| E shtune, 22.07.2023, 07:48 PM |
Thirrja e famshme e Dantonit me tingëllim mjaft aktual për Dardaninë
(Duhet
guxim, guxim dhe përsëri guxim, dhe Dardania do të shpëtojë)
Nga
Eshref Ymeri
Para pak ditësh,
në Portalin e njohur”Voal” të datës 14 korrik 2023, ishte botuar një
informaciom mjaft interesant, me titull “(Video) Kongresmeni Republikan
Keith Self akuzon Departamentin e Shtetit për ndërhyrje në zgjedhjet në veri të
Kosovës”, kurse një ditë më vonë, më 15 korrik, ishte botuar një tjetër
informacion, jo më pak interesant, me titull: “Bugajski: Donika Gërvalla ka
të drejtë - Lajçaku dhe Eskobari dështuan, përderisa nuk ka njohje reciproke
Kosovë-Serbi”.
Këto dy
informacione më nxitën të kthehem në vitin 2020, në mandatin e parë të
Kryeministrit Albin Kurti. Asokohe u njoha me një reagim të një Profesori të
shquar amerikan, të botuar në faqen e internetit “Zëri”
të datës 19 mars 2020. Aty thuhej :
“Eksperti i njohur amerikan për
Çështjen e Ballkanit, Daniel Server, ka thënë se Grenelli dhe Trampi nuk janë e
gjithë Amerika. Madje ai ka thënë se tashmë Grenelli ka kaluar tërësisht në
anën e Serbisë”.
“Trampi dhe Grenelli nuk janë e
gjithë Amerika. Edhe unë jam Amerika. Unë jam më miqësor. Madje në këtë kohë
kur Grenelli ka kaluar tërësisht në anën e Serbisë”, - ka thënë Server
gjatë një interviste në emisionin “Jeta” në Kosovë.
Kjo deklaratë e analistit dhe e
ekspertit amerikan për Çështjen e Ballkanit, Daniel Server, Profesor i
Universitetit “John Hopkins”, më bëri të sjell ndër mend dy fakte mjaft
befasuese për ne shqiptarët.
Pasi u njoha me këtë informacion, i
nisa menjëherë Kryeministrit Albin Kurti letrën në vijim:
I nderuar Zoti Kryeministër,
Ju kërkoj ndjesë që po Ju drejtohem
me këtë letër, por një brengë që po më bluan përbrenda s’po më lë të qetë prej
disa kohësh. Vendosa t’Jua shpreh Juve këtë brengë, sepse në personalitetin
Tuaj gjej Intelektualin e Shquar Shqiptar, me brumosje të shkëqyer nacionaliste
dhe me dinjitet të lartë kombëtar.
Ja si është puna:
Mua personalisht më vjen shumë keq
për pozitën tepër të vështirë, në të cilën diplomacia amerikane Ju ka vënë
Juve, si Kryeministër. Informacioni i mëposhtëm më ka revoltuar që asokohe kur
është bërë publik:
“Shtetet e Bashkuara janë kundër
masave për reciprocitet, të premtuara nga Kryeministri Albin Kurti në vend të
taksës 100 për qind ndaj Serbisë. Zëdhënësi i të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për
dialogun Kosovë-Serbi, i tha Radios Evropa e Lirë (RFE/RL) se Kosova
duhet ta heqë taksën edhe pa reciprocitet. RFE/RL citon Dick
Custinin, zëdhënës i ambasadori Richard Grenell:
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave
të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë
plotësisht atë”” (Citohet sipas: “Grenell kundër Kurtit, taksa të
hiqet pa reciprocitet ndaj Serbisë”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 10
shkurt 2020).
Habitem, ore Zoti Kryeministër. Ky
Grenelli, i dërguari i Presidentit amerikan në Ballkan, me detyrë ambasador në
Gjermani, është ambasador amerikan apo është ambasador rus? Se gjuha që ai
përdor me Kryeministrin e Kosovës të kujton gjuhën e një ambasadori të
Kremlinit. Nuk e kuptoj dot këtë diplomacinë amerikane ndaj Kosovës: një herë i
drejtohej Kosovës me gjuhën e Xhon Boltonit, armikut të pavarësisë së
Kosovës, pastaj me gjuhën e Palmerit, dhëndrit të Serbisë, tani me gjuhën e
Grenellit, sikur të ishte ambasador rus. Kam përshtypjen se në diplomacinë
amerikane, që kur ka ardhur Trampi në pushtet, ka ndryshuar qëndrimi ndaj
Kosovës. Sepse në paragrafët që citova më sipër dëshmohet açik se diplomacia
amerikane e Trampit është rreshtuar tërësisht në anën e Serbisë, çka, në
këndvështrimin tim, mund të konsiderohet si një ndjesë e politikës së jashtme
amerikane në ditët tona për bombardimin e Serbisë në pranverën e vitit 1999,
bombardim që shmangu shfarosjen dhe spastrimin tërësor etnik të Kosovës.
Përshtypja ime argumentohet me citimet
e mëposhtme. Ju me siguri që jeni në dijeni të dy informacioneve në vijim,
megjithatë unë dëshiroj t'jua risjell në kujtesë, sepse me përmbajtjen e tyre
shpjegohet qartë qëndrimi proserb dhe antikosovar i Presidentit Tramp.
Një fakt, Zoti Kryeministër, më ka
mbetur në kujtesë që prej zgjedhjeve presidenciale të 08 nëntorit 2016: në
mbrëmjen e vonë të asaj dite, deputetët rusë ishin mbledhur në sallën e
parlamentit dhe po prisnin me ankth rezultatin e zgjedhjeve. Dhe nga Moska
vinte ky informacion i një dite më pas:
“Deputetët e Dumës
Shtetërore, gjatë mbledhjes plenare, lajmin për fitoren e Donald Trampit në
zgjedhjet për president e pritën me duartrokitje. Për këtë njofton “Interfaks”(Citohet sipas: “Në Dumën Shtetërore duartrokitën
për fitoren e Trampit”. Faqja e internetit “Novosti”. 09
nëntor 2016).
Ky informacion i asokohshëm më pati
ngjallur dyshime për ngazëllimin e deputetëve rusë me rastin e zgjedhjes së
Trampit President.
Diplomacia
amerikane, pas zgjedhjes së Trampit President i Shteteve të Bashkuara, është
rreshtuar kundër Kosovës. Kjo për arsye se Trampi, publikisht, ka mbajtur
qëndrim antikosovar para se të zgjidhej President. Që asokohe ai ka pasë
deklaruar:
“Për mua personalisht, bombardimi i
serbëve,... ka qenë një turp i vërtetë. Klintonët, ndërkohë, këtë e vlerësojnë
si një sukses të paparë. Unë kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha
gabimet e politikës amerikane. Në luftë kundër terrorizmit islamik neve na
duhen aleatë me përvojë lufte kundër kësaj të keqeje dhe në Evropë të tillë janë
rusët dhe serbët. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë do të
ndryshojë kursi i politikës së jashme, i cili deri tani ka qenë shpesh herë i
gabuar” (Citohet sipas: “Trampi
i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë
nga faqja e internetit “stihiya.org”. 25
dhjetor 2015).
Tani, Zoti Kryeministër, jam në ankth
për qeverinë Tuaj. Druaj shumë se Isa Mustafa, si përfaqësues i gardës së
vjetër, si ish-komunist i kohës së titizmit, i cili po përgjon si dhelpra në
ferrë për t’u zgjedhur president, do ta sabotojë, siç po e saboton konkretisht,
qeverinë Tuaj. Dhe ka shumë mundësi që ky sabotim të bëhet me investimin e
fuqishëm të kriminelit Vuçiç, të Ramës dhe të Thaçit.
Mendoj, zoti Kryeministër, se aleanca
juaj e fortë me Zonjën Vjosa Osmani dhe me përkrahësit e saj në radhët e
Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të arrijë ta mposhtë aleancën antikosovare
të Vuçiçit me Thaçin, me Ramën dhe me Mustafën.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë
për atdhetarizmin tuaj shembullor.
Eshref Ymeri
Kleveland, Ohajo
20 mars 2020
Por
edhe tani, pasi kanë kalur më shumë se tre vjet, po vihet re se Departamenti i
Shtetit po mban të njëjtin qëndrim, antikosovar, proserbian, ndaj Republikës së
Kosovës. Një qëndrim i tillë, sa i çuditshëm, aq edhe befasues, del shumë mirë
në pah në informacionin e parë të Portalit “Voal”, të cituar në fillim
të këtij shënimi. Aty jepet debati i Kongresmenit Republikan Keith Self me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Douglas Jones, debat
ky, i zhvilluar në një Seancë Dëgjimore. Nga ai debat sqarohet më së miri
qëndrimi proserbian i Departamentit të Shtetit, një qëndrim tërësisht kundër
Republikës së Dardanisë, pikërisht si gjatë mandatit të ish-Presidentit Tramp.
Departamenti
i Shtetit kërkon të bëhen zgjedhje të tjera në Veriun e Kosovës, meqenëse
pjesëmrrja ishte e ulët, për shkak të bojkotimit të serbëve. Kongresmeni Self i
kundërvihet ashpër përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit:
“Kjo
ndodh gjithë kohën në SHBA. Ne kemi zgjedhje lokale ku votojnë veç 10% e
qytetarëve, dhe ne nuk e kundërshtojmë këtë realitet me argumentin e daljes së
ulët të zgjedhësve”.
Nga
debati rezulton se Departamenti i Shtetit kërkon të bëjë kurban Dardaninë për
të plotësuar tekat e Serbisë. Dhe arsyen e këtij kurbani, kongresmeni i nderuar
Self e zbulon fare qartë:
“Problemi
i vërtetë që shoh unë është që Departamenti i Shtetit po tenton të largojë
Serbinë nga orbita ruse. Ju po ndërhyni në zgjedhje që kanë qenë të rregullta,
po u mbivendoseni njerëzve që janë zgjedhur sipas rregullave, e po tentoni të
impononi veten në një problematikë mijëvjeçare dhe ju po kundërshtoni zgjedhje
të ekzekutuara më së miri. Ju nuk do ta nxirrni Serbinë jashtë orbitës ruse.
SHBA e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Departamenti i Shtetit duhet të
fokusohet në funksionimin e shtetit të së drejtës”.
Për sa
i përket shënimit të dashamirësit të kombit shqiptar, Janush Bugajskit, për
dështimin e misionit të Eskobarit dhe të Lajçakujt në dialogun Kosovë-Serbi -
mosrealizimin e njohjes reciproke - duhet theksuar se këta, të dy, kanë mbrojur
dhe vazhdojnë të mbrojnë vetëm pretendimet shoviniste të Serbisë për copëtimin
e Republikës së Dardanisë. Do të kishte qenë shumë mirë sikur Kryeministri Albin
Kurti, që në fillim, të mos pranonte të ulej në tryezë bisedimesh me
përfaqësues nga dy vende aspak dashamirëse të Republikës së Dardanisë, si
Lajçaku dhe Borelli, të cilëve u është bashkuar edhe Eskobari, që të tre kopje
të Grenellit në këmbënguljen për krijimin e një shteti serb brenda territorit
të saj.
Në
këto kushte, kur Departamenti i Shtetit, me Blinkenin në krye, mikun shumë të
afërt të Sorosit, si edhe Evropa e Brukselit, janë rreshtuar në krah të
Serbisë, kundër Republikës së Dardanisë, Katërshja e Nderuar Udhëheqëse -
Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, Ministrja e Jashtme,
burrëresha Donika Gërvalla, dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, duhet të
mbështeten fuqimisht dhe të gjejnë frymëzim te Populli Shqiptar i Dardanisë, ta
shpërfillin Ramën e tradhtisë, si edhe të kenë si busull orientimi politik
Thirrjen me domethënie të thellë të Dantonit (Georges Jacques Danton
1759-1794), revolucionarit francez, njërit nga etërit e
Republikës së parë franceze:
“il faut du courage, du courage et du courage encore, et
la France sera sauvée” (duhet guxim, guxim
dhe përsëri guxim, dhe Franca do të shpëtojë).
Kaliforni, 21 korrik 2023