| E marte, 25.07.2023, 07:55 PM |
FJALË
TË HUAJA “SHQIPE”
(Sarkazma
e verës)
NGA
NDUE DEDAJ
Janë
fjalë që në “shqipen” tonë kanë fituar qytetari, apo njëfarë kuptimi të
dyfishtë, çka nuk ndodh në gjuhët nga vijnë, si anglisht etj. Pra, ajo çka
shënojnë këto fjalë është dhe nuk është, është kështu dhe është ashtu… Le të
shpjegohemi, fjalë pas fjale, sesi ky fjalorth shqiptar i viteve të fundit e ka
begatuar (varfëruar?) ligjërimin tonë publik, jetën tonë social-politike.
Lexuesi mund të dijë plot të tjera, por ne zgjodhëm disa që i kemi më përzemër,
ose më mirë me thënë na kanë ato “përzemër” neve, pasi nuk shpëtojmë prej tyre
as në gjumë. Doemos, të gjitha ato nisen nga e mira publike, puna është si
pështillën, turbullohen e shformohen gjërat këndej nga ne…
Non
Grata. Fjalë me konotacion negativ. Mjaft e përhapur vitet e fundit. Sfera ku
haset më shumë: Kuvendi i Shqipërisë. Prokurori. Bashki. Parti politike.
Personi që e mban këtë damkë nuk ndihet aspak mirë, por as dhe krejt keq. Fundja
nuk i hyn ferrë në këmbë. Ai nuk i kërcen avionit në Rinas për në SHBA, Angli a
ndokund tjetër dhe kaq. Kurse për palën kundërshtare politike, ata që
(para)gjykojnë çdo gjë, non grata është fundi i botës. Njëlloj si të bëhet
njeriu me bisht. “Shporrmu, se të shpalla non grata”, po i thoshte një bari
dhensh shoqit të tij, që ia kishte mërzitur duke i hyrë në kullotën e tij. Non
grata nuk do të thotë burg, apo ndalim i ushtrimit të të drejtave qytetare,
përkundrazi mund të merresh lirisht me politikë, qofsh i djathtë apo i majtë.
Ëh, moj e uruara Non Grata, si të të kuptojmë ty ne njerëzit e thjeshtë të
këtij vendi, përderisa të padëshiruarit e tu, domethënë të matanë Atlantikut i
kemi përditë në sy, në tribuna, në ekrane, duke na mbajtur fjalime të gjata e
premtuar se ditë më të mira do të vijnë për këtë vend nën qeverisjen e tyre të
ardhshme, pa të ardhme!?... Kësaj i thonë haja qenit, pija qenit, edhe bjeri
karadyzenit!...
Incenerator.
Plehradjegës. (Gjendet si objekt në Tiranë, Fier dhe Elbasan.) Futur vonë në
shqipe. Përkthehet dhe me togfjalëshat: “pasurim i paligjshëm” dhe “burg
qeveritarësh të lartë”. Pra si kuptim i dytë i fjalës mund të jetë dhe
karrierëdjegës për disa dhe përlyerje në afera për disa të tjerë. Populli që
nuk merret me gjuhësi i bie shkurt: “Para e madhe e vjedhur nga pushtetarët
tanë të dashur”. Zëri i këtyre inceretorëve ka shkuar gjer larg në Europë, ku
gjendet në arrati ai që konsiderohet “tigri” i tyre. Mirëpo si rregull kjo
flamë që u përhap nga tymrat plehradjegës prek pushtetarë deri në nivel
zëvendëskryeministri dhe jo më lart, di vetë njeriu se ç’bën me postin, mban
përgjegjësi individuale, njëlloj si të jetë duke prashitur mollatarët në
kopshtin e tij dhe padashje iu dëmton kërcellin afër rrënjëve.
Demontim.
E barabartë me “demon” shtetëror, si ai që në vitin 2008 shkaktoi tragjedinë
“bërthamore” të Gërdecit, me një numër të madh viktimash dhe të gjymtuarish;
proces hetimor ende i papërfunduar ndaj ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe,
Mediu etj. këtë korrik të nxehtë ky i fundit ka hequr dorë nga gjykimi i
shkurtuar dhe pritet të shohim se çdo të ndodhë në ditët që vijnë. Një gjë të
bën përshtypje, si është e mundur që ka kaq shumë përfshirje në veprimtari të
paligjshme të ministrave shqiptarë, a thua se u bë deti kos?...
Vetting.
Në fillim e përfytyronim si një sitë të florinjtë që ndante miellin nga krundet
në drejtësi. Por ishte një lloj gjyqi që iu bëhej të gjithë prokurorëve dhe
gjykatësve, kush të rrinte e kush të ikte. Pra ishte sitë, por jo si ajo e
miellit, dmth send pa mende dhe pa shpirt. Askush nuk mund të thotë nëse sita –
vetting nuk la në ndonjë rast krundet brenda sistemit dhe nxori ndonjëherë
miellin jashtë tij!? Kuptohet, pa dashje. Edhe pse thuhet se dhe vetting-u nuk
i ka shpëtuar qindpërqind ndikimit nga politika e shumicës parlamentare, që do
të thotë se reforma në drejtësi nuk ka qenë 24 karatsh e pastër si ari. Si një
sukses i saj shihet SPAK, prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe
korrupsionit, përndryshe, prokurori e krimeve të rënda që merret me pushtetarët
e korruptuar, që sikur ka “eklipsuar” (lënë në hijë) prokurorinë tjetër të
shtetit, atë të rretheve gjyqësore, dhe vetë Prokurorinë e Përgjithshme.
Qytetari i thjeshtë është i nteresuar sigurisht për mbarëvajtjen ligjore të
republikës, por në radhë të parë atij i interson një shërbim gjyqësor sa më
pranë tij, sidomos në çështjet civile, që mundësisht të “udhëtojë” gjykata për
tek ai dhe jo ai për tek gjykata.
Big
Brother. Format televiziv kombëtar, me të dy anët e medaljes, ata që janë VIP-a
të vërtetë në skenë jashtë këtij formati, aty vijnë e bëhen “hiç” si artistë,
ndërsa shkëlqejnë persona jo aq të njohur, që futen në “shtëpinë më të famshme
në Shqipëri” për të bërë karrierë artistike. Ti nuk mund ta kuptosh se si një
artist mund ta bëjë “skena” e Big Brother më të famshëm se se skena e teatrit,
kinemasë apo koncerteve, por ky nuk është faji i atyre. Kush ua ka ngenë më
atyre që ua kanë shembur Teatrin, se nuk ishin të zotët për të, tenorëve të
shquar të Operas që shkëlqejnë në skenat e botës, a na bëjnë ata gallatë 24 në
24 orë vëzhguar nga kamerat, nuk na bëjnë! A zihen ata me njëri-tjetrin për
kotësirat e kotësirave? Jo. E po kush ua ka fajin. Një çikë palaçio, sa
për lojë, nuk i bën dëm askujt...
Intimidim.
Edhe kjo është një fjalë e huaj e fjalorit tipik bashkëkohor “shqiptar”, atij
politik. Gjysma e parë e saj “intim” nuk do të thotë se bëhet fjalë për diçka
intime mes dy personave që debatojnë fort, që zakonisht janë individë të sferës
së lartë. Sa për ilustrim, kur një deputet i opozitës kritikon një ministër për
afera korruptive, ky i fundit për t’u mbrojtur (duke u hequr i viktimizuar), iu
kthehet kritikuesve të tij: mos më intimidoni, shtrëngoni, dhunoni
psikologjikisht, që të pranoj atë për të cilën ju më akuzoni pa baza etj.
IPARD
II dhe III. Më e reja fjalë e huaja e “shqipes” sonë bujqësore, rurale,
ministrore, politike, që na vjen jo nga ndonjë fermë europiane, por nga vetë
Komisioni Europian, që ndan fondet, grantet, buxhetet, domethënë paratë për
projektet e qeverisë shqiptare në formën e ndihmës, që kësaj here na i paska
ndaluar 112 milionë euro, ngaqë nuk paskemi administruar mirë ato të
mëparshmet. Thënë ndryshe nuk kemi mbjellë e korrë si duhet me paratë që na
janë tash 9 vite, ndaj nuk na dhënkan këto të tjerat. Bota sheh e shkruan, po
nuk e bërë katin e parë, nuk të jep lekë për katin e dytë e të tretë, pasi ajo
nuk i bën punët në ajër. Ja, kështu duhet të jetë kuptimi i kësaj fjalë të huaj
“shqipe”...
Procesionare.
Është veçse një krimb shkatërrues, kanceri e pishës së zezë, thoni po deshët
dhe tenja, vemja, larva, që zhvillon një “proces” që nuk e ndalon askush.
Qeskat e saj mund t’i keni parë kur keni shkuar në masivet e pishave, të cilat
nën brerjen e këtij insekti të tmerrshëm marrin ngjyrë të verdhë. Quajeni dhe
verdhëza e pishës. Por rrallë e tek mund të kemi parë punonjës të pyjores duke
i spërkatur pishat me ndonjë preparat mbytës. Fundja ne nuk jemi trembur se
mund të mbetemi pa pyje, kur iu kemi futur vetë sëpatën e sharrën, jo të
trembemi nga një krimb i pabesë, që në të vërtetë bën kërdinë. Pikërisht se
qeveria nuk trembet hiç se mos kjo proçesionarja arrin deri aty sa të na lërë
pa pyje, ky dëmtues nuk është përmendur asnjëherë nga ministrat e arave dhe
pyllit, oh, ministrat tanë gjithnjë kanë punë shumë më të mëdha se sa të merren
me krimba e karkaleca...
Post
scriptum: Këto ishin vetëm disa nga fjalët e huaja, që shqipja jonë i ka
“shqipëruar” pa vullnetin e saj, por të qeveritarëve etj. Herë tjetër kemi
folur për dashurinë e madhe që kemi për botën, duke iu vënë emra amerikanë,
anglezë, francezë etj. bareve, hoteleve, floktoreve tona, lë pastaj ndërtimin e
kullave “dubaitiane” në Tiranë apo Durrës... Ku është e keqja këtu? Nuk jemi më
vend i mbyllur, që iu vinim hoteleve vetëm emrat: Shkëlzeni, Taraboshi, Korabi,
Butrinti, Driloni, Sazani etj.