia
duhet të punojë për çlirimin e serbëve dhe të sllavëve të tjerë si dhe për
bashkëngjitjen e rajoneve fqinje – Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe
Shqipërisë veriore, që nënkuptonte edhe Kosovën, që atëherë ishin në përbërje
të Perandorisë Osmane. Më vonë, Serbia duhet të punojë edhe për bashkëngjitjen
e Sremit, Baçkës dhe Banatit – atëherë në përbërje të Austro-Hungarisë.
Veprimtaria propagandistike kryesore e Serbisë do të bazohej në përgatitjen e
popullsisë së këtyre rajoneve për t’u bashkuar me Serbinë. Lufta për
bashkëngjitjen e këtyre rajoneve do të zhvillohej duke cunguar gradualisht
territoret që ishin nën sundimin otoman, në procesin e rënies së pandalshme të
perandorisë. Sipas Garashaninit, për këto vende Serbia ushtron “të
drejtën e shenjtë historike”, që bazohet në Perandorinë serbe të
Dushanit të shekullit XIV. Mbi këtë bazë duhet ngritur sërish
shtetin e madh serb:
“Serbia duhet të
përpiqet që nga ngrehina e shtetit turk të heqë nga një gur. Nga ky material i
mirë, mbi themelin e vjetër dhe të mirë të perandorisë së vjetër serbe, të
ndërtojë sërish shtetin e ri serb”
Në vitin 1848, Ilia Garashanini
dhe politikani e historiani serb Konstantin Nikollajeviqi (Konstantin
Nikolajevi?, 1821-1877) bashkërisht hartuan programin politik të njohur si Shtetet
e bashkuara serbe, që parashikonte ndarjen e Perandorisë Osmane në dy
nënmbretër: në Turqi aziatike dhe në Shtete të bashkuara serbe, ku do të
bashkoheshin të gjithë sllavët e pjesës evropiane të perandorisë. Në fillim,
Garashanini ishte ithtar i luftës për shtet të madh serb. Më vonë, si ministër
i Punëve të Jashtme i princit Mihaillo (Mihailo Obrenovi?, evoluoi kah
zgjidhja jugosllave. Vendosi lidhje me lëvizjen jugosllave
dhe ilire në Monarkinë e Habsburgëve (me ipeshkvin kroat Shtrosmajer)
si dhe me organizatat revolucionare bullgare.
Shënim: Shtrosmajeri (Josip Juraj Strossmayer,
1815-1905) është ipeshkëv kroat, teolog, politikan, themelues i institucioneve
shkencore dhe kulturore kryesore kroate.
* * *
Si një dokument sekret, “Naçertania”
e Garashaninit ka qenë program zyrtar i dy qeverive serbe - i princit Aleksandar Karagjorgjeviq
dhe i princit Mihaillo Obrenoviq. programin e “Naçertanies” e
kanë ndjekur të gjitha formacionet djathtiste serbe të
dhjetëvjeçarëve të ardhshëm.
*
* *
Një tjetër ideolog i idesë së Serbisë së Madhe është Vuk
Karaxhiqi (Vuk Stefanovi? Karadži?, 1787 – Vjenë, 1864). Ka qenë filolog
serb, reformues i gjuhës serbe. Në vitin 1849 botoi në Vjenë artikullin “Të
gjithë dhe kudo serbë” (Srbi svi i svuda). Këtu mbron tezën se të
gjithë që flasin në dialektin shtokav, pavarësisht nga përkatësia fetare,
tradita apo përkatësia rajonale, janë serbë. Artikulli
është pjesë e librit “Kornizë për historinë, gjuhën dhe zakonet e serbëve
të të tri feve”. Sipas të dhënave, artikulli qenkësh shkruar
qysh në vitin 1836. Për këtë arsye, disa studiues e konsiderojnë si të parin
projekt të Serbisë së Madhe. Në këtë artikull ai pohon se serbë janë të gjithë
që flasin në gjuhën serbe, ndërsa gjuhë serbe i quan të gjitha dialektet dhe të
folmet shtokav. Ai vjen në përfundim se ekzistuakan “serbë të
tri feve”, por e quajnë veten serbë vetëm ata të “fesë greke” (të fesë
ortodokse), kurse të tjerët nuk duan ta pranojnë këtë emër.
Me këtë tezë, Vuk Karaxhiqi do të thotë se myslimanët e
Bosnjës dhe Hercegovinës janë serbë të fesë islame, ndërsa kroatët kudo qofshin
– serbë të fesë katolike.
Vuk Karaxhiqi konsideronte se
dialekti shtokav është serbishte, ndërsa gjuhë popullore kroate e
vërtetë mund të jetë vetëm dialekti çakav. Sipas tij, dialekti kajkav
është gjuhë i gjuhës sllovene. Sipas kësaj teorie të Vuk Karaxhiqit, territori
në të cilin jetojnë shumica e kroatëve është reduktuar në Istër, në pjesën
veriore të bregut lindor të Adriatikut dhe në shumicën e ishujve të Adriatikut.
Në vitet në vijim u publikuan
vështrimet kritike të shumë autorëve kroatë në të cilat hidhet poshtë panserbizmi
gjuhësor i Karaxhiqit. Duke i shpallur të gjithë shtokavistët
serbë, autorët bashkëkohorë kroatë konsiderojnë se është pikërisht Vuk
Karaxhiqi ai i cili i ka vënë bazat e ambicieve serbomëdha.
Duke komentuar “Naçertanien” e
Garashaninit dhe “Të gjithë dhe kudo serbë” (Srbi svi i svuda) të
Karaxhiqit, historiani britanik i Universitetit të Oksfordit Noel Malkolm* (Sir
Noel Malcolm, 1956- ), midis tjerash
thotë: “...ka pasur shumë intelektualë kroatë, si Ante
Starçeviqi* dhe Eugen Kvaterniku* të cilët kanë mbrojtur
ideologji të ngjashme, por me shenjë të kundërt, sipas të cilës të gjithë
boshnjakët kanë qenë kroatë”.
Shënim:
Ante Starçeviq (Ante Star?evi?, 1823-1896) ka qenë politikan dhe
shkrimtar kroat;
Eugen Kvaternik (1825-1871) ka qenë politikan nacionalist kroat;
Noel Mlkolm (Sir
Noel Malcolm, 1956- ) është autor i librit “Kosovo: A Short History”,
New York: New York Univesity Press, 1998; Botuar në vitin 1998 nga shtëpia
botuese “Macmillan”; “Kosova: Histori e shkurtër”, përkthyer nga
anglishtja nga Dr. Abdullah Karjagdiu; ripunuar nga Pirro Misha, botimi i dytë;
shtëpia botuese “Koha Ditore”, Prishtinë dhe Shtëpia e librit, Tiranë, 2001, f.
514.
* * *
Programit politik të “Naçertanies”
iu mbështet princi Mihaillo Obrenoviq, me Ilia Garashaninin si ministër
i Punëve të Jashtme. Politika e princit, e prirë nga “ideja e madhe”
synonte që Serbia ta merrte Bosnjën dhe Hercegovinën. Porta i refuzonte
propozimet e Mihaillos që BH-në t’ia bashkëngjitë rajonit vasal të saj, duke i
konsideruar synimet e tij si pjesë të aspiratave ruse në Lindje. Politika e
princ Mihaillos e kishte mbështetjen e Perandorisë Franceze me në krye Napoleonin
III (1808-1873), plani i të cilit për zgjidhjen e çështjes lindore në
Ballkan, e merrte Serbinë për Piemont* rreth të cilit do të duhej
të tuboheshin të gjithë popujt sllavë të Ballkanit, përfshi edhe bullgarët.
Por, pas disfatës në luftën franko-pruse (1870-1871), politika franceze për një
kohë të gjatë e humbi rolin në Ballkan. Pas vdekjes së princ Mihaillos, regjimi
rus, epiqendrën e politikës ballkanike filloi ta mbart te bullgarët.
Austria që në krye të herës ka qenë kundër. Tanimë asnjë fuqi e madhe
nuk e mbështeste një rimëkëmbje të tillë të “perandorisë serbe”.
Shënim: Piemont – krahinë në Italinë veriore (Piemonte);
në mesin e shekullit XIX ka luajtur rol të madh për bashkimin e Italisë.
* * *
Ndër serbë, politika serbomadhe ka hasur edhe në
kritika. Shprehjen “Serbi e Madhe” për herë të parë, madje në mënyrë
kritike, e ka përdorur socialisti serb Svetozar Markoviq (Zajeçar, 1846
– Trieste, Itali, 1875). Ky ishte veprimtar politik, kritik letrar, mendimtar
socialist dhe publicist.
Ai thotë: “Sapo qeveria monarkiste u vendos në
vend, ajo sakaq filloi të mendojë sesi t’i shtrijë kufijtë e pushtetit të vet
edhe përtej kufijve të Serbisë... Ideja që Bosnja dhe Hercegovina të bashkohet
me Serbinë filloi të përhapet edhe në Serbi edhe te populli i atjeshëm. Ky ka
qenë parim i politikës i njohur me emrin Serbi e Madhe”.
Pretendime të njëjta si Serbia, ndaj Hercegovinës,
Bosnjës dhe Serbisë së Vjetër ka pasur edhe Mali i Zi i pavarur. Sipas Svetozar
Markoviqit: “Është e pamundur që Bosnja të merret në rrugën paqësore, po qe
se bujarisë së saj nuk i garantohen të drejtat e vjetra. Por, në anën tjetër,
kjo do të thotë që raja boshnjake të lihet nën robëri”. Markoviqi
konsideronte se rreziku i ndërmarrjes së Serbisë së Madhe qëndron në faktin se “populli
serb jeton i përzier me popuj të tjerë, pa kufij gjeografikë dhe etnografikë të
përvijuar qartas. Rrjedhimisht, ndaj fqinjëve të vet, do t’i duhej të merrte
rolin e pushtuesit”. Ai vazhdon dhe
thotë: ”... Për t’u krijuar një shtet serb me pesë deri në pesë milionë e
gjysmë serbë, populli serb do të duhej të ishte në raport armiqësor me
bullgarët, me kroatët dhe me rumunët. Do të duhej të merrte rolin e pushtuesit,
siç veprojnë hungarezët sot”.
Svetozar Markoviqi ishte
kategorikisht kundër idesë që Principata e Serbisë të merrte rolin e “Piemontit
të sllavëve të jugut” dhe kundër politikës së ekspansionit territorial të
Serbisë, që do të nënkuptonte aneksimin e rajoneve dhe të vendeve përreth, etnikisht
të përziera. Markoviqi prerazi hidhte poshtë të referuarit në “të drejtat
historike” me fjalët “parimi i kombësisë heq dorë nga të gjitha të
drejtat historike”. E konsideronte të dëmshëm bashkimin e tokave serbe
sidomos duke iu referuar Perandorisë së Dushanit, “për arsye se serbët e
kohës së tij kanë jetuar në katër shtete: në Austri, në Turqi, në Serbi dhe në
Mal të Zi”. Në vend të kësaj Markoviqi propozon krijimin e Federatës
Ballkanike, përkatësisht lidhjen e popullit serb me popujt e tjerë të Ballkanit
dhe me sllavët e jugut.
Markoviqi thekson se shteti i ri
serb, i krijuar me pushtime, doemos do të bëhej shtet ushtarako-policor dhe
forcën e vet do ta harxhonte për t’u mbrojtur prej armiqve të jashtëm, duke e
lënë pas dore zhvillimin e vet mendor dhe kulturor. Ai vlerëson se ideja e
Serbisë së Madhe shkon në favor të politikës që synon të përcaktojë në Serbi
pushtetin e pakufishëm të dinastisë së Obrenoviqëve. Këtë “ide të madhe”
ai e konsideronte si pretekst për t’iu shmangur problemeve të brendshme shumë
më të rëndësishme të Principatës së Serbisë. Ai paralajmëron se “ideja
revolucionare për bashkimin e popullit serb është shndërruar në ide të dëmshme
për interesat e popullit”.
* * *
Reagimet e
Austro-Hungarisë ndaj Serbisë së Madhe – Zgjerimin e Serbisë, Austro-Hungaria e konsideronte
kanosje për tërësinë tokësore të saj. “Naçertanien” e Garashaninit,
Austro-Hungaria e ka shti në dorë në mënyrë sekrete dhe e ka arkivuar në vitin
1883. Monarkia Habsburge me rreptësi u është kundërvënë pretendimeve të
Principatës së Serbisë fqinje ndaj rajoneve historike të kurorës habsburge, të
banuara me sllavë të jugut. Dinastia e Obrenoviqëve ndiqte politikë
pro-austriake, kështu që planet mbi ekspansionin territorial të Serbisë në atë
kohë, ishin drejtuar kryesisht kah rajonet e Perandorisë Osmane.
Gjatë luftës ruso-turke të viteve
1877-1878, autoritetet serbe dhe malazeze e kanë ndihmuar kryengritjen e
popullsisë krishtere në Hercegovinë dhe në Bosnjë, kundër sundimin osman. Qysh
gjatë luftës, ndërmjet kancelarit shtetëror rus, princit Gorçakov,
kancelarit gjerman Bizmarkut dhe kryetarit të qeverisë austro-hungareze,
Andrashit është arritur pajtimi se në rast fitoreje të serbëve, Fuqitë
e Mëdha nuk do të tolerojnë krijimin e shtetit të madh serb. Në vitin
1878, Austria e pushton Bosnjën dhe Hercegovinën, për të cilën pritej se pas
mbarimit të luftës ruso-turke, do t’i takonte Serbisë. Pas pushtimit të Bosnjës
dhe Hercegovinës në vitin 1878 dhe aneksimit të saj në vitin 1908,
austro-hungarezët gjithnjë më tepër do të vijnë në konflikt me politikën serbe
të bashkimit.
Pamundësinë për t’u shtrirë në
perëndim, Serbia përpiqej ta kompensonte me ekspansionin në lindje. Në vitin
1885 kjo solli luftën me Bullgarinë. Lufta serbo-bullgare
shpërtheu në nëntor të vitit 1885. Mbreti Millan Obrenoviq (Milan
Obrenovi?; Marasheshti, Rumani, 1854 - Vjenë, 1901), i pakënaqur me bashkimin e
Bullgarisë dhe të Rumelisë lindore, e sulmoi Bullgarinë. Serbia kishte plane
për hegjemoni ndaj rajoneve sllave të Ballkanit, ndaj ishte prerazi kundër
këtij bashkimi. Lufta mbaroi me fitoren e bullgarëve. Pas kësaj disfate,
ideologët serbë i përjashtojnë bullgarët nga planet për krijimin e shtetit të
përbashkët të sllavëve të jugut.
Agresionin ndaj Bullgarisë, politikani
serb Vlladan Gjorgjeviq (Vladan ?or?evi?, ) e arsyetonte kësisoj: “Në
mesjetë, një pjesë e madhe e sllavëve të Ballkanit ra nën pushtetin e
bullgarëve. Është detyrë historike e serbëve t’i çlirojnë sllavët nga kanët
bullgarë, të shtrydhin prej venave të tyre gjakun mongol dhe t’i bashkojnë në
shtetin e madh serb të sllavëve të jugut, që nga Beogradi deri në Selanik dhe
që nga deti Adriatik deri në Detin e Zi”.
Shënim: Aleksandër Gorçakov (Aleksandr Mihailoviç
Gorçakov, 1798-1883) – diplomat, poltikan rus; ministër i Punëve të Jashtme i
Rusisë;
Bizmarku (Otto Eduard Leopold von Bismarck-Schönhausen, 1815-1898)
– shtetar prus dhe gjerman;
Andrashi, kryetar i Qeverisë austro-hungareze;
Vlladan Gjorgjeviq (Vladan ?or?evi?, Beograd, 1844 – Baden, Austri, 1930) –
politikan serb, mjek, oficer dhe shkrimtar; kryetar i Këshillit të Ministrave
të Mbretërisë së Serbisë; autor i librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”
(Arnauti i Velike sile, Beograd 1913);
* * *
Ideologjia serbomadhe vazhdon edhe në
fillim të shekullit XX. Në vitin 1903, me grusht shteti përmbyset dinastia e
Obrenoviqëve, ndërsa qeveria e re, prej Austro-Hungarisë, gjithnjë më tepër
fillon të kthehet kah Rusia. Austro-Hungaria, në të cilën gjithnjë më
tepër marrin hov idetë jugosllave, reagon me trysni politike, propagandistike
dhe ekonomike. Kjo shkakton reaksion në formë të irredentizmit serb që kthehet
kah Perëndimi.
Në fillim të shekullit XX u krijuan
disa formacione paraushtarake dhe organizata revolucionare, qëllimi i të cilëve
ishte bashkimi i të gjitha rajoneve serbe, përkatësisht i sllavëve të jugut, me
Mbretërinë e Serbisë e cila shihej si “Piemont i sllavëve të jugut”.
Dalin në skenë grupet e armatosura: Cërna
ruka (Crna ruka / Dora e Zezë), Mlada Bosna (Bosna e Re) dhe Narodna
odbrana (Mbrojtja Popullore).
Emri zyrtar i grupit “Cërna ruka”
ishte “Bashkim ose vdekje”. Ishte shoqëri sekrete oficerësh. Synonte
krijimin e Serbisë së Madhe. Udhëheqës i këtij grupi komplotist ishte oficeri
serb Dragutin Dimitrijeviq Apis (Beograd, 1876 – Selanik, 1917). Apisi
ishte kapiten i Shtabit Madhor të Ushtrisë së Mbretërisë së Serbisë. Ishte një
prej organizatorëve të komplotit të oficerëve që kreu puçin në natën midis 28
dhe 29 majit (11 qershor) të viti 1903, me ç’rast u përmbys dhe u vra në dhomën
e gjumit mbreti Aleksandar Obrenoviq bashkë me gruan – mbretëreshën Draga
Mashin. Me këtë rast u vra në shtëpinë e vet edhe kryetari i qeverisë, i
konsideruar si arkitekt i fitoreve ushtarake më të mëdha serbe, gjenerali Dimitrije
Cincar-Markoviq (Dimitrije Cincar-Markovi?, 1849 – 11 qershor /o. s. 30
maj/ 1903); u vra ministri i Mbrojtjes, gjenerali Millovan Pavlloviq (Milovan
Pavlovi?, 1842 - 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903); u vra adjutanti i parë,
gjenerali Llazar Petroviq (Lazar Petrovi?, 1855 - 11 qershor /o. s. 30
maj/ 1903); u vranë edhe dy vëllezërit e mbretëreshës - Nikodije Llunjevica
(Nikodije Lunjevica, 1881 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903) dhe Nikolla Llunjevica (Nikola Lunjevica,
1881 – 11. qershor /o. s. 30 maj/ 1903).
Mbretëresha Draga Mashin (Draginja
“Draga” Mašin / Draga Mili?evi? Lunjevica, 1864 – 11.06.1903) ishte vejushë. U
martua me mbretin Aleksandar Obrenoviq. Ishte 12 vjet më e moshuar se ai.
Fëmijë nuk kishin. Ishte pro-austriake.
Puçistët e sollën në fronin serb Petar
Karagjorgjeviqin (Petar Kara?or?evi?, 1844-1921). Pas kësaj përmbysjeje,
aleanca ndërmjet Serbisë dhe Austro-Hungarisë – u ndërpre. Serbia ndërkaq,
sërish iu kthye lidhjeve me Rusinë dhe Francën. Në procesin e
Selanikut, Apisi u dënua me vdekje. U pushkatua më 26 qershor 1917.
“Cërna ruka” kishte për qëllim t’i bashkojë “të gjitha krahinat
serbe: Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë e Vjetër dhe
Maqedoninë; Kroacinë, Slloveninë dhe Sremin; Vojvodinën; bregdetin (Dalmacinë).
Pas zgjerimeve territoriale të Serbisë në luftërat ballkanike, Cërna ruka u
përqendrua në rajonet që ishin në përbërje të Austro-Hungarisë, gjë që kulmoi
me Atentatin e Sarajevës (1914).
* * *
Organizata rinore “Bosnja e Re”
(Mlada Bosna) ka lindur rreth vitit 1904. Studiuesit serbë e
cilësojnë si organizatë revolucionare. Ka luftuar kundër pushtimit, pastaj edhe
aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës – Austro-Hungarisë. Anëtarë të caktuar të
kësaj organizate kanë bashkëpunuar me grupin “Crna ruka” (Dora e
Zezë). Anëtari i “Bosnjës së re” Gavrillo Principi, me
mbështetjen e grupit “Crna ruka” dhe me armët nga Beogradi,
më 28 qershor 1914 kreu atentat në Sarajevë ndaj pretendentit austriak të
fronit Franc Ferdinand dhe gruas
së tij Sofia. Austro-Hungaria e mori atentatin si shkas për luftë kundër
Serbisë që u shndërrua në luftë botërore.
Shënim: Gavrillo Principi (Gavrilo Princip; Oblaj,
Bosansko Grahovo, të BH-së, 1894 – Terezin, Bohemi, Çeki, 1918) vdiq nga
tuberkulozi për shkak të kushteve të këqija në burg. Aty e humbi edhe dorën.
Franc Ferdinand (Franz Ferdinand, 1863-1914) pretendentit austriak i
fronit;
Sofia Hotek (Sophie Chotek von Chotkowa, Dukesha Hohenberg,
1868-1914) – pasardhëse e një familjeje të njohur aristokrate çeke; më vonë grua
e papranuar e Franc Ferdinandit; kishin tre fëmijë.
* * *
Në kohën e Krizës aneksioniste
(1908) u formua organizata paraushtarake serbe “Mbrojtja Popullore” (Narodna
odbrana). Qëllimi i saj ishte që Bosnjën dhe Hercegovinën t’ia bashkëngjitë
Serbisë. Organizata i dërgonte nga Serbia Bosnjës njësite çetnike për të
luftuar kundër Austrisë. Gjatë luftërave ballkanike, nëpërmjet kësaj
organizate rekrutoheshin vullnetarë për të luftuar në Maqedoni.
* * *
Në vitet 1904-1908, shtetet
ballkanike të sapoformuara – Greqia, Serbia dhe Bullgaria, e nisën luftën për
aneksimin e rajoneve të Maqedonisë dhe të pjesëve të tjera të Ballkanit, të
cilat pas Kongresit të Berlinit (1878), mbetën në përbërje të Perandorisë Osmane.
Në Maqedoni jetonin popuj të cilët në pikëpamje të gjuhës, të fesë dhe të
përkatësisë etnike dalloheshin ndër vete, si: sllavo-maqedonas,
shqiptarë, bullgarë, grekë, turq, romë, vlleh. Propaganda serbe dhe
bullgare ishte e orientuar ndaj sllavo-maqedonasve të cilët në atë kohë, në
pikëpamje kombëtare, ende ishin të papërcaktuar. Propaganda greke ishte e
orientuar kah grekët si dhe kah sllavët e Maqedonisë së Egjeut. Tre shtetet e
sipërthëna synonin të kryenin serbizimin, bullgarizimin dhe helenizimin
e sllavo-maqedonasve. Pretendimet ndaj Maqedonisë, nacionalistët serbë i
arsyetonin me faktin se në kohën e car Dushanit ajo ka qenë në përbërje
të “Serbisë së Madhe”.
* * *
Gjeografi serb Jovan Cvijiq (Jovan
Cviji?, ) duke qenë i interesuar për përparimin politik të Serbisë, shpesh e
humbte objektivitetin e vet shkencor. Segmente të caktuara të punës së tij
shfrytëzohen si “arsyetim shkencor” i politikës serbomadhe. Ai
angazhohej për zgjerimin territorial të Mbretërisë së Serbisë kah jugu,
në rajonet në të cilat serbët nuk ishin popull shumicë apo në të cilat fare
s’ka pasur serbë. Kjo ka të bëjë sidomos me rajonet e Maqedonisë
dhe të Shqipërisë veriore. Sipas tij, për t’u zhvilluar
ekonomikisht, Serbia patjetër t’i aneksojë ato.
Për ekspansionin serb, Cvijiqi shpikte “arsyetim
shkencor”. Sipas tij, me vendimet e Kongresit të Berlinit, “Serbia është
vend i rrethuar”, serbët ndërkaq – “popull i burgosur”. “Për
t’i pavarësuar, Serbia patjetër të dalë në det” – thotë ai. Politikën e
jashtme të Serbisë, Cvijiqi e orientonte kah zotërimi i bregdetit të
Adriatikut, si të bregdetit kroat, ashtu edhe të bregdetit shqiptar. Në
një anë pohonte se Dubrovniku është qytet ku ka serbë, në anën tjetër mbronte
të drejtën e Serbisë për bregdetin shqiptar, përkundër faktit se aty nuk ka
popullsi serbe.
“... për t’u bërë
ekonomikisht e pavarur, Serbia patjetër të ketë dalje në detin Adriatik dhe
në një pjesë të bregdetit shqiptar: qoftë me zotërimin e
territoreve, qoftë duke fituar të drejta ekonomike dhe komunikacioni në atë
rajon. Vërtet kemi të bëjmë me një rajon që në pikëpamje etnografike është i
huaj, por medoemos të zotërohet për shkak të interesave ekonomikë tejet të
rëndësishëm, pikërisht për nevoja jetike” – thotë Cvijiqi.
Në vitet 1906 dhe 1918 Cvijiqi hartoi
një seri hartash me të cilat pretendimet serbe në rritje ndaj Maqedonisë janë
arsyetuar duke i shpallur maqedonasit për grup
etno-lingiustik të serbëve. Hartat etnografike të Cvijiqit të
publikuara në vitet 1906, 1909 dhe 1913 dallohen midis tyre. Ato i kanë
përcjellë nevojat e shtetit serb në lëmin e politikës së jashtme. Sipas
Cvijiqit, çështja serbe duhet të zgjidhet me forcë.
* * *
Ekspansioni
territorial serb në luftërat ballkanike – Zgjerimin territorial më të madh, Mbretëria e Serbisë e arriti në vitin
1913. Në prag të luftërave ballkanike, kryeministri i Mbretërisë së Serbisë Millovan Millovanoviq (Milovan
Milovanovi?, 1863 – 18.06.1912) deklaron: “Ose do të bashkohet populli
serb, ose i tërë Ballkani s’do të jetë tjetër përpos një varrezë e madhe”.
Njihej me nofkën Ballaçko. Ka qenë jurist, diplomat, politikan. Një prej
krerëve të Partisë Popullore Radikale. Në vitin 1884 diplomoi drejtësinë në
Paris. Pas katër vjetëve, po në Paris mbron tezën e doktoratës. Me t’u kthyer
në Beograd, ligjëron të drejtën shtetërore.
Në luftërat ballkanike shteti serb realizon
zgjerime territoriale të konsiderueshme dhe vendos pushtet mbi popullata
joserbe: shqiptarë, maqedonas, bullgarë, turq, boshnjakë e të
tjerë. Pas luftës, Maqedonia e Vardarit, Sanxhaku dhe
Kosova pushtohen, përkatësisht
aneksohen nga Mbretëria e Serbisë. Aneksimin e këtyre rajoneve, Serbia e
arsyetonte duke iu referuar “të drejtave historike”. Pretendimet
serbe janë mbështetur edhe me pohimet për “shkallën qytetëruese më të
lartë të serbëve, ndaj shqiptarëve”. Gjatë pushtimit të Kosovës në
vitin 1912, ushtria serbe ka kryer krime të mëdha ndaj shqiptarëve. Raportet
flasin për ekzekutimet masive të popullsisë shqiptare, për shkatërrimet e rënda
të qyteteve shqiptare, për djegien e fshatrave, për plaçkitjen e shtëpive, për
therjen e njerëzve, për përdhunimin e grave dhe për mizoritë ndaj popullsisë
civile. Qëllimi i krimeve ka qenë që kërkesat serbe për zgjerime territoriale
të përcillen me “pastrim etnik” dhe me manipulimin statistikor
para konferencës së Fuqive të Mëdha e cila do t’i përcaktojë kufijtë e ri.
Gjatë tetorit dhe nëntorit të viti 1912, ushtria serbe hyri edhe në Shqipëri,
duke mbërritur deri në pikën strategjike më të rëndësishme, siç është porti i
Durrësit. Kryeministri i Serbisë Nikolla Pashiqi përsëriste paprerë se
Serbia në asnjë mënyrë nuk duhet të heqë dorë nga porti në detin Adriatik. Pas
kanosjes ultimative të Fuqive të Mëdha, Serbia u detyrua të tërhiqet nga
territori i Shqipërisë, e cila nga fundi i viti 1913 ishte njohur nga
ndërkombëtarët.
E detyruar të tërhiqet nga Shqipëria,
Serbia kërkon kompensim territorial në Maqedoni. Për këtë arsye ajo ra
në konflikt me Bullgarinë. Në Maqedoni, Serbia zbatonte politikën e serbizimit
sistematik. Maqedonia u shpall Serbi jugore, gjuha e
maqedonasve u shpall dialekt jugor serb. Në raste të caktuara, popullsisë
vendore i imponoheshin edhe emra serbë. Ngjarjet e luftërave ballkanike çuan në
përplasjen e ideologjisë serbomadhe me ideologjinë bullgaromadhe. Konflikti
shqiptaro-serb, sa vinte e acarohej.
* * *
Politika serbomadhe has në kritikën e
socialdemokratit serb Dimitrije Tucoviqit (Dimitrije Tucovi?,
1881-1914). Është autor i librit “Serbia dhe Shqipëria: kritikë ndaj
politikës pushtuese të borgjezisë serbe” (Srbija i Albanija: jedan prilog
kritici zavojeva?ke politike srpske buržoazije). Tucoviqi ka qenë jurist,
politikan, gazetar dhe publicist, udhëheqës dhe teoricien i lëvizjes socialiste
në Serbi, një prej themeluesve të Partisë Socialdemokrate Serbe. E ka kritikuar
ashpër politikën serbomadhe të qeverisë së Nikolla Pashiqit. Sipas
Tucoviqit, fushata luftarake serbe ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë assesi nuk
mund të quhet çlirimtare, por pushtuese për arsye se po kryhet kundër vullnetit
të popujve të atjeshëm. Zaptimin e Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, Tucoviqi e dënoi si
pushtim imperial. Ai i kundërvihej ekspansionit territorial të Serbisë dhe
angazhohej që të gjitha vendet, baras me Serbinë, të hyjnë në Federatën
Ballkanike të përbashkët. Ai thotë: “Grupimi dhe reciprociteti i vendeve
dhe i popujve të Ballkanit është e vetmja rrugë që shpie në çlirim ekonomik,
kombëtar dhe politik”. Sipas tij, “borgjezia serbe, duke proklamuar
politikën pushtuese ndaj Shqipërisë, për herë të parë nga fytyra e popullit
serb e hoqi tisin e një populli të ndershëm që lufton për çlirimin e vet”.
Pas masakrës ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Tucoviqi deklaroi zëshëm: “Është
kryer tentim vrasjeje me paramendim ndaj një kombi të tërë. Kemi
të bëjmë me vepër kriminale për të cilën duhet mbajtur
përgjegjësi”.