| E marte, 11.07.2023, 07:55 PM |
Mirëmbrëma!
Të nderuar zonja e zotërinj, ju përshëndes !
Me kumtesën time do të shoqëroj Meçanin, në
rrugëtimin e gjatë të krijimtarisë, titulluar:
“Meçan
Hoxha dhe vendlindja“
Nga
Idris Durmyshi
Në
fshatin Kukur të Gramshit, rrëzë Lisecit, në një shtëpi dykatëshe guri, ku
aroma e çajit dhe kënga e zogjve futej nga dritarja, u lind më 07 tetor 1945,
zoti Meçan Hoxha. Në një mjedis të mrekulluar natyror, djep historie e
legjendash, dëgjoi i riu rrëfimet e stërgjyshit Zyfer, luftëtar i Çetës së
Shpatit, të babait Kodhel, partizan në Brigadën e Parë, u njoh me mistikën e
mallin për dajllarët, Mekamë të Gjaçit. Kukuri, vendbanim Ilir, me shkollë
shqipe që nga viti 1916, fshat me 100 burime e 15 mullinj, me 70 partizanë e 6
dëshmorë, ka mbetur krenaria dhe frymëzimi i Meçanit tonë.
Shkollimi
në pedagogjike, universitet e specializimet, me notat më të larta, i dhanë
start të mirë për një vrapim të suksesshëmm të riut plot energji e ëndërra të
bukura. Shkallët e jetës i ngjiti njëra pas tjetrës, pa ashensor e katapultime,
ndaj arriti deri në majë, pa u rrëzuar e aksidentuar. Mësues në Kukur, drejtor
shkolle në Gribë e Shënepremte, drejtor muzeu e drejtor kulture në Gramsh, i
pari i godinës partiake në rreth, deputet i të parit parlament pluralist… Ai
nuk erdhi nga një fshat apo qytet bujëmadh, por emërmadh u bë nga puna e vepra
e tij, që i shtoi oksigjen vendlindjes së vet, Gramshit tonë
Si
për gjithë brezin e Meçanit, edhe për të, jeta pati problemet e kohës, e
përkëdheli me karrike hijerënda, por edhe me sfida tronditëse.
E
pamundur të them gjithçka në shkrimin tim modest, për mikun tonë Meçan, si:
qytetar, intelektual, atdhetar, studiues, arkeolog, sociolog, poet, kritik
letrar, publicist, progresist etj. etj. Biografia e tij e pasuron biografinë e
Gramshit, është histori shqiptare, sagë e vërtetë njerëzore e intelektuale.
Delikatesa e sqima e epërme shihen në paraqitje, sjellje, qëndrime, shkrime e
debate. Gjithmonë e gjithçka mbi mesataren, drejt së përkryerës, ideales.
Kush
e njeh nga afër Meçanin, kënaqet e çuditet njëkohësisht, se si e ka
transformuar shtëpinë në arkiv dokumentash të sistemuara, në bibliotekë librash
të shumtë, në laborator analizash letrare, historike e shoqërore.
Për
ndihmesën e vyer në vite, ka merituar urdhëra e medalje të shumta. Ai është
vlerësuar me Medaljen dhe Urdhërin “Për shërbime të shquara shtetërore e
shoqërore”, është “Qytetar Nderi” i Gramshit, Mirënjohja e “Qytetit të
Durrësit”, “Ambasador i Paqes”, etj. Komuniteti elitar i krijuesve dhe
artistëve të Durrësit i ka besuar, së fundmi, rolin e drejtuesit të këtij klubi
emërmadh. Personalitete dhe krijues dinjitozë kanë shprehur konsiderata të
larta për krijimtarinë e Zotit Meçan.
Intelektuali
dhe shkrimtari Shyqyri Fejzo vëren: “Librat e shkruara nga Meçani, dallojnë për
trajtim të thelluar të problemeve, për saktësi e argumenta shkencore, të
këndshme për lexuesin e dëgjuesin dhe të mbushura me pathos krenarie, për
vendlindjen e banorët e saj.“
Poeti
Agim Bajrami nënvizon “Çdo fjalë dhe kujtim i Meçanit është dhe mbetet për ne
të tjerët, një përvojë e pasur jete, që e ka hak shfletimin.”
Gjuhëtari
dhe krijuesi Ibrahim Ibrushi vlerëson:”Vepra, i nderuar Meçan, të afirmon si
historian me vlera kombëtare. Puna Juaj është misionare, cilësore, e vyer dhe
frytdhënëse.”
Interesant
më duket pasqyrimi i realitetit në veprat e zotit Maçan: Përherë në kërkim të
dritës, të njerëzve ndriçimtarë, të ngjarjeve kulmore, të vlerave
iuniversale,si: patriotizmi, sakrifica, besa, dashuria, mirënjohja,
talenti…Duke i respektuar të gjithë njerëzit në kohë e vende të ndryshme, Ju
dalloni mes kopesë deshët me këmborë, mes pyjeve, lisat ku bien rrufetë, në
qiellin prush me yje, yjet më ndriçimtarë. Ata bëhen antena që thithin e
shpërndajnë valët Tuaja mendore e shpirtërore. Pena Juaj, i nderuar Meçan, ka
nxjerrë nga harresa, baltosja apo mëdyshja xhevahire historike e njerëzore, që
brezave mund t’u shërbejnë si gurë kilometrikë, si bixhu zbukurimi, si hajmali
për syrin e keq. Vepra e shumanshme, histori emancipuese, përcjell mesazhe që e
lartësojnë njeriun, e përsosin moralisht, e armatosin me filozofinë e
ndryshimit, të ndërtimit të së bukurës e së mirës. Ajo na fton ta shohim
njeri-tjetrin në sy, ta vlerësojmë e mbështetim, se kështu lartësohet dinjiteti
i individit, i familjes, i krahinës, i Kombit mbarë.
Pas
leximit të librave të këtij krijuesi të talentuar, të mbeten në kujtesë si
pishtarë, si kapedanë,si kalorës të
përparimit Kamber Dermyshi, Asllan Shahini, Xhile Lici, Mahmut Xhelili, Haxhi
Llalla, Zenel Braci, Riza Kishta, Hamit Dollani, Kapo Lena, Muharrem Zela,
Tahir Llaha…… E vargani nuk ka të sosur. Sa bukur!
I
palodhuri i madh, në ecjen nëpër udhët pa udhë të viteve, duke patur armë dijen
dhe fisnikërinë, edhe në pasditen e jetës së vet, nuk ngec në negativitetet që
sheh, nuk hap apo ngacmon plagë. Si mjek i kujdesshëm, me shpirt të madh e dorë
të lehtë, Meçani jep diagnozë, mjekon e shëron. Veprat mbartin vlera të mëdha
kulturore, shoqërore, shkencore, historike, didaktike, publicistike, poetike
etj, etj.
Nuk
mundem të analizoj ndihmesën e autorit, në gjerësinë e thellësinë e tyre, por
do kënaqem me një ekskursion të shkurtër mbi 14 librat e Tij, që, si 14
valltarë të zënë për dore, këndojnë e vallzojnë për ne, për Gramshin, për
Shqipërinë.
E
nisi me Grabovën Sipër, simotrën e Voskopojës, plotë qytetërim, kulturë e
rrezatim në zonë e përtej saj. Fshati me arumunë ndrin si perlë e fshehur mes
malesh, e lakmuar nga studiues, vizitorë e turistë.
“Dritë
diturie në Gramsh“, mbetet studimi më i plotë për fillesat dhe ecjen e arsimit
në trevën tonë. Rrugë e gjatë, e vështirë, e lavdishme. Rrugë diturie,
dinjiteti, krenarie. Libër plotë dokumenta, statistika. analiza. I këndshëm për
çdo lexues, i dobishëm për çdo studiues.
Sulova
e Lashtësisë dhe e bukurisë, ndihet e vlerësuar me studimin,“Pasardhësit e
Kodrionit”. Libër i vogël në fleta, por i ngjeshur në fakte, dokumenta e
arsyetime shkencore. Kalaja dhe qytetërimi rreth saj, ka hijeshinë dhe
madhështinë e Tomorrit, e malit të shenjtë.
Monografgia,
“Asllan Shahini i pushkës dhe i penës” na e sjell kodovjatasin si rilindës të
madh, të barutit dhe të dijes, me ndihmesë të vyer për Gramshin e Pavarësinë e
Shqipërsë.
“Zenel
Braçi i Tomorricës”, jep portretin e vërtetë të tomorricarit, si komandant
cete, si patriot e humanist, duke e zhveshur nga bloza e viteve të socializmit
ideologjik.
“Gramshi
në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, jep përmasat e vërteta të kësaj epopeje,
dritëhijet që duken e fshihen, trimëritë dhe hiletë që trasheshin dhe
holloheshin, sipas midesë së politikës së kohës.
Libri
më voluminoz i autorit, “Gramshi në jetën time“, ngjan me një testament apo
almanak, ku jeta dhe vepra e autorit rrëfehet me vërtetësi dhe sinqeritet. E
pakrasitur dhe lezetosur, mbetet pasqyrë e zhvillimeve të autorit dhe të
Gramshit, në maloret dhe të tatëpjetat e viteve.
“Riza
Kishta, emër që nuk harrohet”, për mua kulm krijimtarie, të kujton skenat
drithëruese të tragjedive të Shekspirit. Jeta dhe fati i heroit qëndrojnë në
fije të perit. Dashuria për vendin e njerëzit dhe urrejtja për katilin shtet të
diktaturës, janë bateritë që energjizojnë shpirtin e paepur të Riza Ismailit,
njeriut më të bredhur e më ndikues në tërë Gramshin e më tej.
Ashtu,
me një maturi të spikatur, diku hapur e diku mes rreshtave, veprat janë akuzë
për të gjitha gabimet, që ndikuan negativisht në zhvillimin e Gramshit dhe më
gjerë. Unë e mbështesë Meçan Hoxhën,
sepse të gjithë përrenjtë e trevës sonë nuk i lajnë lotët dhe vuajtjet e
gramshakëve, që shkaktoi paaftësia, provincializmi, militantizmi, servilizmi e
cinizmi i atyre që më shumë sunduan, se sa drejtuan. Kolera e komunizmit, ku
Mecani qe aktor i sofrës së parë, nuk ia thau shpirtin njerëzor. Nuk mbllaçiti
fonde tenderash, ndaj lëçiti si shpend i lirë për të sjellë ndryshimin e për të
qenë pjesë aktive e tij. I zhgënjyer, ai, si rrallë kush tjetër, e vetëhoqi,
për të mos e veshur kurrë xhaketën e politikanit, ndonëse ia hedhin krahëve të
tjerët, sa herë që boton një libër apo bëhet palë në debate. Pluralizmin e sheh
si faktor uniteti dhe jo ndarjeje. “Gramshi bëhet më i mirë, kur jemi në garë
për ta qeverisur dhe jo për ta sunduar.“ – ka deklaruar Ai.
Të
nderuar gramshakë e miq!
Gramshi
duket më i bukur, më i madh dhe më i vërtetë, pasi kemi lexuar veprat e zotit
Meçan Hoxha.
Shoqata
“Gramshi“, dega Durrës, le të ndihet dinjitoze, që, edhe pse foshnjore nga
mosha, u jep vlerë, vlerave të Gramshit.
Ju
falenderoj të gjithëve !
Idris Durmyshi
Durrës, më 07.07.2023
Pjesmarres
ne takim