| E shtune, 22.07.2023, 07:57 PM |
SHKËPUTJE NGA DITARI IM I LUFTËS: “DITAROSJE NËN SHURUKAMËN E ARMËVE”
Dita
e hënë, 23 korrik, 2001
Nga
Syrja Etemi
PARAMILITARËT MAQEDONË
PARAQITEN SI VIKTIMA
Në
dëshirën për të marrë sa më shumë informacione për situatën dhe zhvillimet e
kësaj dite kobzezë, kërkova të dhëna edhe nga miq e shokë të mi, të cilët në
njëfarë mënyre, ose kanë qenë pjesëmarrës direkt në këto ngjarje, madje edhe
gazetarë. Kështu, nga ata të parët, vura në ditar disa intervista, ndërsa në
pretendimin e dytë, më shërbeu notesi i gazetarit të gazetës: “Fakti”, N. Sh. –
po nga Sllatina, që do ta botojë si material me emrin apo titullin e mësipërm:
“Paramilitarët maqedonë paraqiten si viktima të pastrimit etnik”.
“
Luftimet intensive që kishin filluar më 23 korrik në Tetovë, ndërmjet forcave
policore dhe ushtarake maqedone dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, brenda po kësaj dite u zgjeruan edhe në
fshatrat tjera të Tetovës që shtrihen mbi rrugën magjistrale në drejtim të
Kosovës. Në orët e pasditës, banorët e këtyre fshatrave, i karakterizonte një
përditshmëri e zakonshme - nën zhurmën ngjethëse të armëve automatike, që, si
zakonisht, vinin nga paramilitarët maqedonas, të përqëndruar nëpër enklavat e
tyre. Lajmet për luftimet intensive në qytet, ku thuhet se UÇK, ka përparuar
dukshëm, në marrjen e disa pozicioneve të reja, përcillet tek çdo njeri. Më
vonë, filloi të flitet edhe për lajme të dhimbshme, që shqetësonte çdo kënd:
në Poroj dhe në fshatin Xhepçisht, dy fshatra që përbëjnë një tërësi
të vetme dhe një vazhdimësi urbane të qytetit , janë granatuar nga artileria
maqedone, si pasojë e të cilëve jetën
kanë humbur edhe disa banorë civilë të këtyre fshatrave (tani për tani
janë 9). Gjithkush tani e kupton se kjo prishje e armëpushimit, për të cilën
gjithmonë kanë insistuar paramilitarët maqedonë, do të marrë përmasat e një
lufte të vërtetë në këtë pjesë të qytetit të Tetovës. Një banorë i fshatit
S., mundohet t’ua tërheqë vërejtjen
bashkëbiseduesve të tij, për seriozitetin e kësaj gjendjeje. Dyshimet
për këtë, manifestohen tek çdokush , kur të merret parasysh fakti se pushteti
maqedon me të madhe ka bërë armatosjen e popullsisë maqedone në të dy fshatrat
fqinje: L. dhe T. Lëvizjet e zakonshme nëpër rrugë nuk zgjatin shumë,
muhabetet e mbetura përgjysmë mbeten për t’u mbaruar nëpër vende më të
sigurta. Persona të caktuar, aty nga orët e mesditës, urdhërojnë
popullsinë civile të vendoset nëpër vende më të sigurta , si zakonisht, nëpër
podrume. Kjo nuk është hera e parë, tani më banorët e këtyre fshatrave, një gjë
të tillë e kishin përjetuar edhe gjatë pesë korrikut, kur UÇK kishte vendosur për të zbritur përkohësisht
nëpër këto fshatra. Një veprim i këtillë më pas ka pasuar me breshëri
automatikësh nga fshatrat maqedone në drejtim të fshatrave dhe shtëpive
shqiptare. Megjithatë, tani gjendja dukej më serioze, nuk flet kush për
dialogun apo armëpushimin. Fshatrat në këtë pjesë të Tetovës, tanimë e kanë të
qartë se i janë ekspozuar një vazhdimësie të luftimeve intensive që veç kanë
filluar që në orët e herëshme të mëngjesit në paralagjet e qytetit , dhe
kuptohej lehtë se një gjë e tillë do të ndodhte edhe në fshatrat që shtrihen
rrëzë malit Sharr.
Pas
orës 13, nëpër rrugët e fshatit nuk mbetet njeri. Një masë e tillë për t’u
mbrojtur kanë marrë të gjitha fshatrat. Krismat e armëve veç kishin filluar të
dëgjohen. Ato vinin si nga brendia, ashtu edhe nga pjesa e epërme e fshatit L.
Aty për një kohë të gjatë kanë qenë të përqëndruar paramilitarët maqedonë të
fshatrave maqedone, të cilët ndihmoheshin edhe nga punkti policor që ishte
stacionuar në udhëkryqin e rrugës kryesore në hyrje të këtij fshati. Brenga më
e madhe shtrohet tani në mbrojtjen e popullsisë civile nga falangat
paramilitare të përqëndruara në fshatrat e tyre. Ushtria Çlirimtare Kombëtare,
është angazhuar për këtë. Pjesëtarët e sajë, kanë qenë në lëvizje të
vazhdueshme dhe të gatshme për vënien nën kontrollë të grupeve të armatosura
paramilitare të ndihmuar edhe nga pjesëtarët e policisë maqedone. Në orët e
vona të pasditës luftimet bëhen gjithnjë e më intensive edhe në anën
tjetër të fshatit S., ku grupet e armatosura maqedone të ndihmuar edhe nga disa
pizgauer të policisë, që kanë qenë të përqëndruar në fshatin T. Konfrontime të
armatosura janë zhvilluar edhe në fshatin Neproshten. Fshati S. , ashtu si edhe
herën e parë , tani po ballafaqohet me luftime në të dy krahët e saj . Ushtria
Çlirimtare Kombëtare, është hedhur në luftë me një moral shumë të lartë të
ushtarëve të saj. Ajo ka premtuar se do t’i vë nën kontroll paramilitarët
maqedon , që kërcënojnë popullsinë civile. Rrugët e fshatit ishin shumë të
rrezikshme, plumbat e armëve automatike, nuk lenin pa prekur çdo skaj. Një
pjestari të UÇK-së, nuk i pengon kjo për të përshkuar këto rrugë të rrezikshme,
për të vëzhguar, nëqoftëse nëpër to ka mbetur ndonjë fëmijë apo person
tjetër që është kureshtar të qëndrojë jashtë strehimoreve të tyre.
Kështu, një banor rreth të gjashtedhjetave, i mbështetur pranë një muri,
mezi i mban lotët. Ai nuk ka frikë nga krismat e armëve që shënojnë konfrontimet
më intensive, që nga fillimi i luftimeve; ai ndihet shumë i emocionuar nga
vendosmëria e pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ai nuk nguron që çdo
kujt t’i thotë: “ Këta trima, shumë shpejtë do ta mbarojnë punën… “. Ndihet
shumë i sigurt në këtë. Një besim të këtillë në vendoshmërinë dhe moralin e
lartë të pjestarëve të UCK-së, e kanë pasur edhe ata që kanë qenë të strehuar
nëpër podrumet e shtëpive. Brenga e tyre shtohet në mundësinë e granatimeve të
fshatrave shqiptare nga largësia, kur tashmë, shumica ishin të shqetësuar nga
ajo që kishte ndodhur në fshatrat Poroj dhe Xhepçisht. Podrumet e shtëpive
ishin të mbushura me gra fëmijë dhe pleq, në brendinë e tyre, si nga thellësia
dëgjoheshin vetëm krismat e armëve automatike, por pa u ndalur thuajse asnjë
minut, kjo ishte karakteristike gjatë orëve të pasditës. Një vajzë e re, që
disa herë insiston që ta nxjerrë kokën diku për të dëgjuar, thotë:
“Tash
duket se lufta është ndezur gjithkund dhe kushedi se sa kohë do të qëndrojmë në
podrumet e shtëpive!“. Përgjigje rrallë kush mund të jepë. Të gjithë rrudhin
krahët . Qëndrimi nëpër podrume nuk është i lehtë, sqarojnë të gjithë ata që
rrinë të strukur në to. Ata nuk kanë vetëm hallin e tyre, tani kuptohet se
ushtarët tanë po ballafaqohen me palën tjetër - në një betejë që nuk e kanë
parë më parë banorët e këtyre fshatrave, prandaj, edhe ashtu nëpër podrume, të
gjithë i luten zotit për t’i mbrojtur ushtarët tanë, që në ato momente ishin
siguria e vetme për ata.
Në
orët e vona të pasditës diku nga ora 17, filloi të dëgjohet zëri i aeroplanëve
ushtarakë, kështu që nuk mbet njeri pa mos e çuar kokën drejt qiellit të
përhirtë dhe të shohë se nga vjen. Një aeroplan me ngjyrën e një uniforme
laramane, ndiqte linjën e rrugës magjistrale, në anën e fshatrave që shtrihen
mbi këtë aks rrugor. Ka flururuar shumë ulët: Kështu, ai dukej se lëvizte me
naltësinë e plepave. Aeroplani kaloi, ndërsa njerëzit, mbyllnin veshët
duke menduar se tani ai diku do t’i lëshojë edhe projektilët e tij. Por, kjo nuk
ndodhi. Ai kaloi dhe la vetëm uturimën lemeritëse të tij. Nuk dihej se çfarë
ishte qëllimi i këtij aeroplani. Dikush e komenton atë se dëshiron të
krijojë vetëm panik me zhurmën lemeritëse. Edhe kjo dilemë nuk
mbetet pa u kuptuar më vonë .
Vetëm
disa minuta pas fluturimit të aeroplanit, një konvoj i automjeteve të blinduara
të policisë maqedone, ka përshkuar rrugën kryesore në drejtim të fshatit T.
Kolona
e përbërë prej gjashtë autoblindave, ka ardhur
nëpërmjet rrugës anësore, që kalon
nëpërmjet fshatrave maqedonase, gjersa luftimet zhvilloheshin në brendi të
fshatit L., para se forcat e U.Ç.K.-së të hudheshin në aksionin e tyre
përfundimtar për marrjen e punktit policor që gjendej në rrugën
magjistrale në fund të L. Kolona e autoblindave, ka hasur në rrezistencë të
fuqishme përgjatë rrugës, gjersa ajo
është munduar me shpejtësi të madhe të stacionohet në vendin më të sigurt për
ta - në fshatin T. Nga momenti kur autoblindat kanë dalë në rrugën kryesore ,
kanë filluar të gjuajnë në mënyrë të pakontrolluar në drejtim të fshatit S. Nga
breshëria e plumbave të automatikëve të rëndë, vritet luftëtari i parë i
lirisë, Murtezan Etemi , 39 vjeçar nga fshati Sllatinë.
Konfrontime
të armatosura janë zhvilluar deri në orët e vona të mbrëmjes , ndërkohë banorët
me padurim mundohen të kuptojnë diçka më në detale për epilogun e luftimeve. Lajmi për sukseset e
UÇK-së, në pastrimin e terrenit nga grupet paramilitare maqedone, vinë nga
çasti në çast, derisa pas disa orë luftimesh, konfirmohet pastrimi i plotë i
terrenit nga paramilitarët sllavo-maqedonë, të cilët gjatë gjithë kohës së
armëpushimit kanë provokuar fshatrat shqiptare përreth: S. dhe N.
NË SPITAL TË IMPROVIZUAR
Në
spitalin e adaptuar, përkundër të gjitha përpjekjeve të ofruara nga ana e
doktorëve, sidomos ndihma e dhënë nga ana e z. Xh. E., bashkë me ekipin, nuk qe
e mudur të ndërpritet gjakderdhja. Kështu zemra e Murtezanit, më në fund pushon
së rrahuri. Mbyll sytë në orën 17- 45 min.
Tani
më, kur trupi i pa jetë i tij qëndron shtrirë mbi tavolinë, sikur kërkon hapin
e radhës. Nga Xhamia “karajapi” që ishte afër
nja 50 m., sollën arkivolin apo “tabutin” dhe të gjithë me sy të
përlotur, marrin kufomën, e shtinë në arkivol dhe e çojnë në xhami - në një dhomë ende pa dyer e
dritare dhe të palyer, por që ishte më e sigurt në rast të ndonjë granatimi
eventual nga ana e forcave policore të stacionuara në Ratajë, nja 1000 m. larg
nga këtu (nga qendra e katundit). Këtë vend, në këtë “strehim” të kufomës, më
vonë e vizitova edhe unë (autori i
ditarit, S.E., vëllau i Murtezanit) bashkë me A. S., pas nja 3 orësh, pasi më
informoi E. R. – si përfaqësues i
Shtabit Civil të S. për lagjen tonë.
Kështu, në pllakosje të muzgut (gjithnjë duke u ruajtur nga “drita”), kufomën e
solli me veturë A. Xh. B. dhe A. E. me shokë tjerë. Ky i fundit, në hyrje të
oborrit ku ishim mbledhur e gjithë familja, na ngushëlloi: “Nuk duhet të
derdhni lotë, sepse ky është dëshmori i parë që ka rënë për liri !”. Nuk mund
të lavdërohem se vepruam pikërisht ashtu, pasi më kishte ardhur edhe doktori
(A.P.) për të bërë gjilpëra (kundër “pikëllimit”) për anëtarët e familjes, duke
filluar nga babai Merxhani,i cili ishte mbështetur për muri, e që, me
vendosmëri e refuzoi nënë,Bedria, duke u arsyetuar se :”Nuk dua të më bëni “ budalle” e të mos e qaj djalin që më
la të renë dhe dy fëmijët jetim. Do të qaj e do të qaj derisa ta shprazi mirë barkun…”
TE KOKA E DËSHMORIT
Rri
e meditoj e meditoj… Pyes veten: kush do të jetë ai që do të më davaritë
dhimbjen që më ka kapërdisur në këtë derexhe? Dhe, vet përgjgijem: Është i
mirëseardhur vetëm ai që njeh intensitetin e dhimbjes, sepse, siç thotë një
mençuri: Kush nuk njeh dhimbjen, nuk mund të ngushëllojë atë që vuan…
Me
anëtarët e familjes, nën dritën llamburitëse të vajgurit, ruajmë kufomën, duke
ndenjur ulur në minder unë me vëllaun,
N. dhe babain, M., dhe disa kushërinj. Te koka - e shoqja e dëshmorit, Z. dhe
kushërirat, kurse te këmbët e vëllaut
qëndron e patundur nënë B., e cila në çdo çast shti duart në arkivol dhe ia
miklon këmbët. Kështu ka vepruar deri në orët e vona të mëngjesit. Unë, si
gjithnjë, vazhdoj të bluaj mendimet diku në thellësi të trurit, prej ku shkëpus këto meditime të përligjura
me ndjenja të papërshkruara:
Gjersa
nëna po vazhdon të prek trupin e dëshmorit, që edhe unë i ndihmoj herë pas here
në këtë ritual, prore më duket se po prek vdekjen e tij. Më bëhet se po
përceptoj edhe më për së afërmi gjakimin e kësaj kufome për një jetë më të
dinjitetshme, më të begatë e më optimiste për brezat që do të vijnë…
Nuk
di se ku fle ai dell, ajo ëndërr për të nesërmen bardhëloshe; në ç’pjesë të
trupit e në ç’ngrehinë të trurit: në zemrën, që tani ka pushuar së rrahuri, apo
në gjakun tani të ngjizur…Nuk di…
Në
moment do pika gjaku pikojnë e fillojnë të rrëshqasin në najllonin e shtruar
mbi shtrojën e sallonit. Më duket sikur
sekreti u zbulua. Pikat e gjakut që duken si kokrra të magjishme të nakatosura
me jonet e sedefta të idealit për të nesërmen e bardhë, do të jenë simbol i
amanetit të kuq, që nuk do ta tret as dheu! Sido që të jetë, unë në këtë
moment nuk e kam at fuqi muskujsh e at
artikulim zëri e t’u drejtohem të afërmve të mi që i rrimë përreth në minder, të
marr nja dy tri pika në pëllëmbë nga gjaku i vëllaut, e të bërtas: “Eureka!
Eureka!”
Në
këtë skëterrë funebre, jo vetëm unë, por edhe askush tjetër nuk gjen kurajon
për t’i dhënë një përgjigje sado të vogël Hatixhesë dymbëdhjetëvjeçare kur
pyeti: “Babi a do të ngjallet përsëri?”
Heshtje...
Heshtje funebre...
Kush
do të ishte ai alamet filozofi, ai mençurak, ai njeri i urtë e i rregjur që t’i
jepte përgjigje kësaj pyetjeje që na shtangu të gjithëve?
...Vetëm
tanimë, më duket se do të kuptojmë se nuk është koha për “të mbjellur
mjegulla”. Ndoshta do të kalojë koha e diskurseve shterpe e të mbarsura me
demagogji. Në kësi situatash më duket se te njerëzit do të nxjerrë krye
sinqeriteti, kurse hipokrizia rishtazi do të humbë drejtpeshimin, duke varur
kokën me at fytyrën e skuqur nga turpi,
si një pehlivan i mundur në arenën e mundjes. Ndoshta!
…Kështu,
duke ndjerë indolencën edhe pafuqinë time në këtë rast, vazhdoj të rri ashtu i
shalakatur ulur në një skaj të sallonit për
të vrarë akrepat e orës që me ngathtësi të jashtëzakonshme
numërojnë minutat e kohës, e cila po
duket se ka harruar të lëvizë nga vendi. Vazhdoj të kotullitem ashtu i kredhur
thellë në humnerën e mendimeve torturuese që më trullosin kokën deri në
çmenduri. Vazhdoj të blatoj mendimet, tani - për përgatitjen e ceremonisë së
varrimit, me përfilljen e ritualeve fetare, por edhe kombëtare, sepse deri më
tani, në S., nuk ka bërë vaki që disa
ceremoni fetare t’u adaptohen kushteve dhe rrethanave “të jashtëzakonshme”, me
ç’rast duhet të demolohen disa paragjykime e klishe dogmatike. Është koha që
ritualet e varrimit, (primatin e së cilës e luan Autoriteti i Xhamisë së
fshatit), të akomodohen sipas situatës. Të mos ketë dilema rreth atribuimit të
aktit të të rënit: a është dëshmor, apo “shehid”? Të lahet kufoma, apo jo? Të
mbulohet me “flamur jeshil” apo me flamur shqiptar? Një mëdyshje tjetër më
pickon në tru: Me çfarë ceremonish ushtarake do të bëhet varrimi? A do të merr
pjesë dikush nga Autoritetet Ushtarake nga Shtabi i UÇK.? A do të ketë fjalë
rasti? A do të lexohet ndonjë referat? A do të jetë ky rast i qëlluar për disa
tipa karrieristë, për të përfituar nga situata dhe të “planifikojë” përfitime
politike?
-Çdo
dilemë mbetet hapur.