| E merkure, 12.07.2023, 07:51 PM |
SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS
FTESË
PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCËN SHKENCORE QË DO TË
ZHVILLOHET MË 27, 28 e 29 TETOR TË VITIT 2023 NË PRESHEVË
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës
së Preshevës, me seli në Preshevë shpall
platformën e Konferencës Shkencore që do të organizojë gjatë muajit tetor në
Preshevë. Tema bosht e kësaj Konference do të jetë: “PERSONALITETE SHKENCORE
SHQIPTARE NË ALBANOLOGJI NGA LUGINA E PRESHEVËS DHE VISE TË TJERA SHQIPTARE”
Qëllimi dhe rëndësia e kësaj veprimtarie shkencore:
Qëllimi i organizimit të kësaj Konference është nxjerrja
në pah, në një mënyrë më të përgjithësuar, e të gjithë atyre personaliteteve
shqiptare JO NË GJALLJE që me veprën e tyre kanë lënë gjurmë të konsideruar dhe
me peshë në Albanologji. Jo se deri më sot nuk ka pasur trajtesa të natyrave të
ndryshme për këto personalitete, por, në këtë kontekst, ka pasur edhe ndonjë
mangësi të caktuar, prandaj riafirmimi i veprimtarisë së tyre shkencore, në një
plan më të përgjithshëm dhe njëherit me më shumë përfaqësues, gjithësesi, do të
krijonte kushte për të pasur një mozaik shkencor të këtyre personaliteteve nga
fushat përbërëse të Albanologjisë. Kjo nismë që po ndërmerret do të sillte
ndriçimin e atyre personaliteteve shkencore, më të dalluara nga fushat e
ndryshme të Albanologjisë, të vendosur pranë njëri – tjetrit, me pikësynimin që
kushdo i interesuar të kishte në duart e veta një tablo sa më përgjithësuese,
të ndihmesave që ka sjellë secili prej këtyre studiuesve të përkushtuar.
Besojmë se ka ardhur koha për sjelljen e një hierarkie të vlerave, të atyre që
ia kanë kushtuar jetën e tyre problemeve më të spikatura në fusha si
trashëgimia kulturore e popullit shqiptar, në të gjitha hapësirat e jetuara nga
shqiptarët. Dhe të gjitha këto ndihmesa shkencore, të zgjeruara si punime të
mirëfillta shkencore pas kumtimeve në këtë Konferencë Shkencore, të përfshira
në një botim të veçantë, që Shoqata jonë do ta realizojë, besojmë se do të
shërbejnë më së miri për njohjen e personaliteteve më në zë nga fushat e
ndryshme të Albanologjisë.
Teza themelore e Konferencës Shkencore është:
Personalitete shkencore në fusha të tilla si: gjuhësia,
historiografia, etnologjia,
folkloristika, arkeologjia dhe letërsia shqiptare.
Identifikimi i problemit dhe rëndësia e zgjidhjes së tij:
E sotmja e veprimtarisë shkencore në fushat e
Albanologjisë nuk mund të jetë e plotë dhe e qartë pa njohur dhe vlerësuar
punën pasionante dhe të përkushtuar të brezave të ndryshëm të studiuesve
shqiptarë ndër vite. Janë pikërisht ata studiues që kanë hedhur themelet e
shkencës shqiptare, mbi bazën e së cilës, edhe duke plotësuar apo duke mbajtur
një qëndrim rishikues, duhet të zhvillohen dhe të pasurohen më tej shkencat
Albanologjike.
Deri më sot është realizuar përgjithësisht një punë e
mirë për nxjerrjen në pah të personaliteteve shqiptare nga fushat e ndryshme të
Albanologjisë, nga institucione shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e
Veriut, në hapësira të tjera shqiptare dhe në diasporë, si edhe nga individë të
ndryshëm. Por një pranëvënie e tyre do të sillte më të plotë dhe do të ishte më
bindëse për atë çka kanë sjellë si pasuri të vlerësueshme, për të nxitur brezat
e sotëm të studiuesve në fushat përkatëse që ta njohin nga afër këtë trashëgimi
dhe, mbi këtë bazë, ta zhvillojnë edhe më tej studimin albanologjik.
Kohëzgjatja e paraqitjes së secilit pjesëmarrës në këtë
veprimtari do të jetë 15 minuta. Ndërsa për botimin e plotë të të gjitha
punimeve që do të paraqiten, numri i faqeve duhet të jetë nga 10 deri në 20.
Ju lutemi të gjithë studiuesve nga Lugina e Preshevës,
Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, nga shqiptarët në Maqedoninë e
Veriut dhe të Malit të Zi, si dhe nga shqiptarët në diasporë, që deri më 20 korrik 2023 të përcjellin
abstraktet e punimeve të tyre në këtë adresë:
shtkkpresheve@yahoo.com, xhemaledin47@gmail.com.
Hartimi, publikimi dhe njoftimi i pjesëmarrësve me Programin e Konferencës Shkencore do të bëhet
më 10 tetor 2023.
Kontakti:Xhemaledin Salihu, cel.+381 63 8771 423
Duke shpresuar në një bashkëpunim të frytshëm, i
falënderojmë paraprakisht të gjithë ata që do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës
sonë. Ju mirëpresim.
Bordi për organizimin e Konferencës:
Prof.dr.Drita Halimi-Statovci-etnologe
Prof.dr. Agron Xhagolli-kulturë
popullore/folklorist/
Prof.dr. Izaim Murtezani, studime folklori
e etnologji
Xhemaledin Salihu, profesor, studiues
P.s. Nëse ka nga studiues të ndryshëm ndonjë pyetje apo
sugjerim, gjithashtu të drejtohet në adresën e mësipërme.
P.S.
SHOQATA
PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE NË PRESHEVË ORGANIZOI KONFERENCA
SHKENCORE, ME TEMË:
/Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari e
Luginës së Preshevës u themelua më 16 tetor 2010.
Misioni i saj është mbrojtja dhe ruajtja e
trashëgimisë kulturore dhe kultivimi i krijimtarisë kulturore./
1.Çështja e valles shqiptare në Preshevë me
rrethinë-viti 2010
1.1.Libri doli më vitin 2011
2. Dasma shqiptare në Preshevë me
rrethinë-viti 2011
2.1.Libri u botua më 2012
3. Lugina e Preshevës në Lëvizjen Kombëtare
gjatë historisë-viti 2012
3.1.Libri-2013
4. Unifikimi i plan-programeve dhe teksteve
mësimore për shkollat shqipe-2011
4.1.Libri nuk u botua
5. Presheva, Bujanoci, Medvegja, dje, sot dhe
nesër /së bashku me Institutin Albanologjik të Prishtinës/-2013
5.1.Libri-2015
6. Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të
trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të LDB-2014
6.1.Libri-2016
7. Çështja e Luginës së Preshevës në
dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, siguria dhe
marrëdhëniet shqiptare-serbe-2017
7.1.Libri-2017
8. Jeta dhe veprimtaria e Akademik Idriz
Ajeti në Medvegjë-2017
8.1.Libri-jo
9.Trashëgimia kulturore jomateriale
shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe e viseve
shqiptare- 2018.
9.1.Libri-2019
10.Veshja shqiptare e Medvegjës dhe e viseve
shqiptare-2019
10.1.Libri-2022
11.Trashëgimia kulturore dhe turizmi-2019
11.1.Libri-2020
12.Trashëgimia kulturore material e
paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare-2020
12.1.Libri-2021
13.Zejtaria dhe tregtia në Luginë të
Preshevës dhe në viset shqiptare-2022
13.1.Libri-2022
14.Festat kalendarike tradicionale të vitit
në Luginë të Preshevës dhe në viset shqiptare
Gjithsej: 14 konferenca dhe 12 libra
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari
kulturore botoi:
1.Xhemaledin Salihu, Bujanoci burim i
trashëgimisë sonë kulturore e natyrore-Gjilan, 2014
2. Xhemaledin Salihu,-Vebi Fazliu, Rainca
vendbanim i vjetër dardan-shqiptar në
Rajonin e Preshevës-Gjilna, 2015
3. Xhemaledin Salihu, Presheva pjesë e
pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj/monografi/-Prishtinë, 2017
4. Xhemaledin Salihu, Mëhallët dhe toponimet
e vendbanimeve të komunës së Preshevës-Prishtinë, 2021
5.Hysen Këqiku, Romancë e përflakur I dhe
II-Prishtinë, 2021
6. Hysen Këqiku, Në kuptim të fjalës, kritikë
letrare, Gjilan, 2021
7.Jonuz Fetahaj, Eshref Qahili, Ditën e lag
shiu, Albumi poetik-Prishtinë, 2021
Prej 7 titujve, 8 libra: 4 shkencore dhe 4
libra letërsi.
Gjithsej: 14 Konferenca, 19 libra, 11 libra
botim punimet e Konferencave, 4 libra autorw individuale dhe shkencorw dhe 4
libra letwrsi.