| E premte, 14.07.2023, 07:45 PM |
Fjalori Enciklopedik i Edukimit i Prof. Dr. Hajrullah Koliqit - vepër me vlera shkencore dhe historike për zhvillimin e edukimit shqiptar
 Nga
Gjekë Gjonaj
Nga
Gjekë Gjonaj
Shkenca
e edukimit sipas ekspertëve  të kësaj
fushe  vlerësohet “ shkenca e së ardhmes,
si e para nga të gjitha, sepse është motori i krejt të tjerave”.  Ajo sot ka 
përparuar mjaft. Ky  zhvillim  kërkon që të hartohen  fjalorë të ndryshëm  dhe t’i përgjigjen nevojave  të kohës 
të arsimit shqiptar  dhe të  shfrytëzuesve. Një përpjekje të tillë  e 
realizoi me sukses  Prof. Dr.
Hajrullah Koliqi, i cili  botoi veprën e
tij jetësore ( opus vitae) , të 
titulluar ” Fjalor Enciklopedik i Edukimit” me dy vëllime të plota  (vëllimi I A-LL dhe vëllimi II M-ZH).   Kjo vepër gjithëpërfshirëse
leksikologjike  e edukimit prej 1.976
faqesh dhe rreth 6.700 njësish (zërash) nga të gjitha fushat e edukimit,    është një kontribut  jashtëzakonisht i çmuar  i 
autorit  për këtë fushë, mbase
edukimi  është  shtylla kryesore  e përparimit të shoqërisë  dhe garancia më e mirë e zhvillimit të
vendit. Ky botim, i cili ka munguar në Kosovë, 
është edhe  një arritje  e madhe dhe e rëndësishme  e shkencës dhe edukimit shqiptar një
përgjithësi dhe si i tillë përbën një risi për shkencat e komunikimit.  Është një dëshmi  domethënëse 
e karrierës  më se dyzetvjeçare
universitare  e kërkimore-shkencore  e Prof. Dr. Hajrullah Koliqit në fushën e
historisë dhe praktikës së edukimit. Ky fjalor njëkohësisht është  dëshmi e aftësisë së kapaciteteve dhe
njohurive të tij të thella intelektuale që janë shprehur në strukturën e këtij
libri studimor.
Në
hartimin e kësaj vepre me vlerë 
historike për zhvillimin e edukimit në Kosovë, kërkesë themelore e autorit
ka qenë trajtimi i zërave ( termave e nocioneve)  me vërtetësi e saktësi shkencore. Fjalori
është shtjelluar sipas traditës së hartimit të fjalorëve, sipas alfabetit
të  shqipes, nga shkronja “A -ZH”, duke i
shtuar atij edhe “W” pas shkronjës “ V”.  
Të gjitha  shkronjat
trajtohen  nga aspekti  etimologjik i tyre,  kurse  
zërat  përgjithësisht  janë të vegjël dhe të mesëm, me disa
përjashtime. Në të gjitha hallkat e punës për këtë vepër janë bërë
përpjekje  për të dhënë një trajtim
shkencor sa më objektiv për  zërat e
trajtuar.
Në
këtë   vepër  autori Hajrullah Koliqi ka përfshirë
edhe  zëra  dhe informacione nga shkenca e disiplina të
tjera , të afërta me edukimin siç janë: psikologjia, filozofia, sociologjia,
historia, fiziologjia, mjekësia etj.   Ato  janë përfshirë në dy rrafshe, në rrafshin
vertikal apo historik dhe në rrafshin 
horizontal ose bashkëkohor.  Të
gjitha shkronjat  trajtohen nga  tri aspekte kryesore:  filozofia e edukimit, teoria e edukimit dhe
praktika e edukimit. Autori i fjalorit, duke u nisur nga fakti se  të gjitha shkencat shoqërore e kanë traditën
e tyre e cila nuk duhet të mohohet  për
arsye se trungu i shkencës është  tradita
dhe mbi çdo traditë ndërtohet  ajo
bashkëkohorja në çdo fushë, pra edhe në atë të edukimit, bën përpjekje  që të bëjë 
njëfarë  harmonizimi të traditës
së edukimit dhe edukimit bashkëkohor.
Hartimi
i fjalorit enciklopedik të autorit Prof.Dr. Hajrullah Koliqit   është një përpjekje për harmonizimin e  terminologjisë së edukimit evropian  me atë amerikan, sepse kemi këtu   edhe mospërputhje, madje edhe
shpërputhje  midis terminologjisë
shqiptare.  Autori parimisht  është nisur nga ajo që  asnjë zë të mos shkruhet ( shpjegohet) nga
një  burim, Prandaj ai ka shfrytëzuar
burime të  shumta e të llojllojshme  shkencore-profesionale, si: fjalorë dhe
enciklopedi të përgjithshme, tekste universitare, monografi shkencore,  enciklopedi 
të përgjithshme, pedagogjike, filozofike , psikologjike   dhe burime elektronike , me autorë   në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
Konsiderojmë
se ky  fjalor do t’u shërbejë  jo vetëm ekspertëve të kësaj fushe,
studentëve e studiuesve të edukimit, por edhe mësimdhënësve, prindërve,  njerëzve të zakonshëm  dhe të gjithë të  tjerëve që e duan arsimin dhe shkencat e
edukimit,  të cilët dëshirojnë të
zgjerojnë njohuritë e veta në fushat e edukimit. “Hartimi i këtij fjalori më ka
shërbyer dhe mua, për t’u rritur në aspektin profesional dhe shkencor.  Punova 
shumë dhe mësova shumë “, thotë autori në parathënien e   kësaj vepre. Edhe ne mësuam shumëçka  që nuk e dinim më parë   për sa 
kohë që  e lexuam këtë  vepër.
Ky  vepër leksikologjike  pritet të zgjojë interesim, diskutime, dilema
e vlerësime të ndryshme tek 
intelektualët, edukatorët edukologët, 
edukantët, edukatëdashësit, entet, institucionet shkencore të kulturës
shqiptare  dhe të gjithë ata/ato që
duan  të mësojnë më shumë  rreth 
fushës së edukimit.
Fjalori   është botuar nga Fakulteti i Edukimit (
Universiteti i Prishtinës, në vitin 2022), dhe financuar  nga MASHTI i Kosovës. Recensentë janë: Prof.
DR. Afërdita Deba-Zuna, Pof.Dr. Bardhyl Musai dhe Prof.Dr. Naser Zabeli,
redaktor Prof.Asoc.Dr.Blerim Saqipi, ndërsa 
kryetar i Këshillit Botues Prof.Dr.Kurtesh Sherifi.   Publikimin 
dhe përdorimin e këtij fjalori  e
lejoi  Këshili Botues i Universitetit të
Prishtinës me Vendimin nr.616 të datës 1 prill 2022.
Në
mbyllje të këtij vështrimi  po
citojmë  edhe një mendim të Prof.Dr.  Hajrullah Koliqit  që ka të bëjë me  modestinë e tij njerëzore. “ Unë bëra atë
çfarë  dita dhe munda, me shpresë se
studiuesit dhe autorët e tjerë shqiptarë ( individë apo grup individësh) do të
hartojnë fjalorë të  tjerë cilësorë  dhe enciklopedi gjithëpërfshirëse të
shkencave të edukimit, të krahasueshme me vepra të tilla të ngjashme në vende
të zhvilluara”.
Ulqin, 13 korrik 2023