| E marte, 18.07.2023, 07:09 PM |
Kryeministri Albin Kurti përballë tradhtisë së Ramës
“Tradhtarit
i pikon tradhtia nga çdo pore e trupit të tij”
Zigmund Frojd (Sigmund Freud - 1856-1939)
Nga
Eshref Ymeri
Pas një drafti
sekret, misterioz, për Republikën e Kosovës, të cilin Rama ua pati dërguar
Presidentit francez dhe Kancelarit gjerman, pak ditë më parë në internet qe
botuar edhe një informacion, sipas të cilit Rama paska dalë me një propozim për
zhvillimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë. Në atë
informacion thuhet:
“Idenë për
mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më
27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në
Bruksel me zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin” (Citohet sipas: “E propozoi Rama, KE mbështet idenë
për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë”. Faqja e internetit “Fax Web”. 29
qershor 2023).
Dhe ja çfarë rezultoi pas propozimit të Ramës:
“Presidenti i
Këshillit Evropian, Çarls Mishel (Charles Michel), mbështeti idenë për një
konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve
mes tyre” (po aty).
Vetvetiu shtrohet pyetja:
Mirë Rama që është mik i Vuçiçit dhe, për pasojë,
tradhtar i Republikës së Kosovës, po
Çarls Misheli si e pranoi një propozim të tillë, fund e krye paradoksal, kur
dihet që Çështja Kombëtare e Kosovës u zgjidh ushtarakisht dhe politikisht më
12 qershor 1999 dhe juridikisht me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008? Si
është e mundur që Kryepolitikani me shumë peshë i Këshillit Evropian e marrka
seriozisht propozim-marrëzinë e Ramës?
S’ka asgjë për t’u habitur me qëndrimin e Brukselit ndaj
shqiptarëve. Sigurisht, sepse Brukseli është trashëgimtar i Evropës fishtiane,
i asaj Evrope, të cilën Fishta i Madh e pati etiketuar ashtu siç e meritonte -
kurva e motit.
Zhvillimi i ngjarjeve të fundit në Republikën e Kosovës nxori në pah ca të vërteta shumë
dëshpëruese për fatin e keq që e ka ndjekur pas popullin shqiptar, për shkak të
përçarjes tragjike shumëshekullore, të shkaktuar nga mercenarizmi i
politikanëve, zeja kryesore e të cilëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet tradhtia,
nënshtrimi absolut para të huajve. Pikërisht për shkak të përçarjes
shumëshekullore, populli shqiptar, në krejt trojet e veta etnike, e ka humbur
aftësinë e vetorganizimit dhe ka rënë pre e politikanëve tradhtarë në shërbim
të të huajve Pra, kombi shqiptar të
keqen e ka pasur dhe vazhdon ta ketë brenda vetes, një e keqe kjo që na ka
shkaktuar gjëma të rënda në historinë tonë dhe që të huajt na e kanë yshtur me
shumë kënaqësi. Përçarja jonë tragjike ka traditë të lashtë Le të kujtojmë për
një çast Gencin e Ilirisë. Kur ai luftonte kundër romakëve, princat e tjerë
ilirë bashkëpunonin me romakët. Temën e përçarjes
dhe të tradhtisë ogurzezë, që në periudhën e lashtësisë ilire, shkrimtarja e
njohur Vilhelme Vranari Haxhiraj e ka trajtuar në një roman fantastiko-historik
për fëmijë, me titull “Amanti i Arbërisë”. Botimet “Toena”. Tiranë
2003.
Pyetjes së Amantit, drejtuar
Bukuroshes së Durrësit për njerëzit nëse janë ziliqarë, ajo i përgjigjet:
“ - Po, po, kanë
smirë për këdo që i shkojnë punët mbarë, mundohen dhe bëjnë të pamundurën që ta
shkatërrojnë tjetrin”.
Qëllimin djallëzor të kryetradhtarit Rama, si nismëtar
për thirrjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën, e ka zbuluar me shumë
profesionalizëm intelektuali me vetëdije
të lartë kombëtare, Gani Qarri. Në disa faqe interneti është botuar analiza e
tij me titull “Konferenca
tradhti e Ramës për ricopëtimin e Kosovës”. Mendoj se kjo analizë duhet të shërbejë
si busull orientimi për Kryeministrin, Presidenten dhe Kryetarin e Kuvendit të
Republikës së Kosovës, të cilët duhej ta kishin denoncuar publikisht ”konferencën
tradhti të Ramës”, edhe personalisht, edhe me vendim të posaçëm të
Kuvendit. Përmes një faqeje interneti, është bërë e ditur se Kryeministri Albin
Kurti është “skeptik për idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe
Serbinë” (Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 01 korrik 2023).
Këtu nuk është fjala për skepticizëm, këtu është fjala për kundërshtim me
vendosmëri burrërore, për një kundërshtim të prerë, si me sëpatën e dardharit.
Në këto kushte, Kryeministri Albin Kurti nuk duhet të marrë pjesë në asnjë
mënyrë në një konferencë të tillë poshtëruese për Republikën e Kosovës,
konferencë, të cilën Brukseli e mbështet me shumë dëshirë. Zhvillimi i asaj
konference ka për qëllim copëtimin e Republikës së Kosovës. Prandaj
Kryeministri Albin Kurti nuk duhet të shkojë në atë konferencë, nuk duhet të
përsëritë gabimin fatal të Ismail Qemalit, i cili, pas shpalljes së pavarësisë
më 28 nëntor 1912, në vend që të lëshonte kushtrimin, së bashku me 40
firmëtarët, për ngritjen e popullit më
këmbë, grumbullimin e mjeteve financiare dhe krijimin e forcave të armatosura
për t’u mbrojtur nga bishat serbogreke, përkundrazi, u ngrit e shkoi në Londër
për të takuar ministrin e jashtëm anglez, Eduard Grein (Edward Grey -
1862-1933), për t’iu lutur që ujqit evropianë, me ujkun rus në krye, të mos na
i copëtonin trojet tona etnike. Kurva e
motit trojet na i copëtoi dhe takimet e Ismail Qemalit në Londër rezultuan një
vërë në ujë. Ismal Qemali dhe Isa Boletini u kthyen, duke sjellë me vete në
çanta shpërfilljet, deri në përbuzje të heshtura, të Eduard Greit. Ky qëndrim
nënshtrues ndaj të huajve për Çështjen më Madhore Kombëtare - mbrojtjen e
tërësisë territoriale të trojeve tona etnike - ka lënë gjurmë të pashlyeshme në
vetëdijen e popullit shqiptar, i cili, për faj të politikanëve servilë në
marrëdhëniet ndërkombëtare, ka krijuar bindjen e gabuar se fatet e kombit tonë
i paskan në dorë vetëm të huajt. Kjo bindje shumë e gabuar është e fiksuar edhe
në krijimtarinë folklorike, në këngët popullore. Kështu, ansambli “Çipini” ka
në repertorin e vet këngën labe, me titull “Trimi luftëtar”. Po citoj
vetëm strofën e parë:
Të dy bashkë u nisën,
Ku merrej vendimi,
Ismail Qemali
E Isa Boletini.
Pra,
vendimin për fatin e Shqipërisë Etnike duhej ta merrnin të huajt, jo populli
shqiptar, i bashkuar rreth një kryepolitikani dhe një kryekomandanti trim të
forcave të armatosura.
Për
fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, dy shtetet shqiptare sot janë më të
përçara së kurrë. Kundër kësaj përçarjeje, të krijuar për fajin e rëndë të
Ramës, si kryetradhtar i kombit shqiptar dhe si kryeservil i Vuçiçit të
Serbisë, e cila Republikën e Kosovës, në kushtetutën e saj fashiste, e
konsideron pjesë të territorit të vet, ka ngritur zërin intelektuali i shquar
Frank Shkreli, gazetar veteran i “Zërit të Amerikës”. Në një analizë të ditëve
të fundit, ai ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka uniteti i
shqiptarëve, duke iu sjellë politikanëve në kujtesë Kuvendin e Lezhës të Gjergj
Kastriot Skënderbeut dhe Lidhjen e Prizrenit. Ai shkruan:
“... në qofë se
shqiptarët nuk kujdesen për veten, për interesat e njëri-tjetrit dhe për të
mirën e përbashkët afatgjatë si komb, atëherë pse të lodhen të huajt me ne, kur
e shohin se shqiptarët nuk kanë as një kompaktësi, as unitet objektivash
madhore kombëtare” (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Mësimet nga Lidhja”. Faqja
e internetit “Fjala e Lirë”. 02 korrik 2023).
Mungesa e aftësive
vetorganizuese të popullit shqiptar doli në pah pas propozimit të lartpërmendur
të Ramës për zhvillimin e asaj konferencës ndërkombëtare për Kosovën dhe
Serbinë. Në vend që populli të çohej peshë dhe të mbushte rrugët e qyteteve me
protesta të fuqishme kundër tradhtarit Rama dhe Brukselit proserbian,
përkundrazi, rri i heshtur si mumje hesapi, duke i lënë vetëm kryeministrin
Kurti dhe Presidenten Osmani të përplasen me padrejtësinë evropiane. Mungesë
skandaloze vetorganizimi treguan ata 15 mijë shqiptarët, të cilët kryetradhtari
Hashim Thaçi i dëboi nga shtëpitë e veta në Mitrovicën e veriut më 2 dhe 3
shkurt të vitit 2000, por pas shpalljes së pavarësisë nuk u bënë të gjallë deri
më sot të çoheshin bashkërisht dhe të turreshin për t’u kthyer në vatrat e
tyre, të pushtuara nga serbët, të cilët Franjo Tuxhmani u dha dajakun që
meritonin dhe i përzuri nga Kroacia.
Kryeministri Albin Kurti,
një i vetëm trim në luftë
Masat që ka marrë
Kryeministri Albin Kurti kundër provokimeve të rënda të bandave kriminale
serbe, duhej ta kishin shqetësuar shumë seriozisht Brukselin dhe Departamentin
e Shtetit, për ta ndëshkuar Serbinë ashtu siç e meriton. Por, çuditërisht, ka
ndodhur e kundërta. Këto dy qendra të rëndësishme të politikës botërore janë
rreshtuar në krah të Serbisë, kundër Albin Kurtit dhe qeverisë së tij. Madje
atyre nuk u bënë përshtypje absolutisht skenat, kur kriminelët serbë në
Mitrovicën e Veriut rrahën 30 policë të KFOR-it, sikur të ishin gomarët e
Nastradinit. Për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, kundër Albin Kurtit, ka
kohë që ka mprehur shpatën kryeministri i atdheut amë Rama, duke lënë emër në
histori si kryetradhtar me damkë.
Le të kthehemi
prapa për një çast në histori, te zgjedhjet e 23 qershorit 2013.
Kryeministri Berisha mbajti një
qëndrim mjaft objektiv dhe me shumë dinjitet në vlerësimin e rezultateve të
zgjedhjeve të 23 qershorit: ai e njohu menjëherë rezultatin e tyre dhe dha
dorëheqjen nga të gjitha postet partiake, duke marrë përsipër të gjitha
përgjegjësitë për humbjen e rëndë që pësoi Partia Demokratike. Në këtë mënyrë,
ai bëri vetëm veten përgjegjës për atë humbje të thellë, duke mos ia lënë litarin
nëpër këmbë pasardhësit të vet në krye të saj. Por Profesor Berisha, me gjithë
gabimet që pati bërë dhe që i pati pranuar publikisht gjatë zhvillimit të
foltoreve në mbarë vendin, ka lënë emër në histori me dy vepra shumë të
rëndësishme: me Rrugën e Kombit, me dy tunele me një gjatësi prej 11 km, dhe me
autostradën Tiranë-Elbasan. me dy tunele me një gjatësi prej 4,4 km.
[Kryetradhtari Rama, sapo u bë kryeministër në vitin 2013, vëllezërve
tanë kosovarë u vuri taksën për Rrugën e Kombit].
Pikërisht një javë më vonë, pasi
partia socialiste kishte fituar zgjedhjet, gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans”(Korrieri
i Ballkanit), Rama, si kryeministër i ardhshëm, pati deklaruar se “synon të
bëjë politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”.
30 qershor 2013).
Dhe tani, çdo shqiptar me vetëdije të lartë
kombëtare, është i bindur plotësisht se Rama e ka lënë vërtet një emër në
histori, por ky nuk është emër i nderuar në mbarë hapësirat e trojeve tona
etnke. Përkundrazi, ky është emri i një tradhtari me damkë, i cili, duke u
rreshtuar përkrah serbokriminalizmit gjakatar, ka kryer tradhtinë më të rëndë
kundër kombit shqiptar. Fillimisht, në rolin e kameleonit, Rama u hoq e u shtir
si mik i popullit shqiptar të Republikës së Kosovës, dikur pati dalë me
propozimin për një president të përbashkët dhe për zhvillimin e mbledhjeve të
përbashkëta të të dy qeverive. Por sapo krimineli Vuçiç hodhi në tregun politik
idenë e minishengenit ballkanik, Rama s’e përmbajti dot vrapin drejt Beogradit,
si dikur ati i tij shpirtëror, argati i Titos Enver Hoxha në vitet 1941-1948.
Rama të kujton atë fjalën e urtë, në të cilën thuhet:
“Gjarpri e ndërron lëkurën çdo vit, kurse tradhtari
çdo ditë”.
Tani Rama, me zejen e tij të tradhtisë kombëtare,
ka shkuar aq larg, saqë ka lënë emër të turpshëm në analet e historisë sonë,
sepse për Republikën e Kosovës është
bërë po aq i rrezikshëm, sa edhe krimineli Vuçiç. Po aq i rrezikshëm është bërë
ai edhe për Shqipërinë me tradhtinë ndaj popullit tonë, tradhti kjo, e
reflektuar në varfërimin e pandalshëm të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Çuditërisht. Rama, si kreu i
partisë së bujkrobërve socialistë, ka shumë sukses në veprimtarinë e vet
tradhtare për shpopullimin e vendit. Ja çfarë deklaronte një djalë i ri para
një viti:
“Po iki në Gjermani sepse këtu çdo gjë është katastrofë.
Ju bëj thirrje shqiptarëve që të ikin se ka marrë fund ky vend”. Me çantën në krah, ky është mesazhi që qytetari tha për
të rinjtë para se të nisej për në Gjermani (Citohet sipas: Youtube. 22
korrik 2022).
Rama
do të kishte lënë vërtet emër të nderuar në histori, dhe çdokush nga
bashkëkombësit në trojet tona etnike dhe në Diasporë, do të ishte shumë krenar,
sikur të ishte rreshtuar vendosmërisht pranë Albin Kurtit, në mënyrë që shteti
amë dhe Republika e Kosovës t’u flisnin
ndërkombëtarëve me të njëjtën gjuhë dinjitoze. Kështu do të ishte rritur
së tepërmi autoriteti i tij jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por edhe të ndërkombëtarëve.
Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Sepse kalorësi i helenizmit nuk mund të
vepronte ndryshe. Me flirtet e tij me Vuçiçin, ai dëshmon se është bërë edhe
kalorës i serbosllavizmit.
Për të siguruar mbështetje në sytë e shqiptarëve,
përkrah Vuçiçit në fushatën e tij kundër Albin Kurtit, Rama, përmes Sorosit,
solli për vizitë në Tiranë ish-presidentin amerikan Bill Klinton, i cili, në
moshën 77-vjeçare, një muaj e gjysmë para festimit të ditëlindjes më 19 gusht,
ndërmori një udhëtim shumë të gjatë. Në ceremoninë e organizuar për atë vizitë,
ra menjëherë në sy diçka: ajo ishte një vizitë e privatizuar tërësisht nga
Rama, përderisa aty mungonin dy krerët kryesorë e opozitës, të cilët Rama, për
turpin e tij, nuk i kishte ftuar. Se çfarë përshtypjesh bëri vizita e Bill
Klintonit në Tiranë në radhët e analistëve dhe të publicistëve me dinjitet të
lartë personal dhe kombëtar, janë mëse të mjaftueshme këndvështrimet që
shprehën në internet intelektualë të tillë të njohur, si Fatos Lubonja,
diplomati Agim Nesho, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. Ceremonia që u
zhvillua para kryeministrisë shërbeu si një skenë sa humoristike, aq edhe
tragjikomike. E quaj tragjikomike, sepse në atë ceremoni u dëshmua para
opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar se sa e madhe është përçarja e
shqiptarëve. Bill Klintoni ka hyrë në kujtesën e çdo shqiptari dhe në historinë
e mbarë kombit shqiptar, si një President i shquar amerikan për aktin e lartë
burrëror që kreu, me marrjen e vendimit për bombardimin e Serbisë fashiste në
pranverën e vitit 1999, duke vënë në dijeni paraprakisht mbarë popullin
amerikan dhe duke çuar në vend porosinë e të Madhes Nënë Tereza. Kombi shqiptar
nuk ia harron kurrë Bill Klintonit atë akt burrëror dhe do t’i jetë mirënjohës
në jetë të jetëve. Por të duket e pabesueshme kur mendon se si është e mundur
që Bill Klintoni, në këtë moshë të nderuar, të bëhet aktor në një skeç
humoristik, të parapërgatitur përmes Sorosit, vetëm e vetëm që Rama të gjente
mbështetje për sulmin kundër Albin Kurtit. Çdo shqiptar i ndershëm, me vetëdije
të lartë kombëtare, është i bindur se Klintoni kishte ardhur në Tiranë jo në
rolin e ish-Presidentit, por në rolin e një përkrahësi të Ramës në fushatën që
ky ka shpërthyer kundër Albin Kurtit. Veç kësaj, me vizitën e vet, ai kishte si qëllim t’i ngrinte lart
aksionet e Ramës, si një “politikan me peshë” në gadishullin tonë. Në fjalimin
e vet, Klintoni, i keqinformuar, duke pasur parasysh ngjarjet në Mitrovicën e
Veriut, tha: “... ta ndalim këtë marrëzi”. Por marrëzia nuk është
produkt i shqiptarëve, ajo është produkt i bandave kriminale serbe, është
produkt i Serbisë fashiste, e cila nuk është mjaftuar me gjithë ato gjëma të
rënda që i shkaktoi popullit kosovar në vitet ’90, por ka edhe pretendime
territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Me siguri që Kryeministri Albin Kurti
i ka ndjekur me kujdes skenat humoristike që u shpalosën para Kryeminitrisë dhe
duhet besuar se ai është bërë edhe më i vendosur në qëndrimin e tij burrëror në
mbrojtje të tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, pa lejuar kurrën e
kurrës krijimin e një shteti serb brenda territorit të saj.
Me nëntitullin “Kryeministri Albin Kurti, një i
vetëm trim në luftë”, kam parasysh frontin e trefishtë të sulmeve që ai po
përballon, jo vetëm nga ndërkombëtarët dhe opozita proserbe, por edhe nga
kryeministri i shtetit amë dhe banda rreth tij. Pra, formacioni i tij politik
dhe i presidentes Vjosa Osmani po ndeshen me dy sulme nga jashtë dhe me një
sulm nga brenda. Më bëri përshtypje kërkesa e Xhavit Halitit, drejtuar
kryeministrit Albin Kurti për të dhënë dorëheqjen. Vajmedet se kush e kërkon
këtë dorëheqje! Xhavit Haliti, anëtari i bandës tradhtare të Hashim Thaçit. Jo
më pak përshtypje më bëri letra publike e Behgjet Pacollit, drejtuar
Kryeministrit Albin Kurti, të cilit i bënte thirrje të dëgjonte zërin e
ndërkombëtarëve për plotësimin e tekave shoviniste të Serbisë. Behgjet Pacolli
s’mund të veprojë ndryshe se dihet mirë se kush është - i njohur si servil i
Beogradit dhe i Moskës, dy armiqve të betuar të kombit shqiptar.
Pendesa e heshtur e ndërkombëtarëve
për bombardimin e Serbisë
në pranverën e vitit 1999
Siç është bërë e
ditur, “Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër
masash kundër Kosovës, të cilat do të komunikohen në këtë javë. Ato do të
përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e
mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave,
pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave
dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për
Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment” (Citohet
sipas: “Këto janë sanksionet
që KE gjatë javës do t’i vendosë kundër Kosovës”. Faqja e internetit “Ora news”. 27
qershor 2023).
Pra,
për problemet që kanë lindur në Mitrovicën e Veriut, për shkak të provokimeve
të banditëve serbë me mbështetjen e gjithanshme të Serbisë, sipas brukselizmit,
“fajtore” na qenka Republika e Kosovës. Nuk habitemi aspak nga ky qëndrim i
Komisionit Evropian, sepse këtu e 12 vjet të shkuar qe bërë i njohur publikisht
një fakt befasues. Asokohe, Shefi
i UNMIK-ut në Kosovë, Lamberto Zannieri (1954), pati deklaruar:
“… pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori
anën e Serbisë”. (Citohet sipas faqes së internetit “Voal”. 16
prill 2011).
Katër vjet më vonë, u vërtetua që Lamberto Zannieri
kishte pasur shumë të drejtë. Në
mars të vitit 2015, mbarë opinioni publik shqiptar u njoh me një deklaratë
skandaloze të një eurodeputeti, një shovinist francez ky në parlamentin
evropian, i quajtur Emerik Shoprad (Aymeric Chauprade - 1969). Ky
tellall i shovinizmit rusoserbomadh, nga tribuna e parlamentit në fjalë,
shprehu tërë urrejtjen e vet për Kosovën, të cilën e etiketoi si “çerdhe të
krimit”, duke deklaruar se Parisi na paska bërë, demek, një “gabim
historik” me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas këtij shovinisti të regjur me
dashurinë përvëlimtare për Serbinë dhe me urrejtjen e papërmbajtur për Kosovën,
“Kosova kurrë s’mund të hyjë në Bashkimin Evropian”. Se Kosova, sipas
këtij injoranti dhe shpifësi me gramë të madhe, jo vetëm që na qenkej “çerdhe
e krimit”, por mbakej përgjegjësi edhe “për spastrimin etnik të serbëve
dhe të popullatës tjetër joshqiptare” (Citohet sipas: “Europarlamentari
francez: Kosova çerdhe e krimit, njohja e saj gabim historik”. Faqja
e internetit “BalkanWeb”. 02 mars 2015).
Eurodeputeti
shovinist francez Aymeric Chauprade, nga
tribuna e parlamentit evropian, sulmoi edhe NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të
Amerikës për bombardimin e Sebisë në pranverën e vitit 1999. Me këtë deklaratë,
ky eurodeputet shovinist francez, radhitej përkrah skifterëve ushtarakë
francezë që i jepnin të dhëna paraprake Beogradit për bombardimet e NATO-s.
Por shqetësim kryesor për mbarë
shqiptarët atdhetarë, nuk përbënte deklarata armiqësore e një eurodeputeti
francez me një formim kulturor gjysmak. Shqetësim kryesor për ta përbënte
heshtja e krejt eurodeputetëve të tjerë,
midis të cilëve nuk u gjend asnjë burrë për be që t’i jepte përgjigjen që Aymeric
Chauprade meritonte për shpifjet që po nxirrte nga goja në adresë të
Republikës së Kosovës dhe për sulmet kundër NATO-s. Pra, etiketimi fishtian i
Evropës vazhdon të ketë tingëllim aktual edhe në ditët tona. Qëndrimi që mbajnë
ndërkombëtarët, të cilët kanë planifikuar vendosjen e sanksioneve kundër
Republikës së Kosovës, s’është gjë tjetër, veçse një pendesë e heshur për
bombardimin e Serbisë. Në këtë mënyrë, Brukseli dhe Blinkeni i Departamentit të
Shtetit kanë rënë në pozitat e ish-Presidentit Tramp, i cili e ka quajtur turp
bombardimin në fjalë. Pikërisht rreshtimi i ndërkombëtarëve në anën e Serbisë
është arsyeja kryesore se pse ata nuk vendosin sanksione kundër saj për flakjen
nga kushtetuta të nenit, në të cilën Republika e Kosovës figuron pjesë e
Serbisë, se pse heshtin për fatin e të zhdukurve me dhunë, për zbulimin e të
gjitha varrezave masive, se pse nuk reagojnë për këto varreza që kanë mbetur pa
epilog gjyqësor, se pse nuk kërkojnë të ngrihen aktakuza ndaj kriminelëve për
vrasjen e të zhdukurve apo ndaj atyre që kanë marrë pjesë në fshehjen e kufomave në territorin e Serbisë, se pse
vazhdojnë të heshtin kur deputetja e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia
Kearns, në një fjalim të mbajtur në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ka
folur sërish për situatën në veri, derisa ka thënë se fajtori kryesor është
Serbia. Ajo ka deklaruar:
“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment
ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që
kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur
trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar
dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje - të
papritura - një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të
gjitha armët” (Citohet sipas: “Deputetja britanike: Serbia
po kontrabandon armë në veri përmes autoambulancave, të njëjtat po dërgohen në
kishat ortodokse”. Faqja e internetit “telegrafi”. 04 korrik 2023).
Ky
fakt skandaloz dëshmon për dy gjëra:
Së pari, Bashkimi Evropian rri e hesht për
veprimtarinë e bandave kriminale serbe në Veriun e Mitrovicës, dhe, në vend që
të vendosë sanksione kundër Serbisë, ai sillet ndaj saj si një dado politike.
Prandaj ka shumë të drejtë ministria e punëve të jashtme, burrëresha Donika
Gërvalla, e cila ka deklaruar:
“Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor
është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë? Unë
mendoj që ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar
sigurinë. Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda
Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe
NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj
vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit” (Citohet sipas: “Kosovë: Ministrja Gërvalla kritikon BE
duke nxitur reagime”. Faqja e internetit “DW”. 10 korrik 2023).
Së dyti, kishat serbe në territorin e Republikës së
Kosovës janë fole gjarpërinjsh. Se ndryshe s’ka se si shpjegohet që ato
shërbyekan si depo amatimesh kundër popullit shqiptar. Normalisht, autoritetet
e Republikës së Kosovës, kur zbulohen depo të tilla në mjedise kishash serbe,
duhet t’i dëbojnë që andej për në Serbi të gjithë priftërinjtë dhe ato kisha,
të kthyera në vatra krimi, duhet të kthehen në pronë shtetërore. Krimi i
kishave serbe kundër shqiptarëve edhe në ditët tona, na bën të vijmë në
përfundimin se tingëllojnë mjaft aktuale kerkesat e Papa Benediktit XI dhe Papa
Klementit V, dërguar mbretit Millutin dhe Stefan Dushanit më 1346, duke urdhëruar
që të lirojnë Kishat Katolike, te uzurpuara në territorin e Dardanisë.
Duhet pranuar haptas se Evropa e
brukselizmit e ka katandisur Republikën e Kosovës në “geto” të gadishullit
tonë: për të gjitha vendet rreth e rrotull saj i ka hequr vizat, kurse për
Republikën e Kosovës ka zgjedhur vetëm izolimin. Kjo është faqja e zezë e
kurvës së motit, simpatizantes së Serbisë.
Në
këtë valë histerie që ka shpërthyer kundër Kryeministrit Albin Kurti, për fat
të keq, opozita në Prishtinë dhe qeveria në pushtet në Tiranë, kanë braktisur
krejtësisht interesat kombëtare dhe janë rreshtuar në krah të shovinizmit
serbokriminal. Një dukuri e tillë tejet e shëmtuar është e papërsëritshme në
asnjë vend të botës. Të bën përshtypje shumë të thellë një fakt interesant.
Analisti dhe publicisti i shquar Skënder Kapiti, në harkun kohor prej 30
qershorit deri më 09 korrik, ka botuar në internet gjashtë artikujt në vijim,
të cilët janë mjaft mbresëlënës në përkrahje të Kryeministrit Albin Kurti dhe
të Presidentes Vjosa Osmani (“I sfidoj të gjithë ata që janë kundër
Kosovës, dhe që sot janë kundër Albin Kurtit”, “Albin Kurti dhe antiKurtët”,
“Ja pse sot jam me Kurtin e Osmanin”, “Kurti dhe Osmani, qëndroni fort, sepse
me juve është historia, patriotizmi, e drejta dhe e vërteta”, “Kurti dhe Osmani
me dhe për patriotizmin, shqiptarizmin, demokracinë dhe për shtetin e
kushtetutën”, “Lufta në Kosovë nuk
ka përfunduar”). Në artikullin e parafundit ai thekson
diçka tepër shqetësuese:
“Antikurtizmi
politik, intelektual, diplomatik dhe mediatik në Shqipëri, vërtetoi dhe zbuloi
atë se në Shqipëri deri më sot në 100 vjet në pushtet ka ardhur ajo politikë, e
cila është sa më antikosovare... Jo vetëm Edi Rama, por para historisë do të
përgjigjet edhe Partia Socialiste, e cila deri më sot jo vetëm asnjë funksionar
e as pushtetar i saj, por asnjë anëtar i saj nuk është distancuar dhe as nuk ka
kritikuar kryesocialistin Edi Rama për papërgjegjshmërinë ndaj interesit
gjithkombëtar shqiptar me projektin e “Ballkanit të Hapur”, projekt tërësisht
kundër Kosovës, dhe me të tjera veprime të dëmshme për Kosovën”.
Ky
qëndrim kaq dashakeq kundër Republikës së Kosovës nga ana e shtetit amë, të
privatizuar nga Rama, dëshmon fare qartë se partia socialiste vazhdon të mbajë
në krye një njeri që ndjek gjurmët e Enver Hoxhës në marrëdhëniet me Beogradin.
S’mund të ndodhë ndryshe, se kjo parti është trashëgimtare e traditës së
partisë komuniste, e cila, që në themelimin e vet, ishte agjenturë jugosllave.
Për pasojë, Rama me partinë e vet, me anëtarësi një kope të madhe bujkrobërish
socialistë, sot është thjesht një agjenturë në shërbim të serbosllavizmit.
Qëndrimi revoltues i Ramës ndaj Kryeministrit Albin Kurti dhe heshtja e plotë e
anëtarësisë së partisë socialiste, lexuesin e ndershëm e bëjnë të përsiatë
thellë se kjo parti vazhdon traditën e tradhtisë së partisë komuniste në raport
me Kosovën, për të cilën biografi i Titos, Vladimir Dedijer
(1914-1990), në librin me titull “Kujtime”, të botuar
në Beograd në vitin 1949, shkruan shkoqur fare:
“Çështjes shqiptare të Kosovës iu vu vula që në 8 nëntorin e ’41-it”.?
Për të
gjetur mbështetje në fushatën e vet kundër Kryeministrit Albin Kurti, Rama ka
hedhur në sulm kopenë e analistëve. Dhe këta, si tabori i langonjve të rrugës,
të ushqyer nga kockat që u hedh Rama, i janë turrur Albinit me një mllef të
pështirë. Këta langonj janë të shumtë, por këtu do të bëhet fjalë vetëm për
njërin prej tyre, për Baton Haxhiun, të cilin Rama e ka zgjedhur me kohë si
njeri shumë të përshtatshëm për ta pasur pranë vetes, sepse është agjent i
Beogradit me kohë e me vakt. Pikërisht ky agjenti serb Baton Haxhiu, ka botuar
mjaft shkrime kundër Kryeministrit Albin Kurti. Një paçavure që ka botuar në
internet, e ka titulluar “Albin Kurti, 10 mite rreth një politikani
primitiv”
(Faqja e internetit “Ina”. 06 korrik 2023). Ky Baton Haxhiu, ky agjent i
regjur i Serbisë, ky tradhtar me damkë i mbarë kombit shqiptar, është kaq i
pacipë, saqë as skuqet as zverdhet para publikut mbarëshqiptar për një fakt
tepër demaskues, si argat i Millosheviçit. Ky farë burri, ky zvarranik në
shërbim të serbosllavizmit, u ngrit e shkoi në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar
kundër Millosheviçit. Dhe Millosheviçi e zhveshi lakuriq, duke deklaruar:
“Ti ke qenë bashkëpunëtor i jemi, a po ke dëshirë të ta
dëshmoj, o Baton?” (Citohet sipas faqes së internetit “Lajme Online” në
facebook. 31 maj 2021).
Nëse
ky argat i Millosheviçit do të kishte qoftë edhe një miligram burrërie, qoftë
edhe një miligram dinjiteti, nuk do të guxonte të dilte nëpër studio televizive.
Por ai është i zhveshur tërësisht nga burrëria dhe nga dinjiteti, sepse e ka
ngrënë turpin me bukë, sepse i është bërë faqja rrogoz.
Është
për të lënë mendjen se si është e mundur që këtë agjent të Millosheviçit e
ftojnë si “analist” nëpër studiot televizive të Tiranës. Mirë që shumica
dërrmuese e atyre studiove i shërbejnë
Ramës me tërë afshin e servilizmit të tyre, po Çlirim Peka nuk e kuptuaka që
Baton Haxhiu është ndotës i studios së televizionit “Syri”, si një mjet
i informimit masiv me orientim të djathtë?
Gjithë
shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, të
cilët e duan me shpirt Republikën e Kosovës, në këto çaste, kur ajo po
kërcënohet krejt padrejtësisht me sanksione nga ndërkombëtarët për krijimin e
një shteti serb brenda territorit të saj, Kryeministrit Albin Kurti dhe
Presidentes Vjosa Osmani duhet t’i shprehin mbështetjen e tyre të plotë me
titullin e artikullit analitik të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
të intelektualit me brumosje të shkëlqyer nacionaliste dhe të publicistit të
talentuar Skënder Kapiti. Artikulli i tij, me titull “Kurti dhe Osmani,
qëndroni fort, sepse me juve është historia, patriotizmi, e drejta dhe e
vërteta”, është botuar në internet më 06 korrik 2023. Në atë artikull ai
shkruan:
“Albin
Kurti e Vjosa Osmani kanë meritën e madhe sepse ata futën në politikën
shqiptare standardin patriotik, atë që tipari kryesor i politikanit,
pushtetarit e shtetarit shqiptar duhet të jetë patriotizmi dhe ndjesia e
përgjegjshmëria e lartë para kombit e atdheut kundër korrupsionit, hajnisë e
tradhtisë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ia grisën maskën patriotike tradhtisë,
që maskohet me vellon e patriotizmit, ia grisën maskën tradhtisë politike,
intelektuale e mediatike, të cilat akuzojnë patriotizmin dhe patriotët e
vërtetë për tradhti”.
Shqiptarët,
si komb, njihen në mbarë botën si populli më paqësor. Ata dëshirojnë që me serbët, të cilët janë të ngulur në
Kosovë, të jetojnë në harmoni të plotë, prandaj s’është absolutisht e nevojshme
krijimi i një bashkësie serbe brenda territorit të saj. Tani nuk është e qartë
se kush e kërkon krijimin e asaj bashkësie - serbët e Kosovës apo Beogradi?
Mbetet për të dyshuar se një gjë të tillë e kërkon Beogradi, sepse nuk dëshiron
që Republika e Kosovës të jetë një shtet i pavarur dhe sovran. Bashkësia e
komunave serbe do të ishte një minë me sahat brenda territorit kosovar, sepse
“ishujt” e asaj bashkësie, në mos nesër, pasnesër, s’do ta njohin absolutisht
autoritetin shtetëror të Prishtinës. Nëse ka serb që nuk e duan bashkëjetesën
me shqiptarët, mund të largohen për në Serbi. Por ama drejtësia duhet të vihet
në vend: ata serbë që kanë ardhur nga Kroacia apo nga vise të tjera dhe janë
vendosur në Mitrovicën e Veriut pas 12 qershorit të vitit 1999, duhet të
largohen për në Serbi dhe atje të kthehen ata 15 mijë banorët shqiptarë
rrënjës, të cilët kryetradhtari faqezi Hashim Thaçi i dëboi me dhunë më 2-3
shkurt të vitit 2000. Serbët s’kanë pasur, s’kanë dhe s’kanë për të pasur asnjë
të keqe nga fqinjësia me shqiptarët. Model në mbarë botën i marrëdhënieve shumë
paqësore dhe i harmonisë shembullore të shqiptarëve me minoritetet, janë
marrëdhëniet e tyre me minoritetin grek.
Një personalitet i
njohur i kulturës serbe, dramaturgu dhe profesori i Fakultetit të Arteve të
Dramës në Beograd, Nebojsha Romçeviç, ka deklaruar se nuk beson se Serbia ka
pasur udhëheqës më të këqij në historinë e saj. Ai thekson:
“Atë çfarë e kanë
të përbashkët, e çka aspak nuk dyshoj, është likuidimi i Serbisë në kuptimin
demografik, shpirtëror, ekonomik, politik, ekologjik dhe arsimor. Jam i bindur
se serbët në Kosovë jetojnë më mirë sesa serbët në Serbi”, - ka thënë Romiçeviç
në një intervistë, dhënë revistës serbe NIN (Citohet sipas: “Shkrimtari nga Beogradi: Serbët në Kosovë jetojnë më
mirë se serbët në Serbi”. Faqja e
internetit “Express”. 19 dhjetor 2019).
Pra,
bashkëjetesa e serbëve me shqiptarët në Republikën e Kosovës nuk është aspak e
rrezikuar. Megjithatë, shqiptarët në marrëdhëniet me ta, mirë është të kenë
parasysh atë Esenë e famshme të Pjetër Arbnorit, me titull “Udhëzues për të njohur
serbët para se të bisedosh me ta”, të botuar në disa faqe interneti dhe në
librin e Profesorit Enver Bytyçi, me titull “Shqiptarët, serbët dhe
grekët”, f.
348-349.
Feniks, Arizona
13 korrik 2023