| E hene, 17.07.2023, 06:56 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Erdhën,
protestuan, i thanë qëndrimet e tyre dhe u shpërndanë në mënyrë të qetë. Pra
nuk pati kurfarë komploti për trazira dhe destabilitet. Sepse trazirat dhe
komplotet ekzistojnë vetëm në fantazinë paranojake të atyre që nuk e mendojnë
jetën pa pushtet.
Veteranët
e vërtetë të UÇK- së janë të tillë si këta që i pamë sot. Paqësorë, sepse termi
"dhunë", për ta, nuk ka kuptim jashtë luftës për çlirimin e Kosovës.
Natyrisht
në protestë kishte edhe politikanë të cilët veteranët i shohin thjesht si
korpus votash. Kishte aty-këtu edhe të tjerë që nuk janë shquar në mbrojtjen e
vlerave të luftës çlirimtare. Por protestat janë tilla. Gjithmonë ka njerëz që
marrin pjesë për qëllime që s'lidhen me to. Sidoqoftë mesazhi i protestës së
sotme ishte i qartë si loti: tek veteranët e vërtetë të UÇK- së nuk do të gjeni
kurrë mjetet për ta poshtëruar e dëmtuar Kosovën. Përkundrazi. Sepse UÇK ishte
një dhe e papërsëritshme. Në krejt historinë e lëvizjeve çlirimtare.
_____________
Postimi
i ministrit Sveçla për protestën i plotëson të gjitha kriteret e teorive
konspirative. Kur budallenjtë e këtij zhanri flasin nëpër media, dëmtohet
mentalisht publiku, por kur një ministër policie e shpjegon kundërshtimin
opozitar në terma konspirativë, atëherë rreziku merr dimensione të tjera. Ai
bëhet rrezik për rendin demokratik të gjërave. Sepse, duke e projektu veprimin
opozitar brenda një konspiracioni kundër shtetit, ti e projekton atë si armike
të shtetit. Hapi tjetër logjik është: arrestimi dhe burgosja e saj. Nëse si ministër i rendit, pas zbulimit të
komplotit antishtetëror, nuk vepron, atëherë logjikisht i bie se pasivisht je
duke e ndihmuar zbatimin e komplotit...
Këto
janë vetëm disa nga rrjedhimet logjike të kësaj mënyre të rrezikshme të të menduarit
politik. Fatmirësisht jetojmë në Europë, se po të jetonim në një hemisferë
tjetër, këto rrjedhime nuk do të konsumoheshin vetëm brenda përplasjeve verbale
politike.
_____________
24
vjet pas çlirimit nga Serbia dhe 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë prej saj,
pyetja ma e nxehtë në politikën kosovare është: cila nga partitë ka pshtjell më
së shumti me Milan Radojçiqin, kryekriminelin e Veriut.
Debati
rreth kësaj pyetje është aq i zjarrtë, sa që vetëm fjalët nuk mjaftojnë,
prandaj hidhen në veprim edhe grushtet.
Dhe
nuk u vjen hiç marre.
Dhe
vazhdojnë të rrahin gjokset si përfaqësues të popullit.
Dhe
vazhdojnë të flasin për dinjitet e shtet.
Dhe
ndërkohë të rinjtë e Kosovës përcëllohen nga vapa duke pritur para ambasadave,
në kërkim të një vize për të ikur diku, diku ku dinjiteti e shteti janë gjëra
reale, e jo veç retorikë boshe në gurmazin e politikanëve.
_____________
Edhe
Hollywood-in e kanë kapë ethet e luftës në Ukrainë. Në nëntor del në kinema
filmi "Napoleon" me të famshmin Joaquin Phoenix në rolin e perandorit
francez. Napoleon Bonaparti është gjenerali i vetëm europian në histori që ia
ka dalë ta pushtoj Moskën. Rikthimi i tashëm i vëmendjes së Hollywood-it tek
figura e tij është i lidhur në një farë mënyre me dëshirën e demokracive perëndimore
për ta parë disfatën e Rusisë në luftën e Ukrainës. Ashtu si Moska ra pas
Betejës së Borodinos, një Borodino e re në Ukrainë, mund të shkaktojë rënien e
autokracisë së Putinit.
Por
lufta në Ukrainë e ka rikthyer edhe një ankth tjetër nga e kaluara: ankthin e
përdorimit të armëve nukleare. Ndaj këtij ankthi Hollywood ka reaguar me një
film tjetër, me trillerin "Oppenheimer". Filmi trajton jetën e fizikantit Julius
Robert Oppenheimer, i cili njihet si "babai i bombës atomike".
Të
dy këta filma shprehin një ndjesi të përbashkët të kohës tonë: iluzioni se e
kishim arritur në "Fundin e Lumtur të Historisë", pas rënies së
komunizmit, tanimë ka vdekur përfundimisht. Fantazmat dhe djajtë e të kaluarës
janë rikthyer prapë. Ukraina është dëshmia e parë e këtij rikthimi, ndërsa
Hollywood-i është duke e bërë punën e tij: sensibilizimin botëror të kësaj
dëshmie. Përmes përformancës artistike të aktorëve më të mirë të tij, në mesin
e të cilëve me plot merita bën pjesë edhe Joaquin Phoenix.
_____________
Unë
duke i lexu kujtimet e Xhemal Kusit mbi dhunën dhe përgjakjet e deputetëve në
Parlamentin Shqiptar të viteve '20 të shekullit të kaluar, kur qe papritur
filluan grushtet në Kuvendin aktual të Kosovës. Thua se dolën nga faqet e
librit dhe u shfaqen në sallën e këtij kuvendi. Pasionet e hakmarrjes dhe ato
për pushtet, i kanë çmendur dhe vazhdojnë t'i çmendin shqiptarët. Dhe ka pak
gjasa që kjo të ndryshojë edhe në të ardhmen. Jashtë po bën një vapë e
tmerrshme. Kjo vapë mund të përballohet vetëm duke iu qasur birrave të ftohta,
prandaj po shkoj t'i marrë ca të tilla. Lavdi gjeniut që shpiku birrën!
_____________
Amerika
e futë në Listë të Zezë shefin e UDB-së, Aleksandër Vulinin. Tipi i përfshirë
në krim ndërkombëtar, destabilizim të rajonit dhe në bashkëpunim me Rusinë në
funksion të këtij destabilizimi.
Pas
bombardimit, kjo është goditja ma e madhe për Serbinë, sepse është goditje në
mekanizmin më të rëndësishëm të sigurisë shtetit, në shërbimin inteligjent. Dhe
sërish goditja vjen nga Amerika, të cilën me budallakun dhe axhamillakun tonë
të turpshëm patëm fillu me përçmu e ofendu.
_____________
Janë
shkruar mijëra libra për totalitarizmin e stalinizmin, por askush më mirë nuk e
ka treguar thelbin e tyre se Kundera në veprat e tij letrare, duke filluar me
"Shakaja" dhe "Lehtësia e padurueshme e qenies".
Janë
të pafundme studimet mbi modernitetin dhe kulturën e tij, por asnjëra nuk matet
me shkreptimat ndriquese të veprave të Kunderës mbi frymën e kohëve moderne.
Arti
i romanit dhe mendimi filozofik në letërsinë e Kunderës arrijnë sintezën më të
përkryer, sintezë që asnjë shkrimtar e filozof nuk e ka arritur ndonjëherë. Kjo
është sinteza që na mundëson kënaqësinë e rrëfimit letrar dhe njëkohësisht edhe
nxitjen e parezistueshme për të reflektuar mbi ekzistencën tonë në botë.
Shpirti i kësaj sinteze është brenga e përhershme për lirinë. Në këtë kontekst,
të lexosh Kunderën do të thotë të hapesh ndaj një edukimi të trefishtë:
edukimit estetik, edukimit filozofik dhe edukimit për lirinë.
Dje
Kundera vdiq në shtëpinë e tij në Paris, ndërsa Parlamenti Europian mbajti një
minutë heshtje në nderim të këtij europiani të madh. Njëri prej më të mëdhenjve
në Republikën Perëndimore të Letrave.