Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Vlerë e paçmueshme për historinë tonë

| E enjte, 20.07.2023, 07:57 PM |


Elvi Sidheri:

Zbulimi i porsabërë në Lin të Pogradecit, me konfirmimin tashmë edhe të Universitetit të Bernës, për vjetërsinë rreth 8500 vjeçare të vendbanimit të lashtë palafit në brigjet e liqenit të Ohrit buzë këtij gadishulli mahnitës, ka një vlerë të paçmueshme për historinë tonë si vend e popull, ngaqë dëshmon pakundërshtueshëm vjetërsinë mijëravjeçare të banimit të vazhdueshëm të këtyre viseve ku akoma jetojmë edhe sot ne shqiptarët, aq më tepër, lidhur me Linin, meqë ky gadishull dhe fshati me të njëjtin emër, me shumë gjasa kanë trashëguar përgjatë mijëvjeçarëve, emrin e moçëm në ilirisht të liqenit në fjalë, por edhe emrin burimor ilir të qytetit magjepsës të Ohrit ca dhjetëra kilometra më tutje, domethënë Lyhnidin, që sot pasqyrtohet në formën Lin në emërtimin e kësaj siujdhese liqenore shqiptare.

Urime mikut tim, arkeologut të ri mitrovicas, Lekë Shala, që përveç punës së palodhur për dokumentimin e trashëgimisë së gurtë pagane të kullave të vjetra anembanë Kosovës, ishte i pranishëm edhe në këtë ekspeditë kaq jetike arkeologjike!

PS: Sikurse kam pas dëgjuar vetë dikur nga peshkatarët e fshatit Kalishtë menjëherë pas Qafë Thanës, në brigjet e këtij fshati buzëliqenor, po ashtu flitet se gjenden hunj nënujorë, palafite dhe varka e anije të lashta të mbytura.