| E marte, 11.07.2023, 07:56 PM |
Rruga
e gjatë në mes aktit krijues dhe lexuesit
(Brahim
Avdyli Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, Prishtinë, 2023)
(Vështrime,
sugjerime, përsiatje, recensione, studime, ese, etj.)
Nga
Prof. Dr. Emin Kabashi
Përkufizimi
Vepra e Brahim
Avdylit, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, hapet me një
parathënie, që mëton ta orientojë lexuesin, jo vetëm për çështjet që ka
trajtuar autori, por për gjithë strukturën shkrimeve të tij, edhe për veprat
letrare që ka marrë në shqyrtim, edhe për strukturën e ndërtimit të tyre, edhe
për shkoqitjen në aspektin e vlerës shoqërore që kanë ato vepra, por edhe për
vlerën letrare mbi të cilën janë krijuar.
Atëherë lindin
disa dilema, që mund të përthekohen me disa përkufizime, ndër të cilët edhe ky
që po parashtrojmë që në këtë nismë:
Çka janë
shkrimet e krijuesit Brahim Avdyli për letërsinë?
Hyrje
Shkrimet,
vështrimet, studimet, esetë që ka përfshirë autori Brahim Avdyli në këtë
përmbledhje, shtrojnë çështje të shumta që lidhen, jo vetëm me letërsinë si akt
krijues, por edhe me rëndësinë e tyre në planin shoqëror, jo vetëm me
strukturën e ndërtimit të tyre, pa marrë parasysh se për cilën gjini, apo lloj
letrar bëhet fjalë, po edhe për realizimin e tyre artistik, jo vetëm mënyrën e
qasjes së realizimit të një vepre, por edhe për vlerat që mund të bëhen
trashëgimi e brezave që vijnë.
Do të thotë,
autori i veprës që po shqyrtohet, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta,
Brahim Avdyli, ka analizuar gjithë strukturën e ndërtimit të veprës së akëcilit
autorë që ka marrë në shqyrtim, ka trajtuar deri në shkoqitje të përimtuar
gjithë rrugën krijuese të secilit autor që ia ka shqyrtuar veprën, ka sugjeruar
një varg çështjesh që dalin nga struktura e veprave për të cilat ka dhënë
mendimin e tij.
Prandaj, një
dilemë tjetër që shtrohet në këtë rast, mund të përmblidhet në një përkufizim,
në formë të pyetjes krijuese:
Cilat vlera e
preokupojnë autorin e këtyre shkrimeve, përmbledhur në një vepër me karakter
studiues?
Komunikimi me autorët dhe veprat që ka marrë në shqyrtim
Autori Brahim
Avdyli, veprën e tij, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, e fillon
me vështrimin për veprën me poezi të autores Arberta Mamudi, Ylli i
plagosur. Në vështrimin e tij, Brahim Avdyli shtron disa çështje
interesante, qoftë për vlerën ideore të vargjeve të saj, qoftë për peshën
emocionale që bartin vargjet e këtij vëllimi me poezi.
Më thotë mendja,
se mjafton një përkufizim, që ka dhënë autori, për të përmbledhur gjithë vlerën
e këtyre poezive përfshirë në vëllimin me titull shumë provokues, por shumë
poetik, Ylli i plagosur.
Autori, Brahim
Avdyli, që në fillim, e shtron drejtë përjetimin e krijueses së re, andaj
thotë: ‘‘Poetesha e re, Arberta Mamudi, në vargjet e saj, e përjeton thellë
fatin e rëndë të shqiptarit, qoftë nga Atdheu, qoftë nga mërgimi’’. Besoj,
se këtu është përmbledhur në mënyrë bindëse i gjithë preokupimi krijues i
autores së re, për veprën e së cilës studiuesi, Barahim Avdyli, ka shkruar
parathënien, jo vetëm duke folur për vlerën e poezive të saj, por edhe për
preokupimet e saj, që janë pjesë e jetës sonë nëpër rrugët e jetës që bëjnë
shqiptarët, kudo që janë, qoftë brenda atdheut, qoftë të mërguar nëpër botë.
Kurse për veprën
e Dr. Muhamet Rugovës, ‘‘Kronikë e kohëve-gjenealogjia e familjes
Lila-Rugova, që nga paraardhësit’’, botim i vitit 2021, duke shqyrtuar
peshën që ka botimi i këtillë, ku jepet historia e tetë brezave të familjes
Lila-Rugova, që në një mënyrë apo në një tjetër, është shëmbëllim i rrugës për
të shkruar historinë reale të jetës së shqiptarëve, pa ato ndikimet, siç
thuhet, fisnore, partiake, pushtetore, e kështu me radhë.
Këtu qëndron
edhe vlera madhore e veprave të këtilla, si kjo e atdhetarit Muhamet Rugova,
për të cilën ka shkruar autori i kësaj vepre, Brahim Avdyli.
Duke lexuar me
kujdes dhe me kureshtje të gjitha llojet e shkrimeve të Brahim Avdylit,
përfshirë në këtë vepër, krijohet bindja, se janë shqyrtuar, janë analizuar,
janë vlerësuar dhe janë studiuar, thuajse të gjitha aspektet e aktit krijues,
por edhe rrjedha të jetës shoqërore kudo që jetojnë krijues të ndryshëm, kudo
që krijojnë dhe botojnë veprat e tyre, si dhe kudo ku vlerësohen dhe lexohen
ato vepra.
Kjo është edhe e
veçanta e vlerës së shkrimeve të veprës së Brahim Avdylit, Bota shpirtërore
dhe krijime të veçanta.
Do të thotë,
shkrimet e kësaj vepre, qofshin ato vështrime për përmbledhje poezish, qofshin
ato studime të mirëfillta, qofshin analiza për çështje të ndryshme të veprës
letrare, qofshin edhe shkrime eseistike, nxjerrin para lexuesit një dilemë të
përhershme, që mund të përmblidhet, në një formulim të përafërt:
Si komunikon me
veprën artistike, autori Brahim Avdyli dhe cilat aspekte vlerash trajton në
vlerësimet e tij?
Shqyrtime analitike përgjithësuese për krijime të veçanta
Në këtë shkrim,
doemos, edhe si lexues, tërheqin vëmendjen vështrime të veçanta, që mund të
trajtohen edhe si studime të mirëfillta për vepra të caktuara, që autori ka
marrë në shqyrtim.
Të tilla, kësaj
radhe, më bindëse janë vështrimet për vëllimin në dy gjuhë, italisht dhe shqipe
të autorëve Filippo Landi dhe Ilire Zajmi, Un treno per Blace, Një tren në
Bllacë.
Më thotë mendja,
të njëjtën qasje ka edhe për veprën e mërgimtarit të përjetshëm në Bukuresht,
Baki Ymerit, për vëllimin e tij poetik, me titull, Zjarri i Shenjtë,
botuar në vitin e largët 2001 në Tetovë.
Për vëllimin e
Filippo Landit dhe Ilire Zajmit, studiuesi Brahim Avdyli, shqyrton thuajse të
gjitha aspektet e këtij vëllimi, duke bërë analizë përimtuese, jo vetëm të
vlerës letrare të këtij vëllimi, por edhe vlerën e madhe për kujtesën historike
të shqiptarëve, që ndonjëherë thuajse harrojnë nëpër cilat ngjarje tragjike ka
kaluar jeta e tyre, edhe si popull i ndarë në disa shtete, por edhe si tërësi
kombëtare.
Autori Brahim
Avdyli e ka të qartë, se përkundër peshës tragjike që ka përmbledhja që ka
marrë në shqyrtim, është i vetëdijshëm, se autorët, as italiani Filippo Landi,
as shqiptarja Ilire Zajmi, nuk kanë mundur, as nuk kanë pasur njohuri për
gjithë realitetin e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, ‘‘veçanërisht
në Istog, Pejë, Deçan, Junik, Koshare, Morinë, që është vendlindja ime,
fshatrat për rreth, Samolicën, në anën tjetër, Shishmanin e Babait e Bokës,
Gjakovën dhe rrethinën e saj, deri ne Rogovë të Hasit, përtej Erenikut, që
është lidhur me lumin me të njëjtin emër e deri në Dri, pra rajoni kufitar me
Shqipërinë, sidomos me Malësinë e Gjakovës e Bjeshkët e Shkelzenit’’.
Qoftë edhe vetëm
përfshirja e kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, si pjesë e munguar e
strukturës së veprës Një tren për Bllacë, shpalon gjithë peshën e
tragjedisë shqiptare që kishte shkaktuar armiku ynë shekullore në jetën
historike të popullit shqiptar.
Në mes këtyre dy
studimeve të mirëfillta, autori ka vënë vlerësimin për vëllimin në tri pjesë të
mërgimtarit tjetër të njohur, të Hysen Ibrahimit, me një titull shumë
domethënës, jo vetëm për mërgatën shqiptare, por për gjithë kulturën tonë
kombëtare, siç është titulli i kësaj vepre në tri vëllime, ‘‘Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në
Suedi për pavarësinë e Kosovës’’, të cilën e ka botuar Shoqata e Artistëve dhe
e krijuesve shqiptarë ‘‘Papa Klementi XI Albani’’.
Qoftë edhe vetëm
ky fakt i peshës së këtyre tri vëllimeve, thotë autori Brahim Avdyli, ‘‘do të
thotë shumë për shqiptarët e atjeshëm dhe për shqiptarët e këtushëm, do të
thotë, për shqiptarët e mërgimit tonë të madh, si dhe për shqiptarët që janë në
atdhe’’.
Tërësia e analizave si strukturë e studimit të veprave letrare
Autori i këtij
vëllimi vlerësimesh, analizash, studimesh, esesh, Bota shpirtërore dhe
krijime të veçanta, Brahim Avdyli, për secilën veprë që ka marrë në shqyrtim,
ka qasje profesionale, ku njohuritë për vlerën e veprës letrare, kushtëzohen
nga përmbajtja e akëcilës vepër që ka marrë në shqyrtim.
Prandaj, mund të
thuhet se, fjala vjen një studim i mirëfilltë është vlerësimi që ka bërë për
vëllimin krijues të poetit Nexhmedin Syla, Ritme jete, botim i vitit
2022.
Duke u marrë me
veprën e tij poetike, autori Brahim Avdyli, është marrë me gjithë rrugën
jetësore të krijuesit, që do të thotë, ka marrë motivet e poezisë së këtij
vëllimi, që ishin pjellë e realitetit jetësor të krijuesit.
Dua të besoj se
kjo është e veçanta e të gjitha shkrimeve të Brahim Avdylit në këtë
përmbledhje, ngase për secilën vepër që ka dhënë mendimin e tij studimor,
autori ka gjetur shëmbëllimet përkatëse me jetën e krijuesit.
Për ta mbështetur
këtë mendim, mund të sjellim një argument, që thuajse është i përfillshëm në të
gjithë strukturën e veprës së Brahim Avdylit, kur shkruan për poezinë e Kujtim
Matelit, Qetësojmë shpirti e trazuar. Duke folur për këtë vëllim me
poezi, autori Brahim Avdyli, ndalet bindshëm duke vënë në pah rëndësinë veprës
së tij për vendndodhjen e Dodonës, të botuar në dy vëllime studimore, më 2011
dhe më 2016 në Tiranë, më titull, Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, I,
II.
Do të thotë,
autori i këtij studimi, Brahim Avdyli, gjerësinë e analizës së tij e ka
theksuar që në titull, kur e ka përkufizuar, me Xhevahirët e një shpirti të
trazuar dhe çështje të tjera të historisë. Ata që duan të kuptojnë
gjerësinë e trajtimit të një vepre letrare, kësaj radhe e kanë të qartë që në
titullin e studimit.
Në tërësinë e
veprës së Brahim Avdylit, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, ka
vlerësime interesante, për ngjarje me rëndësi të madhe historike. I tillë mund
të jetë shkrimi për shfaqjen e dramës kushtuar Heroit të Kombit, Agim Ramadani,
me titull Ringjallja e Agimit, me autorët Xhemile Kajtazi dhe Muharrem
Sylejmani.
Mirëpo, autori
Brahim Avdyli, para se ta shihte premierën e dramës, i kishte në mendje dhe në
shpirt vargjet e Agim Ramadanit: Mu shterrshin sytë/ nëse pushoj Lirinë tënde
me ëndërrue/ mallkue qoftë gjaku im/ nëse m’vrasin pa luftue.
Lexuesi e ka të
qartë, jo vetëm vlerësimin e autorit, por edhe idealin që ka sjellë teksti i
dramës së shfaqje teatrore.
Përfundim
Ese që flasin për jetën dhe përtej jetën
Autori i veprës Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, Brahim Avdyli, ngjashëm me shkrimin
për dramën kushtuar Heroit të Kombit Agim Ramadanit, që në një mënyrë është një
elegji për veprën madhore të luftës dhe të rënies së tij, ka rikujtuar, ose ka ringjallur
aktorin e madh të baletit shqiptar, Rrustem Selcën.
Përjetësia e
veprës së Rrustem Selcës, jo vetëm si aktor i baletit, por edhe si formues i
vlerave të kulturës kombëtare, në përkujtimin e autorit Brahim Avdyli,
shpalohet edhe përmes regjistrit të madhe të veprave ku ai ka përjetësuar diçka
nga vetvetja, pra ka krijuar që në gjallje rrugën e së përjetshmes.
Qoftë edhe vetëm
për këtë cilësi, ky përkujtim është një lapidar që i kushtohet një artisti të
madh.
Një studim i
veprës së autorit Brahim Avdyli, ka gjetur vend në këtë vepër, në rrafshin
krahasues, të poezisë së krijuesve të rinj, në raport me emrat e mëdhenj të
poezisë shqipe, siç janë tre nga krijuesit tanë më të njohur, më të dashur për
lexuesin shqiptar, ndër më të veçantët në poezinë shqipe, siç e përkufizon edhe
autori i studimit krahasues.
Krahasimi në mes
poezive të Fatos Arapit, Dritëro Agollit dhe Xhevahir Spahiut, si dhe ndonjë
krijuesi tjetër më të rinj, siç është Dan Kosumi, e ndonjë tjetër, në një
mënyrë apo në një tjetër, është përgjithësimi i përvojës së leximit të artit
poetik, gjë që e ka theksuar edhe autori i këtij studimi, Brahim Avdyli.
Pa marrë
parasysh se ku e ka gjetur tharmin e krahasimit, autori ka shtjelluar një nga
temat më të përjetshme të poezisë, si është dashuria njerëzore.
Vepra e Brahim
Avdylit, Bota shpirtërore dhe krijime të veçanta, përmbyllet me një
analizë të mirëfilltë, siç e ka quajtur autori, një ese me një titull shumë
domethënës, Sytë që më përcjellin.
Mund të shkruhen
radhë të tëra për përkufizimin e kuptimit të këtyre syve që përcjellin autorin,
që përcjellin krijuesin, që bëhen pjesë e vetëdijes, që nga fëmijëria e deri te
akti i ikjes nga kjo jetë.
Marrë në
përgjithësi, kjo vepër e Brahim Avdylit ka hapur aspekte të ndryshme të rrafshit
studimor të letërsisë, sidomos të poezisë shqipe, ka prekur aspekte të ndryshme
të temave të përgjithshme e të përjetshme, siç janë dashuria dhe vdekja, ka
shkruar për emra të veçantë të jetës sonë historike, siç është rënia për liri
heroit të Kombit, Agim Ramadanit, ka sheshuar rrofshin krahasues të poetëve
shqiptarë, të dy a më shumë brezave, si dhe ka trajtuar me shumë këmbëngulje
rrugën krijuese të disa nga krijuesit e mërgatës sonë të madhe, e cila përherë
e më shumë po bëhet pjesë e vlerave të kulturës sonë kombëtare.
Prishtinë, maj-qershor, 2023